Manifestimi letrar “Flaka e Janarit” – Gjilan, 2014! (Fituesit e poezive nga Konkursi letrar “Flaka e Janarit” – Gjilan, 2014) / nga Dr Zejnepe Alili -Rexhepi

 

 

Manifestimi letrar “Flaka e Janarit” – Gjilan, 2014!

(Fituesit e poezive nga Konkursi letrar “Flaka e Janarit” – Gjilan, 2014) 

 

 

 

zejnepe

nga Dr  Zejnepe Alili -Rexhepi

 

 

 

Të dashur miq, krijues, dashamirë të fjalës artistike!
Përshëndetje të gjithëve!

Të thuash dhe vetëm ca fjalë për traditën dhe rëndësinë që ka Manifestimi letrar “Flaka e Janarit”, mbase është e tepërt, meqë vetë pjesëmarrja juaj në këtë konkurs letrar, me 276 poezi e 56 prozë të shkurtëra, flet qartë për madhështinë e këtij organizimi, tradicional prej kohësh.
Janari, për gjatë gjithë të kaluarës sonë, si komb, siç duket qe kohë flijimesh, humbjesh të personaliteteve të mëdha, të brumosur me idealin atdhetar, nga Gjergj Kastrioti…, deri tek vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, e tërë përkalimet e tyre mbi sfidat që u servoi historia, shprehur simbolikisht, qenë vetë flaka e përjetësimit të tyre! Shpresojmë që vetëm me lavdi të përkujtojmë veprën e tyre madhore, sot e në vazhdimësi!
Të gjitha këto ngjarje i jetëson pena e shkrimtarit, duke u dhënë imazhe impresive, metafora të bukura me fuqi shprehëse, e simbole të sajuara nga refleksione të shumta artistike. Në imazhin e poetit, me madhështi fjale përkujtohen madhështitë e veprave, në një farë mënyre ata bëhen pararojë shpirtërore e vlerave kombëtare. Subjekti, zakonisht merr jetë nga aktualiteti e më pas talenti dhe mprehtësia vrojtuese, andaj përherë shkruajmë me koherencën e mendimeve të kristalizura.
Unë personalisht, kam ndjesinë e veçantë që ndodhem midis jush në këtë Manifestim dhe sigurisht, në bashkëpunim me dy krijuesit e nderuar: z. Musa Ramadani dhe z. Nexhat Rexha, të cilët edhe i falënderoj për bashkëpunimin në nivel.
E pas një hamendjeje të gjatë, natyrisht për shkak të interesimit të madh dhe vlerës së krijimeve të dërguara, Juria u mbështet në disa kritere, si rregulla të përgjithshme: Pathosi lirik dhe ndërthurrja tematike; stilistika, gjegjësisht figurshmëria e vargut dhe forca përçuese e mesazhit, qoftë tek poezia apo proza.
Me këtë rast, më lejoni që në emër të Jurisë, të bëj të njohur krijimet e shpërblyera:

Poezi,  Prozë
1. “Mbrëmje pavarësie” – Shifra: pa shifër, 1. “(Sh)krimi – Shifra: Liria për ty,
2. “Hiri” – Shifra: pa shifër, 2. “Vdekja banale” – Shifra: Miku i vjetër
“Vjeshta e një gruaje” – Shifra: 24/65R, “Përballë jetës” – Shifra: Hylli,
3. “Një femër” – Shifra: 13 . 3. “Kalorësi i pestë” – Shifra: S.F.

Tradicionalisht, në “Flakën e Janarit”, ndahet edhe çmimi për krijimet më të mira, të prezantuara në Orën letrare!

Gjatë përzgjedhjes së krijimeve më të mira, nga 276 poezi dhe 56 prozë, gjithsej!
Juria në përbërje tri anëtarëshe:

 

 

juria

 

                            Juria

 

 

 

1. Musa RAMADANI – kryetar,
2. Zejnepe Alili REXHEPI – anëtare,
3. Nexhat REXHA – anëtar.

 

 

 

Fituesit e poezive nga Konkursi letrar “Flaka e Janarit” – Gjilan, 2014. 

