E vërteta si shkëmb / nga Azem Parllaku

 

 

E vërteta si shkëmb

 

 

 

azem

 

Nga Azem PARLLAKU

 

 
Ka ngjarje që përshkruhen në rrugë normale, ashtu siç ka të tjera, që për t’u pranuar ashtu siç shkëmbi që nuk lëviz, duhet të kalojnë në disa filtra, për të mbetur ashtu, si të vërteta.
“Kadamosi mbolli në tokë dhëmbët e dragoit dhe që andej lindën shkronjat. Asgjë s’mund të jepte më saktë thelbin e kësaj aventure të madhe të njerëzimit; shkrimit të gjuhës. Ka në të po aq ngjyrë sublime sa edhe tragjike. Ka diçka madhështore e monsturoze njëkohësisht, diçka triumfuese, kërcënuese, kafshuese, të ndritshme e të tmerrshme në të njejtën kohë” (Ismail Kadare, “Ftesë në studio, fq.140).
Aty, në verën e vitit 2009, studiuesja në fushën e muzikologjisë dhe etnografisë në Akademinë Bullgare të Shkencave, Vesellka Tonçeva vizitonte Tiranën, për herë të dytë.
Përkthyesi i saj, jo dhe aq rastësisht e takon studiuesen Tonçeva me një të njohurin e tij (r.n) nga Novosej…!
Novosejasi, e josh mikeshën nga Bullgaria, duke i rrëfyer një prej legjendave urbane, “atë të fantazmës së një të riu me gjak fisnikësh nga Bullgaria, i cili ishte zhdukur krejt papritur, kur së bashku me nënën e tij, kishin shëtitur aty në bjeshkët midis Korabit dhe Sharrit…”
Kjo joshje e fortë, e shtyn Tonoçevën për të vizituar ato anë, me shpresën se në një nga netët, do të takonte fantazmën e të riut bullgar.
Ndërsa sapo kish sosur në qytetin e Kukësit, Tonçeva telefonon pritësit e saj, të cilët do e shoqëronin në rendjen pas fantazmës.
Këta pritës të vetshpallur si historianë, na sjellin në kujtesë personazhet e Çajupit “Doktor Adhamudhin” e “Gjinon si dhëndërr”.
Si konformist të thekur, të vetshpallurit historian, e frymëzojnë aq shumë vizitoren e tyre, duke i bërë një nder të madh asaj si profil.
Me këtë rast, Tonçeva për disa ditë do endej në kërkim të heroit të saj, e në mënyrë krejt spontane, do të mbante shënimet më interesante për dy kapitujt e librit të saj “Gora e panjohur”.
Si studiuese e mirfilltë Tonçeva, u përpoq të zbulonte të panjohurën e Gorës, ndonëse Gorën e cila e ka një yll në Flamirin shtetëror të Kosovës, e kishte studiuar më parë.
Në një intervistë dhënë Radios Bullgare ndër të tjera ajo ka thënë; “…Gora e Kukësit në raport me Gorën e Prizrenit ndryshojnë shumë, goranët e Kukësit kanë konservuar autentiken e zakoneve të tyre si shqiptarë…”.
Në njërën nga netët bujtëses nga Bullgaria, personazhet Çajupianë, do i rrëfenin edhe një nga trillet e fabrikuara në mejhanet e katundit Borje.
Një episod të cilin studiuesja e rafinuar e ka kujtuar në mënyrë ironike, kur në Sofje ka promovuar librin e saj “Gora e panjohur”.
Ja çfarë kish dëgjuar mikesha bullgare nga “Doktor Adhamudhi”;
“Një njeri i quajtur Boriç me dhjetë çoban hysmeqar e pesë qen duke shtegëtuar drejt veriperëndimit arriti në Glloboçicë.
Boriçi ishte qehaja. Anës së lumit të Borjes në vendin e quajtur “Selishta” ngriti tendat për të kaluar dimrin.
Në pranverë në kërkim kullotash u shty deri në “Kallabak” duke e përvetësuar këtë hapsirë.
Në dimër sërish u kthye në “Selishta”.
Kur doli pranvera duke shtegëtuar drejt bjeshkës, te varrezat e sotme të Novosejt, takoi një familje cigane të ardhur nga Tetova.
Burrë e grua po përgatitnin çerepë dhe enë të tjera nga balta e kuqe.
Qentë si qenntë, njëri prej tyre i’u afrua tetovares duke e nuhatur.
Ajo e trembur se mos e kafshonte tentoi ta largojë.
Qeni u egërsua dhe e përlau. Nga plagët e marra gruaja vdiq.
