Poeti martirizuar Trifon Xhagjika (Disident)

Poeti martirizuar Trifon Xhagjika  (Disident)

TRIFON XHAGJIKA

Trifon Xhagjila

Trifon Xhagjika (1932-1963) u lind në fshatin Peshtan, të Rrethit Tepelenë,  në një familje të thjeshtë  që  shquhej për ndershmëri e patriotizëm. Pasi kreu studimet e larta, shërbeu në ushtri. Më 1963 u arrestua bashke me një grup të rinjsh e u dënuan me pushkatim. Poezia ishte pasioni i tij. Për rrethanat që iu krijuan, ai botoi pak. Vargjet e tij shquhen për thellesi, ndjenjë e sinqeritet dhe rrebelim. Mjaft nga poezitë e pabotuara kanë humbur. Një pjesë e tyre është botuar në vëllimin “Atdheu është lakuriq” (1994).

 
Poeti i pushkatuar Trifon Xhagjika në rrëfimin e të motrës, Sotira Tole

Shkruar nga : Afrim Imaj

 

Një pasdite të ftohtë dhjetori, në kapërcyellin e vitit 1963, në Tiranë do të hapej lajmi se kishin pushkatuar poetin, Trifon Xhagjika.
Fillimisht fjala do të qarkullonte nën zë në komunitetin e shkrimtarëve, pastaj në radhët e gazetarëve ushtarakë dhe së fundi do të merrte dhenë në lagjen afër “Florës”, ku kishte jetuar njeriu që ishte martirizuar.

Ajo që kishte ndodhur ishte mbështjellë me mister dhe çdo interesim për më tej mund të kushtonte rëndë. Gjithsesi, poeti nuk do të rikthehej më te lagjja e vjetër, te kolegët e gazetës “Luftëtari” dhe as te blloqet, ku kishte lënë me mijëra vargje në dorëshkrime. Vonë, shumë vonë, të tjerët do ta merrnin vesh atë që kishte ndodhur…

Për Sotira Tolën, motrën e poetit të martirizuar, kreshpa më e lartë e jetëshkrimit të Trifonit është qëndrimi dinjitoz në sallën e gjyqit, ku guxoi të shpërthejë rebelueshëm “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” Kështu e kujton ajo kërkesën e fundit të të vëllait përpara inkuizitorëve. Ishin momentet kur kalvari i seancave gjyqësore shkonte drejt përfundimit. Procedura e donte të dëgjohej edhe fjala e fundit e të pandehurit. Sakaq, ajo do të vinte si rrufeja. I dënuari nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një poet, një këngëtar. Kishte rebeluar së pari shpirti i tij dhe Trifon Xhagjika kishte shpërthyer me zë të lartë. Pastaj, ata që e kishin lebetitur nëpër qeli do të shtonin në akuzën “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, edhe tjetrën, “aktin terrorist”(!) Kjo do të ishte një arsye më shumë për ta pushkatuar fare pa mëshirë. Prapa do të mbetej stuhia me kërcitjen që kishte shkaktuar britma shpërthyese e Xhagjikës, i cili kishte guxuar t’i kundërvihej regjimit, madje me top. Po Sotira Tola, njëra nga motrat e Trifonit, përjeton një brengë, që siç parandien ajo, ka për ta marrë me vete edhe në botën tjetër. Akoma nuk dihet ku prehen eshtrat e tij dhe librat me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit…

 

