MES DASHURISË DHE GJUHËS SË KUJTESËS / Nga: Rami Kamberi

 

ram 1

MES DASHURISË DHE GJUHËS SË KUJTESËS 

 

 

 

 

rami kamberi

 

Nga: Rami Kamberi

 

 

Ecja nëpër kohë na mëson se poezia ka fuqi dhe ajo mund të na qetësojë ne, të na lërë në meditimin tonë, madje të na bëjë shpirtin të pasur. Ajo mund të luajë rolin e një kënge, që të na dhurojë të dyja kundërshtitë e jetës: gëzimin dhe hidhërimin.
E këtillë ishte poezia që nga koha që bota e poetit, u pikëtakua në rrugëtimin e poezisë, historia dhe memoria e kanë shënuar domethënien. Një domethënie që vjen në mendjet tona në fakt që nga koha kur ne jemi lindur, kur ninullat poetike na kanë zhbiruar ndjesinë tonë foshnjore, nën tinguj muzikal, që vijnë nga buzë dashamirëse, që lexojnë poezinë e pikturuar kaherë.
Poezi, që e rigjen tek rrugëtimi i saj.
Në këtë rrugëtim ku pikturohet dhe trupëzohet një pjesë e kulturës dhe historisë së Atdheut, dashurisë për jetë dhe dashurisë për dashuri. Në këtë indigjenë letrare është edhe libri me poezi “Fli të bëhet natë” i poeteshës Mimoza-Anna Berisha, që, si ajo që ka gjetur lexuesin, edhe lexuesi e gjeti atë për ta shikuar me syrin kritik dhe meta kritik.
Midis arsyeve të tjera, që përcaktojnë këtë konsideratë është edhe shkaku që kjo poezi identifikohet si dashuri dhe më shumë se dashuri – Atdhe, një derivat inspirues i një kontigjence njerëzore, që për hir të ekzistencës së virtualitetit qëmton mbi fatin që të prek të nevojshmen, e të pasqyrojë të arsyeshmen si një mënyrë dhe pjesë realiteti, të cilin e lexojmë në kundërshtinë e argumentuar të saj.
Gjetja e këtij derivati, ku kundërshtia si aspekt i metafizikës kërkon hapësirë dhe vend, gjen figuracionin e pasur të kursejë fjalët e të japë një poezi me fuqi sqarimi, nën një varg ku metafora dhe fjala ngjizen. Një ngjizje që fiton më shumë kuptim teksa vetë poezia në këtë pikë kombinon kuptimin, emocionin, gjuhën dhe imazhin.
Ajo mban në këtë pikë madje ritmin e fuqishëm të tingullit me një ndërthurje të ideve anësore. Një poezi e tillë apelon përnjëherësh në shqisat tona për të shpërndarë ndjenjën dhe mendësinë e saj.
Ajo shërben si një e tërë, edhe pse nga poezia në poezi, duket si një e ndarë dhe e shprehur e veçuar.
Në shikim të parë kjo poezi mund të ndjehet si e thjeshtë dhe më pas kompleksiteti i saj na bën të thellohemi se si ajo shkrihet si e tërë në shpërndarjen e ndjenjave dhe, mendësive që mbart për tek lexuesi. Duke filluar me:
“Në ballkonin e shtëpisë sime,
notoj me vështrimin mbi detin Egje,
mbi pëllëmbë ulet një pulëbardhë,
dallëndyshet në strehë thurën fole. ”
Pra, me këto vargje fillon libri me poezi “Fli të bëhet natë” i poeteshës Mimoza-Anna Berisha, poezi që lindë një piramidë kujtimesh me pamjen kullë dashurie për tokën që e lindi dhe, për dashuri dhe palë që i la kujtim moti i përgjakur në atdhe duke e vrarë edhe në rrugën e ardhmërisë. Poezi, e derdhur mes kujtimeve për të lindur një libër e, për t’u thënë plagëve: Unë di të dua – unë di të mbetëm e dashuruar, unë kam emër e mbiemër.
Sa flasin këto rreshta që jetësojnë poezinë” Në ballkonin e shtëpisë sime”, poezi, që kërkon liri sa për t’u thënë poezive tjera që dinë të burojnë vetëm nga shpirti plotë gjurmë malli për dashuri e atdhe, rreshtohuni plagët e shpirtit tim brenda kopertinave blu dhe, dëshmoni fjalë zemre, për tokën që më lindi dhe pagëzoi, tokë, e rrahur nga plagët e dhimbjet, e goditur nga rrufetë, tokë, plotë vaje dhe shikime shprese. Dëshmoni poezitë e mia se si më rreh zemra në tokën e huaj, për një fjalë goje, për një fjalë shqipe, për një dashuri.
