Intervistë e ndërsjelltë midis shpend Sallaku Noe e Thoma Jançe, botuar në Feniks Nr 30

shpend

Intervistë e ndërsjelltë midis shpend Sallaku Noe e Thoma Jançe, botuar në Feniks Nr 30 

 

Kemi humbur shumë kohë, Shqipëria duhet bërë

“Me këtë lloj administrate në Shqipëri nuk zgjidhen më problemet në zyra, por kafeneve. Nëse ke ndonjë problem, edhe fare të thjeshtë, takimi nuk lihet në zyrë, por në klub. Sidomos me zarfën e fryrë në xhep. Sa më i madh problemi, aq më e fryrë zarfa. Blihet e shitet gjithçka: edhe vendi i punës edhe nderi, edhe dinjiteti. Në këtë aspekt është arritur pika më e ulët e mundshme.”

 

Th.Jançe:     Pas vizitës tuaj të fundit në Shqipëri ju ftoj virtualisht të vini sërisht. Asaj ç’ka patë herën e fundit tani mund t’i shtoni ripërtypjen që ka bërë ndërgjegjja juaj intelektuale, për të pasur një panoramë të plotë shumëdimensionale. Mund të na e ritregoni me pak fjalë për lexuesit tanë?

 

Sh.S.Noé:     T’u përgjigjesh pyetjeve për gjendjen e Shqipërisë kur je atje është e rrezikshme për gjithë ata që e ëndërrojnë ndryshe vendin e tyre. Gjaku i nxehur për ç’ka sheh përreth mund edhe të të çojë në përgjigje ekstreme e të shtrembëruara. Ndoshta është më mirë kështu, pasi e ke ripërtypur atë realitet për ca kohë. Por fatkeqësisht vë re që, edhe pas një periudhe ftohjeje të gjakut, zemërimi që kishe mbetet në të njëjtin nivel, sidomos kur vë përballë përshtypjeve të tua leximin e mëpastajmë të shtypit të manipuluar në dy polet kryesore politike me të vërtetat lakuriqe që shqiptarët jashtë klaneve sjellin nëpërmjet rrjetës botërore të merimangës www.

 

 

Th.Jançe:   Më konkretisht?

 

 

Sh.S.Noé:    Rrjedhja e kohës nuk mund të të zbehë ndierjen keq përballë një shteti që duhet të jetë krah e nxitje për qytetarin e tij por që është vetëtrasformuar në një lopë për t’u mjelë nga kopera të paaftësh dhe të korruptuarish. Mbushja e fryrja e administratës shtetërore në propocion me votat që të punësuarit u japin partive është shembulli më i shëmtuar, më i papranueshëm dhe më i dënueshëm me ligj në të gjithë botën progresiste. Votëblerja e vret demokracinë, vret përfshirjen e të aftëve e të të pastërve në administratë – kusht ky i domosdoshëm që një shtet të funksionojë. Me këtë lloj administrate në Shqipëri nuk zgjidhen më problemet në zyra, por kafeneve. Nëse ke ndonjë problem, edhe fare të thjeshtë, takimi nuk lihet në zyrë, por në klub. Sidomos me zarfën e fryrë në xhep. Sa më i madh problemi, aq më e fryrë zarfa. Blihet e shitet gjithçka: edhe vendi i punës edhe nderi, edhe dinjiteti. Në këtë aspekt është arritur pika më e ulët e mundshme.

 

 

Th.Jançe:    Si ish-politikan si e keni ndjekur zhvillimin e mëvonshëm të politikës në Shqipëri?

 

 

Sh.S.Noé:    Ish politikan? Pak para dhe pak pas viteve ’90 u mora me politikë aktive, pasi dikush duhej të rrezikonte. Duheshin tërhequr intelektualët në politikë dhe kjo doemos do të sillte edhe përfshirjen e vetvetes. Administrata diktatoriale e athershme ishte ngopur me militantë injorantë e si rrjedhim të paaftë. Pikërisht intelektualët e përndjekur apo të mënjanuar nga ajo administratë duhej të hidheshin të parët në vorbullën e rebelimit. Shembulli i Havelit në rrëzimin e komunizmit çekosllovak ishte i freskët dhe shpresëdhënës. Përdreq tek ne ajo eksperiencë rezultoi, të paktën deri tani, një utopi, duke vënë në llogari faktin që niveli i injorancës në politikën tonë u trashëgua tek administarata e re, nëpërmjet devotshmërisë për partinë në pushtet. Përsa më përket, politikës nuk i jam ndarë ndonjëherë edhe në këto njëzet vjet të ekzilit. Ajo ka qenë pjesë e natyrshme e shkrimeve të mia jo vetëm në publiçistikë, por edhe në kusurin e krijimtarisë. Duke qenë vazhdimisht i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos të të përndjekurve për arësye politike, kjo më ka bërë të ndjek me vëmendje të vazhdueshme edhe zhvillimet në Shqipëri.

