Lirikat e pranverës / Poezi nga Nase Jane ( Urdhri “Naim Frashëri i artë” )

 

Lirikat e pranverës

 

nase portret

 

      Poezi nga Nase Jane

 

 

Urdhri “Naim Frashëri i artë”

 

 

 

 

 

Të mendova

 

Gjysma: pranverë në lulëzim,

Gjysma: pas-verë me fruta pjekur…

Dhe shekulli të kërkojë korrigjim,

S’kam gjë për të hequr…

 

 

 

 

Aty le të vuaj

 

Sonte s’më flihet…

s’më sheh? Jam te porta…

s’më sheh? Jam te dera…

 

Nga varri jam ngritur,

nga qiejt kam zbritur…

s’më sheh? Jam i vetëm…

 

Ndiz dritat e gjakut

dhe një… dhe një tjetër,

të shoh se ku gjendem

në jetë a në ëndërr…

 

Mos më,

më verbove,

më kap lehtë prej dore

dhe dritat i shuaj,

aty le të vuaj!…

 

 

 

 

Për ty

 

I ndrite sytë?

Ndriti…

E qeshe buzën?

Qeshe…

E fshehe brengën?

Fshihe…

E derdhe shpirtin?

Derdhe…

 

E zhveshe trupin?

Zhvishe…

E fike dritën?

Fike…

Harruar veten,

lere…

Në majë të malit,

shpjere…

 

Në fund të detit,

zhytu…

Te dallgë e zemrës,

mbytu…

Dhe ngrihu pasmesnate,

Lëshomë pak zë,

Po pate…

 

 

 

 

 

Ngujim

 

Jam i ngujuar i gjithi brenda zemrës

më zihet fryma e s’dua të dal…

 

Më ka dënuar vetja

me dashuri të përjetshme…

 

 

 

 

 

Mëngjesi i ditës

 

Nuk e le ditën të më iki

pa i marrë mëngjesin e dritës…

 

 

 

 

 

Flakë shpirti

 

Më goditi në tru

një mendim i ri…

E lashë veten dhe erdha tek ty.

 

Më goditi zemra,

më në tru e në zemër…

Erdha tek ty e hyra në ëndërr…

 

Më goditi syri yt,

s’di ku më goditi…

Mori flakë shpirti…

 

 

 

 

Më prite ti…

 

Je ti,

e di, se ti ke qenë,

sa vite më është “ndërruar” gjaku,

kur stinët ishin veç pranverë,

pa ngricë dimri e vjeshtë të lagur…

 

Je ti,

e di, se më flladite,

ma bëre jetën të gjithë ëndërr,

një jetë, një vit, një ditë… më prite,

dhe po më pret te kopshti i zemrës…

 

Je ti,

e di, se gdhihet dita,

dhe dita gdhihet përsëri…

më prite ti… dhe unë të prita

më prit,… të pres,…

pafundësi…

 

 

 

 

 

Sikur…

 

Sikur të vije sot tek unë,

a unë sikur të vija,

në udhët e zogjve shtegtarë…

s’do di sa vite jam i gjallë,

sa shekuj kam jetuar,

do ndjehem djalë, i gjithi djalë,

do të të marr në duar…

 

Dhe s’di ç’do bëj me sytë e Tu,

me lotët brenda syrit…

do t’i kërkoj rrënjët e lotit,

aty poshtë, brenda gjirit…

 

Dhe s’di ç’do bëj aty mbi buzë

ku shega ka çelë lule,

do ndizem të mos shuhem kurrë,

nga vdekja të mos ruhem!

 

Një ditë prapë unë, do vi tek Ty,

a Ti do vish tek unë…

Do jetë pranverë, mars a maj,

e diel a e shtunë…

 

 

 

 

Sonte

 

S’di nëse jam vetja sonte?!

