Një veshul i vogël nga pjergulla shqipe

Një veshul i vogël nga pjergulla shqipe

portreti im

 nga Anton Gojçaj (Mali i zi)

Në vreshtën e pafund të artit poetik, poezia, të cilën  e shkruajnë dhe botojnë shqiptarët  në Malin e Zi, është një kalavesh i vogël në pjergullën e poezisë shqipe. Historia thotë se, trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi të sotëm, ishin të banuara nga fise ilire mijëra vjet më parë, mirëpo, librat e parë të poezisë së shkruar shqipe në ato treva u botuan vetëm në çerekun e fundit të shekullit XX.

Disa  krijues, të lindur atje, botuan vepra  letrare disa decenie më herët, por ata këtë e bënë në Tiranë, Prishtinë, apo gjetiu. Të tillë janë Nikollë Ivanaj, Esad Mekuli, Nol Berisha e ndonjë tjetër.

Zhvillimin e poezisë shqipe në Malin e Zi e ndihmoi shumë revista për letërsi dhe kulturë “Koha”, e cila doli në Podgoricë për rreth dhjetë vite (1978-1989). Në kuadrin e bibliotekës së kësaj reviste u botuan librat e parë poetikë në republikën e atëhershme jugosllave. Autorë ishin Nol Berisha, Ibrahim Berjashi, Idriz Ulaj (më  1981), Anton Berishaj (1986)…

Një grup tjetër poetësh janë të lindur në Malin e Zi, e vizitojnë shpesh vendlindjen dhe rregullisht marrin pjesë në evenimentet kulturore atje, por jetojnë, krijojnë dhe botojnë në vende të tjera, si p.sh. Basri  Çapriqi, Idriz Ulaj etj. në Prishtinë, Ndue (Nokë) Sinishtaj në Zvicër e ndonjë tjetër.

Anton Berishaj në vitin 1986 e botoi në Podgoricë vëllimin “Lule mëngjesi”, të cilit në Prishtinë iu nda çmimi “Hivzi Sulejmani”, si libri më i mirë debutues për atë vit në gjuhën shqipe në Jugosllavi. Një studiues bashkëkohor, njëzet vjet më vonë, për të shkruan: “Poezia e tij është një poezi e nivelit të lartë artistik me një gjuhë specifike dhe me një figuracion tejet origjinal”. Por ky libër dhe këto poezi, të shkruara nga një poet, që atë kohë, sapo kishte dalë nga bankat e gjimnazit, nuk u bënë objekt i vështrimeve apo kritikave dhe studimeve mbi poezinë e sotme, lëre më që ndonjë varg të përfaqësohet në ndonjërën prej antologjive të ndryshme të poezisë shqipe bashkëkohore. Ky është një argument se poezia shqipe në Malin e  Zi nuk njihet sa duhet në metropolat e kulturës shqiptare.

Pozita e poetëve shqiptarë në mini-shtetin buzë Adriatikut është më e vështirë edhe për faktin se komuniteti shqiptar, pra edhe numri i lexuesve, atje është i vogël (krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit). Megjithkëtë, njësoj si në viset e tjera shqiptare dhe si në cilindo vend të botës pavarësisht nga gjuha dhe etnia, në Malin e Zi krahas poezisë, që shkruhet në gjuhët sllave dhe që ka një status paksa më të mirë, sepse gëzon një përkrahje dosido nga institucionet e vendit, (artin vërtet nuk e krijojnë institucionet, por e promovojnë gjithsesi), shkruhet dhe botohet edhe poezia në gjuhën shqipe. Janë disa dhjetëra përmbledhje poezish, të botuara nga ArtClubi i Ulqinit, ILLYRICUMI  i Tuzit, apo botime të vetë autorëve (samizdat). Në Ulqin ekziston një manifestim i përvitshëm poetik, që tashmë është bërë tradicional dhe i njohur edhe në rrafshin kombëtar, “Kalimerja poetike”.

Ndër poetët që aktualisht jetojnë dhe krijojnë në Malin e Zi dallohen: Ibrahim Berjashi, Haxhi Shabani, Lumnije Hoxha, Hajredin Kovaçi, Jaho Kollari, Rrok Berishaj, Nikollë Berishaj, Anton Gjuravçaj, Zef Gjuravçaj, Rrok Gjolaj, Anton Gojçaj, Hajro Ulqinaku (ky i fundit shkruan kryesisht për fëmijë) etj. Për nga numri janë shumë më pak sesa poetët e Shqipërisë, të Kosovës apo ata nga  Maqedonia, por në mjeshtëri, në ndjeshmëri, në stilin poetik ka larmitet. 

Çfarë mund të thuhet për këtë (apo këto) poezi? Një pjesë e mirë reflekton pulsimet dhe motivet e poezisë shqipe të Kosovës. Ajo mund të cilësohet si etnocentrike përnga tematika, që mund të kuptohet më mirë, kur kihet parasysh konteksti socio-politik e socio-kulturor, ku dhe kur ajo zhvillohet. Në aspektin stilistik mbizotëron teknika e shprehjes së rrudhur, të stisur, deri në bërthamat kuptimore (çlirimi nga çdo tepricë), por ka edhe autorë, që kultivojnë një stil kolokvial me shkallë më të lartë komunikueshmërie.  Figuracioni është shpesh konvencional, por aty-këtu ka gjetje befasuese, origjinale. Ana muzikore, bukurtingëlluese sikur qëllimisht flijohet në favor të metaforikës vështirë të zbërthyeshme, me elemente gnomike, enigmatike, mistike… dhe një ironi e kultivuar, e kontrolluar, por e thellë deri në dhimbje.

Një vërejtje që mund t’i bëhet një pjese të kësaj poezie është se përmbajtjes i kushtohet pak më shumë kujdes sesa formës, por jo gjithmonë dhe jo nga të gjithë. 

Një vlerësim afirmativ ndërkaq  do të ishte se, poezia më e mirë shqipe në Malin e Zi ka marrë diçka nga lartësia e alpeve shqiptare dhe po ashtu diçka  nga koloriti i Adriatikut, një gërshetim ky, që mundëson horizonte të gjera të të menduarit dhe ndjenja të thella, si dhe fluturime të rrezikshme, por të bukura në qiejt e imagjinatës.

 

Për të mos shkaktuar një keqkuptim, ajo që dua të them, si përfundim, është se poezia shqipe në Malin e Zi, ndoshta nuk pëlcet nga vlerat antologjike, por as shpërfilljen totale nuk e meriton. 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s