RETROSPEKTIVE; Shpend Sollaku Noè: Nuk botoj një libër në vendin tim që prej vitit të largët 1987!

dok 1  dok 2

RETROSPEKTIVE; Shpend Sollaku Noè: Nuk botoj një libër në vendin tim që prej vitit të largët 1987!

 

Intervistoi:Gilmana Bushati

 

Titulli origjinal: …Atdheu është si nëna, ajo duhet shumë, edhe kur është e varfër dhe e përdalë!

 

shpend

Shpend Sollaku Noe

 

 

-Shkrimtari dhe poeti Shpendi Sollaku Noe flet për ngjarjet e vitit 1991

 

 

“Armët që kërkoi dega u përdorën ndaj popullit, pati një të vrarë”

Si fitoi azilin politik në Itali në 1992

 

Për të shpjeguar më mirë situatën në Lushnjen e vitit 1991, “Gazeta Shqiptare” intervistoi poetin dhe shkrimtarin e njohur, Shpend Sollaku Noe. Ai u lind më 1957. Në moshën tre vjeçare i arrestohet i ati, i cili akuzohet për “sabotim” nga regjimi, duke lënë në shtëpi gjashtë fëmijë dhe të shoqen, të cilëve u duhet ta përballojnë jetën. Kur mbush katërmbëdhjetëvjeç ai fiton konkursin e muzikës në Tiranë, por s’mund ta vazhdojë liceun artistik të kryeqytetit. Kthehet në qytetin e tij dhe ndjek gjimnazin, të cilin e mbaron me nota të shkëlqyera. Rrezikon të përjashtohet nga shkolla për një palë pantallona “antikomuniste”.Rezultatet shumë të mira nuk i mjaftuan për të fituar të drejtën e vazhdimit të Universitetit. Për tre vjet me radhë vijon të kërkojë të drejtën e studimit. Në vitin 1978, në sajë të ndërhyrjes energjike tek Enver Hoxha të Lidhjes së Shkrimtarëve e personalisht të Kryetarit të saj, poetit të madh Dritëro Agolli, Noé-së i njihet e drejta “jashtë kritereve” për të studiuar për gjuhë e letërsi. Por, sapo regjistrohet në Universitet, e postojnë në ishullin e Sazanit për të kryer shërbimin ushtarak si marinar për tre vjet. Në vitin 1980 i vdes i ati, por oficerët nuk ia komunikojnë, por ai shkon fshehurazi. Në vitet 1989-1990 është pjesë e lëvizjeve demokratike. Më 1990 themelon Partinë e Vullnetit të Lirë (PVL) me intelektualë të tjerë të pakënaqur, por ai kërkon të përfshihet në këtë parti bashkë me përkrahësit e tij. Por ai konstaton se PD-ja nuk i qëndroi idelave për të cilat ishte themeluar. Ai i bashkangjitet PR-së ku zgjihdet anëtar Komitetit drejtues. I tradhëtuar në ideale dhe i ndodhur i pambrojtur, për të shpëtuar veten dhe familjen (të shoqen prokurore dhe djalin), si mbetet gjë tjetër veç kërkimit të azilit në Itali. Familja e tij është e vetmja të cilës i është njohur azili politik në Itali në vitin 1992, pas të ashtuquajturës “fitore të demokracisë në Lindje”. Shpendi Sollaku Noe, është një shkrimtarët dhe poetët shqiptarë që njihet si i tillë në disa vende të Europës ashtu dhe në SHBA.

 

Zoti Shpend, cili ishte aktiviteti juaj politik në vitet e para të pluralizmit, një aktivitet që duket se pati ngjallur dhe kureshtjen e degës së Punëve të Brendshme në Lushnjë?