 

 

Th.Jançe:    Ndërkohë patëm zgjedhjet. Prej tyre doli një rezultat i bujshëm. Si e lexoni këtë proces, tronditës për humbësit dhe të frikshëm për nga përgjegjesia për fituesit?

 

 

Sh.S.Noé:    Mjerë kush ka një maxhorancë të tillë. Është me të vërtetë një mundësi që i fut tmerrin vetvetes, pasi, në fund të legjislaturës nuk të lë vend për asnjë alibi. Humbësit? Vetëm krerët e tyre ndoshta nuk e parashikonin një kërbaç të tillë. Tashmë ai pushtet, i brerë prej korrupsonit, nepotizmit e militantizmit mbahej akoma në këmbë me paterica të kalbura, që u thërmuan vetvetiu. Dyshimi im i parë pas zgjedhjeve të fundit ishte nëse fitorja plebishitare e kundërshtarëve ishte meritë e programeve të tyre apo më shumë e kalbësimit të koalizionit të mëparshëm qeverisës.

 

 

Th.Jançe:    A mund të paragjykohet një qeveri për shkak të origjinës së Partisë kryesore që e ka pjellë?

 

 

Sh.S.Noé:     Këtu është mirë të ndahen paragjykimet prej realitetit. Paragjykimi i parë që peshon, edhe jo pak, në sytë e shqiptareve që e vuajtën më tepër se të tjerët diktaturën enveriane është ky: këta që kanë fituar zgjedhjet janë vazhdim i natyrshëm i Partisë së Punës. Shumë janë ata që përdorin rëndom emërimin «komunistët» në vend të fjalës «socialistët». Realiteti është ky: Edhe partia që sapo humbi zgjedhjet, që në fillim, ricikloi shumë komunistë (duke filluar nga lideri) dhe sidomos bijtë e tyre të privilegjuar. Më pas asaj iu bashkangjitën edhe shumica e ish të përndjekurve, duke e votuar, mbështetur, shpresuar. Një pakicë e tyre, që unë e quaj «aristokracia e ish të të persekutuarve», gëzoi vazhdimisht privilegje në vitet e PD-së, ndërsa shumica e tyre, edhe sot e kasaj dite, sheh t’i mohohen të drejtat më elementare për mbijetesë. Lideri i socialistëve ndërkaq nuk ka qenë ndonjëherë anëtar i PP-së, por në gjirin e partisë së tij krahu i ish-ëve, ai më konservatori, që ka patur teserën e partisë mëmë, por që trashëgoi prej saj edhe mentalitetin, është akoma i fortë dhe në numër të konsiderueshëm. Druhem se reformat që mund të kërkojë të bëjë Edi Rama mund të ndeshin në rezistencën e këtyre të fundit.

 

 

 

Th.Jançe:    Cilat mendoni ju se janë problemet e menjëhershme që duhen zgjidhur?

 

 

 

