MUZË Ç’ DO HERË E ZGJUAR ( Përqasje rreth librit më të ri poetik ” GJAKU IM TË QOFTË FALË” i autorit NEHAT JAHIU ) / Nga Sevëme Fetiqi

 

kopertin 3 e librit Gjaku im te qofte ...

Doli nga  Shtypshkronja ” FURKAN PRINT-SHKUP” libri më i ri  poetik  ” GJAKU IM TË QOFTË FALË” i autorit NEHAT JAHIU

 

 

 

 

 

 

seveme

Përqasje nga Sevëme Fetiqi

MUZË Ç’ DO HERË ZGJUAR

    

Nehat Jahiu padyshim është një ndër poetët më produktiv të dy dekadave të fundit, i cili në krijimtarinë e vet të begat, shkruan satirë, prozë, poezi dhe tregime si dhe ngjarjet, që e preokupojnë botën e tij të jashtme. Ai është i vetëdijshëm se nuk mund ta lë asnjë çast muzën të kotet dhe të largohet nga shkrimet e tij të pasura, me të cilat ai e sjellë në shprehje shpirtin e vet.

Nehat Jahiu si në tërë krijimtarinë e vet të deritashme, ashtu edhe në këtë libër “GJAKU IM TË QOFTË FALË” me sukses dhe mjeshtri përdor lirikën, por edhe epikën letrare, ku i bashkon të dyjat në një tërësi poetike të ndjesh­me me narracion reflektues. Mirëpo, në këtë vëllim letrar, ai tenton dhe ia arrin qëllimit, që përmes jetëshkrimit të tij ta reflektojë, edhe çdo ndjenjë përcjellëse, dhembjen, dashurinë, kurbetin, mallin, dramat jetësore fëmijërore, dëshmorët e luftës së fundit e deri te varret e të parëve të tij. Me këto, Nehati vetëm e bënë më të begat dhe e pasuron vargun, i jep një ngjyrëtë pashlyer mendimeve dhe e ndërton rimën me mjeshtri metrike. Libri me poezi “GJAKU IM TË QOFTË FALË” përbëhet nga katër cikle: Cikli i parë AUTOPORTRET, cikli i dytë PORTRETI I ATDHEUT, cikli i tretë IDILË KATUNDI dhe cikli i katërtë GJAKU IM TË QOFTË FALË.

portreti  1 i Nehatit

Katër ciklet janë të lidhura në mes tyre, plotësojnë njëra-tjetrën, por në anën tjetër, kanë dhe karakteristikat e veta të veçanta në të cilat poeti Nehat Jahiu, i shpalos frymëzimet e veta momentale, kujtimet dhe ngjarjet më subli­me emocionale, gjatë etapave të ndryshme të jetës së tij. Duke i transmetuar këto emocio­ne, ai e mban të zgjuar dhe të interesuar tërë kohën lexuesin. Një ngjyrë poetike, që i karak­terizon poezitë e këtij vëllimi është edhe prania e folklorit shqiptar e qëndisur me mjeshtri në vargjet e tij të rimuara, i cili folklor e begaton dhe ia jep koloritin domethënës dhe autokton, narracionit të vargut, ku me keqardhje jepet mesazhi, se e sotmja ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me të djeshmen. Mirëpo, çdoherë duke tentuar të lë porosi te gjeneratat e reja për vlera dhe virtyte të larta, që populli shqiptar kishte gjatë tërë ekzistimit të tij. Në poezinë DIKUR të ciklit AUTOPORTRET ai me pak rimë dhe fjalë i qanë ato tradita, të cilat gati sa janë zbeh nga njerëzit dhe koha dangadalë i gllabëron: „Dikur fëmijëve u këndoheshin ninullat/ burrat e lidhnin besën nëpër kulla/ besën për fis komb e gjak /ate që kishim shtronim në konak“…këto vargje flasin sa një mijë fjalë e tregime.

