Poetika e Jeton Kelmendit, si inspirim dhe meditim i thellë filozofik.
Shkëputur nga Libri Eseistik ” Ngjyrime Universale (Ese-1) me autor Agron Shele
Poezia, si atribut i fuqisë shpirtërore të njeriut dhe shprehja më e lartë e fjalës së përzgjedhur, ngrihet mbi të gjitha zhanret tjera
të artit dhe aktualizon si përherë, magjepsjen e saj marramendëse. Brishtësia e fjalës artistike, lojërat me të, beftësia dhe muzikaliteti, kompozicioni elokuenca shpirtërore tejçojnë magjinë e vërtetë të artit. Nëpër këto konture dhe me individualitet të plotë shfaqet forca shprehëse dhe stilistika e poetit të ri Jeton Kelmendi.
Jeton Kelmendi
Një paraqitje e tillë figurative shpreh më së miri frymën e lartë artistike të kërij autori, i cili me muzikalitetin e vargjeve, ndërthurjen dhe lojën me fjalët, kuptimësinë dhe mesazhin e dhënë, ka publikuar denjësisht vlerat individuale poetike, por dhe fjalën e bukur artistike shqipe.
“Sa here shëtis brenda
Vetvetes
Të takoj ty
Tek secili udhëkryq
Nga një shenjë e jotja
Nga një dritë e gjelbër
E imja
Në qiell m’ shndrisin sytë e tu”.
Kjo shëtitje e pazakonë përbrenda vetvetes, mes mistizmit dhe prognozës që shoqëron qenien njeri, në kuptimin e thellë dhe tejet meditus të përtejshpirtit, sjell flirtin e vetë poetit. “Sa herë shëtis” -pyet veten autori? Drejt kujt? Ku? Oazeve të shpirtit, qiejve të pasionit, apo nënështrimit të procesionit të vet, thirrmës emetuse të jetës, për të ecur, gjalluar dhe më pas “Tek secili udhëkryq”, atje ku pleksen dhe ngatërrohen të gjitha aludimet me idolet. “Nga një shenjë e jotja/Nga një dritë e gjelbër/E imja“. Refleksion i plotë i pasqyrës shpirtërore “shenjë e saj”, refleksion i plotë ngjyrash poetike “dritë e gjelbër”, të cilat traskiptojnë estetikë, figuracion dhe muzikalitet. Ky vargëzim shpreh dhe shpalos më së miri ornamentin dhe lajtmotivin artistik, por paralelisht shpreh dhe ideimin dhe hapësirën e gjerë të mendimit.
“Cili njeri
Kish mundur me udhëtue kaq larg
Po e pyes poetin që ishte
Tek e shikoja
Atë që se shihja
Dhe me ferk të mëngjesit
Mbërrita
Të porta e shpirtit
Dy rreze më prisnin
Hej njeri
Sërish u takuam“.
Lojëra dhe ndërthurje fjalësh. Kompozicion poetik dhe partiturë muzikale që tërheq, rrëmben dhe befason. Epiqendërzim i njeriut të dyzuar mes ekzistencializmit dhe shpirtëzimit, diapozon që vështron tridemisionalisht (+vështrim poetik), të cilin në harmoni me elementët plotësues natyrorë (feksje e ditës së re + rreze drite), ku kjo e fundit paraqitet me rreze shprese dhe rreze jete, plotëson më së miri vetë sugjestionimin tonë. Në fund riciklimi i gjithë termionologjisë së përdorur mbetet po tek njeriu, tek qënia e deshifruar fizikisht, shpirtërisht, mentalisht, potencialisht dhe relativisht.
“Dy zonja ulur në bar
Më prisnin
Njëra më shfaqej
Si Dielli
Tjetra si Hënë
Kur mbërrita pranë tyre
Sërish ti ishe
Zonja e parë
E dyta
Dashuria”.
Elementet parësore me lojalitetin e fjalës dhe shpërthimet e qenies mbeten të njëjta, gati kostante, të cilat figurativisht pasthirrmojnë “Zonja e parë”, dhe jo pa qëllim, sepse thelbi i gjithë këtij referimi është individualiteti, vetëdija dhe kreativiteti botëkuptimor që na shoqëron. Elementi lirik “Dashuria” jepet me bukurinë e Hënës, me sonetin drithërues të mbrëmjes, me zjarrin dhe shkrepëtimën e yjeve, e cila zbukuron dhe thur mijëra ëndërrime.
“Gjithë ky rrugëtim
Për të arritur deri te vetë vetja”.
Vargjet e fundit të kësaj poezie përmbyllin udhëtimin mistik, ashti si Diogjeni me qiri në dorë, i cili endej në kërkim të njeriut dhe mes gjithë kësaj harmonie poetike, si parashtrim idesh kohore, thyerje konceptesh dhe percepetimi filozofik, autori Kelmendi arrin tek vetvetja, tek qendra e referimit dhe këndvështrimi i botës panoramike me sugjestionin dhe refleksivitetin individual, atë të një poeti dhe autori global.
“Si shkohet për tek vetvetja”, shpreh më së miri këndvështrimin filozofik të autorit, hedh dritë rreth konceptit dhe qendërzimit të botës universale njerëzore, shpreh artikulimin e mendimit dhe drejtpeshimit të ndërgjegjies që na shoqëron dhe veçon, parashtron dimesione të reja referimi dhe zbërthime të thella psiko-analitike si dhe e bën poetin Kelmendi rrëfyes të meditimit dhe mendimit të lirë progresiv.