Shkrimi i gjuhës e themelet e kështjellave… / Nga Azem PARLLAKU

Posted on August 21, 2014

0


 
Shkrimi i gjuhës e themelet e kështjellave…

 

 

 

 

azem

 

Nga Azem PARLLAKU

“Kadamosi mbolli në tokë dhëmbët e dragoit dhe që andej lindën shkronjat. Asgjë s’mund të jepte më saktë thelbin e kësaj aventure të madhe të njerëzimit; shkrimit të gjuhës. Ka në të po aq ngjyrë sublime sa edhe tragjike. Ka diçka madhështore e monsturoze njëkohësisht, diçka triumfuese, kërcënuese, kafshuese, të ndritshme e të tmerrshme në të njejtën kohë” (Ismail Kadare)

Sa për të hyrë në thelbin e thelbit të çështjes, po e krahasojmë veten p.sh. me izraelitët apo me grekët.
Edhe ata kanë në histori një jetë shumë të gjatë, por duhet vërejtur midis nesh dhe atyre një dallim thelbësor dhe tepër domethënës.
Ata, ndonëse kanë qenë etnose numerikisht të vegjël, nuk janë zhdukur, por përkundrazi, kanë krijuar nga një histori të madhe.
Secili në mënyrën e vet.
Kurse ne kemi qenë një etnos i madh, madje shumë i madh (përfytyro Ilirinë), por kemi ardhur duke u ngushtuar, duke u copëtuar dhe duke u zvogëluar.

Cili është shkaku?!

“Ata, hebrenjtë dhe grekët, kanë qenë popuj shumë të vegjël dhe me siguri do t’ishin zhdukur prej kohësh, po të mos u kishin kushtuar rëndësinë e duhur atyre milingonavet të vockla që quhen shkronja, për t’i përdorur në gjuhën e vet.
Po ta kishim “ulur” edhe ne veten aq “poshtë” sa të merreshim me punë të tilla “të vogla”, me siguri do t’ishim sot një komb shumë madh.
Nuk e dimë si ka ndodhur në të kaluarën, por në 2 a 3 shekujt e fundit kanë qenë pikërisht shkrimi dhe shkollimi në gjuhën tonë, që armiqtë tanë kanë dashur të na i vrasin.
Kanë dashur të na i vrasin dhe na i kanë vrarë, më shumë për fajin tonë se për fajin e tyre” (Gjokë Dabaj)

Nuk duam të themi me këtë që shkrimi në gjuhën vetjake është çdo gjë.
Por themi me bindje që ai është themeli.
Për të ngritur një kështjellë apo urë, duhen, përveç themelevet, edhe shumë gurë, llaç, drurë e tjegulla, por pa bëje kështjellën, qoftë edhe kasollen, pa ia bërë më parë themelin!
Përvoja jonë në këtë punë është më tepër se monstruoze.
Që të na qëndrojnë themelet e kështjellave, ne nuk kemi bërë kalkulime me laps, por kemi murosur atje nuse të reja, “Rozafa”.
Dhe mburremi që i kemi detyruar muret e kështjellave të mos na rrënohen…!