 

 

agim desku

 

           Agim Desku

            (Çmimi I)

 

 

MBRËMJE PAVARËSIE

( MUZGU-t, gazetës së Kukësit )

O ëndërr e një puhie janari
Mbrëmë erdhe tek unë si liri shpirti
Të takova Kosovë udhëtimit tim drejt Durrahut.
Tek ti Drini u ndala vetëm pak ujë Vrrini mora

Ta shuaj etjen e luftëtarit tim
Fjalën shqipe e ushqeva me lapidare lirie.
Mbi këtë rrënjë u ula të frymoj pak

Për dashurinë tënde të etur o mik i këtij dheu
Sa herë erdhe flakë e rrufe u bëre bashkë
Edhe vdekjen e more me vete herë ma fale mua.
Kujtimin tim të bukur si lajm e futa në desk
Ta marrë dhenë e botën ta sfidoj me lajmin tim
Pse djall u bëra për tokë e kokë,kockë hëngra
Vetëm gjakun tim ta ruaj kujtim brezave kur vijnë
U bëra ujk i dashurive i këngëve e mikeve shqip.
Kujtim vargu
Me vite ëndrra më e bukur u bë rrugës për në gjimnaz
Vargje Migjeni i secilit mëngjes kur si lule vije
Ah si nuk kisha një grusht ta mundja frikën e shpirtit tim
Kur emrin tënd e mbaja mu në zemër mu në varg
Edhe atëherë kur më zënte shiu çdo natë më mbyste me lotin tim
ah rruga për në gjimaz u bë rruga e jetës e mallit
Për ata sy deti që bashkë me pulëbardhat fluturuan
Diku në tokë a në qiell,në parajs a në diell
Nuk e dija kah fluturuan ata sy deti a sy dielli
Tek vargu im i kërkova me vite si kujtimi im
Si zjarr u bëra edhe flakë jete e hi funeralit
Një shekull dashuri u bëra për një këngë
Me shqipet u nisa pa rrugë e pa asnjë drjtim
U bëra një rebel i atdheut tim herë e puthja në ballë
Erdha deri këtu ku udhë e kombit fillon
Mes përmes Shqipërisë e mes përmes shpirtit tim
Në një dritare të takova pranë luleve që kishepranë
Eh sa mike u bëre edhe ti varg o varg i rrugës në këtë jetë
E zgjova botën nga heshtja kur ti ishe dielli
E zgjova ëndrrën kur ti ishe ylberi
Ua takova me ty në një botë me lule e vargun tim
Putha heshtjen tënde mes përmes Shqipërisë
U nisa pejsazhit tim shqip si dashuri Drenice e Rugove
Si dashuri e re a si varg i ri aty mes për mes Shqipërisë
Cili do të jemi i pari unë apo vargu yt ti apo vargu im
Cili do të arrijmë aty ku shpirti im njeh dashurinë tënde flakë
Aty ku takohemi mes zjarreve të Prekazit
Më thuaj cilën fjalë ta fala për vargun tënd
Përse humbe bashkë më të e nuk e more këngën time
Më thuaj a u bërë gjeth trëndafili edhe aromë e tij
E vargu im të kërkonte më ditë e vite
Secilit yll i kërkoja emrin tënd edhe bukurinë
Sytë të më shndërrisnin netëve të vona deri tek agu
Deri të heshtja ime edhe e vargut tim rebel.

 

 

agim

Agim Bajrami

(Çmimi II)

 

 

VJESHTA E NJË GRUAJE

 

 

Ti thua shpesh se erdhi vjeshta
Ndonëse ende s’janë zverdhur parqet
Psherëtin për gjërat më të thjeshta
A për një thinjë që fshehtas shfaqet.

 

Dhe befas gjërat përreth teje

Zënë marrin trajtën e mërzisë

S’ka gjë se shiu fle mbas një reje

Dhe duhet kohë ende të nisë.

 

Tashmë më rrallë të shoh në shesh
Qirinjtë mbi tortë janë fikur
Pasqyrën më s’e ke mikeshë
Por send që s’dukej shpikur.

Por unë me ty buzëqesh pareshtur
Gjithçka më ngjan pa shkak
Ti ke diçka nga verë e vjetër
Që rri harruar nën banak.

Mjafton prej saj të pish një gotë
(Ajo ta pish s’të lut)
Të ndez kaq zjarre në aortë
S’të ngop as me nje but.

Planetin vetë ta kthen
në zemër
Dhe ajrit i humb peshën
Nëqoftëse kështu vjeshtë e një femre
Ok, unë po zgjedh vjeshtën.