Nga shtëpia e djegur në Peshtan, në Tiranë…


Trifon Xhagjika do ta linte fëmijërinë e trishtuar aty, në Peshtanin e largët të Tepelenës, dhe do të vendosej bashkë me familjen në Tiranë, në fillim, diku në periferinë e qytetit dhe mandej, në rrugën e “Durrësit”. Ishte fillimi i vitit 1941 dhe në vegimet e djaloshit 8-vjeçar do të mbeteshin vetëm flakët mbi shtëpinë në kodrinë. Rrugëtimi në kohë lufte për një qoshe disi të sigurt do t’i jepte Trifon Xhagjikës shanset për t’u shkolluar e për t’iu kthyer botës së librave. Sotira, e motra e tij, thotë se ai përfundoi me rezultate të larta Shkollën Normale të Elbasanit, prej ku zuri edhe shumë shokë, me të cilët nuk u nda deri në fund. Sidoqoftë, ky ishte vetëm prologu i sfidës për t’iu përkushtuar dijes. Në fillimin e viteve 1950, Trifon Xhagjika do të diplomohej në Tiranë oficer i artilerisë kundërajrore. Po nuk do të ndalonte këtu në fushën e studimeve, ndërkohë që kishte filluar punë në repartin e raketave te “Rrapi i Treshit”. Me këmbënguljen e tij do të përfundonte një kualifikim për gazetari. “Pas kësaj do të rehatohej disi, – thotë Sotira, – dhe do të fillonte punë në Ministrinë e Mbrojtjes si gazetar te periodikja “Luftëtari”. Ndërkohë që dëshira për shkollë nuk do t’i venitej asnjëherë. Pasion i tij mbetej letërsia. Sotira thotë se pjesën më të madhe të rrogës ai e shpenzonte me blerjen e librave. Ndërkaq, fillon të shpërthejë edhe me krijime. Sipas motrës së Trifonit, aty nga viti 1959 përfundoi librin e parë me poezi të titulluar “Gjurmët”. Me mijëra vargje të tjera i sistemonte në blloqe e fletore. Trifoni, – shton Sotira, – mbante miqësi me kompozitorët dhe mjaft nga poezitë e tij bëheshin tekste këngësh.
Gaqo Avrazi dhe Kostandin Trako, që asokohe punonin në Ansamblin e Ushtrisë, ndjeheshin të privilegjuar nga bashkëpunimi me të…

 

Ishte gusht kur e arrestuan “Në emër të popullit!”


Ishte një ditë e nxehtë gushti, kur në duart e brishta të poetit do të shtrëngoheshin prangat. Teksa dilte nga shtëpia e të motrës, Santës, i veshur me rrobat e liridaljes së kapitenit, do t’i priste rrugën një duzinë me civilë të armatosur. “Trifon Xhagjika, në emër të popullit jeni i arrestuar!” Britma e tyre do ta trondiste zemrën e poetit, që fillimisht kundërshtoi, por çdo gjë më tej do të shkonte ashtu sikundër ishte paracaktuar. “Trifoni, -rrëfen Sotira – mesa duket e kishte parandjerë arrestimin. Atë ditë, si asnjëherë tjetër nuk e lejoi Santën ta përcillte deri te porta e shtëpisë, me justifikimin se e priste jashtë një Xhips i punës”. Sidoqoftë, familjarët e morën vesh vetëm pas disa ditësh atë që kishte ndodhur me Trifonin. E motra kujton sinjalin e parë që mori nga një shoqja e saj, me të cilën punonte në rrobaqepsi, pastaj rendjen e tronditur për tek shtëpia e Santës, afër kafe “Florës”. Ajo kishte qenë e fundit që ishte ndarë me të. Santa këmbëngulte se Trifoni ishte nisur me shërbim në Vlorë. Të paktën ashtu i kishte thënë kur ishin ndarë. “Dolëm të dyja dhe morëm në telefon një njeriun tonë në Vlorë, kujton Sotira. Ai na tha se Trifoni nuk kishte shkuar fare në Vlorë. Këtu filluam të dyshojmë. Të nesërmen pastaj do të merrnim vesh të vërtetën. Dhe u mblodhëm të gjithë bashkë, motra e vëllezër. Na kishte rënë mali mbi supe. Trifonin e kishin arrestuar, po përse, akoma nuk e dinim. Askush nuk mund të jepte një përgjigje të saktë. Mbaj mend që hipotezën e parë e hodhi Tasho, vëllai i vogël. Ai tha se mos e kishin arrestuar për vjershat që shkruante. Të të arrestojnë për vjersha, çne, largonim hamendjet ne të tjerët. Po Tasho këmbëngulte në të tijën. E lidhte këtë me porosinë që Trifoni i kishte dhënë së fundi për t’i ruajtur në shtëpinë e tij mjaft nga blloqet me vjersha e krijime të tjera. Pse duhej t’ia ruaja unë, kur ai kishte goxha vend për t’i mbajtur, thoshte Tasho. Gjithsesi, motivi i vërtetë do të zbardhej pak më vonë. Trifonin e kishin prangosur për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. E kishin arrestuar për letërsinë dekadente që krijonte…”