 Kureshtjen e Degës së Brendshme të Lushnjes e kisha ngjallur që shumë më përpara lëvizjes për demokraci, në moshën adoleshente. Per gjëra që sot duken nga më te rëndomtat, p.sh. nga mënyra sesi vishesha, nga arti që pëlqeja, nga karikaturat e bëra vajzës së Sekretarit të Parë, nga antenat me shumë elementë të fshehura mes pemëve…(po ndalem, pasi lista bëhet shumë e gjatë). Këto ishin disa nga mënyrat “e vogla” të brezit tim nëpërmjet të cilave mundnim të shprehnim pakënaqësinë. Më vonë u shtua miqësirat me njerëz, sipas tyre, të padenjë politikisht. Si pasojë arriti edhe mohimi i së drejtës për të studiuar në Universitet, edhe pse me nota të shkëlqyera në diplomë, edhe pse kisha filluar të botoja në organet kombëtare që në moshën 14 vjeçare. Menjëherë pas kësaj ia mbërriti ushtria në Sazan për tre vjet…Pastaj, kur isha mësues, u shtua ndër të tjera edhe aktivizimi në rrethin tim letrar i bijve të të persektuarve, pastaj dërgimi në karton i librit tim të parë e të vetëm të botuar në Shqipëri, në vitin 1987.

 

Nga një dokument sekret i degës së Punëve të Brendshme, ju citoheni si pjesë e lëvizjeve demokratike. Çfarë ju kujton ky dokument sekret?

 Shumë gjëra, aq shumë sa nuk di nga t’ia nisësh. Mitingu i PD-së në Lushnje, si edhe në ndonjë vend tjetër, u bë kur akoma nuk ishte organizuar dega në rreth. Isha vënë që më parë në kontakt me Tiranën, kur seli e PD-së ishte akoma dhoma e Arben Imamit në Qytetin Studenti. Para se të prezantoheshin demokratët e parë të Lushnjes në miting, kisha rreth 3000 anëtarë të regjistruar. Nuk kishim tesera, por disa fletushka të ngjashme me autorizimet për të blerë frigorifer. Kontaktet në Tiranë nisa t’i mbaj me Azem Hajdarin. Pikërisht Azemi u bë shkak që mitingu të bëhej edhe pse dega e rrethit nuk qe ende e organizuar. Një ditë para Hajdari kishte dhënë një intervistë në Zërin e Amerikës ku njoftonte kryerjen e mitingut të nesëmen në Lushnje dhe, më pas, në mos gaboj, edhe në Fier. Zëri Amerikës ato kohëra ishte agjencia jonë e lajmeve. Populli i Lushnjes e mori vesh lajmin prej Amerike. Nëse mitingu nuk do të bëhej, mund të interpretohej si mosdhënie e lejes nga autoritetet dhe kjo mund të çonte në përleshje të rrezikshme. Para se të shkonte në Fier, Azemi më kërkoi, dhe nguli këmbë, që mitingu të bëhej patjetër. U mblodhëm fillimisht në shtëpinë e Kujtim Sulës, koleg me mua dhe baba i studentit Arben Sula, i dërguar nga studentët për të forcuar lidhjet me qendrën. Ishte nata e 3 janarit. Hartuam një plan sesi mund të bëhej mitingu dhe kërkesën për lejen nga Dega e Brendshme. Ramë dakord që hapjen ta bënte Visar Zhiti, intelektual i burgosur, me figurë të pastër morale. E lamë të takoheshim edhe një herë tjetër në të gdhirë. Takimi i dytë u bë në shtëpinë e Kujtim Ginës. Herët në mëngjes dorëzuam kërkesën në Degë dhe ata u detyruan ta pranojnë. Për më tej nuk po zgjatem. Sesi vazhdoi më vonë lëvizja demoktatike në Lushnje etj, e kam shprehur në artikullin “Ne ishim argatët e demokracisë”, botuar në vitin 1992 në gazetat “Ora e Fjalës” dhe “Republika”.

 

A keni pasur, në atë kohë, presione nga agjente te sigurimit apo nga strukturat e tjera të regjimit komunist?

Presione përballë? Mua drejtpërdrejt jo, pasi e njihnin mirë vendosmërinë time, pasi isha shumë i njohur dhe i trëmbeshin hakmmarrjes së djemve që na rrethonin. Por njerëzve të familjes po. Presione për të më detyruar të hiqja dorë, por që ranë në vesh të shurdhët. Kundër meje ata vepronin tinëz, me plumba nëpër zarfa anonimë, me dinamit poshtë shtëpisë, me gjysma tullash nëpër xhepa për të më goditur pas shpine. Në fillim të 1992-isht, guxuan edhe më shumë, sidomos pas shkrimeve të mia të para për riciklimin e parasë së pistë.

