Për jetë a vdekje në romanin , “Las Varrezas” të Zija Çelës

 Për jetë a vdekje në romanin , “Las Varrezas” të Zija Çelës

arbana

nga : Arbana Ajdini

    Zija Çela, si shkrimtar bën pjesë në grupin e prozatorëve më të rëndësishme të letërsisë së sotme shqipe, që nëpërmjet imagjinatës dhe aftësive të tij krijuese arriti që t’i vendos në funksion idetë e tij për t’i sjell lexuesit shqiptarë hapësira të panjohura të realitetit shqiptar nëpërmjet tragjizmit shoqëror, duke trajtuar situata paradoksale jetësore nëpërmjet fantazisë letrare, duke i dhënë një pamje të re botës kuptimore e vlerësuese të kritikës sonë letrare, për vlerat artistike që ekzistojnë në letërsi.

zija cela

      Zija  Çela

Imagjinata, intuita, talenti si dhe mjeshtëria artistike janë pikat e referimit në të cilat mbështetet edhe vet shkrimtari, janë aq të thella sa edhe lexuesit i duhet një kohë për t’i nxjerrë që andej, që janë sa thellësia e ferrit të Dantes. Mirëpo, Zija Çela me mjeshtërinë artistike tenton që nga ai ferr të na nxjerr një fije drite, për të na treguar se pas çdo nate vjen dita, pas trishtimit vjen gëzimi, pas çdo dhimbje vjen rehabilitimi i shpirtit njerëzor, që në botën shqiptare kjo dhembje është e pakrahasueshme.

Zija Çela, me pendën e tij arriti që te lexuesi shqiptare të përcjelle vlerat më humane të një shpirti të trazuar, që në romanet e tij vërejmë një ndriçim yllor të imagjinatës së trillit të vet, duke nxjerr kështu në sipërfaqe tërë shpirtin e personazheve, si një ujëvarë që s’ka të ndalur.

Krijimtaria letrare e Zija Çelës ne vetvete përmban misteret për jetën dhe vdekjen që më së miri i hasim përmes trillimeve artistike në romanin ,,Las Varrezas”, ku kemi të bëjmë me përkufizimet e ndërgjegjes njerëzore, sa historike aq edhe mjerane. Imagjinata e shkrimtarit shpërthen si një vullkan që nuk mund ta parashikojmë se deri ku mund te arrijë, kështu që me një rrëfim artistik mbi jetën dhe vdekjen nis rrugëtimin për të shpalosur idetë e tij për misteret e jetës dhe vdekjes, që janë të pranishme në qytetin metafore të Kukunamit në romanin ,,Las Varrezas”.

Mendësia artistike e shkrimtarit është aq thellë e zhytur, deri në palcë, duke krijuar një atmosferë origjinale që na bën të mendojmë se vërtetë kanë ndodhur ngjarje tragjike, të cilat janë të lidhura ngushtë midis formës krijuese artistike dhe të filozofisë jetësore.

Situata paradoksale të paraqitura në një ambient ku mbretëronte qetësia, ku banorët e Kukunamit ishin zhytur në një gjumë të thellë e monoton që nuk dihej se sa do të zgjaste, ku ishin të veçuar nga pjesa tjetër e shoqërisë për shkak të jetë gjatësisë, vdekja për ta thuaj se nuk ekzistonte, të gjitha këto shkrimtari i paraqet në mënyrë simbolike, pra,duhet kuptuar në një kontekst tjetër ku shoqëria shqiptare ishte e izoluar nga pjesa tjetër e botës, për shkak të sistemit totalitar komunist që mbizotëronte në Shqipëri. Për fenomenin e jetë gjatësisë, Zyrtarët e Tiranës thoshin se vjen nga kushtet klimatike, pra, nga sistemi ideologjik që ishte i pranishëm dhe bën kontrollimin e shoqërisë shqiptare duke mos lejuar që të ngrenë kokën lartë. E pra, ,,Nuk mund të lejohej që për shkak të Kukunameve e gjithë Shqipëria, nga gjysme karantinë të kalonte në izolim të plotë ndërkombëtar”.Në të vërtetë ky ishte realiteti i hidhur në kohën kur shqiptarët përjetonin një izolim të egërsuar gjatë sistemit komunist. Po në të vërtetë cila ishte arsyeja kryesore? Fantazia krijuese e shkrimtarit mbi enigmën dhe misteret e jetës dhe vdekjes në qytetin e Kukunamit, i quajtur ndryshe edhe si ,,rezervat i jetës”, është një gjetje artistike që bën lexuesin të intrigohet më në thellësi të romanit për të parë fillesën e ngjizjes artistike të kësaj vepre.

