Poezi nga Enertin Dheskali

enertin

Enertin Dheskali

 

Poezi nga  Enertin Dheskali

 

enertin 1    enertin 2

  • -Përhumbje-

    -Përhumbje- Marrë nga vëllimi i dytë poetik, “Përtej ëndrrave dhe përjetësisë”, GlobusR 2008

    Copëza fletoresh më kanë mbetur në mendje,
    Mbushur me skica dhe poezi,
    E humbas vetveten sërish nëpër endje,
    Ngatërrohem me vargjet nëpër shi.

    Kaltërsia ka humbur përtej reve të rënda
    Dhe koha më sjell vetëm vetmi,
    Zgjuar jam, por tretem nëpër ëndrra,
    Ngatërrohem me vargjet nëpër shi.

    Në trungun e heshtjes e vara trishtimin,
    Më dogji malli i etjes për ty,
    Përloten shqisat e mia për frymëzimin.
    Ngatërrohem me vargjet nëpër shi.

    Dhe mendimet degdisen në të shkuarën,
    Ndiej afshin e shtegtimeve në gji,
    Puthen kujtimet e mia me vetëtimën,
    Dhe unë ngatërrohem me vargjet nëpër shi…

    26. 12. 2007

  • -Buka e fatit tim-

    Marrë nga vëllimi i katërt poetik, “Kalorësi i dhimbjeve”, 2011
    Buka e fatit
    Shkërmoqet në duart e mia
    Dhe bie si thërrime epshore
    Mbi tavolinën e jetës.
    Nuk kam mëshirë për fatin,
    Jetoj përtej tij, me fluturima.
    Por as mëshirë, nuk dua,
    Nga ata që mëshirojnë
    Pasi vrasin me lloj- lloj formash jetësinë.

    Buka e fatit tim
    Shkërmoqet ngadalë në përjetësi
    Dhe ushqen honet e intelektit
    Përtej vetvetes,
    Nëpër njerëzi.

    E dua, ashtu të thërmuar,
    Në copëza jete përhumbur,
    Bukën e fatit tim të arnuar…

     ok, ja po hedh te tjera…
  •  -Historia shkruhet përditë nga pak-
  • -Historia shkruhet përditë nga pak- Marrë nga vëllimi i tretë poetik, “Gjak në kozmos”, 170 faqe, 140 poezi,  2010

    Historia shkruhet përditë nga pak
    Me gjurmët e hapave mbi univers,
    Herë mbi fletët e kohës mbetet gjak,
    Herë mbi penën e jetës ëndrra vdes.

    Historia shkruhet përditë nga pak
    Me gjurmët e hapave mbi univers,
    Heronjtë këndohen, tradhëtari bëhet plak,
    Pluhuri i eshtrave kthehet ne vesë.

    Historia shkruhet përditë nga pak,
    Me gjurmët e hapave mbi univers,
    Klithmat e shekujve më vijnë që nga larg
    E unë, në heshtjen e pritjes tinzare mbes…

    27. 09. 2009

     

     

     

     

  • -Të dua nga larg-

    -Të dua nga larg- Marrë  nga vëllimi i dytë  poetik, “Përtej ëndrrave dhe përjetësisë”, GlobusR 2008, 

    I hapa kanatat e zemrës këtë mbrëmje
    Dhe prita të më vinte një lajm nga ty,
    Më erdhi nga larg zëri yt nëpër endje,
    Kristale lotësh më vendosi mbi sy.

    Je e vetmja që kam në këtë botë të fëlliqur,
    Gjysmëshpirt i trupit të lodhur nga dhimbja,
    Je puthja – trëndafil për buzën e rreshkur
    Që më mungon në këtë burg vetmie.

    Më shaj, e nëse s’më beson, copëtoma zemrën
    Që tashmë gjysëm ka mbetur, pa jetë,
    Unë nën psherëtima tentoj ta mbys dhimbjen,
    Të dua – të them nën lotë që nga larg…

    01. 07. 2008

  • -Të them të dua
    është shumë pak-

    -Të them të dua është shumë pak- Marrë nga vëllimi i parë poetik, “Gjurmë zemre nëpër kohë”, 170 faqe, GlobusR, 
    Në qiellin tim kanë humbur retë,
    Veç kaltërsia mbyt jetën time,
    Dielli e la shkëlqimin dhe u tret,
    Hëna burgosi veten në ëndërrime.

    Sa e gjatë qenka kjo pritje,
    Në sarkofag ma ktheu këtë shpirt,
    Një ditë – natë me dritë – hije,
    Më burgosi në kullën e fildishtë.

    Fytyra jote, ëngjëll ndjenjash,
    Thyhet në mijëra kristale,
    Ti vjen e ikën dhe prapë më kthehesh,
    Si një vullkan që s’di të ndalet.

    E unë të puth, të prek dhe dehem
    Nga aroma e trupit tënd,
    Në ëndrra shkoj, nga ëndrrat kthehem
    Por prehje s’gjej në asnjë vend.

    Dhe sërish syrin e verbër
    Ma verbon vështrimi yt,
    Mbi shpirtin tim – shkretëtirë,
    Përmbyten të gjitha kaltërsitë.

    Të them të “dua”, është shumë pak,
    Për këtë ndjenjë kanë humbur fjalët,
    Një pikëz uji në oqean,
    Bëhet tajfun që s’di të ndalet.

