PEIZAZHI NË POEZINË E LASGUSH PORADECIT

Posted on February 3, 2013

0


PEIZAZHI NË POEZINË E LASGUSH PORADECIT

halil

       nga Halil Haxhiosaj

Vepra letrare e Lasgush Poradecit është studiuar, pothuajse nga të gjitha nivelet. Andaj, sot, pas një kohe të gjatë të marrjes me studimin e të gjitha aspekteve të poezisë së Lasgush Poradecit, është vështirë të gjendet ndonjë element i veçantë. Por, megjithatë, kësaj radhe interesimi im do të përqendrohet në poezinë e peizazhit të Lasgush Poradecit. Që në fillim mund të konstatoj se kjo formë e poezisë nuk është e re në poetikën këtij poeti. Peizazhi si formë poetike, e sidomos si frymëzim lirik i përshkrimit dhe paraqitjes së natyrës në poezinë tonë artistike i ka rrënjët në poezinë romantike, pra në poezinë e Rilindjes kombëtare shqiptare. Peizazhi është shfaqur në poezinë e Naim Frashërit, De Radës, Çajupit, Serembes, Shirokës, e sidomos në vargjet e vëllimeve të para poetike të Asdrenit. Vepra “Bagëti e Bujqësia” e Naim Frashërit është një krijim letrar që mbështetet mbi përshkrimet e bukurive të mahnitshme të natyrës shqiptare të shekullit të XIX-të. Qëllimi i autorit të kësaj poeme ishte zgjimi i dashurisë së shqiptarëve të mërguar, ndaj atdheut. Dhe kësaj Naimi ia arriti duke e derdhur tërë inspirimin e tij, tërë frymëzimin dhe mallëngjimin me figura, shprehje dhe qëndrim romantik ndaj natyrës së atdheut. Elemente të tillë hasen edhe tek autorët e tjerë të kohës.

180px-Lazgush_Poradeci

          Lasush Poradeci

Një pjesë e dallueshme në poezinë e Lasgushit Poradecit është edhe poetika e peizazhit që poeti ia kushtoi vendlindjes dhe atdheut të vet. Këtë, ai e bëri në mënyrë mjeshtërore, sepse ia mundësoi studimi në Akademinë e arteve të bukura në Austri si dhe marrja kohë pas kohe më pikturë. Por, cikli i këtyre poezive nuk është i veçantë në asnjërën nga veprat e tij. Ai është i gërshetuar me të gjitha motivet, madje gjendet kudo edhe në poezinë patriotike, filozofike – meditative, refleksive e sidomos në atë me tipare erotike, idilike, baritore, etj. Që në fillim mund të thuhet së poezia e peizazhit e Lasgush Poradecit jeton në simbiozë figurative me të gjitha temat, motivet dhe aspektet e tjera të saj. Kjo simbiozë ka nuancat e një mozaiku e koloriti të ngjyrave, pamjeve, situatave e sidomos të përshkrimeve që poeti me vargje ia bën natyrës së vendlindjes. Andaj, lirikat e paraqitjes së peizazhit, dëshmojnë për mjeshtërinë e lartë artistike të Lasgushit dhe ato shfaqin pikasjen e bukurisë së natyrës shqiptare, shprehin ndjeshmërinë e thellë, shijen e hollë dhe plasticitetin e dalluar në përshkrimin e bukurive, e sidomos të anëve më karakteristike, siç janë: valët, liqeni, perëndimi, era, dremitja e liqenit, barka, anija, vagëllimi, gjeratoret, vazhda e ndritur, tallazet e detit, shushurimat, fluturimi i shtërgut, valëzimi i barkës, jehona e lopatës, mërmëritja e ujit të kroit dhe e të tjera.