 

Pse mendoni ju se dega e Brendshme kishte nevojë për përforcime nga Tirana për të përballuar situatën. Çfarë situate u krijua me lëvizjet demokratike?

 Tejet e tendosur dhe e rrezikshme. Pas mitingut demokratik në Lushnje qytetarët nisën të guxojnë më shumë. Komunistët e kuptuan që mund t’u shpëtonte pushteti prej duarsh dhe po përgatiteshin ta mbronin edhe me armë.Frika e tyre ishte e madhe dhe ai armatim e ato forca speciale që zotërinin deri atëherë u dukeshin pak, përballë guximit të popullit që sa vinte e rritej me shtysën e vendosur të liderave të tij të rinj. Armët e kërkuara në atë dokument u përdorën me të vërtetë në Lushnje, në një nga mitingjet e mëvonshëm për demokraci. Pati edhe të plagosur, sidomos edhe një i vrarë. Ishte një djalë i ri, në mos gaboj me mbiemrin Vogli, baba familjeje, që kalonte pranë sheshit rastësisht, me ilaçet e së bijës në dorë. Varrimi i viktimës u karakterizua nga një shpërthim i papërmbajtur i urrejtjes dhe shpagimit. Pas funeralit korteu prej mijëra vetësh u shfry mbi institucionet duke djegur e plaçkitur, që nga gjykata e prokuroria e deri tek komiteti i PP-së. Përforcimet e kërkuara nga kryetari i Degës nuk mjaftuan për të argjinuar urrejtjen popullore. Forcat e rendit nuk qenë në gjendje të mbronin as edhe Degën e Brendshme, por e braktisën në panik e ia dhane vrapit nga portat e pasme që të çonin në përrua.

 

Ju e kishit gruan prokurore, pse kishit frikë atëherë, duke qenë se prokurorët kishin mbështetjen e shtetit?

 Kam qenë që atëherë i mendimit që punonjësit e drejtësisë duhet t’i rrinë larg politikës, prandaj ime shoqe nuk pati asnjëherë presione prej meje per t’u lidhur me lëvizjen demokratike. Ajo në atë kohë ishte prokurore e sektorit gjyqësor. E kryente atë detyrë pa iu bindur qortimeve të vazhdueshme për të marrë teserën e kuqe të PS-së. Ishte e vetmja në Prokurorinë e Lushnjes që nuk kishte pranuar të bëhej komuniste. Aktiviteti im politik, sidoqoftë, asaj i krijoi jo pak probleme, që kishin filluar që me martesën e saj me një si unë, me baba një ish monarkisti të dënuar. Në atë periudhë ajo e ndiente veten shumë të pambrojtur, as që bëhej fjalë që të bëhej ombrellë për mua. Shqetësimi ynë më i madh ishte mbrojtja e djalit tonë të vetëm, pasi kishin tentuar ta rrëmbenin. Jo më kot në dokumentin në fjalë theksohet pas emrit tim: gruaja e tij është ndihmës prokurore! Për ta ishte një skandal që duhet të kishte pasoja si për prokuroren, ashtu edhe për të shoqin. Më vjen të qesh nëse mendonin ta gjykonin si tradhëtare. Për të tradhtuar diçka duhet që më parë ta duash!

 

Në kohët e sotme dokumenti duket tejet absurd, por nëse nuk flasim për të, a mendoni se historia jonë thjeshtëzohet?