Nuk di, a mundem ta them atë që dinë ta thuan poezitë, të shpalosi shpirtin e poetes e të duket si një qellë i hapur në mes të natës, që t’ia numëroj yjet e të them: sa dashuri e sa dhimbje, flenë brenda një shtati.
“Brenda vetmisë time, ndjehem e pa strehë
Qielli tullac i zhveshur, pa yje dha pa hënë.
E adoptuar, s’më mësoj kush fjalën Atdhe,
për dhembshmërinë atërore, për të mirën nënë”
Është kjo strofë e poezisë ”Jam larg tokës sime”, që dëshmon se poetes ikja në dhe të huaj dhe, sfidat për të mbijetuar, ja mësuan fjalën atdhe e liri. Sa qartësi shfaq kjo poezi, si dukej rritja e poetes, a nuk duket dhimbja, që di vetëm të mbetet vrastare.
Po ç’mund të themi për migrimet e motit, kur poetja bashkë me rininë e atdheut të saj, atij moti të mbrapsht, të lodhur nga gjuha e diktaturës e skamja, ikjen e shikonte shpëtim dhe shpresë për një jetë pa ankth e frikë, të ngopur edhe me gjuhën e bukës, mu kështu siç na e shfaqin rreshtat e poezisë “Bijtë e asaj kohe”:
“ Të gjithë ishim bijë, të një kohës të reme,
të kohës jetime, mbetur pa babë e nënë.
Morëm në sy botën, mbajtur prej dileme,
të gjenim shpëtim, me kallo në këmbë.“
Këtu shihet qartë se autorja e poezisë në fjalë është treguar mjeshtre në thurjen e vargjeve me të cilat e paraqet situatën në botën shqiptare, botën e luftës për të mbijetuar, që me jehonën e saj tmerroj botën mbarë, duke e shikuar mëmëdheun e poetes një plakë të lodhur nga motet e të gjakosur nga plagët, e kafshuar gjithandej, sa nga diktatura po aq edhe nga dhëmbët e skamjes, si një plakë më gji të shteruar, të derdhur deri në fund të belit, e barkun e rrëzuar sikur do t’i vret lindjet pa marr jetë:
“ Ne ishim robër të kohës më turbullira,
kohës pa besë, kohës gjithë djallëzi.
-Ejani, thërriste, do ju fal veç të mira,
pastaj na përqeshte, fatin tonë të zi.”
Ose:
“Ne ishim fëmijë, të një kohe pluhuri,
mushkonjat e fryra, nduknin nën lëkur.
Iknim në ara, mblidhnim kallëza gruri,
e na merrte gjumi, mbi një plis a gurë.”
Poetesha duke rikujtuar e duke u thirr në jehonën e së kaluarës, me gjuhën e krismës së që dha alarmin e ikjes, ngacmon gurët, për të hapur shtigjet që të gjejmë humbëtirën e, t’i kërkojmë falje tokës, pse na u dukë e tillë, pse kureshtja për tej kufijve na mashtroi me një premtim, që se thotë dot fjala, sa me dhimbje e dashuri i rikthehet tokës së vendlindjes, sikur do t’i kërkoj falje për ikjen pa dashuri, mu kështu si na e thonë rreshtat e poezisë “Në tokën time”:
“ Unë, nuk përzihem në tokën tënde,
edhe pse, buka jote, është më prodhim plotë,
edhe pse hardhia ime, s’është kalavesh ngjeshur,
më mirë në tokën time me gramin në tokë.”
Është një gjuhë e re e poetes që edhe të huajës i flet me një gjuhë, jo më të një adoleshente, jo me gjuhën e kureshtjes, por, me një gjuhë pjekurie, më gjuhën e një portreti të ngopur nga toka e huaj, gjuhë që karshi kishte ndëshkimin, urrejtjen, përbuzjen dhe fyerjen për një kafshim jetik, sa për të thënë se ja kjo tokë ua dha atë që në tokën tuaj se kafshuat dot. Sa dhimbje e krenari buron nga zemra e poetes, sa pendim e vullnet për t’u thënë të huajve se mundeni të keni shumë më shumë se ne, por dashurinë e tokës time kurrë s’do ta keni me bollëk.
“ Jo, nuk përzihem në tokë të tjetrit,
si në korrjet në vapë, ashtu edhe në borë,
papritmas, ju marrtë malli, mos dërgoni ftesë,
bëmëni një zë, a një përshëndetje me dorë..!
