Mbresa nga përurimi i përbashkët i librave “Fli të bëhet natë” (poezi), Mimoza Anna – BERISHA dhe “Refleksione lirike” (kritikë letrare), Zejnepe Alili – REXHEPI. / Pallati i Kulturës – Durrës, 2014.

Posted on August 20, 2014

0


 

10628454_723580474380736_8842472961736904052_n

 

Mbresa nga përurimi i përbashkët i librave “Fli të bëhet natë” (poezi), Mimoza Anna – BERISHA dhe “Refleksione lirike” (kritikë letrare), Zejnepe Alili – REXHEPI.

Pallati i Kulturës – Durrës, 2014.

 

 

 

E diel, 17 gusht… Dita e fundit e pushimit dy javor të këtij viti (2014), pjesërisht në Shëngjin dhe Durrës, për mua përmbyllet në qytetin e lashtësisë ilire dhe historive të bukura – Durrës, më saktësisht në Pallatin e Kulturës së këtij qyteti për përurimin e radhës të librit me vështrime e analiza letrare “ Refleksione lirike”.
E ftuar nga z. Nikolla Spathari, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, nuk ke si të ndihesh ndryshe, përpos e nderuar dhe nën valë emocionesh të papërmbajtura. Një rikujtim i njohjes midis nesh, siç theksoi ai, fillimisht në Prishtinë, në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës e më pas edhe në Kërçovë, nga fjala e ngrohtë dhe pritja miqësore e z. Spathari më çliroi nga emocionet…, u ndjeva e lumtur midis miqsh! Faleminderit z. Spathari për mbështetjen që u jepni krijuesve dhe vlerave të artit të shkruar, duke më bërë të ndihem krenare dhe tejet e vlerësuar nga mikpritja juaj!
E mrekulluar edhe nga miqësia dhe bujaria e poetes Mimoza Berisha, e cila si durrësake (vendase) me tërë përkujdesjen, bëri të mundshëm përurimin e përbashkët të librave tanë, të botuar së fundmi! Të njohësh Mozën dhe nismën e saj poetike e kupton fare lehtë se ke të bësh me një poete që erdhi me shumë bujë në botën letrare, guximshëm dhe e vetëdijshme se arti i saj do të ketë jetëgjatësi! Urime dhe suksese të shumta, Moza!
E falënderoj shumë edhe znj. Shkurte Berisha, e cila e lexoi fjalën e redaktorit të librit, z. Hasan Qyqalla – kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, jo vetëm për mbështetjen ndaj librit tim, por edhe të gjithë krijuesve shqiptarë, si një përkrahës i dëshmuar i vlerave letrare e kulturore të krijuesve shqiptarë në Diasporë.

 

 

10612949_723581507713966_8396253991815990714_n

 

 

Prania e mikut tim të çmuar, publicistit Safet Hyseni, fjala e matur dhe vlerësimi i librit, para shumë shkrimtarëve e miqve nga Durrësi, Tirana, Prishtina, Shkodra, Kërçova, Tetova…, prezantoi përmbajtjen dhe vlerat e librit “Refleksione lirike”! Gjithmonë mirënjohëse për përkrahjen dhe ndihmesën prej profesionisti dhe miku të mirë!
Po si mund të ishte ky përurim librash pa praninë e zërit magjepsës të interpretuesit Agim Xheka?! Nën magjinë e fjalës së bukur ai përcolli këndshëm te spektatorët, vargun e Mimozës, duke e sjellë po aq bukur, plot melodizëm e thellësi shpirti edhe poezinë time më të re “Imazh gushti”! Ndonëse ai nuk e “parapëlqen” shumë fjalën faleminderit, unë me mijëra herë i them FALEMINDERIT – mjeshtër i interpretimit të poezisë!
Në fund, pata kënaqësinë që edhe unë t’i drejtohem auditorit në sallë, duke shprehur mirënjohjen time nën emocione të bukura, natyrisht dhe falënderime, për të gjithë miqtë e pranishëm! Falënderime të sinqerta të gjithëve!

Posted in: AKTIVITETE