Dhe, kështu me radhë, poezitë tjera i shpalosin kujtimet e tij fëmijërore dhe rinore, ku autori paraqitet dëshmitar i vogël i dramave jetësore, në kohën kur dëbohet familja e tij nga vendlindja dhe shpërngulet për në Turqi, …poe­zia “LOTËT E NJË FËMIJE”.  “Babain e shikoja fytyra iu kishte bërë nur / i lodhur nga mërzia ishte mbështetur në mur / si një qiri që shuhet shkoi e u tretë /se pa më të dashuritë e tij vetëm mbet”…këto vargje që shpalosin  përjetimet  e një fëmije qartaz tregojnë  sa me ndjeshmëri mbeten skenat e hidhura në shpirtin e një fëmije, dhe krijojnë një imazh dhembjeje në atë shpirt, i cili më vonë bëhet poet dhe i shpreh emocionalisht në vargjet e tij.

Në ciklin e dytë PORTRETI I  ATDHEUT, Nehati preokupohet me mërgimin- plagën e vje­tër dhe më të dhembshme shqiptare, ku shpa­los në mënyrë të suksesshme, mallin e mër­gimtarit, duke  bërë një sintezë të shkëlqyesh­me mërgimtar-vendlindja- atdheu dhe e këndon kthimin e tyre. Atdheu është i shenjtë. Nehati e ngrit zërin poetik dhe i fton të kthehen, sepse askund më mirë nuk është se në vendin e tyre: Vargjet “ E shtrojnë bukën me një lugë më pak në sofër / shtëpia ka mbetur pa zjarr në votër, / nëna pret e heshtur te pragu i shtë­pisë / vasha në gjergjef kthimin tim qën­di­së” ,dëshmojnë më së miri mungesën e mërgimtarëve.

Edhepse ky sublimitet dominon në shumë poezi të këtij vëllimi, një freski optimiste dhe një fllad çapkën, e kaplojnë ciklin e tretë IDILË KATUNDI, ku Nehati me një nostalgji të madhe, i përkujton ditët e rinisë, dashurinë e parë, martesën, jetën e bukur në fshatin e tij Orizaren, duke i sjellur frymëzimet e tij, ashtu të freskëta, si në  ato ditë kur janë përjetuar ato ngjarje të çmuara të jetës së tij. Njëkohësisht, sjellë një idilë autoktone  katundi, në vargje. Duke i lexuar këto poezi nga ky cikël, lexuesi do të përjetojë përjetime të ëmbla dhe do të ndjehet si në këtë fshat, nga edhe autori merr frymëzimin duke absorbuar çdo detaj nostalgjik të përjetuar, nga muza shumë e pasur e tij. Vargjet : “Këmishën thurrur me fije ari/ kur të shihja më digjte malli, /bistekun dredhur pas shpine / lidhur flokun fije- fije. / më dukeshe si një hyjneshë / trup e qafë si pëllumbeshë, /në dorë bylyzyku të kishte hije / veshur me atë fustan nusërie” na sjellin një pikturim të bukur me fjalë, të asaj idile katundi dhe dashurie rinore.

Në ciklin e katërtë, GJAKU IM TË QOFTË FALË, autori me një fjali, përpiqet të na për­cjellë mesazhin, që gjaku i dëshmorëve s´guxon të shkelet. Ai pasqyron dhe mbron idealet e larta kombëtare për një përparim dhe qyte­të­rim të plotë. Gjaku i dëshmorëve është garancion i paqës dhe i lirisë, ardhmëria e brezave të rinj. Në poezinë GJAKU IM TË QOFTË FALË, autori rrëfehet në veten e parë … “ Vendi im s´të harroj edhe në amshim/ jetën time për ty e bëra flijim / le të jetojë në liri ky popull mbarë/ për të gjaku im qoftë falë….”

Në poezinë e fundit autori në veten e parë, përmes monologut të dëshmorit, lutet që të ruhen varret e tyre…Dihet se varret janë kultura e një kombi. Krenaria dhe respekti ndaj dëshmorëve Nehat Jahiut i sjellin frymëzimin në vargje të shkëlqyera të poezisë VARRET NA I RUANI kur thot:  “ O vëllezër të vendit tonë/ juve që ju lindi e njëjta nënë,/ nëse neve nuk na duani/ amanet së paku varret na i ruani”.