Sa të arsyeshme janë vargjet e kësaj strofe, sa dashuri kanë në brendinë e tyre, duke mos dashur që të përdor fyerje, duke mos dashur që të shkel mbi bukën që ia ngopi barkun kur ikja e kishte vulën e fatit, bukë sa me helme po aq me ankthe, poetja nuk do të mbajë inate e as smirë, përsëri i do për miq, përsëri do gjuhën e përshëndetjes, por jo edhe gjuhën që të bëhet urrë e mbi shtatin e saj të kalojnë edhe këmbët e pista që si lanë as edhe erëmira e ujësimirave, ku zanat i lajnë plagët e moteve.
Dhe, duke e krahasuar gjendjen e dhembjeve shqiptare dhe fatin e personit – njeriut shqiptarë të Shqipërisë së plakur, që kërkon shpëtim nga qëndresa e kullave, për të ikur nga koha e masakrës apo robërisë, tiranisë dhe diktaturës, urisë dhe skamjes të takohet dhe shoqërohet me jehonën e festës së madhe: Unë jam i lirë.
Ndaj, jo rastësisht poetesha përmes figurave të zgjedhura e ka përshkruar realitetin shqiptarë e në veçanti atë të kohës së ikur dhe, të kohës së afërt, duke e nxjerr një histori në dritë përmes poezive, një realitet historik, i cili na mëson, mu kështu siç duken rreshtat e poezisë “ Jam larg tokës sime”:
“Mos qani ju njerëz, shkarko shi moj re,
se unë ndihem keq, ndihem pa Atdhe!
S’di, në kemi mundur të lexojmë poezi me këtë gjuhë edhe nga poetët më të mëdhenj të romantizmit, realizmit apo të realizmit social, siç jemi mësuar të themi sipas periodizimit letrarë e, sa i takon poezisë bashkëkohore, lirshëm mund të them, të paktën mua nuk më ka rënë në sy një qortim për motin dhe një kallëzim për të tjerët.
Pra, poetesha e thotë fjalën e saj se sa rëndë është për një njeri të jetë pa Atdhe, duke aluduar në kuptimin e shtetit, një shtet që e kafshon njeriun e saj brenda gjeografisë së vet, e të mos flasim për njeriun e saj rrugëve të botës që si gjithmonë nëpër shekuj edhe varret i kanë pa emër.
Dhe, edhe sot ka mbetur i tillë, edhe në shekullin e njëzetenjë, ashtu siç i ka edhe dhëmbët koha e acarit e, në ecje disa nga poezitë të cilat duhet nxjerrë nga rreshti në rresht si pasqyrë kohe e moti, sikur na mësojnë:
-që të kuptojnë se: duhet të veprojmë me dashuri, për ta shëruar kohën, që të mos mbetet i sëmurë edhe shekulli i ri, sepse atëherë do të bëhet edhe më keq, për botën shqiptare, botë e cila edhe sot e kësaj dite, jeton me plagët e kohës së ikur dhe kohës së sotme sytë drejtuar kah ajo që i mungon.
-që të kuptohet diç më shumë dhe, të jemi vigjilent që të vihet një paralele në mes të dhëmbëve të kohës së motit të ligë dhe, buzëqeshjes se njeriut shqiptar, përkatësisht njerëzve të vrarë nga uria e skamja, duhet që poezitë e poetes Mimoza-Anna Berisha të rikëndohen me gjuhën e shpirtit, mu kështu siç duken qartë e qartë tek poezia “Lavdi, nga lavdia jote”, ku poetja përmes lavdisë së babait, i cili qëndroi përballë çdo furtune duke mos u shkulur nga toka e Atdheut dhe, jo rastësisht poetesha i kërkon lavdi:
“Më jep pak lavdi, nga lavdia jote,
të të ngre një tempull a një lapidar,
heronj pa kurorë pa duartrokitje,
që koha ju la një lot të pa tharë.”
A nuk mjaftojnë këto strofa që të kuptojmë se poetesha propozon shtigje në emër të kujtesës dhe urave lidhëse, që e detyrojnë njeriun t’i kuptoj dhëmbët e një moti kur diktatura ishte gjuha e ujkut dhe, si gjithmonë kur kullave u kërcënohej rreziku, pra njerëzit e këtyre anëve, u mbetej fjalë e fundit heshtja.
Jo rastësisht poeteshës nuk i duhen as kurora e as duartrokitje, por, një lapidarë që të shënjoj njeriun e qëndresës moteve të diktaturës.