 Sigurisht. Nuk është kurrë e tepërt të flitet për atë periudhë. Madje mendoj se akoma është folur pak dhe me shumë demagogji.Sidoqoftë, siç duhet të ndodhë në një komb të qytetëruar,duhet patjetër të flitet e të shkruhet me ekilibër. Sot në Shqipëri mbizotëronn tendenza e nxirjes së gjithçkaje që ka të bëjë me ato 50 vjet. Si quhet rubrika juaj? ‘Kujtime tranzicioni’? Më duket se nga kjo pikëpmje Shqipëria është akoma në tranzicion, një tranzicion tejet i stërgjatur, që minon nevojën jetike të një kombi të vogël si i yni për të qenë i bashkuar. Injorimi i Luftës Antifashiste, (të kalëruar më vonë prej të kuqve), nihilismi i tepruar ndaj figurave të shquara (edhe të kritikueshme) të kulturës të periudhës komuniste, vënia në dyshim e gjuhës së përbashkët letrare dhe tendenca për t’u rinisur duke u bazuar në një dialekt tjetër, të udhëhequr nga logjika e prejardhjes së klaneve etj., janë sipmtoma të një sëmundjeje të rrezikshme për një popull që nuk ka zgjidhur ende çështjen kombëtare. Tendenca për të rishkruar historinë duke u nisur nga pozita dominuese e fitimtarëve është frutkeqe, pasi nuk mund të jetë reale historia në të cilën mungojnë edhe rënkimet e të mundurve.

 

Në vitin 1992 ju kërkuat azil politik, ndërkohë që Shqipëria po konsiderohej tashmë demokratike…

 Paradoksi i Shqipërisë demokratike nuk na u nda vërtetë ditët që kërkuam azil politik në Itali. I pari avokat që njoha ato ditë ishte Fabio Fabbri, që më vonë u bë Ministër i Mbrojtjes në qeverinë Ciampi. Edhe ai më bëri të njëjtën pyetje. Me dokumentat që munda të marr me vete nga Shqipëria, arrita të bind Fabbrin dhe Komisionin e Romës për refugjatët politikë, që rruga për në demokraci e vendit tim ishte akoma e gjatë.

 

Ç’fituat ju nga sakrificat e bëra në atë kohë?

 Më mirë duhej të më pyesnit çfarë humbët. Humbëm gjithçka të shtrenjtë: së pari atdheun,”që e donim dhe s’na deshi”, që vazhduam ta donim, pasi atdheu është si nëna, duhet shumë, edhe kur është e varfër dhe e përdalë! Humbëm njerëzit që na rrethonin, miqtë, profesionet. Humbëm mundësinë për të vënë qoftë edhe një lule në varrin e babait, vdekur akoma i ri prej brengave. Fituam vite të tëra sakrificash të panumërta në dhe të huaj, punët e rënda e të përçmuara të viteve të para të mërgimit për të mbijetuar e për të shpëtuar familjen, sforcimin deri në dhimbje për t’u rikthyer në jetë intelektuale.

 

Edhe e sotmja është po aq e zezë?

 Jo, pas kaq vitesh të humbura, gradualisht iu ktheva letërsisë dhe kjo shpëtoi nga vdekja e sigurtë edhe pjesën time shpirtërore. Librat e mi të fundit të botuar në SHBA, në anglisht e italisht, kanë shkuar në rreth 90 vende të botës.

 

Cilin mund të përmendni si suksesin tuaj të fundit?

 Pse i fundit? Do të ketë patjetër të tjerë. Që i kam shkruar dhe që i kam në mendje. Pas disa javesh del nga shtypi Antologjia ime në pesë gjuhë: anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht e shqip.Në cilën nga këto gjuhë të duket më e rëndësihme kjo Antologji?Në të gjitha gjuhët që do të botohet. Ai shqip, sigurisht, do të jetë më emocionuesi. Nuk botoj një libër në gjuhën time që prej vitit të largët 1987!

 

(Me shkronja te zeza nderhyrjet e gazetares dhe te redaksise)

 

20.04.2011 (Gazeta Shqiptare) Intervistoi: Gilmana Bushati

Dy milionë euro burrë ! / Tregim nga Silvana Berki

Dy milionë euro burrë ! 

silvana

 Tregim nga Silvana Berki

kop Silvana

 Shkëputur nga libri me tregime “Më jep vetëm 15 ditë !” 

Ajo vështronte të ëmën tek paloste rrobat e saj mbi krevat dhe nuk po arrinte të kuptonte se çfarë po ndodhte.