As shpirtin tim s’e njoh

dhe pse e di që është shpirti im…

 

Jam i pagjumë dhe pasmesnate,

shkruaj dhe s’m’ë njohin

as vargjet e mi…

 

Të gjitha mbetën pa mua,

të gjitha mbetën jashtë meje…

dhe koha,

dhe mendimi,

dhe ato që kanë qenë,

dhe ato që do të vijnë…

 

Veç ora troket

mbi komodinë…

 

 

 

 

Kam një njeri

 

 

Kam një njeri, që nuk e kam,

kam një njeri…

 

Në ëndërr vjen, nga ato rrugë,

që kush s’i di…

 

E shoh një vit, e shoh sa vjet,

është pak një jetë…

 

Është një njeri, nga ëndrrat vjen,

tek mua zbret…

 

Dhe më merr larg, ai njeri,

në tjetër botë…

 

Ikim të dy, pa ditur ku,

askush s’na thotë…

 

Dhe s’duam më, as kalendar,

as ditë as natë…

 

Kam një njeri, që ikën-vjen

dhe ikën prapë…

 

 

 

 

 

Pritja

 

Duke të pritur ty

e sosa jetën…

Pritja m’i humbi sytë,

mbeta i verbër…

 

 

 

 

Ngujim

 

Jam i ngujuar i gjithi brenda zemrës

më zihet fryma e s’dua të dal…

 

Më ka dënuar vetja

me dashuri të përjetshme…

 

 

 

 

Moderne

 

e nisa vargun me germë të vogël

dhe bashkova

fjalë-mashkullore

fjalë-femërore

me zanore

pa zanore

me gjini

pa gjini

pa themel

pa çati

 

pastaj

vargjet i këputa

shtatë herë

njëzeteshtatë herë

njëqind e shtatë herë

 

i vura njëri mbi tjetrin

i ngjita përpjetë e përpjetë

si kulla Ejfel

 

e i zbrita

poshtë e më poshtë

deri në fund

tek pusi i tharë i mendimit

 

i hoqa të gjitha

shenjat e pikësimit

 

 

 

 

Poeti

 

E sotmja nuk dua të ikë…

Mezi pres që të vijë e nesërmja…

 

 

 

 

DO TA MBAJ NË BUZË PUTHJEN TËNDE

 

Do ta mbaj të puthurën në buzë

sa të vijë prapë puthja tjetër…

Puthja jote do më duhet shumë,

te kjo botë, që mbeti e vjetër…

 

Te kjo botë me shpirt të palarë,

që dhe puthjet i gjuan me plumba,

Është ligj-shpirti, puthja, s’është garë,

ndaj i mbaj në buzë-buzët e tua…

 

Po e mbaj në buzë puthjen tënde,

nëma puthjen tjetër

se më çmende!

 

Te buzët e tua çelet shega,

shih gjer në mëngjes,

po nuk u treta…

 

 

 

 

 

 

TË LUTEM, MË ÇMEND!

 

Të lutem, më çmend se mbaron jeta,

dhe kështu, pa çmendje,

s’ka kuptim…

 

Çmenduria në jetë është e vërteta,

çmenduria në jetë është-

frymëzim…

 

Të lutem, më çmend, që të jetohem,

dhe atë që s’duket,

prapë ta shoh…

 

Poeti, pa çmendje, vetë-verbohet,

udhët e dashurisë,

thotë: “Si njoh!”…

 

Poeti, si njeh, s’i njoh as unë,

Të lutem, më çmend,

sonte në gjumë!…

 

 

 

 

 

E NGJEVA PRENËN NË NJË ËNDËRR

 

E ngjeva penën në një ëndërr

dhe shkrova vargje dashurie.

Sa poezi mbylla në zemër

dhe bëra udhë marrëzie?!

 

Dhe u marrosa pa treguar.

Jetoj dy shekuj i marrosur…

Bobo, ç’të bëka dashuria

dhe nëpër vargje

s’gjej të ngopur…

 

 

 

 

 

PSE MA ULE PERDEN E MENDIMIT

 

Pse ma ule perden e mendimit,

të mos shoh në ditët që do vijnë,

të trokas me shkop udhëve të trurit

dhe i humbur të humbas shtëpinë?