Me përmbledhjen në fjalë poetesha nuk e harron jetiken, që i jep jetë jetës, ajo me një poezi dëshmon padyshim se është njeri, ka ndjenjë, di të dashuroj, di t’i bartë kujtimet edhe me ikje nga Atdheu, që dëshmon se është në aradhen e krijuesve më të talentuar të letërsisë së sotme, veçmas asaj me tematikë dhe motive kombëtare dhe dashurie, që krijohet jo vetëm në Atdhe, por në mbarë botën ku shqiptarët mëtojnë të krijojnë.
Këtë ajo e arrin në sajë të angazhimit të saj të vazhdueshëm, që të shkruaj poezi me tematikë dashurie dhe kombëtare dhe, arrin deri te caku – poezia, që rrallë kush di të krijoi në këtë mënyrë, siç e krijon Mimoza-Anna Berisha.
“Ai djalë që në ikje, linte pas erë qershi,
dhe dora e detit, ia kishte ngjyrosur sytë.
Ishte djegur nga vapa, e nga e imja dashuri
freskonte trishtimin, të ndjehej vetë i dytë”
Është kjo, strofë, që ri e qëndisur si koka mbi shtat poezisë “Djali i qershive”, poezi që dëshmon se dashuria e mund edhe skamjen edhe urinë.
Dhe, në ecje poezitë me motivin dhe temën e dashurisë rreshtohen njëra pas tjetrës, herë në kërkim të saj e, herë me plagët e saj duke shkruar edhe aq larg saqë poetesha i dëshmon kohës se ikja i ofroj edhe dashuri, që nuk e kishte kujtim nga toka e as nga gjaku, por, iu dhurua nga ëndrra, edhe si dashuri edhe si dhimbje, edhe si ankth edhe si lumturi, ku edhe si një ëndërr na e shfaq poezia “Ëndërr e çakërdisur”:
“Ç’do natë, sa herë mbyll sytë,
më vjen nga larg një ëndërr,
veten time e shoh veshur nuse,
një të huaj, pranë si dhëndër.”
Ose:
“Kjo portë frike, portë tradhtie,
medaljon ari, kjo kurorë pa leje.
U ngrita trembur, ty të kërkova,
për fatin tim, ishe pranë meje”
Janë edhe shumë e shumë poezi, që dashurinë e kanë gjeografi, por do të më mbete plagë, po të mos e thosha të paktën një fjalë të vetme për poezitë “Mesazh në palën e shamisë” dhe, poezinë “Fli të bëhet natë”, që edhe emërton librin me poezi të poeteshës Mimoza-Ana Berisha.
“Ike i nxituar, ike duke mos ditur,
se veç imazhit tënd, asgjë s’le peng,
ndonjëherë vjen i pa ftuar, fare pa pritur,
malli ulet këmbëkryq, në zemër zë vend”
A nuk janë këto rreshta gjuha e ndjenjës, që sa me mall i flet pritjes, për të sfiduar ikjen. A nuk i ulet këmbëkryq dhe e zë vendin në zemër dashuria. Ah, sa plagë e dhimbje dëshmojnë këto rreshta, nuk e thotë dot fjala e se kap pena.
“ Fli, fli i dashur, mbylli sytë,
të bëhet natë…!
Dita s’po na do,
po na ndjek me gurë,
na paska inatë…!
Fli, fli të bëhet natë…!
Janë këto rreshta të poezisë “Fli të bëhet natë” që dashurisë i flet me gjuhën e pajtimit, urtësisë dhe pritjes. Ndoshta një ditë, dashurinë nuk do ta marr gjumi e, dita do ta dojë e nuk do ti ndjek me gurë, që të qëndiset bukuria e dashurisë.
Janë edhe shumë poezi të tjera, që dashurinë na e qëndisin sipas hapave të jetës, por do të doja, që si fjalë e imja e fundit të mbetet strofa e poezisë “Pena ime” ku poetja dëshmon se penën e kishte gjuhë që diti t’ia shëron plagët, qofshin ato të dashurisë, qofshin ato të atdheut:
“Sa gjera kemi ndarë bashkë, pena ime,
ca i lamë pas, ca i premë me shpatë Skënderbeu,
në varganin e viteve, kuptuam vlerat,
e ndoshta thamë një gojë: Për këtë s’ia vleu…!”
Së fundi do të mjaftonin rreshtat e kësaj poezie në fjalë për të kuptuar një apo më shumë se një poezi si kjo e shkruar me ngrohtësi, e ndjerë thellë në shpirt dhe e thurur bukur, ashtu siç di të shkruaj vetëm poetesha Mimoza-Anna Berisha autorja e librit “Fli të bëhet natë” të cilës e vetmja dëshirë, sipas asaj që dëshmojnë poezitë i mbetet që të mos e harrojmë të kaluarën, as Atdheun e as dashurinë, që edhe sot na jep jetë shqip.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s