Përshkrimin e ambientit, ndjenjat, emocio­net, drithërimat , dhembjen, gëzimin, dashurinë, mallin, vajin dhe revoltën e tij ndaj padrejtësive dhe robërisë, që përjetuan të parët e tij dhe ai vet, të gjitha këto autori Nehat Jahiu me mjeshtrinë e vargut e të rimës arrinë, që me sukses ti sintetizojë në një tërësi poetike dhe përmes kësaj tërësie të transmetojë  mesazhin e drejtë dhe bindës gjeneratave të reja për ruajt­jen e traditave shqiptare, për ruajtjen e dinjitetit njerëzor, respektin ndaj prindërve, ndaj flamu­rit, atdheut, miqëve dhe ndaj më të dashurëve. Me këtë Nehat Jahiu edhe njëherë dëshmon aftësinë dhe përvojën e tij në eduki­min e shumë gjeneratave të reja në shkollë, si dhe përmes vargjeve të tij autoktone, aftësinë e tij në thu­rrjen e vargjeve me mesazhe edukativo- pedagogjike.

Libri GJAKU IM TË QOFTË FA LË, pady­shim se do ti pëlqejë lexuesit, deri në poezinë e fundit, do ta mbaj lexuesin të zgjuar dhe të emocionuar deri në përfundim, sepse ky libër është shkruar në formë të një tregimi kontinuel dhe përjetimeve jetësore të vet autorit. Nehati, duke përjashtuar ndjenjën vetiake , jep çdo gjë nga vetja, që lexuesi të gjejë veten në këto vargje, të mishërohet me interesimin e tij. Padyshim, çdo lexues pas leximit, do të deshi­rojë ta vizitojë Orizaren, vendlindjen e autorit dhe të magjepset me bukuritë natyrore të këtij fshati, të cilat e pasurojnë muzën e tij. Uroj që edhe shumë poezi të lindin nga kjo muzë e begat, për ta pasuruar edhe më shumë letërsinë shqiptare dhe bibliotekat tona!

Poezi nga libri i sapobotuar

LOTËT E NJË FËMIJE

 

Dikur kur unë isha fëmijë 

nga dhembja e ndarjes shumë qava, 

aty pranë ftoit që kishim në avli 

me lotët e mi këmishën lava. 

 

Babain e shikoja fytyra iu kishte bërë nur 

i lodhur nga mërzia ishte mbështetur në mur, 

si një qiri që shuhet shkoi e u tret 

se pa më të dashurit e tij vetëm mbet. 

 

Atë ditë edhe lumi ndali rrjedhën e vet 

çdo gjë për ne u bë e errtë, 

edhe dielli në qiell na u nxi 

kur farefisi u nis për në Turqi. 

 

Një kusi me ujë pas tyre derdhëm 

duke i shikuar imazhet e tyre mbetëm, 

ata shkonin larg atje në kurbet 

guri u lëkund nga vendi i vet. 

 

Mbet shtëpia zbrazët, mbet oborri pa zë 

kush e di se kur do ti shihnim më, 

babai qante, armikun e mallkonte 

pas tyre nuk mund të shkonte. 

 

Unë qava e qava se isha fëmijë 

nuk kuptoja gjë por kisha mërzi, 

ia fshija babait lotët me shami 

e ai me shtrëngonte fortë në gji. 

 

 

                                                                                       

ATJE KU I THONË MOLLA E KUQE

 

Babën ma shanë e ma vranë te ara jonë

aty ku ishte duke lëvruar në tokën tonë,

nënës i thanë nuk të lëmë të bëhesh nuse

aty ku don ti atje te Molla e Kuqe.

Ma vranë babën mu atje te Koria Plakë

duke bërë roje mos ti presin lisat e gjatë,

nënën ma bërën nuse atje diku në varre

e vranë duke na gatuar

bukën e arës sonë në magjeje.

Baba u bë aty te Koria Plakë dhëndërr

me vite për të ishte kjo ëndërr,

edhe nëna me fustan të bardhë u bë nuse

mu në atë vend ku i thonë Molla e Kuqe.

 

 

 

 

NDËR NJËMIJË VASHA

 

Në krua kur vije ti ujë me mbushë

me një gjerdan të varur në gushë,

flokët e gjatë e me ata sy të zi

ndër njëmijë vasha të njihja unë ty.

Një kollan në dimia lidhur për brezi

floktë në mëngjes ti lagte krahnezi,

dy shtamba me ujë i mbaje në dorë

trupin ta mbulonte këmisha e hollë.

E bardhë si bora në maje të Sharrit

nuri të buzëqeshte në mes të ballit,

faqet e buzët e skuqura qershi

ndër njëmijë vasha të njihja unë ty.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s