 

“Në gjyq kërkoi një top për të qëlluar sistemin”


Më jepni një top të gjuaj sistemin tuaj! Këto do të ishin fjalët e fundit të poetit, që do të trondisnin trupin gjykues. Nuk kishte ndodhur asnjëherë kësisoj. Viktima e kryqëzuar për disidencë në krijimtari nuk kërkoi mëshirë, siç ndodhte rëndom në të tilla raste. Mëshira e ndjesa për Trifon Xhagjikën ishin të papranueshme. Ai kishte thirrur vet, me zërin e shpirtit të tij: “Po ku është liria?” Sistemi, të cilit i kishte dalë ballazi në duel dhe kërkonte topin e artilerisë për ta shkallmuar, për të nuk ishte gjë tjetër, vetëm “dhunuesi i lirisë”. Vargjet-trakt të Xhagjikës kishin depërtuar në duart e një mase të madhe njerëzish dhe ishin mirëpritur. “E shkreta ti, o Republikë/ U baltosesh zotërve/Dritën ta shuajnë në terr/E ditën ta ndezin/Bukën ta shtrojnë në sofër/ E duart t’i presin…”.

 

Përtej kësaj bote rebele, poeti do të përgjërohej për lirinë e vërtetë, paçka se çmimi i saj do të ishte i shtrenjtë….


“Ditën e gjyqit e morëm vesh me vonesë, vazhdon tregimin e saj Sotira Tola. Nxituan për t’u gjendur aty vëllezërit, Ylli me Anastasin, po dhe ata arritën në çastet kur ishte dhënë vendimi dhe po dilnin nga salla. Pikërisht në këtë moment u panë sy më sy me Trifonin, që sapo ishte dënuar me pushkatim. U ndalën për një çast para tij. Ylli hoqi kapelen dhe i thirri të çonte kokën lart e të mbahej i fortë, siç e donte nderi i Xhagjikëve. Trifoni deshi t’u thoshte diçka, po policët e shtyn me rrëmbim në makinën e burgut…”

Këto kanë qenë çastet më të rënda për familjen e tyre. Më tej tensioni dhe ankthi do të shtohej dita-ditës. Më të rëndë e bënte gjendjen heshtja për çka shteti ishte futur në luftë me Xhagjikët. Nga aq sa mban mend nga kjo periudhë, motra e poetit të pushkatuar nga diktatura, nuk ka për ta harruar kurrë një ngjarje që ka të bëjë me qëndrimin e Trifonit në sallën e gjyqit. E ka njohur me të Anastasi Meksi, një komshije e hershme, e cila ka pasur një të afërmin e saj të pranishëm në sallën e gjyqit. Sipas saj, ai i kishte bërë gjyqtarët të flisnin me vete. Kur e kishin ftuar për fjalën e fundit para pretencës, Trifoni ishte çuar dhe kishte kërkuar një top artilerie për të qëlluar regjimin e partisë. Pastaj e kishin ulur me forcë dhe i kishin komunikuar dënimin me pushkatim. ”Menjëherë, – kujton ajo, – lajmërova vëllezërit për t’u thënë çfarë mora vesh nga Aleksandra. Ndërkohë ishte arrestuar edhe Ylli, vëllai i madh. Santa dhe dy vëllezërit e tjerë ndjeheshin të dërrmuar shpirtërisht. Duhej t’i prisnim ngjarjet pas kësaj pa u ligështuar. Për këtë folëm atë ditë. Lajmin për pushkatimin e Trifonit na e thanë më vonë. Sapo kishte mbushur 30 vjeç dhe priste të bënte fejesën me Linën, vajzën që i kishte thurur me qindra vargje”.