 

 

entela

 

                 Entela Kasi
                 (Çmimi II)

 

HIRI

 

Do të zgjohesh nesër ndoshta
Nën brymë stine të ftohtë për ëndrrën

E ndoshta nuk do të kesh rrotull vetveten
Ikur sendesh të vogla, gjuhësh që flasin pa gojë.
Nga të gjitha anët nuk gjendet kush të rrëfejë udhën
Kur shkel rrugë të ftohta
Pa gjurmë njeriu.
Kur zgjatet në pafundësi ikja
Rrëzuar në heshtje krahët e shpendit
Sosin kah qielli,
E reja lumbardhës i bëhet shtrat
Dhimbja kur nuk zbret në tokë ngjit polip për korale detesh
Që i shkojnë fundit, territ të errur dritash pa tinguj
I ftohtë pus i kumbimit të fjalës
Që reket të kapërcejë pragun e gjuhës,
Kur kumti ngrin në fletë papirusi
Të kujtesës shkruar në rrëfenja ëndrrash.
Zemrën mos e merr në krahë!
Sepse krahët për ëndrrën janë pllanga myshku të errët
Në qela të ftohta ku zgjohet dija
E fshehta e botës
Përtej qiellit që prek njeriu
Dhe fle atje zëri, tingull i vjetër si koha kur fluturonim
Si yj të këputur tokës
Si vetja rrëzuar mbi rruzuj loti…
E tash nuk di ta kem një reze
Ta gjej një udhë kthimi
Sepse drita zbardhet netësh të përcjella territ.
E nga maja malesh zgjohet e ikur në pafundësi
Rruga që zgjatet qiellit
Të mundimit
E mbetet mjegullës

 

 

 

edona
   

  Edona Halili
  (Çmimi III)

 

 

NJË FEMËR

 

Më dëgjo, mik, nuk zbrazet mbi lule të virgjër dehja e jetës së shfrenuar

As zë trishtimi që s’pranon dëbora e shkrirë në gurë të rrafshtë

Një femër ka zbehur trishtimin e ditëve me identitet të mjegulluar

Ani pse gruas klithmën s’ia dëgjuan, veç durimin ia pamë si të ishte afsh!

Ti trimëror mund të zbrazësh nderin në stacionin e çarçafëve të mëkatuar

Si kumarxhi me nam mund të luash bixhoz me ndjenjë të sinqertë.

Mos, mik, mos i zemëro asnjëherë ninullat që bekuan djepin e uruar

Femra është dritë, bekim, lindja nga duart e saj lindin jetë!

Është femër nuk qanë në sup të botës, përplitet, lëndohet, nuk bërtet,

E shpesh herë kapet fyt për fyt me jetën për të trimfuar kur është nënë

Një klithmë e saj i vret horizontet, çan tokën cep më cep

Rreze mali gatuan, ka pakt të fshehtë me diellin, ngjan si të jetë hënë!

Ju nuk e njihni sa fuqi ka, sa shumë vite ka rritur ëndërra në vaj

sa i ka përkundur në vështirësi kur jeta e kërcënonte në sytë me lotë

mbi çiltërsinë e enjtur vendos fasho pas plagës që ka brenda saj
Është e fortë çelik i pathyeshëm po aq edhe thyhet lehtas si një gotë!

Është femra që të buzëqesh me trishtim dhe qan me buzëqeshje

O, sa lëndohet me një pseudolule dhe me një lule si fëmijë gëzohet

herë hesht me fjalë dhe herë di të flasë edhe me heshtje

di të spërkatë pika lumturine mik edhe kur nga bota të trishtohet!

Duaje atë, mik, edhe sikur të grindet ashpër me pafajësinë

Sepse mbi supe ka bartur shumë faje të botës së si kazan i pashpërlarë

Është femër nëse duhet bëhet vrastare për të mbrojtur dashurinë
por brenda shpirtit të saj ka çeltërsi, ndjenjë, shkëmbinj me margaritarë!

Ruaje mik figurën e saj të shenjtë dërguar në Tokë si mesazh hyjnor

Edhe kur vagëllohet horizonti në mjegull, shikoje përmes rrugëve të zemrës

dashuroje deri në qelizat e fundit kujdesu si për një lule që ngrin në të ftohtë

është vajzë, është grua, është nënë, jetë, është bekim i Zotit një femër!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s