Sh.S.Noé:    E para është politika që duhet të ndryshojë vetveten. Komunizmin e bëri të dështojë politikisht mungesa e lirive, por ekonomikisht qenë militantizmi që shtynte drejt karrieres paaftësinë, bashkangjitur me korrupsinin e pashmangshëm. Edhe PD-ja u fundos në rërërat e lëvizshme prej militantizmit e korrupsionit. Prandaj lufta kundër klientelizmit, shirblerjes politike të votës dhe në kash të vendit të punës, është e para në rendin e ditës, me të cilën duhet të merren seriozisht qeraxhinjtë e tanishëm të parlamentit. Kur them që politika duhet të ndryshojë vetveten, kam parasysh edhe që kjo duhet të fillojë që nga mënyra sesi duhet të bëhet politikë. Reforma duhet të fillojë që me zgjedhjen e kandidatit të mundshëm për udhëheqës të qeverisë, që duhen bërë nëpërmjet të ashtuquajturave primarie. Secila nga partitë kryesore duhet ta zgjedhë atë me multikandidaturë, me votim kombëtar të fshehtë, në kuti votimi të vendosura jashtë degëve të partisë, me numërim të votave prej komisionesh të përbërë nga njerëzit më të ndershëm. Fituesi përfaqëson koalicionin apo partinë në fjalë për postin e kryeministrit. Nuk duhet të jetë ligj që kryetari i partisë fituese në zgjedhje të jetë patjetër edhe drejtuesi i qeverisë së ardhshme. Pak a shumë kështu bëhen zgjedhjet edhe në SHBA. Sfidoj lexuesin jo specialist të më thotë në këtë moment cili ishte kryetari i Democratic Party kur u zgjodh Obama kandidat për president.

Pas zgjedhjes së një udhëheqësi të tillë të qeverisë, është e domosdoshme të vihen ligje në lidhje me jetëgjatësinë në pushtet të një lideri, që nuk duhet të zgjatë më shumë se dy legjislatura. Tetë apo dhjetë vjet janë të mjaftueshëm për realizimin e një programi politik real. Pas Enver Hoxhës, Berisha është më jetëgjati në pushtet. Aq sa u bë edhe viktimë e vetes. Ai mund të qëndrojë udhëheqës partie për sa kohë të dojë, nëse të tijtë e mbajnë në krye të PD-së, por jo në krye te shtetit. Kjo duhet të vlejë edhe për Ramën; pas dy legjislaturash ai, edhe në pastë sukses, duhet me ligj t’ia lëshojë vendin e kryeministrit një tjetri, dhe sikur PS të ketë fituar zgjedhjet.

Mendoj gjithashtu se është thelbësore të njësohet figura e kryeministrit me atë të presidentit. Sipas modelit amerikan. Mund edhe të kalohet gradualisht gjer atje – nëse kihet frikë prej rënies nën një diktaturë tjetër – edhe nëpërmjet gjysmëpresidencialismit francez, në të cilin pushteti është i ndarë mëdysh midis kryeminstrit e presidentit, të kontrolluar rigorozisht prej parlamentit. Në kushtet e sotme presidentit shqiptar i ka mbetur vetëm dhënia e dekoratave, pasi, praktikisht, figura më e rëndësishme është ajo e kryeministrit. Atëherë përse duhet të mbahet presidenca, për të paguar kukulla e administrata të tepërta me paratë e popullit?

 

 

Th.Jançe:     Është e udhës të bashkëpunohet edhe me sugjerimet e intelektualëve jashtë vendit? Angazhimi i tyre dhe i profesionistëve të tjerë në qeverisje a do të ndihmonte për një hop cilësor të një administrate tashmë me shumë probleme?

 

 

Sh.S.Noé:     Është e domosdoshme, nevojë jetike. Nga kjo pikëpamje Shqipëria duhet të fillojë të importojë veteveten, trurin e saj të emigruar. Për këtë duhen formuluar ligje që ua lehtësojnë kthimin, që u krijojnë kushte atyre për integrim jo traumatik në jetën e vendit. Hapi i parë mund të jetë shpallja e konkurimit të hapur për një vend pune të rëndësishëm, qoftë edhe në qeveri, ku ata mund të vihen në garë të ndershme me intelektualët që jetojnë në Shqipëri, dhe të hiqet dorë përfundimisht prej emërimeve «nga lart». Nuk di nëse në qeverinë që sapo filloi punë të ketë njerëz që kanë vënë në konkurim aftësitë e tyre me kandidatë të tjerë.

 

 

Th.Jançe:     Po politikisht a ka mundësi dhe si mund të ndikojë diaspora në përmirësimin  e jetës politike tepër konfliktuale në Shqipëri?

 

 

Sh.S.Noé:     Kjo arrihet vetëm me të drejtën e votës për diasporën, duke i lënë asaj një numër të arësyeshëm deputetësh, që zgjidhen nga vetë diaspora, duke votuar në vendet ku jetojnë. Në kushtet e sotme, nëpërmjet votimit on line, kjo është plotësisht e realizueshme. Ambasadat tona janë të gjitha të paisura me internet. Mjafton vetëm vullneti i mirë dhe shumë pak shpenzime.