Gjithsesi, Sotirës, siç thotë i biri, Leonardi, i ka mbetur merak që nuk mundi të takohej një herë pas arrestimit me të vëllanë. Ndërkohë, motra e madhe e poetit të martirizuar barbarisht të shpalos tjetër brengë. “Nuk di çfarë u ka thënë katilëve para pushkatimit”, shprehet ajo teksa lëngon në shtrat nga një sëmundje e rëndë. Vërtet çfarë mund të ketë thënë para pushkatimit ai që kërkoi në gjyq topin për të shënjestruar diktaturën? Ndoshta një ditë dikush do ta hapë gojën, shpreson nënë Sotira, në atë pak njerëzillëk që mund t’u ketë mbetur atyre që kanë qenë të pranishëm në çastet e pushkatimit…

 

Rebelimi kishte kohë që kishte nisur


Shpërthimi i papritur në sallën e gjyqit nuk ishte një rastësi. Trifon Xhagjikën nuk e kishte çuar te disidenca e hapur politike vetëm poezia dhe kënga. Në bindjen e tij ishte kristalizuar pak nga pak mospajtimi me “monotoninë e ditëve që vrasin lirinë”. E motra, Sotira, thotë se edhe mjedisi shoqëror që e rrethonte ishte i tillë. Madje Trifoni, njeriu që u jepte tonin bisedave mes miqsh, siç kujton ajo, mundohej t’i ndihmonte edhe në sfidën për t’u arratisur në kërkim të jetës së lirë. “Njërin prej tyre, – tregon Sotira, – pasi e pajisi me një kamerdare të madhe që ia siguroi Genci, djali i xhaxhait tregoi rrugën nga liqeni i Pogradecit, për të kapërcyer kufirin shtetëror. E përvuante shpirtërisht ndarjen e tij me bashkëshorten ruse dhe të bijën vetëm prej divorcit politik me Bashkimin Sovjetik. Dhe e përcolli një ditë për t’u bashkuar me to. Në ujërat e Liqenit të Ohrit ra në dorën e barbarëve. Këtë fat pati edhe shoku tjetër i Trifonit, Fadil Kokomani, që bëri vite e dekada të tëra në burgun e Spaçit.Të tjerë miq e shokë të tij do të bëheshin banorë në kampet e tmerrshme të komunizmit. Ishte një bërthamë të rinjsh të shkolluar rishtaz që e kërkonin ndryshe sistemin në Shqipëri. Pa pranga të fjalës së lirë dhe pa izolimin enverist. Dhe bënë shumë për t’iu kundërvënë hapur. Po ishin pak për të guxuar aq shumë …

Teksa do të kujtojë emrat e tyre, ajo ngashërehet në shpirt dhe me një “Oh!”, të zgjatur mbështetet te jastëku i krevatit, duke u ndjerë e pamundur për të rrëfyer më tej. Si qetësohet paksa, çohet mbi bërryla dhe këmbëngul për të mbajtur shënim emrat e mjaft poetëve dhe shkrimtarëve, që gjatë këtyre viteve, siç thotë ajo, kanë mundur të zbardhin nga errësira shumë gjëra nga jetëshkrimi dhe vepra letrare e Trifonit. Pastaj fillon t’i përmendë një nga një emrat e Xhevahir Spahiut, Pjetër Arbnorit, Mero Bazes, Gjergj Zhejit, Fatos Arapit, Mimoza Ahmetit, Agron Tufës etj. ”Ne, familiarët e Trifonit, përmbledh ajo, u detyrohemi shumë atyre. Pa ta, ne do të kishim vetëm kujtimet familjare për Trifonin…”.

 

Jetëshkrimi
Trifon Xhagjika, poeti pa varr


Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në repartin 3700 në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë. Në këtë kohë bëri një kurs për Gazetari e Histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë. Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, e cila do të kristalizohej më vonë në një disidencë të hapur. Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua. Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”. Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij. Ndërkaq, familjarët dhe miqtë e poetit të martirizuar, ende nuk kanë rënë në gjurmët e krijimeve që i rrëmbeu Sigurimi në kohën e arrestimit.