 

Dritën e mendimit ma verbove,

se mendimi s’rri dot pa mendim…

Për mendimin tim, ti nuk mendove

dhe më le pa frymën-frymëzim…

 

Dhe më le pa frymë, buzëtharë,

bredh në stinë-jete si i marrë…

 

 

 

 

NIS FJALËN PËR TY

Nis fjalën për Ty,

ajo më bëhet erë e s’e mbaj dot…

Nis këngën për Ty,

ajo më djeg në buzë,

s’e shuaj dot…

Dhe çasti s’është çast,

dhe viti s’është mot…

SOT, 14 SHKURT 2014

 

 

Sot Zemrën thirra në takim

në këtë ditë: Shën Valentin.

 

 

E thirra zemrën në takim

t’i them ca fjalë e të më thotë…

 

Por s’më tregon për dashurinë

dhe unë e pyes, fare-kot.

 

E pyes kot se ç’të tregojë,

fjalët e zemrës unë i di.

Dhe do ti di, sa të jetoj,

sa të mos shkruaj

Poezi…

 

 

 

 

PO TË JAP SHPIRTIN DHURATË

 

Po të jap shpirtin dhuratë,

shpirtin që e kam shpirt

të pazbuluar…

 

Vitet le të ikin, unë jam prapë,

për Ty, Lule-Shpirti

mbaj në duar…

 

 

 

 

 

ZEMRËN THURA SHPORTË FLORIRI

 

Zemrën e thura shportë-floriri,

gjithë dashurinë

mblodha aty…

 

Njëmijë vargje, mall e dhimbje,

për vitet që kanë ikur,

me ty e pa ty!

 

Zemrën e thura shportë-floriri,

ta dhashë dhuratë,

se kam më te gjiri…

 

 

 

 

 

KARAFILAT

 

Një karafil

edhe një tjetër,

vit për vit…

 

Aty ku je-mes karafilash,

në çdo petale të them:

prit!…

 

Dhe prit e prit në çdo petale,

si kalendar me vite shumë…

Zgjohesh mbi gonxhe karafili,

aty unë jam, gjithnjë pa gjumë…

 

 

 

 

 

SHËN VALENTINI ËSHTË TEK UNË

 

Shën Valentini është tek unë,

më sheh çuditshëm dhe e shoh,

mendon: për të jam i papunë,

mendoj për të, se më mashtron…

 

Mendon, se thinjat më kanë plakur

dhe zemra s’di të dashurojë,

se deti, nuk mban në gji-dallgë,

se era, nuk di nga të shkojë…

 

Mendoj, se shenjti-Valentin,

ka mbetur i padashuruar,

kërkon një datë në kalendar

të mos harrohet-i harruar…

 

Shën Valentini është tek unë,

më thotë, t’i shkruaj ndonjë varg,

I them: O shenjt, je plakur shumë,

në dashuri s’ka kalendar!….

 

 

 

 

 

 

MALL

 

Tashti Ti s’ke më emër për mua…

më mbeti zemra veç tek fjala: MALL,

Po dhe pa emër, Njeriu ka emër,

Emër të rrallë!…

 

Për mua Ti, s’ke më emër!

ke mbetur Mall,

në tru e në zemër!

 

 

 

 

 

DHURATË

 

Të dhurova shpirtin

dhe s’desha dhuratë…

 

Të dhurova frymëzimin

dhe s’desha dhuratë…

 

Të dhashë jetën me vitet,

që akoma s’i kam jetuar…

 

Dhe vetes i thashë:

Mos harro,

dhuratë i bëhet

Njeriut që Do!

 

 

 

 

 

HARKU I VIOLINËS

 

Mbi harkun

e violinës të zemrës sate

nis trokun kali im i dashurisë…

Trokon, trokon…

trokon, trokon…

 

Dhe nuk djersin,

 

 

 

 

 

Mbaj ndezur dritën e shpirtit…

 

Mbaj ndezur dritën e shpirtit tim

bëj udhë në errësirë…

iki nga ty, Atdheu im,

s’të them dot: lamtumirë…

 

Jetova ditë në frymëzim,

një ditë,

një javë,

një jetë…

shumë i vonuar në nxitim

tek vetja që s’më pret…

 

Për poezinë në poezi,

ku fjala s’kishte fjalë…

Si Diogjeni me qiri

i mençur dhe i marrë…

 

Mbaj ndezur dritën e shpirtit tim,

bëj udhë në errësirë…

Gjithçka që lashë tek vendi im,

s’i them dot: Lamtumirë!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s