Tek lirika më e njohur e këtij motivi, “Poradeci”, poeti paraqet një pamje të veçantë të vendlindjes së vet. Ai ngjyros pamjen e vendlindjes, duke derdhur ngjyrat e një qasjeje disi më faktike dhe qenësore. Nuk ka gjë më të shtrenjtë se vendlindja për individin. E tillë ajo është edhe për poetin, ndaj çka do që thotë për të i duket pak sepse: /Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir/ dhe, madje, aty përhapet / … një pëlhurë si një hije/ ku në fshatin mbi dhe buzë liqenit dhe valës /Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’i i natës bëhet fir/. Në këtë pamje, por edhe në disa të tjera, shihet qartë sikur dorë e poetit bëhet brushë e piktorit dhe heq mjeshtërisht pamjet e bukura, por, madje edhe të theksuara të natyrës. Duhet pranuar se kjo nuk është pamje parajsiane, as parnasiane, por është një peizazh me përjetime dhe shprehje lirike. Të gjitha këto dhe përshkrime të tjera i japin poezisë një timbër tjetër, por jo edhe romantik. Kështu dalëngadalë edhe te kjo poezi ngrit krye motivi patriotik sepse / Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë/ edhe atëherë kur /Në katund kërcet një portë … në Liqer heshtë një lopatë …/. Kjo heshtje nuk është e rëndë, por as e bukur, ngase gjithë njerëzinë e ka zënë gjumi dhe errësira zotëroi në katër anët. Mirëpo, përkundër kësaj gjendjeje jeta nuk topitet, por rri zgjuar në meditimin e ri të poetit, i cili është patriotik që ka domethënie dhe peshë të madhe ngase poezia përfundon me dy vargje tetërrokëshe të dyzuara, të cilat në mënyrë madhështore paraqesin pamjen tjetër që është peizazhi gjeografik i tokave shqiptare të Shqipërisë së ndarë dhe lumi Drini që është simbol i paraqitjes së peizazhit në rrjedhën shekullore të jetës specifike shqiptare. /Duke nisur udhëtimin mes për mes për Shqipëri, /Drini plak e i përmallshëm po buron prej Shëndaumi./.

Objekti i pafund frymëzimi për poetin Lasgush Poradeci është liqeni. Zakonisht përshkrimi dhe paraqitja e peizazhit të liqenit është i bashkëdyzuar me motivin e dashurisë dhe nuk ndahet nga ai. Këtu përkujtohet imazhi i kujtimeve dhe përmallimet e poetit për vashën e zemrës, e cila paraqitet në kopshtin e shenjtëruar që mbëltohet nga hapi i saj që e bleron edhe më shumë atë. Kështu zemra e poetit ndizet dalëngadalë kur dalin yjet dhe ai dehet sepse: /Kuptoj si shpirtin vjershëtor/ Ma frymëzon një mall i ri/. Edhe zemra e liqenit sikurse ajo e poetit pushon në mes të ditës për të pasqyruar buçitjen e tij shndritëse. E gjithë kjo ndodh kur diku në horizontin e largët mbi liqe nis agu, i cili dritësohet me një mëngjes përrallor shprehur në lirikën“Mëngjesi”. Kjo dritë e ditës së re i venit yjet e natës, por ylli i dritës që tretet tinës është /Posi një sumbull prej sheqeri / dhe lajmëtar-mëngjesi është zog i bardhë i një nositi. Të gjitha këto visare të peizazhit të liqenit dhe natyrës së vendlindjes i gjejmë në poezitë: “Poradeci”, “Dremit liqeri”, “Liqeri”, “Mëngjesi” e ndonjë tjerët.

Lasgushi aspektin e peizazhit e ka paraqitur edhe në poezitë e tjera të veprave “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”. Në disa sosh ai paraqet përshkrimin e bukur të mëngjesit, perëndimit të diellit, natës, yjeve, valles së tyre, yllit të zemrës, e të tjera. Por ai me një qasje shumë lirike dhe tejet interesante do të shkruaj lirika të peizazhit edhe për stinët e vitit, si për vjeshtën dimrin, pranverën, muajin e begatisë shqiptare korrikun, për gjahun.