Personazhi më emblematik i romanit është Dinosha, e cila me një fuqi hyjnore shpëton nga pragu i vdekjes bashkëshortin e saj Habit Habitari, me formulën magjike të jetës. Ky veprim bamirës, bëri që ajo të ngrihet në piedestalet e humanizmit duke u emërtuar si ,,shenjtore”. Simboli i mirësisë u bë, kjo nuse e re, Dinosha, që vazhdoi të shpëtonte mrekullisht nga pragu i vdekjes edhe shumë banorë tjerë të Kukunamit. Si një shenjtore, e cila vazhdonte me bamirësit e saj , ajo fitoi një respekt të pakrahasueshëm duke u mbushur me lavdi.

Zija Çela, rrëfimin artistik nuk e vazhdon me një harmoni të tille deri në fund, pasi kjo harmoni ndërpritet në çastin kur Dinosha sëmuret. Shkrimtari shpalos zhvlerësimin e vlerave humane të njerëzimit, për arsye se askush nuk del si shpëtimtar i Dinoshës, për t’ia thënë formulën e jetës. Mirëpo, në fund Dinosha ia tregon formulën bashkëshortit të saj Habitit. Por cfare ndodh? Pse nuk mbijeton Dinosha? Duke dashur që ti qëndrojë besnik gruas së tij, Habiti, shqipton gabimisht formulën e jetës duke thënë:,, Ti vdes për mua”, në vend që të thotë:,, Unë vdes për ty”.

Shkrimtari mjeshtërisht me një rrëfim artistik jep alarmin e sirenës për fatkeqësitë që do të vijnë me vdekjen e Dinoshës, dhe kështu ndodh. Me vdekjen e shenjtores Dinoshës, në qytetin imagjinar Kukunamit të trilluar nga mendja e mbushur me plot fantazi, vdekja vjen si një rrebesh që s’ka të ndalur, duke ndëshkuar banorët e tij, për arsye të mos respektimit të vlerave humane të njerëzimit. Pra, ,,Një holokaust i jashtëzakonshëm, i krahasueshëm vetëm me atë të kohës së Noes”.Vdekja vjen zinxhir, duke sjell një tmerr të vërtet, nuk rrëshqiste ndonjë ditë pa mos vdekur një banor, por ç’është më e çuditshme se me shqiptimin e emrit të ndonjë banori tjetër, brenda 24 orëve vdes edhe tjetri. Po, pra, ky është një absurditet i vërtet i krijuar nga imagjinata e njeriut. Ky rrëfim i krijuar me një ngjizje artistike në të vërtet të mbush me emocione drithëruese duke pasur parasysh se shkrimtari përmes personazheve paraqet vuajtjet e shoqërisë shqiptare, pasi shënjuesi para se të ikte nga kjo jetë shënjon një tjetër për ta marr me vete në botën tjetër, që në një kontekst tjetër ky rrëfim i Zija Çelës na i shpalos ligësitë e sistemit komunist, ku vuajtjet njerëzore nuk kishin të ndalur. Ku, ky zinxhir vuajtjesh vazhduan kalvarin e tyre egërsisht edhe më vonë, me kërkimin e formulës së jetës, të përcjella me plot drama të tmerrshme jetësore.