 

“Të marrët vranë poetin, por jo shpirtin e këngës”


“Vetëm i marri mund të vrasë poetin, engjëllin e fjalës së lirë. Një i tillë qëlloi me breshëri në gjoksin e këngëtorit, Trifon Xhagjika. Po nuk ishte vetëm një. Ishte një sistem i tërë që i përgjigjej me plumb fjalës së lirë”. Janë fjalët e një poeti për kolegun e tij të martirizuar. Agim Doçi, që drejton tashmë median e ushtrisë, ndihet dyfish i detyruar në homazhin për vjershëtorin ushtarak, i cili u pushkatua nga diktatura. Së pari, siç thotë poeti i mirënjohur i këngës, Trifon Xhagjika ka qenë një nga gazetarët më të talentuar të të gjitha kohërave të ushtrisë shqiptare. Mandej, mënyra si ka rebeluar përballë diktaturës me vargjet e tij është fiksuar për krijuesit dhe njerëzit e artit si gjenerali i disidencës shqiptare. Pikërisht për këto arsye, Trifon Xhagjika, sipas Agim Doçit, mbetet nga më të respektuarit në komunitetin e ushtarakëve dhe krijuesve. Disa herë në Qendrën Kulturore të Ushtrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve përshpirtjet për të kanë qenë nga veprimtaritë më të ndjera. Nuk është e rastit, – vë në dukje Doçi, – që për Xhagjikën dhe veprën e tij krijuese dinë më shumë ushtarakët dhe poetët, sesa familjarët e tij. Po ish-gazetari ushtarak, që u martirizua nga diktatura, ka shënuar edhe një precedent: Ai është i vetmi poet i pushkatuar në gjithë Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Një poet pa varr! Ashtu si në rastin e Budës, Fishtës, Gjeçovit. Urrejtja ndaj tyre arrinte deri këtu. Ka ndodhur në historinë e diktaturave shqiptare, si rrallëkund të martirizohet poeti, njeriu i shpirtit dhe i këngës, thotë Agim Doçi, duke përmendur vrasjet e Luigj Gurakuqit, Qemal Stafës dhe atë të Trifon Xhagjikës. Vetëm regjimet barbare prodhojnë të marrë, që vënë në shenjë poetin, njeriun e fjalës së lirë. Po nuk mund të vrasin dot shpirtin e këngës që ai përfaqësojnë. “Plumbi i zi vrau Xhagjikën, poetin e famshëm, po kurrë nuk mundi të vriste vargjet dhe këngët e tij”, shton Doçi. Më tej, njeriu që vazhdon të drejtojë median në ushtri, vë në dukje se Trifon Xhagjika është autori i poezisë që është bërë himni i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve nëpërmjet kompozimit të Kostandin Trakos, qysh në vitet ‘60. Breza të tërë oficerësh e kanë vërshëllyer atë për vite me radhë, ndërkohë që vjershëtori i saj nuk jetonte.

Publikuar ne PANORAMA me 23.05.2006

 

               Poezi 

NDIHMOMËNI TË QESH!

 

Nuk mundem,

………………….. nuk mundem,

nuk mundem.

E pashë Atdheun lakuriq,

(vetëm pa miq e shokë)

mundohej të këpusë një degë dafinë

nga lavdia e shekujve.

Atdheun e dija të uritur!

Por sa i vogël qenka!

As një degë nuk e këpuste dot.

E mora për dore

ta rrit në zemrën time…

Vëllezër-

Po e kërkuat Atdheun,

e kam unë.

Ndihmomëni të qesh.

Ndihmomëni të gëzoj.

Atdheu është lakuriq!

 

1963

 

NDËRGJEGJE ME KATRORË TË ZEZA

 

Natë!

Pa më shkruaj ti vetë.

Ngjyra tënde është e zeze

(nuk ka më të zezë se errësira tënde)

Natë!

Pa më shkruaj pra vetë

në letrën time

(letra ime është e bardhë,

si ndërgjegjja e njerëzve

me katrore të zeza për’rreth)

 

Ulu pra, pranë tavolinës

për njerëzit ç’njerëzor!…

(letra ime është e bardhë

ngjyra tënde është e zezë)

Ulu, pra, shpejt

pranë tavolinës

dhe shkruaj

për fëmijët qena bij qenash!

Shkruaj!

Kurse unë,

me zërin tim,

do të thërras,

sa qielli të copëtohet

-“nuk mundem të shkruaj më,

pena m’u thye në 1958”

 

JAM UNË 

Herë herë

në orët e vona të natës

kur ndërgjegjja fluturon për diku

unë eci.

Pa mëshirë,

shkelmoj,

si kalë i harbuar

rininë time

……..

Miq!

Dëgjoni trokëllimat e kalit të

harbuar?

Jam unë!

 

KËNGA E VERBËR

 

E shkreta ti, o Republikë

u blatohesh të zotërve

pa e ditur ç’janë.