 

 

Th.Jançe:    Situata politike midis kampeve është tepër konfliktuale dhe niveli mjaft banal. A mendoni se një terheqje e intelektualëve me peshë në politikë mund të jepte më tepër cilësi ? Si mund të joshen ata?

 

 

Sh.S.Noé:      Sigurisht, pëfshirja e intelektualëve me peshë në politikë jo vetëm do të sillte më shumë kompetencë dhe mençuri në atë fushë, por edhe do të ndikonte në edukimin e asaj pjese të parlamentit me burra – qenër të Sharrit e gra yorkshire që dinë avetëm t’i ulërijnë kundërshtarit. Vipat e inteligjencies tonë mund të merren me politikë edhe duke qenë jashtë partive. Eksperienca e vendeve politikisht të përparuara tregon se kjo mund të bëhet edhe me dekrete të Parlamentit, sipas propozimit të presidentit, apo të një komisioni të paanshëm. Kjo arrihet vetëm duke krijuar me ligj figurën parlamntare të «deputetit për jetë». Ai nuk zgjidhet nga populli, por me mënyrat që përmenda më lart. Ai shndërrohet në prani të përhershme në parlament. «Deputetët për jetë» do jenë një farë kryepleqësie e pavarur e parlamentit (ku jo domosdoshmërisht pjesëmarrsit duhet të jenë të moshuar), që në fakt nuk është larg traditës shqiptare të zgjidhjes së problemeve.

 

 

Th.Jançe:     Juve personalisht cilat probleme të shoqërisë dhe të politikës shqiptare ju interesojnë më nga afër?

 

 

Sh.S.Noé:     Kam patur dhe kam gjithmonë për zemër zgjidhjen e problemeve – edhe pas kaq vitesh të lëna pezull – të ish të përndjekurve politikë. Qeveria e Ramës do t’i ketë si gjyle lidhur nëpër këmbë, por edhe si bankë prove çështjet e tyre. Ajo ka rastin t’u thotë atyre që origjina politike e partisë kryesore që e mbështet nuk e paragjykon zgjidhjen e këtyre problemeve, që pjesa konservatore e saj është vetëm një minorancë brenda PS-së, etj, etj. Nëse në fund të kësaj legjislature ish-të përndjekurit do të kenë ndërruar opinon rreth partisë së Ramës, kjo varet vetëm prej qeverisë së tij. E njëjta gjë vlen edhe për intelektualët në mërgim të detyruar.

 

 

Th.Jançe:    Si e shikon shkrimtari Shpend Sollaku Noé momentin aktual të kulturës dhe letrave shqiptare?

 

 

Sh.S.Noé:    Në evoluzion, por tepër të politizuar. Një pjesë e mirë e njerëzve të letrave dhe të kusurit të kulturës shqiptare kaloi lehtësisht prej demonizimit të Berishës tek dashuria pothuaj mishtore për Ramën, nisur vetëm prej pozicionit politik të secilit. Cilësia e letrave dhe artit shqiptar varet edhe nga pavaresia e tyre nga politika. I vetmi shërbim politik që artistët dhe shkrimtarët mund t’i bëjnë Shqipërisë është qëndrimi i përhershëm pranë problemeve të popullit, pasqurimi i jetës së tij nga një këndvështrim i pavarur. Shpresa që ndërrimi i forcave politike në qeveri mund të ndryshojë gjëndjen e tyre është e gënjeshtërt, po aq sa edhe tendenza e ndokujt për të harruar se shkrimtarët e vërtetë janë gjithmonë në opozitë me fuqitë politike.

 

 

Th.Jançe:    A besoni në një Shqipëri normale? Cilat janë dëshirat tuaja ndaj vetes dhe vendit?