Në poezinë “Korriku” poeti paraqet pamjen e këtij muaji të begatisë, korrjes, shirjes dhe vapës në vendlindjen e tij. Korriku këtu është një afsh i dendur dhe dielli përvëlon si prush ku gjithçka duket e vdekur sepse natyrën e ka mbërthyer një zjarr përvëlues dhe jehona e cicërimës së gjinkallave. Ndërkaq, në poezinë tjetër “Mbarim vjeshte” shfaqet e shpërfaqet një pamje tjetër e peizazhit të tokave shqiptare. Poezia fillon me fluturimin e shtërgut, që paraqet mbarimin e stinës së nxehtë dhe fillimin e stinëve të ftohta. Mbarimi i vjeshtës është edhe simbol i mbarimit të një jete dhe fillimi i një tjetre. Është kjo koha kur ikin zogjtë shtegtarë, të cilët do të kthehen sërish në fillim të pranverës. Në këtë poezi poeti paraqet më se miri dromca lirike të përshkrimit të natyrës në mbarim të stinës së vjeshtës. Edhe kjo poezi është e ndërtuar me vargje tetërrokëshe të dyzuara të cilat kanë shtrirje në strofa katërvargëshe me rimë AABB. Strofa e fundit e kësaj poezie paraqet pamjen më të bukur ku poeti shfaq me lirizëm figurativ peizazhin e bukur ku shtërgun e quan dhëndër me kurorë, kurse krillën një vashë të nusëruar. Kjo pamje peizazhike e Poradecit është uverturë për fillimin e dimrit, i cili ia rrëmben gëzimin dhe ia humb diku kur nga malet fillon të bie dëbora e bardhë dhe e ftohtë.

Për ta ndryshuar këtë pamje të zymtë të peizazhit dimëror, poeti Lasgush Poradeci, e trajton në vargjet e poezisë “Gjahtori”. Kjo është poezia më e gjatë e peizazhit dhe përbëhet prej 12 strofash katërvargëshe tetërrokëshe me rimë ABAB. Pasqyrimi i pamjeve në këtë poezi bëhet në mënyrë paksa tjetër. Monotonia dhe heshtja dimërore thyhet me përgatitjen për gjah. Poeti përshkruan lyerjen e pushkës së gjahut, të fishekëve, pastaj mbushja e pushkës për një ketër, për një lepur. Përshkrimi i gjahtarit dhe presë së tij përfundon me gaz e hare. Elemente të peizazhit ka edhe në poezitë e tjera të Lasgush Poradecit, në të cilat me ngjyra tërheqëse të vendlindjes jepen skena të realizuara të peizazhit, pasqyrohen zakone, shfaqen kostume. Në këto lirika gjallërohet para syve tanë atmosfera e ëmbël dhe e zjarrtë e fshatit shqiptar. Poeti ringjallë një mjedis më koloritin e ngjyrave më të ngjizura pamjet e mjedisit të vendlindjes së vet, sidomos të vendeve idilike siç është kroi. Këto spikaten në poezinë “Kroi i fshatit tonë” që edhe pse më tepër është poezi erotike dhe idikile megjithatë: / Kori i fshatit tonë ujë i kulluar,/ Ç’na buron nga mali duke mërmeruar./ … /Kroi i fshatit tonë ngjyrë argjendi i lyer,/ Që nga rrëzë e malit ç’na buron rrëmbyer./ Dyvargjet e kësaj poezie u bënë ndër më të njohurat në poezinë tonë dhe janë emblemat e lirikës lasgushiane. Ato bëhen edhe inspirim për kompozitorë të cilët kompozojnë këngë të njohura që në vitet e ’30-ta të shekullit XX.

Lasgush Poradeci hyri në letërsinë tonë si poet modern dhe si një zë i veçantë e i mëvetësishëm. Kjo mund të thuhet edhe për poezinë e peizazhit, e cila nuk qëndron aspak nën nivelin e tërësisë së lirikave të tij. Madje, kjo formë e poetikës lirike të këtij poeti e ngrit nivelin artistik, figurativ dhe ndijesor, duke e radhitur në formën e mëvetësishme poetike lasgushiane.

 

 

About these ads
Posted in: ESSE DHE KRITIKA