 – Nesër do të bëhet varrimi yt, – dëgjoi tek i foli me zërin e saj të zakonshëm, thua sikur po i thoshte se nesër do të shkonin në ndonjë celebrim. I vështroi rrobat e shtrira dhe të hekurosura mbi krevat dhe nuk e kuptoi pse iu dukën të huaja.Befas doli rrëmbimthi jashtë dhe filloi të rendte nëpër rrugët e qytetit, sikur donte të çmallej me to për herë të fundit, dhe ashtu si e shastisur gati sa nuk u përplas me një çift, të cilët vetëm kur i pa drejt e në sy u kujtua se cilët ishin. Kushërira e saj qëndronte, çuditërisht, para këmbëve të saj. Sa shumë vite kishin kaluar! Ashtu e mallëngjyer iu hodh në qafë dhe e përqafoi fort. Kushërira, pak e befasuar nga ai përqafim i ngrohtë, por dhe e shtangur nga kjo ndjesi e pazakontë, dëgjoi tek i pëshpëriti në vesh me zë të mekur:

– Nesër do të jetë varrimi im.

Vajza dukej sikur ia thoshte më shumë vetes së saj këto fjalë, e për t’u bindur se ishte duke jetuar çastet e fundit të kësaj jete që Zoti ia kish dhënë dhuratë, filloi të vështrojë e hutuar qytetin e saj të plakur dhe të freskët të asaj mbrëmjeje.

Qyteti kishte rënë në gjumë të kobshëm, dhe me atë ngjyrën gri të veshur dukej sikur e bënte edhe më të panjohur rrugën në të cilën po ecte. Përreth, si për inat, shikonte vetëm gjethe të zverdhura, të cilat ngacmonin sfondin e djegur të asaj mbrëmjeje. Iu afrua pellgut të ujit që i doli përpara dhe filloi të ecë ngadalë përkundrejt tij, sikur të donte të kalonte në anën tjetër mbi atë copë qelqi. Befas një dorë e kapi mbrapa dhe e tërhoqi pas vetes.

– Ku po shkon?

Ajo ktheu menjëherë kokën.

I hodhi një shikim burrit me kostum, por nuk i tha gjë.

Burri, rreth të dyzetave, u habit nga heshtja e saj. Dikur ajo i hidhej në qafë, dikur çmendej pas tij… ndërsa tani ajo e vështronte me ca sy të ftohtë akull.

Ai u ngrit si çdo mëngjes, u kollaris mirë, u parfumos me parfumin e tij të preferuar dhe, duke përshëndetur gruan që po merrej me fëmijën e tyre foshnjë, u largua për te kafeneja e zakonshme ku lexonte edhe gazetën e ditës. Nuk kishte mbaruar së piri kafenë kur dëgjoi t’i binte telefoni.

– Agim, ku je në këtë moment? – e pyeti zëri në telefon.

– Te gruaja, – iu përgjigj ai me një nënqeshje në buzë.

– Te gruaja e di, por te cila? – vazhdoi tjetri po me ironi.

– Jam te kjo në Tiranë. Deshe gjë? – u përgjigj ai me nota mërzie.

– Asaj turçelies i ka vdekur nëna dhe ka kohë që po përpiqet t’ju kontaktojë. Pash Zotin hape atë numër telefoni se gjendja e saj është vërtet katastrofë, – i tha gati me ton lutës shoku.

Për një çast iu bë sikur çdo gjë ngriu në vend.

– Kur ka vdekur? – ishin të vetmet fjalë që i dolën nga goja.

– Sot në mëngjes ka vdekur dhe nesër bëhet varrimi. Mundohu të marrësh pjesë në ceremoninë e varrimit. Hajria ka nevojë për ty këto ditë, – i tha shoku, edhe pse e dinte se një “sheik” si miku i vet nuk mund ta kritikonte apo ta këshillonte.

– Ani, do të mundohem të vij. Kalofsh mirë, – iu përgjigj thatë tek mbylli telefonin.

Për një çast e kaploi një siklet dhe një ndjenjë mërzie. E kishte trajtuar vërtet keq atë vajzën e bukur “turçelie”, siç e thërrisnin në Prishtinë.