    Pas çdo trokitjeje të zemrës sime,
    Ngrihet një valë me dashuri,
    Kam frikë se mbytesh në dallgëzime,
    Kam frikë se tretesh në kaltërsi.

    Të thëm “të dua”, është shumë pak,
    Kjo fjalë nuk mundet t’i thotë të gjitha,
    E unë sërish e sërish prapë,
    “Të dua” klith, sa shumë të dua…

    15. 03. 2008

  • -Pikëz gjaku në univers-

    Pikëz gjaku në univers- Marrë nga vëllimi i tretë poetik, “Gjak në kozmos”, 170 faqe, 140 poezi, 2010
    Lëndinat e pritjeve i mbollën yjet
    Si kurora ëndrrash në vazo galaktikash,
    Muza e jetës, e dehur ëmbëlsisht nga pritjet,
    Ëndërronte në fluturim përmbi re planetësh.

    Jam aty, në grimcat që ecin pafundësisht,
    Jam aty, në transformimet e fillesave mbi asgjë,
    Në diejt që lindin, në sfinksin që hesht,
    Jam aty, pikëz gjaku,
    Aq i vogël, e i madh, sa universi s’më nxë…

    16. 08. 2009

  • -Si më harrove sot?!-

    -Si më harrove sot?!- Marre nga vellimi i trete poetik, “Gjak ne kozmos”, 170 faqe, 140 poezi,  2010

    Si vallë me harrove sot o klithmë ndjenjash,
    Jam bebe jetim pa puthjen tënde të flurtë,
    Mos humbe e përgjumur nëpër pyje ëndrrash,
    Apo u trete si vesë mbi qytetin e gurtë?!

    Unë të prita të më vije si çdo mbrëmje,
    Të më shkrije në orgazmat e gjoksit të ngrohtë,
    Më mungon zëri yt që di të fshijë çdo dhimbje,
    Jam bebe jetim pa puthjen tënde të flurtë…

    Tetor 2009

     
  • -Kjo dashuri-

    -Kjo dashuri- Marrë nga vëllimi i tretë poetik, “Gjak në kozmos”, 170 faqe, 140 poezi, 2010

    Kjo dashuri i shkriu të gjithë akujt,
    Antarktidën e ktheu në një shkretëtirë,
    Në planetin e ndjenjave qajnë kujtimet,
    Imazhi yt mbi kohën rri shtrirë…

    2010

  • -Kush je ti?-

    -Kush je ti?- Marrë nga vëllimi i parë poetik, “Gjurmë zemre nëpër kohë”, 170 faqe, 133 poezi, GlobusR 2008,

    Kush je ti o ëngjëll i kristaltë,
    Të njoha sot, apo ke jetuar brenda meje,
    Je nimfë që vrapon nëpër botë,
    Apo ëndërr që më rrjedh nëpër deje?!

    Në sytë e mi ti dridhesh ngadalë
    Si një petale e brishtë trëndafili,
    Rrezja e mëngjesit mbi ty u ndal
    Dhe mijëra copëza ndjenjash të fali.

    Mendimi noton ëndrraprishur
    Në liqenin ndjellës të syve të tu,
    Klith nën emocione ndjenja e fshehur,
    Mbytet zemra ime në qiellin blu.

    Unë fluturoj përmes vështrimeve të tua,
    Aty ku akulli me zjarrin bëjnë dashuri,
    Dhe trembem mos digjem, trembem mos ngrij,
    Kam frikë se më tretesh si ylberi në shi…

    05. 03. 2008

     
  • –Dashuri mëngjesi-
  • Dashuri mëngjesi- Marrë nga vëllimi i parë poetik, “Gjurmë zemre nëpër kohë”, 170 faqe, 133 poezi, GlobusR 2008, 

     

    Mëngjesi erdhi kaq i brishtë,
    Një rreze luan sot me mua,
    Në kraharor një rremb i trishtë,
    Më shtyn të them prapë – të dua.

    Magjia heshtjen e pështyn
    Dhe unë vështrimin hedh mbi ty,
    Nuk e kuptoj se cili dryn,
    Sot po t’i kyç të bukurit sy.

    Se unë të dua me mëngjesin,
    Të dashuroj me vetëtima,
    Dhe vdes mbi ty me gjithë pasionin
    Që më hedh mbi zemër jeta.

    Ti bëj ç’të duash mikja ime,
    Më urre po s’pate shpirt,
    Unë prapë do ngrihem përmbi dhimbje,
    Do klith – të dua, prapë, sërish.

    15. 03. 2008

  • -Dimër në dhomë-

    -Dimër në dhomë- Marrë nga vëllimi i dytë poetik, “Përtej ëndrrave dhe përjetësisë”, GlobusR 2008, 

    Nëpër ajrin e kësaj dhome të ftohtë,
    Lundrojnë miliona grimca dhimbjeje,
    Që vrapojnë e më futen në shpirt
    Dhe sjellin tek unë mijëra zgjime.

    Pse vallë u tret heshtja jote,
    Në ajrin – aisberg të kësaj dhome,
    Ku buzët i puth një ëndërr – klithmë
    Që fërgëllon si një refren?!

    Përtej braktisjes ndjeva një varg
    Që nxorri lot për këtë ndjenjë,
    I ulur sot përmbi prag,
    Trokas, por asnjë s’më dëgjon.

    Dhe dhoma hesht porsi një varr,
    Unë fle dhe zgjohem brenda saj,
    Që atë çast që jemi ndarë,
    Dhoma është kthyer në akullnajë…

    27. 12. 2007

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s