POEZI NGA EVA KACANJA

 

eva

 

 

POEZI NGA EVA KACANJA

 

“Të kundërtat e bëjnë njeriun të fortë, dallgët dhe përplasjet brenda shpirtit të tij i japin emocion. Njeriu o bindet o rebelon. Bindja është e urtë por të lë në hije. Rebelimi është i egër,i pamëshirshëm, i fortë, emocionues,gati ekzekutues por më i bukuri që mund të ekzistojë. Dhe gjëja më e bukur, kur gjithë kjo luftë ndodh brenda vetë individit.”     

                            EVA KACANJA

 

 

 

Ku e kam vargun?

 

Jeta ime ngatërruar në të njëjtat rrugë,

poezia ime po klith brenda meje,

poezia ime po çirret brenda meje,

myshqe dhimbje dhe dashurie

në muret e lagështa të shpirtit.

Ku jam e ku shkoj,

ku humbem unë ditëve të mia,

ditëve të mia ku vargu dhemb,

ku metafora gjuan,

e unë turbull në një mijë hutime,

humbur në bukën e përditshme!

të përgjërohem Zot,

vargun tim falma sot!

 

 

 

 

Arratisje

 

Thashë të iki pyllit sonte,

dhe pse terrin e kam frikë,

ëndrrën time bëra shoqe,

edhe rrugës ik e ik.

Pemët murgj që mërmërijnë,

hije tyre vel i grisur,

para meje një hutin,

si një djall i çakërdisur.

Nuk e pashë një trung të kalbur,

gjë pa jetë mbi tokën zi,

zemra sa s’pushoi nga frika,

dheut këputem pa fuqi.

Teksa gjaku natën ngroh,

dëgjoj ëndrrën tek më flet:

“Çohu mike, s’është asgjë,

një gërvishtje krejt e lehtë!”

Qesh aq fort sa tremb dhe pyllin,

nata qenka thjesht një rreng,

syri  territ e gjen yllin,

ëndrra agut bëhet jetë!

 

 

 

Për njeriun

 

Shkëmbinj të të njejtit mal ne njerëzit,

o Zot sa të fortë!

Dhimbjen e rrëzimit durojmë,

thelbit të zemrës

kur rrënjët shkulen,

Ne njerëzit,

gur e metal,

Ne njerëzit,

materie ku shpirti gjen strehë

e streha kurrë qetesi s’ka…

O zot,

jemi mal ne njerëzit,

se na linde jetës ,

shpresës,

na lartove Ti  pengesës.

Por të vegjël jemi Zot,

Me gjithe kocka sa një grusht,

Ç’ jemi ne para vdekjes,

Shqopë që malit bëhet prush!

Na lër Zot,

Mos na provo,

jemi shtylla njëri-tjetrit,

rruazorët vijnë me radhë,

s’shkon i riu para të vjetrit!

 

 

 

Kohë donacionesh!!!!!!!!!!

 

U shtrua gostia,

nuk jane varfanjakët,jo!

Te vegjëlit zhyten në miell,

unaza nuk gjindet,

mjeshtrat qeshin,

hahahahahahaha,

mjeshtrat me ta qeshin!

Nuk kanë emër të vegjëlit,

përunjësisht ndjekin klloçkën,

betohen për besnikëri të vegjëlit,

mjeshtrat tundin kokën.

S’ka të sosur gostia,

jo kisha,

xhamia,

as qeveria,

nuk dimë kush zemrën e bën sofër,

e sofrën pazar ku mbush torbën!

Në brazdë janë vënë të vegjëlit,

Penelopat thurin rrjetat,

Odiseja thith nargjilën,

zaret hedhin mjeshtrat!

 

 

 

Të digjem

 

Vetveten ha e dhembja skërmit dhëmbët,

Kur nata bie lodhja

plumb në shpirt,

Yjet këputen

trupin s’e mbajnë këmbët,

Ngrihet loti

qiellit i kthen yjtë.

Bota flen

Por gjumë s’kam në sy,

Kam humbur rrugën

por të kthehem s’dua,

Vetveten ha si hëna plot idhni,

Ta zbardh dhe natën,

të digjem si dragua!

 

 

 

Inversion

 

Në botën time rriten përbindëshat,

perenditë dashurohen me flakën e tyre,

në botën time u shuan diejtë,

shkëlqejnë djajtë me zjarre brirëve.

Në botën time tranden malet,

lisat ngjajnë si liliputët,

bretkët ikin nga moçalet,

kurorëzohen sot hajdutët.

Në botën time ndihesh vetëm,

llojin tim askush s’e do,

një vullnet vlen 100 euro,

për njëzet një bordero.

Bota ime,botë e shitur,

ku moral e vlerë s’ka mbetur,

Ç’i bëre vetes vaj medet!,

Judën ti e bëre mbret!

 

 

 

Like

 

Ti i bën “like” buzëqeshjes sime,

Zemra s’ka më shtrat,

një lumë dhimbje derdhet ditë e natë,

Se unë kaloj në këtë botë maskarenjsh,

Ku më trimi ka frikë të pranojë veten,

Të thotë “unë jam” pa iu dridhur qerpiku,

Lëpihet pas karrikes

Sa i thahet pështyma,

Leku ka pushtet,

i pavlerë dhe miku.

Ti i bën “like” buzëqeshjes sime,

Se ti s’e di ç’bluhet në zemër,

Në atë zgavër të drunjtë që tingull nuk nxjerr,

Me mijëra balada luhen brenda saj,

Por heronj nuk ka

Është botë  maskarenjsh,

Ku më i vogli të mbyt me hije të rëndë,

Me çehre bosi

Që nga boshi fryhet.

Ti i bën “like” buzëqeshjes sime,

Sa “like” të tjera pas lajkave të tua,

Unë mbetem borë

faqes malit shtruar,

E nën buzëqeshje

stuhinë time ruaj…!

 

 

 

Femër

 

Dhe pse çdo agim njoh drithërima,

Qe si stalaktite pezull rrinë mbi zemër,

Sikur dhe ylberin të mund të kapërceja,

Sërish do të doja të lindesha femër!

 

 

 

 

Në kupë të verës…

 

Në kupë të verës sime

Bukën tënde ngjyen,

Ta ndiej etjen

Ngrohur kurmit tim,

Prush i vjedhur zjarrit

Ky vështrimi yt.

Përlotem,

S’di pse më vjen ndërmend

Ajo darkë e fundit

E të kryqëzuarit tënd!

Bëj të flas,

Por ti vetëm hesht,

Dhe pse në heshtjen tënde

I tërë pylli flet.

Mbytet loti im,

Bukës ,verës ngjyer,

Thyhet krah i pishës,

Erës detit gërryer…

Je betuar thua,

Vetes je betuar,

Por mbi buzën tënde

Puthjen e lashë peng,

Brenda kupës sime

Buka jote dhemb…!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s