Ishte duke pirë pikat e fundit të kafesë kur filxhani i mbeti në buzë. Në kafene sapo hyri një femër tërheqëse dhe me flokë si të bukuroshes së tij turçelie. Nuk ia hoqi sytë derisa ajo iu kthye përballë, dhe vetëm atëherë iu kujtua. Ajo, me flokët kaçurrelë dhe me erën e mrekullueshme që gjithmonë i parfumonte, dhe ai, eh, ai vetëm lundronte në ato erëra që e lumturonin. Ashtu, i futur në ato kujtime, iu kujtua kur e pati marrë në Tiranë dhe pa i treguar se nuk e kish bërë divorcin e martesës së parë akoma, celebrohet me të. Sa e lumtur i dukej ajo atëherë, si një trëndafil i sapoçelur të cilin e mbante në vazo për hijeshi! Më e keqja në atë moment ishte se nuk i kishte treguar që ishte kredhur në borxhe deri në fyt, dhe kjo ishte edhe arsyeja pse rrinte më shumë jashtë Kosove.

Atë natë që ishin kthyer në Prishtinë, ish-gruaja e tij e kishte thirrur në telefon dhe ajo turçelia i ishte përgjigjur telefonit të tij:

– Kush jeni ju që i përgjigjeni telefonit të Agimit? – e kish pyetur ish-gruaja. Dhe ajo, pa të keq, i ish përgjigjur:

– Unë jam gruaja e Agimit.

– Ouuu, e unë kush qenkam, atëherë, nëse ti je gruaja e tij? – i pati thënë zëri përtej telefonit me qesëndi.

Ajo, e tronditur nga këto fjalë, kishte vazhduar bisedën:

– Unë? Po, unë jam gruaja e tij. Kush jeni ju? – dhe nga ana tjetër kishte dëgjuar përplasjen e mbylljes së telefonit.

Në atë kohë ai kishte qenë duke fjetur, ndaj ajo nuk e kishte zgjuar që t’i tregonte se çfarë kishte ngjarë. Pas pak kohe dëgjohet përsëri telefoni, por këtë herë përgjigjet ai. Ajo po përgatiste darkën kur ai hyri me vrull në kuzhinë dhe e qëlloi me shuplakë në faqe me gjithë forcën e krahut.

– Guxo herë tjetër t’i përgjigjesh telefonit tim?!

Me lot në sy ajo e vështroi si ndonjë fëmijë i pafaj. Ishte në muajin e pestë të shtatzënisë dhe ky sulm i ashpër i të shoqit e trembi më shumë. Pasi e kish mbledhur pak veten, e vështroi të shoqin sikur donte ta pyeste se përse ajo grua i kish folur ashtu në telefon, por atë natë nuk i tha gjë, sepseai iku dhe nuk erdhi më për disa net. Kishte shkuar tek ish-gruaja me të cilën kishte akoma kurorë. U çmall me fëmijët dhe ajo e mbajti për darkë, si të mos kishte ndodhur asgjë mes tyre.

Qëndroi atje derisa grindjet me të filluan përsëri. Ky ishte sinjali më i mirë për t’u rikthyer përsëri te turçelia.

Sa herë që kthehej, ajo e priste në derë si e ngrirë, pa i thënë asnjë fjalë. Më vonë ajo e kishte pyetur se pse e kishte mbajtur telefonin të mbyllur gjatë gjithë kohës, sepse ajo dhe e ëma e saj ishin shqetësuar shumë, por pas heshtjes së tij nuk kishte guxuar më ta pyeste.

Turçelia jetonte me të ëmën, pasi ishte vajzë e vetme, ndërsa i ati, tashmë i vdekur, i kishte lënë trashëgim shumë toka, gjithashtu edhe apartamentin ku jetonin. Kjo ishte edhe arsyeja që Agimi ishte joshur pas kësaj vajze turçelie.