Zija Çela, në romanet e tij nuk len rast pa futur mitikën, baladën, siç është rasti me ndërfutjen e personazhit të Konstandinit, në romanin ,,Las Varrezas” që e hasim me përgjysmimin e emrit të personazhit Ndin Kosta, i biri i Kosta Ndinit, si dhe personazhit femëror antik të Doruntinës, duke bërë rrudhjen e emrit për personazhin Dora. Shkrimtari me një vetëbesim në vete ka ditur në mënyrë simbolike të marr gjetjet më artistike të historisë shqiptare, siç kemi Baladën e Besës, mbajtja e besës nga Konstadini për arsye se i kishte dhënë besën nenës së vet se do e kthente Doruntinën edhe i vdekur. Intertekstualiteti si forme letrare është gjithnjë i pranishmen në romanet e Zija Çelës, që e vërejmë në rastin kur e ëma e Dorës, Ubana, kërkon që nga djali i saj të mbajë premtimin dhe ta kthejë Dorën në vendin e vet. Shpirtit njerëzor, qofte edhe i vdekur, nuk është rehat, ketë më së miri e vërejmë me rastin e Ubanës: ,,E pra, është njësoj sikur t’i keni vënë bomba, se duket që Ubanën nuk e qetësojnë lulet, asaj i ka luajtur varri prapë. Çudi e madhe me këtë zonjë, trupi nuk po i gjen rehati në gropë, me të thënë mendja se herë kthehet djathtas, herë majtas dhe mbulesën e dheut e tërheq si jorgan”. Ashtu siç fantazma e Konstantin sjell Doruntinën, ashtu edhe fantazma e Ubanës e sjell Dorën në vendin e vet.

Ky rrëfim poetik bën që të mendojmë se fantazia krijuese e Zija Çelës përbën një rast unik në krijimin e stilit të vet krijues. Veprimtaria letrare e Zija Çelës është e jashtëzakonshme nëpërmes së cilës arrijmë të shpalosim një bukuri madhështore e krijuar me vlera të larta artistike, që dal ngadalë mendojmë se jemi duke shkuar drejt përsosmërisë? Eh, sa e lehtë do të ishte të shkojmë drejt përsosmërisë por, sigurisht se nuk mundemi? Kështu që për ta përjetuar këtë përsosmëri të paarritshme, fillojmë nga e para udhëtimin që Zija Çela e bën me çdo vepër, që gjatë këtij udhëtimi bën një realizim të përsosur të jetës, e cila në vete ngërthen bukuritë, shëmtitë, dhembjen, gëzimin e shpirtit njerëzor të trazuar ndër shekuj. E gjithë kjo, në romanin e Z. Çelës vjen si rezultat i asaj se, njeriu e donë dhe e meriton jetën, dhe këto shprehin botën pasiononte ndaj qenieve njerëzore. Sa mistike kjo vepër,po aq edhe humane dhe e tejdukshme, do duhej që në jetë të shpërblehej me një të mirë pragmatike, por ndodh e kundërta te njerëzit, Zoti u shkakton vuajtje njerëzve që i donë më tepër , siç ndodh me fatin e njeriut të shenjtë Dinosha, e cila tërë botës i bënë mirë, i shpëton nga vdekja, e kur vjen koha për ndihmë, qoftë edhe nga njerëzit më të afërt,atëherë ndryshon formula e jetës dhe mbetet e pa shpëtuar.

I gjithë narracioni i kësaj vepre shtrihet në dy faqe kryesore të medaljes; dashurinë njerëzore karshi mllefit njerëzor, të mirën karshi të keqes, realen ndaj mistikes, bujarinë dhe tradhtinë, të mundshmen dhe të pamundshmen etj. Gjithë kjo shtrirje paraqitet përmes personazheve të shumtë që përfaqësojnë popullatën e qytetit Kukunam, ku bota e brendshme e Kukunamit duket, siç thotë akademik Ali Aliu, “ si nga një miniere që s’ka të shterur.” Për tërë këtë, gjatë realizimit artistik të romanit, narratori përdor një mori mjetesh arti, që i japin veprës fuqi shprehëse dhe një shije të përkryer artistike, e që e radhit romanin e Çelës në kreun e romanit postmodernist.

Edhe pse romani i tij na duket sa misterioz, mitik e herë – herë surrealist, ai në esencë është një botë reale me përditshmërinë që na rrethon kudo, pasi natyrshëm duket bota reale , sikur të gjithë shqiptaret janë në kukuam, e sikur të gjithë duan të dalin nga këto katrahura, të gjithë e kërkojnë formulën e jetës, por keqbërësit e kësaj shoqërie, jo se nuk e dinë por e dinë çdo kush për vetveten e jo për komunitetin në tërësi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s