 

 

Sh.S.Noé:     Sigurisht që besoj. Besoj tek aftësitë krjuese të shqiptarit, në dhuntinë e tij për t’u ambientuar e për të mbijetuar edhe në kushte ekstreme, besoj tek truri i saj kudo që ndodhet, besoj tek rinia e saj që nuk është vetëm ajo që ka blerë diplomat, por sidomos ajo që është shkolluar me djersë e konkurencë të ndershme, brenda e jashtë vendit. Dëshira më e madhe? Të kthehem në Shqipëri sapo të më krijohen kushtet. Lista e dëshirave të tjera është e gjatë, por unë do të veçoja ëndrrën që të shoh një ditë brigjet e detit dhe ato të liqeneve të mbrojtura prej spekullimeve të paskrupullta që po i shpërfytyrojnë. Nuk dua të shoh më gërryerje ishujsh si ato në Ksamil, rrënime peizazhi prej shitësve të karburanteve në rrugën për Pogradec, ndërtime përbindshash prej çimentoje në buzë të liqenit, ndotjen e Shkumbinit e të Osumit… e, për ta mbyllur, po shpreh atë më sublimen e dëshirave: shqiptarët të bashkuar në një shtet ku mbizotërojnë kombi, familja, morali i pastër dhe merita.

 

* * *

 

Tani, besoj se është momenti, që edhe unë t’ju drejtoj disa pyetje, zoti Thoma Jançe. Dhe po e filloj prej njërës që më duket më e arsyeshmja:

Ju bëni pjesë tek botuesit që së fundi po përpiqen të krijojnë polin e shtypit të pavarur prej partive. Çfarë u është dashur të përballoni?

 

 

Th.Jançe:    Të flasesh për pol është pak shpejt, por po mundohemi të krijojmë një hapësirë të lirë shprehjeje. Ne nuk arrijmë të informohemi saktë si shoqeri sepse lajmi është bërë pronë, dhe më keq, mall. E drejta e informimit është një e drejtë themelore në një vend demokratik dhe nëse nuk funksionon kjo kemi si rezultat një manipulim shoqëror me përmasa të frikshme dhe pasoja të rrezikshme, që jo rrallë i kemi parë në Shqipëri. Që shtypi dhe mediat në përgjithësi të jenë një shërbim qytetar i pavarur duhet të kenë mundësi financimi alternative, që nuk varen nga interesat apo humori i mirë apo i keq i partive. Paraja ka bërë deri më sot fuqinë e medias në Shqipëri dhe kjo para nuk vjen nga tregu si shkëmbim të mallit informacion, por vjen nga interesi i përpunimit të manipuluar të këtij malli informacion. Shpesh përpunimi i manipuluar i informacionit krijon përfitime apo konflikte të stisura sipas nevojes së interesave të caktuara. Ne kemi një vizion tejet demokratik mbi shërbimin mediatik sepse besojmë në vlerat e vërteta demokratike. Ne besojmë se një media e lirë dhe korrekte sjell dobi shumë herë më të mëdha edhe se vet një parti politike. Ne i besojmë trios, informacion, kulturë, zhvillim. Sot rruga nëpër të cilën kalon emancipimi i një kombi nuk është vetëm shkollimi, por filtri i medias. Pra, ajo që është dashur të përballojmë është së pari burimi i pastër financiar i pavarur. Së dyti presionet nga konkurrenca e mediave të tjera, por edhe nga segmente të veçanta administrative apo partiake për të të vënë në shërbim të tyre. Përveç këtyre na duhet të formojmë gazetarë me mentalitet të emancipuar, të aftë e të guximshëm, të mprehtë në kapjen e problemeve dhe këndvështrimeve origjinale. Na duhet më shumë se kurrë ndershmëri profesionale. Nuk është e lehtë. Edhe nderi ka filluar të shitet dhe shtrenjtë madje në Shqipëri. Faik Konica na jep shpesh frymëzim në punën tonë.

 

 

 

Sh.S.Noé:     Si investitor si ia keni arritur të mos përkuleni?

 

 

Th.Jançe: Eshtë e pamundur të mos përkulesh sot në Shqipëri në fushën e sipërmarrjes private. Pa humbur dinjitetin. Bie dhe ringrihesh përsëri. E them me dhimbje se shpesh jemi gjendur përballë situatash të pakëndshme. Nuk ka barazi trajtimi nga elementë të administratës shtetërore, që shpesh sillen si xhandarë të cilët nuk e shikojnë bisnesin si partner, por si lopë të interesave personale. Ti je viktimë dhe nuk ke ku të ankohesh. Kjo pengon zhvillimin e vendit.

 

 

 

Sh.S.Noé:    Dhe si shkrimtar ?

