Kumti i xixëllonjës / Nga Lida Lazaj

 

Kumti xixëllonjës

 

lida portret

nga Lida Lazaj

Të vegjël, të vegjël fare. Unë kisha gjashtë a shtatë, Ti, një a dy vite jetë më pak. Luanim lojëra, të gjitha lojërat e fëmijëve të asaj moshe. Qielli e toka ndërronin ngjyrë, pylli përballë vishej e xhvishej, dëbora shkrinte e sakaq degët e mardhura të pemëve prushëroheshin nga sythet dhe fshati i tërë mbulohej nga mantel i bardhë petalesh. Mandej, vendi larushitej e pikonin fruta të pjekura. Nuk e vrisnim mendjen për asgjë. Çuditeshim dhe pse të rriturit qëndronin kaq seriozë e të mërzitur. Ti thoje, bënin gjoja se nuk i shkonte shtatit të tyre, të qeshnin dhe të luanin si ne. Ndaj dhe e komplikonin jetën që ishte kaq e thjeshtë dhe e bukur.
Unë dija me siguri që zogjtë cicëronin, lumi i vogël shkonte duke kënduar, gjethet shkëlqenin, pylli frymonte vetëm kur pranë meje ishe Ti. Kur largoheshe, qielli zymtohej, meloditë bëheshin zhurma, ngjyrat zbërdhyleshin.
Kështu të ndodhte edhe ty. Më the njëherë, tek te bregu i lumit, ku më prisje, “tani sa çelën aguliçet”. Ishim të vegjël, fare të vegjël dhe nuk e dinim gjuhën e shpirtit. Minutat vraponin e bëheshin orë, orët javë, javët muaj, koha rrotullohej, kalonte mbi ne. S`e kuptonim.
Një mbrëmje maji, kur purpur i muzgut dalëngadalë po bëhej gri, ne qeshnim, sa shumë qeshnim e vraponim pas xixëllonjave. Një çast vrapuam para nënave tona, ( nuk shkonim më larg se perimetri i vështrimit të tyre), mbështetur pas murit të natës dhe qiellit që ndizte fenerët e vegjël të yjeve. Ato na kundronin me ngazëllim mëmësie, buzëqeshnin dhe bisedonin. Gëzonin ato për ne; shtonim lojrat, shtonim harenë, klithmat gazmore, që shpërthenin si fishekzjarre. Kur u afrova një cast, e jotja i thoshte nënës sime : “Sa shumë duhen, o Zot, sa shumë”. Kjo i lumturonte nënat tona.
Një xixëllonjë e mori në krahë lajmin dhe unë vrapova pas saj, me lahurinë e nënës në dorë. E kapa. E mora në dorë. Ajo fap-fup, ndiz e fik, lëvizi në pëllëmbët e mija të vogla. Një dritë e madhe m’i ndezi sytë dhe pashë… nuk ishim vetëm ne dhe nënat, shtëpitë, rrugët e pemët kredhur në errësire. Pa u kuptuar mugëtira u bë shkrumb dhe shkrumbi i natës u shpërbë në nuanca mavi, lejla, të errëta, gri. Si një ekzibicion, drejtuar me delikatesë nga duar të padukshme, pa fundfillim, luhaten, mbështillesn, ngrejnë e shembin spirale. Me yjet, xixëllonjat, krahët e kodrave, shtëpitë, rrugët, nënat dhe Ti një vallëzim madhështor. Unë isha gurëzuar. Rreth meje gjithësia rrotullohej me shpejtësi marramendëse. Koha vraponte, vraponte si drita. Gjithçka ndryshonte formë e pamje me shpejtësi. Në çastin midis ndriçimit dhe fikjes së xixëllonjës, pashë udhët tona të ndaheshin, të iknin në drejtime të ndryshme. Na merrnin me vete. Ti ikje larg, më ikje larg, përtej horizontit të jetës sime.
Në çastin e errët midis dy ndriçimeve të xixëllonjës, në atë vegim magjie, pashë veten, pashë kohën ku jam tani; këtu, pa ty. Nuk e dija që duhet të trishtohesha. As kohë, dëshirë e fuqi ta mendoja.
Nuk e di si dola nga gjendja e statujës dhe të ndoqa në vorbullën e lojës. Qëndruam të marrim frymë. Secili shtrëngonte në dorë xixëllonjën e tij të shtypur. Si guxuan të ndritnin rrugën e ardhme pa qenë të dy? Xixëllonjat pa shpirt, kthyer në një dromcë materie, ndritën pak mbi ballet tona dhe mbetën njolla murrme.
Për dore vrapuam tek nënat tona. Unë derdha ngashërimin në prehërin e nënës. E mira ime, mësuar me dënesjet e befta, më lëmoi flokët dhe e kuptoi si frikë fëmijësh nga errësira. Nuk fola atëherë dhe askurrë më për kohën që fluturoi mbi kokën time me fasha drite.
Ditët me lodra, netët pa xixëllonja, u bënë muaj e vite. Secili kapi rrugën e vet.
Të kam kujtuar në stacione të shkurtra të rrugës sime, pa koshiencën e kumtit të xixëllonjës. Vezullimi i largët fëmijërie mbërriti kohën e parathënë në çastin e shkurtër të ndezjes dhe fikjes së xixëllonjës. Nga këtu ku jam, kështu si jam, sikundër e pashë veten midis dy ndiçimeve, ajo grimcë lënde, që më kumtoi, të ardhmen time pa Ty, më djeg mbi ballë me mendim, me mallëngjim të pangushëlluar për Ty, i dashuri im i vogël

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s