Dritën ta shuajnë në terr

e ditën ta ndezin;

bukën ta shtrojnë në sofër

e duart t’i presin;

në burim të çojnë

e gojën ta mbyllin.

Ata të kthyen në metelikë!

E shkreta ti, o Republikë,

e çmendura ti, o Republikë,

gënjeshtarja ti, o Republikë,

kusarja ti, o Republikë!

Me emrin tënd, të vjedhin jetën.

 

Sa do të doja

që ballin e ftohtë

me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,

ëndrrat e ngrira të më zgjoje.

Me tmerrin duke shkuar

do të kuptoja dashurinë e jetës,

kur je në gji të nënës.

O njerëz të thjeshtë,

ju dua!

Mund t’ju shërbej

si ushtarë, si shërbëtor besnik.

Veç me mua ejani,

t’ju rrëfejë të vërtetën

që ndrit.

Të dinë udhëheqësit lart

dhe e larta Republikë

se nuk jemi

as të verbër

as të shurdhër në politikë.

 

O Republikë e pabesë!

T’u fala

si kristiani Krishtit,

po ç’më dhe?

Dhe diellin do të ma zësh.

Turp,

Atdhe!

S’due di kush je!

Tek ty jam

I lirë pa liri,

I gjallë i pajetuar,

I vdekur i pavarrosur.

 

O vendi im

O Republikë!

Në ç’rrugë po ecën tani

me duar të gjakosura,

me sy të çuditshëm?

Vetë jeta çudinë ta zmadhon

e të ardhmen ta shuan.

E pikëlluar

mashtrimi i buzëqesh.

Shko!

Shko, o Republikë!

Mua më duhet të eci në rrugën time.

Nga nata ilegale

ku ndrydhen qëllimet,

të dal në ditët e të ardhmes,

të ngre flamurin e besimit tim.

Aty

të shkruar e kam biografinë,

të pastër e pa njolla.

Dhe, ti,o Republikë,

e gjora republikë,

do të jesh përsëri me mua.

Po tani,

të të pështyj unë dua,

se ti nuk pate turp

të mbytësh historinë.

Me këtë këngë të verbër

të ngre në gjyq,

në gjyqin e të heshturve.

 

Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.

Lodhja dorën ma përshkon.

Por tërbimin nuk e ndal dot.

Jo!

Nuk mundem të të fal.

Gjuha mu zgjidh.

Vramë po të duash.

Në netët e tua të gjakosura

do të dëgjosh zërin tim:

“Të urrej o Republikë,

lavire e zotërve gjakprishur!”

 

Prill 1962

 

APOLOGJIA IME

(Jetës)

 

…Marrëzi,   dhe

mëkate

për jetën e tërbuar

se kur më ndal, o gjeneratë,

që vuan rrugës ndonjë natë,

më merr për të dënuar

dhe, me një zë që vret,

ngahera më pyet:

-Ku linde, o i ri?

-O jetë, linda në shkreti!

-Ku rron dhe ku vete,

në ç’dhera e në ç’dete?!

-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti

 

dhe si, o jetë, pyet,

kurse në varfëri

më hodhe kur më gjete

të lindur nga skelete

pa dritë, pa liri?

-Njeri!

Nga vete, as më thua?

-S’e di! Jo, Nuk e di!

Po lermë, o jetë, ç’ke më

mua?

-Dua ta di, po dua!

-Atëherë, jetë e krisur,

për mua mos pyet

se qysh në n’agim kam nisur

 

të shkel si skllav i shkretë

mbi gjurma shprese drite…

. . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

. . . .

-O mëkatar,

as faliu ligjës sime,

bindu i çmendur ëndërrtar,

s’jeton me shqetësime!…

-Mu thell’ në brendësirë

ku ndjenja rron e lirë,

ku dhembja dhemb e prekur

 

nga ligja jote e fuqiplotë,

në gjirin tim si hekur,

si hekur e çelik,

qëllo, qëllo, o me kamxhik;

pa frik’ e pa mëshirë

e pa pendim,

se mu në thellësirë

të shpirtit, në një kënd,

lindi një shqetësim

që çeli varrin tënd…

 

Përgatiti Andi Meçaj

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s