Në këto mendime të trazuara, e shkëputi kamerieri, i cili i zgjati faturën. Bëri pagesën, por akoma nuk po lëvizte nga vendi. Nuk dinte nga t’u jepte këmbëve. Të shkonte në punë dhe në mbrëmje të kthehej te nusja e tij e bukur tiranase me të cilën kishte dhe një foshnjë, apo të nisej për në Kosovë. Nënën e Hajries e kishte takuar vetëm një vit më parë, kur ai kishte qenë në Turqi. Eh, si kishte shpëtuar nga ai siklet i tmerrshëm kontrabande armësh! Sa e kishin torturuar atje në qeli, bile i kishin marrë edhe pasaportën për të mos u larguar dot, derisa të plotësonte dënimin! Me vjehrrën u desh të aktronte si biznesmen i suksesshëm, dhe takimi në atë hotel luksoz justifikonte gjithçka. Faktin që shoqërohej me një tjetër femër nga Maqedonia, u mundua t’ia zbehte plotësisht, duke i treguar foton e Hajries dhe të vajzës së tyre, të cilën e mbante në portofol dhe i puthte përnatë kur bënte lutjen e mbrëmjes, që Zoti t’i ruante gjatë kohës kur ai nuk ishte pranë familjes. Me lajka dhe shtirje të tepruara i kishte mbushur edhe mendjen se pa bërë gati paratë që i kishte marrë borxh, nuk mund të kthehej në Kosovë.

– Jo, nanë, ti e shite tokën e burrit tënd të ndjerë dhe shtëpinë, për me më ndihmu mu. E si mund të kthehem unë në Kosovë kur ju jetoni në shtëpi me qira për fajin tim? Uroj Zotin të mbaroj sa më parë këtë biznes fitimprurës, ku janë në pyetjemiliona pará, dhe pastaj gjithçka do të ndreqet. Kështu thuaj edhe Hajries.

Dhe ajo me sytë gjithë lot e kishte përqafuar dhe uruar që kishte një dhëndër kaq të mirë.

Eh, tani… paska vdekur. Kushedi sa më ka mallkuar kur ka kuptuar se asgjë nuk doli nga ato që i premtova”, mendoi ai, dhe ashtu sikur të kishte mbartur peshën e gjithë halleve të botës, u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë në drejtim të derës.

* * *

– Eja, – i zgjati ai dorën asaj me druajtje, se mos zhdukej vegimi që po shikonte. Por ajo, sikur të mos ishte aty, vazhdoi të ecë në heshtje, me kujdes, thua se mos e lëndonte tokën ku shkelte, por kësaj herë jo në drejtim të ujit, por në anën tjetër të rrugës. Ai filloi ta ndiqte në heshtje, duke mos ditur ku po shkonte dhe duke mos guxuar as ta pyeste. Kuptoi se personi që ecte para tij ishte fantazma e saj që ai kishte lënë vetëm para dy vitesh. Si kishte humbur gjithë ajo bukuri, ajo ëmbëlsi, ajo freski brenda kaq pak vitesh?! Ndërsa ai sa vinte dhe zbukurohej. Gra kishte pothuaj në të gjitha shtetet rajonale përreth. Ndërsa ajo ecte zvarrë, vetëm, nëpër rrugë të qytetit si një zog i plagosur duke dhënë shpirt.

Befas vuri re se kishte hyrë në varrezat e qytetit, dhe ashtu e ulur ajo lëmonte tokën me dorë.

– Këtu do të varrosem nesër. E mban mend këtë vend? Eja këtu nesër dhe ma bjer edhe çikën sa herë të vish vetë. Amanet, kujdesu për nanën sa është gjallë. Ajo ka bërë shumë për ty. Ik tani, se të pret biznesi. Mos harro milionat e mi, lërja çikës sonë. Ik tani, se t’u bë vonë, – derdhi ajo lumin e hidhur të fjalëve sa therëse, aq edhe të ftohta.

– Ç’ka je tuj fol? Pse po flet nga këto marrira? Ngrehu të shkojmë nga shtëpia se i ke lënë mysafirët vetëm, – iu përgjigj ai duke iu afruar për ta ngritur. Por menjëherë ngriu si një trung i kalbur, kur ndjeu se krahu i saj u shndërrua në një hekur të fortë, të ftohtë, të cilin nuk mundi ta lëvizë e jo më ta ngrinte prej aty. Ajo iu kthye me një vështrim të pakuptimtë, aq sa ai epati të vështirë të lexonte mimikën e saj. Sa i pafuqishëm iu duk vetja në ato momente, sikur në mes tyre të ishte ngritur një mur transparent i pakapërcyeshëm, ku e vetmja mundësi ishte vetëm ta shikonte, vetëm ta përcillte nga ku po shkonte ajo.