 

 

Th.Jançe:     Ah, si shkrimtar! Kam ëndërruar gjithmonë të jem shkrimtar. Nuk mbaj mend qëkur kam nisur të shkruaj e s’kam rreshtur kurrë. Madje them se jam. Jam një shkrimtar virtual, pa vepra. Kam botuar diçka në Itali. Kam një marrëvëshje të re me një shtëpi botuese të rëndësishme italiane, por tepër i tërhequr, duke ripërtypur veten. Mendoj se jeta ime vetë është një vepër artistike. Atë që ka qënë individuale duhet ta bëj në një farë formë artistike publike. Druhem, sepse dua ta jap me forcë thelbin e jetës, dicka që të mbetet. Të shkruarit është komunikim. Të mundesh të komunikosh në mënyrë të bukur dhe të dobishme është fat dhe domosdoshmëri. Eshtë arsye të jetuari.

 

 

Sh.S.Noé:     Ju keni shumë projekte, në fusha të ndryshme, mund t’ia zbuloni lexuesit?

 

 

 

Th.Jançe:     Endrra ime më e madhe është që të ndryshojë Shqipëria. Më duket habi e madhe pse ende jemi në këtë gjëndje të mjerë. Të gjitha projektet tona, sepse unë nuk jam vetëm, konvertojnë në këtë ëndërr sublime që e shikoj shumë shpejt të realizueshme. Ne jemi kështu sepse këtë nivel edukimi kemi pasur, sepse pjesa më e madhe e elitës, trurit dhe e rinisë së kombit iku. Së pari duhet edukim dhe për këtë bashkë me një grup pune italian po hapim në Tiranë Universitetin Italian diplomat e të cilit do të njihen automatikisht në Itali. Do të jetë një kampus edukimi i modelit më të mirë evropian, që do të fillojë që nga niveli elementar. Jemi të ndërgjegjshëm për nivelin ekzistues të edukimit mësimor ndaj do të bëjmë diçka ndryshe. Kemi nisur gjithashtu polin editorial i cili do të ketë në fokus jo vetëm prurje nga bota, por edhe anasjelltas. Jemi të idesë dhe mbi këtë synojmë, që Shqipëria e ka mbaruar tranzicionin e saj cfilitës. Tani ajo duhet të eksportojë vetveten, produktet e saj më origjinale dhe më të mira. Kjo është e mundshme, dhe duhet të jetë rruga kryesore e zhvillimit.

 

 

 

Sh.S.Noé:    Çfarë shpresash ushqeni tek qeveria e re?

 

 

Th.Jançe:     Asnjë shpresë. Unë shpresat i ushqej tek njerëzit, tek vetvetja. Qeveria është në detyrë dhe duhet të kryeje detyrën. Nëse nuk e kryen ky popull duhet t’i kërkojë llogari, gjë që nuk ka ditur ta bëjë mirë deri më sot. Qeveria duhet t’i garantoje kushtet e nevojshme popullit të vet. Duhet të garantojë një administratë të aftë dhe efiçente. Duhet të garantojë një sistem drejtësie të normalizuar. Duhet të çrrënjosë korrupsionin. Qeveria duhet të ketë partneritet të ndershëm me biznesin. Ky popull duhet ta përmbysë qeverinë nëse nuk është në shërbim të tij. Vetëm shoqëria civile mund ta zgjidhë këtë problem për të mos lejuar formimin dhe mbizotërimin e klikave mafioze në vend. Deri më sot populli ynë ka qënë i mefshtë. Ka protestuar në mënyrë sporadike dhe për interesa shumë të ngushta personale. Ka njezetë e tre vjet që grabitet e dhunohet sistematikisht. Kjo qeveri që është duhet të reflektojë ndryshe. Shqipëria nuk ka rrugë tjetër.

 

 

 

Sh.S.Noé:    Ju dhe qyteti juaj buzë Osumit – një binom i pandashëm. Si duket Berati i sotëm në sytë tuaj?

 

 

Th.Jançe:     Absolutisht të pandashëm. S’ka si të jetë ndryshe. Eshtë qytet i veçantë në këmbët e tempullit madhështor të Dodonës antike. Berati ështe një perlë dhe jo vetëm në historinë shqiptare. Eshtë një perlë në agoni. Ekonomikisht në gjunjë. Moralisht i çnderuar. Kulturalisht i masakruar, i vjedhur. I fyer nga mosvëmendja e qeverive qëndrore. I tradhëtuar nga hajdutëria dhe paaftësia e pushteteve lokale. Qyteti më i injoruar i vendit që bie në kontrast të thellë me pasurinë dhe bukurinë e tij mijëvjeçare. Thjesht dhe shkurt, i përdhunuar.