Tetovari i kërkoi gjak Boriçit….
E kështu Boriçi i dha tokën pranë varrezave të fshatit Novosej.
Tetovari u rimartua, u shumua dhe krijoi fshatin që mori emrin Novosella (fshat i ri).
Boriçi nuk u kthye më nga kishte ardhur, por krijoi vendbanimin “Selishta”. Stanet e ndërmjetme për mbajtjen e bagëtive në pranverë dhe vjeshtë i vendosi karshi fshatit Borje, e që nga ajo kohë ruhet toponimi Boriç”.
Një nga motivet ky, e intrigoi kaq shumë Tonçevën për të kaluar disa herë në Novosej, madje për të eksploruar mbishkrimet në varrezat e këtij fshati.
E zhgënjyer mbasi nuk gjeti asnjë mbishkrim me germa cirilike këtu, udhërrëfyesit e saj e shtynë në pjesën lindore të Shishtavecit, mbasi aty qenkësh pikatur një gur me një gdhendje, të cilën “personazhet Çajupianë”, nuk kishin mundur t’a dëshifronin!
Gdhendja një simbol i pellazgjishtes, nuk entusiazmoi shumë Tonçevën.
Qëlloi fatmirësisht një dasëm në Shishtavec, e atë po e tërhiqte aq shumë ky rit, për të përshkruar më vonë në librin e saj, dasmën tipike shqiptare.
Në mënyrë brilante në këtë kapitull, ajo e paraqet ritualin e martesës, që nga zënia e kulaçit të nuses, e deri kur një i ri, përpara se nusja e dhëndërri të takohen legalisht, i thërret asaj të çelë sytë, e të rrotullohet në krevatin e të martuarve.
Rituali i dasmës në Shishtavec, të cilin e ka shkruar studiuesja bullgare, është po ai ritual, si i çdo dasme shqiptare…
Tonçeva nuk u bë kureshtare e të mësonte se;
Në çfarë viti kishte ardhur Popi Boriç në këto anë?
Cili popull ka emrat e banorëve me prapashtesa të tilla si iç, viç?
Pse qehajë Boriçi ngriti tendat anës përroit të Borjes, e jo në pllajat e bukura plot dritë e ujë të fshatit Novosej?
Si e zaptoi hapsirën nga Vranishti në Kallabak, me forcë apo e gjeti të shkretuar?
Për kë i bënte çerepët dhe enët prej balte çifti cigan?
Meqë tetovari cigan u rimartua dhe krijoi fshatin Novosella, a ka fshat në lartësinë mbi 1000 metër nga niveli i detit me komunitet të pastër cigan?
Kur janë larguar dhe ku kanë përfunduar trashëgimtarët e Boriçit?
Ky Boriçi herë pop e herë qehaja ç’donte të ruante vetë tufën?
Ndërkohë kur ajo shkoi deri në Gradisht, mbasi kish vizituar varrezat e fshatit Novosej, udhërrëfyesit nuk mundën t’i thonin;
Novosej vjen aty nga Gradishti ndërtuar në Periudhën e Perandorisë Bizantine, paralel me qytetet me të njejtin emër si Gradishta e Bardhocit, ajo e Bushatit, e Bellovës, e Surrojt, Grazhdanit, Fushë-Lurës dhe Ndërshenës.
Observuesit vendas dhe të huaj, e kanë evdentuar shkencërisht një fakt të tillë nëpërmjet interpretimeve të tyre etno-nacionaliste.
Banorët autoktonë të Gradishtës kanë qenë lagjet Germaz, Keraj dhe Dishaj. Në vendbanimin e sotëm të Novosejt banojnë po ai popull që u shpërngul nga Gradishta rreth viteve 1650-1700, e në dokumentet e Perandorisë Osmane thuhet që 33 familje të krishtera duke mos pranuar fenë islame u larguan nga Gradishta në vitin 1600.
Gurët e varrezave përreth xhamisë së vjetër në Novosej datojnë në mbishkrime të mbiemrave Keraj, Germaz, Disha, Basha brenda viteve 1050-1200.
Kukli Begu, që vdiq në 1555 duke luftuar me bindje dhe forcë për të përhapur fenë islame në trevën tonë, kishte patur një zyrë të përkohshme në Novosej, varrezën e 25 ushtarëve turq që e shoqëronin atë, të cilët ishin vrarë nga novosejasit e pabindur në vitin 950 (i hixhrit), e kishte vizituar studiuesja Tonçeva!
Kadamosi beri mire qe mbolli ne toke dhembet e dragoit…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s