Ajo u ngrit. Fillimisht shtyu me vështirësi këmbët e saj të drunjta dhe më pas ia dha vrapit sikur ai të mos ishte fare aty, ndërsa atij iu mor fryma duke u munduar ta ndiqte me po të njëjtën shpejtësi, derisa arriti te hyrja e pallatit. Jashtë pallatit burrat po pinin cigare, por vështrimi i tyre i habitur sikur donte të thoshte diçka: “Prej nga mbiu ky këtu?” Ky vështrime shpoi thershëm tejpërtej. Deshi ta ndiqte Hajrien menjëherë lart, por mendoi të ndalte pak, të merrte frymë dhe të pinte një cigare për ta mbledhur veten. Pa e mbaruar mirë cigaren, dëgjoi ulërimat e grave që vinin prej shtëpisë së vjehrrës. U step. Pa u menduar shumë, së bashku me të tjerët që ishin aty, u turr drejt shkallëve për të parë ç’po ndodhte. Hajria u afrua tek arkivoli i nënës së saj. Dukej sikur donte të hynte edhe vetë brenda, ndërsa gratë, të tmerruara, mundoheshin ta largonin me forcë.

Befas ajo theu heshtjen. Një qetësi e kobshme mbuloi dhomën mortore.

– Nesër bëhet varrimi im! Nanë, tregoju që m’i ke bërë gati teshat ke krevati. Tregoju që m’i ke palosur sendet e mia për rrugë. S’kuptoj pse këto duan të vënë ty aty e jo mua. A nuk më the mbrëmë se unë do varrosem nesër?

Ashtu e humbur në atë botë ku nuk i kishte mbetur më asgjë, dukej sikur ajo i fliste më shumë vetes sesa të pranishmëve të cilët i shikonte me sytë gjithë lot e pikëllim. Ndërsa ajo nuk ndiente më asgjë. Asgjë! E pse duhej të qante? Ashtu si ishte katandisur, s’kish pse t’i vinte keq që të ikte nga kjo botë. Ai, Agimi i saj, dashuria e saj e madhe, mori gjithçka kish: dashuri, pasuri, katandi dhe e la shtatzënë vetëm me të ëmën.

Në atë gjendje pikëllimi vuri re t’i afrohej burri që i kish dalë atje në rrugë. S’po i kujtohej kush ishte, por afër tij vuri re një fëmijë të vogël që u afrua drejt saj duke i folur me frikë:

– Mami…!

Ajo e vështroi atë filiz të njomë drejt e në sy. Dhoma kishte kohë që kishte rënë në qetësi, njëlloj si dhomat e varrezave katolike.

– Dy milionë pará kushton baba yt, çika ime! Ato janë të tuat, – i tha ajo, dhe duke hapur krahët e rrëmbeu fort në gjirin e saj të tharë prej kohës së maskarenjve. 

NËPËR LABIRINTHET DHE DIAPAZONET E KRIJIMTARISË SË SHKRIMTARIT EDMOND SHALLVARI

NËPËR LABIRINTHET DHE DIAPAZONET E KRIJIMTARISË SË SHKRIMTARIT EDMOND SHALLVARI http://floripress.blogspot.be/2013/11/neper-labirinthet-dhe-diapazonet-e.html   nga  Dhimitër Nica Edmond Shallvari është afirmuar tashmë në letrat,shkrimet dhe mbarë letërsinë shqipe.Është afirmuar plotësisht si poet. Është afirmuar plotësisht si shkrimtar.Në fushën poetike ka botuar katër … Continue reading

Poems by Adolf Shvedchikov (Russia)

   Poems by Adolf Shvedchikov (Russia)        Adolf Shvedchikov (Russia)       Адольф Шведчиков (Россия)     МИР ХХI ВЕКУ История ничему не учится, Разве может такое быть? Рождаемся мы, чтобы мучиться, Или всё-таки, чтобы жить? Какие … Continue reading