 

Sh.S.Noé:    A keni projekte të veçanta për Beratin dhe si shpresoni t’i vini në jetë?

 

 

Th.Jançe:    Kemi një projkt shumë të madh në fushën e turizmit. Berati duhet të kthehet në kërthizën e turizmit shqiptar duke ofruar të gjitha cilësitë dhe llojshmëritë. Po punoj dhe synoj ta realizoj shpejt.

 

 

 

 

Sh.S.Noé:    Çfarë shohin intelektualët me banim në Shqipëri tek ata të emigruar: një kërcënim të pozicioneve të paraktuara tashmë, një prishje të ekuilibrave?

 

 

 

Th.Jançe:     Jo nuk besoj. Kërcënimi i pozicioneve nuk duhet të vijë nga emigranti, por nga niveli i aftësisë. Nuk besoj që ka një garë të tillë. Mendoj se shihet pozitivisht për eksperiencën që sjell. Sot ka shumë emigrantë që kthehen dhe sjellin përvoja tepër pozitive dhe të dobishme, madje kanë filluar edhe të huaj të tjerë të punojnë në Shqipëri. Madje intelektualët në Shqipëri janë në avantazh dhe s’janë sepse me kohë aftësia e tyre matet me letra të kota dhe fallco që rëndom quhen diploma, mastera, doktoratura. Këta janë ushtria e vdekur mendore që i serviret dhe i shërben segmenteve të korruptuara të pushteteve. E shoh pozitive një ndeshje të tillë ku arbitër të jetë aftësia direkte në proces pune dhe rezultate dhe jo letrat e certifikuara më kot apo zarfat e miqve.

 

 

 

 

Sh.S.Noé:    Si mund të nxiten ata të kthehen sipas pikëvështrimit tuaj?

 

 

Th.Jançe:    Kjo është një pyetje e vështirë. Unë këtu mund të tregoj përvojën time. Jam kthyer vet, me iniciativën time. Nuk kam pasur kurrë një punë shtetërore. E pamundur të çaje. U mora me sipërmarrje private për t’i dhënë zgjidhje ekzistencës time. Përvoja jashtë më krijoi mundesinë e lidhjeve me partnerë të dobishëm. Mendoj se ka disa menyra nxitjeje për të kthyer sidomos njerëzit që sot i nevojiten vendit. E para është krijimi i kushteve të barabarta të garës për punësim. E dyta financim të projekt-planeve të bizneseve që ata sjellin për t’i realizuar në Shqipëri. Por, kushti kryesor është të gjejnë ambientin sa më mikpritës, një administratë ndihmuese dhe të zhdërvjellët, garanci investimesh dhe siguri prone.

 

 

Sh.S.Noé:     Ç’qëndrim do të mbajnë intelektualët si ju, deri tani të paangazhar hapur politikisht, ndaj të porsardhurve në pushtet?

 

 

Th.Jançe:      Monitorues. T’i jepet besimi i domosdoshëm në kohë për të parë operimin e qeverisë në të gjithë gamën e aktivitetit të saj. Të vihet gishti në plagë gjithmonë. Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Sot kemi një brez shumë të aftë dhe ky duhet të shfrytëzohet. Unë jam i bindur se ky vend bëhet shumë shpejt. Shqipëria nuk është makinë e rëndë si shtetet e mëdha. Për të mbajtur të lartë standardin e popullit tonë nuk duhet shumë. Resurset tona, aftësitë, dhe gjenialiteti nuk mungojnë. Ajo që mungon është qeveria. Monopolet kanë hyrë kaq thellë sa duhet një vullnet dhe guxim konkret për t’i normalizuar. Dhe kjo gjë bëhet. Edhe një kryeministër i vetëm e bën nëse ka këto atribute. Kemi shumë shëmbuj botërorë. E ka shansin. Mundet. Eshtë vetëm çështje vullneti dhe jo pamundësish që varen nga tjeterkush. Kemi humbur shumë kohë.

 

 

 

Botuar ne Fenix, n,30, 29.09.2013

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s