TË LINDË POEZIA – Mbi krijimtarinë poetike të EDLIRA DOKOS- / nga Vasil Tabaku

Posted on August 28, 2014

0


 

10612605_10203605532491585_3071931877399339533_n

 

 

Botimi më i fundit i Shtëpisë Botuese “ADA” është libri me poezi i poetes Edlira Doko.
Poezitë e këtij libri së bashku me një pasthënie të mrekullueshme të poetit të njohur Vasil Tabaku do ja vlenin të ishin në bibliotekën tuaj.

 

TË LINDË POEZIA

– Mbi krijimtarinë poetike të EDLIRA DOKOS-

 

 

 

vasil Tabaku

 

nga Vasil Tabaku

 

 

Të shkruash, të ndërtosh një univers të tërë poetik dhe, përmes poezisë të bësh botën tënde poetike. EDLIRA DOKO, është një poete surprizë, e vërtetë, shpërthyese dhe sugjestionuese. Me vargjet ajo ka ndërtuar një univers të sajin krijues, që me pak fjalë, do ta cilësoja të mrekullueshëm.Emrin e Edlira Dokos e ndesha së pari nëpër gazetat ditore të Tiranës, “Tirana Observer”, “Telegraf” , revista “OBELISK” dhe botimet “ADA” “Horoskopi”…etj. Profili i saj krijues shfaqet dinamik, i veçantë dhe me një vokacion të rrallë jugor.Edlira vjen nga zemra e Labërisë dhe brenda poezisë së saj gjen lulëzim melodia popullore, ndërtuar me art dhe profesionalizëm në gjithë opusin e vet poetik.Bota e saj e madhe dhe e thellë shpirtërore, përmasat e një dashurie mitike për Shqipërinë dhe vendlindjen , njeriu me gjithë botën e tij shumëdimensionale dhe natyra magjike janë ndoshta bazamenti i fuqishëm dhe plot jetë i poezisë së saj origjinale.

 

DRITA QË BURONË SË BRENDËSHMI  DHE POEZIA


Poetja Edlira Doko, është sa e vetvetishme aq dhe orgjinale, sa narrative aq dhe dinamike, sa tradicionale aq dhe moderne.Në të gjithë poezitë e saj seç ka një dritë të brendëshme, një rrezatim magjik që nuk shquhet menjëherë por ajo vjen dalëngadalë, e plotë, solide, e sigurtë dhe me një theks diellor, por edhe me atë floririn magjik të hënës….Aty zë fill edhe çiltërsia e saj, një dlirësi që të bën për vehte dhe të befason.

 

NESËR

Ndodh të shoh ditën,
ngarkuar mbi shpinë,
orët stok të mëngjesit
plot jetë.
E niset pa destinacon,
të mbledhë buzëqeshje,
të korrë ëndrra,
të puthë lotë.
Poshtë një qielli
të pasigurtë,
deri në mbrëmje
vonë.
Kështu, e raskapitur,
numëron plagët,
dhimbjen e gjatë,
duke thënë:
Nesër do jetë më bukur!

Në vargjet e poetes jeta, ka privilegjin të jëtë tepër e pranishme, shpesh duket sikur autorja përdor vehten si një simbiozë artistike poezi – jetë që na bën ta përjetojmë shumë afër, dhe shumë thelllë në shpirt. Autorja, “luan” bukur me elementët jetikë dhe ndërton poezi befasuese, ku në të gjithë shtrirjen e saj krijuese poetike jeta mbetet thelbi i krijimit dhe artit të fjalës. Edlira është padyshim dhe një mjeshtre e kumtit poetik. Ky kumt vjen si rezultat i përvojës së saj jetike, përjetimeve të shumta që nga mosha e fëmijërisë, adoleshencës, më vonë njohja e dashurisë së vërtetë dhe dimensioneve të jetës me gjithë dramat dhe dhimbjet e saj.Poezia e kësaj autoreje, në shumë raste shfaqet si një copëz jete reale, e prekshme dhe mjaft e freskët, aq sa shpesh duket sikur ti si lexues je pjesë e saj, një copëz jetë e skalitur mjeshtërisht nëpërmjet vargjeve. Ndaj dhe poetja, në një dilemë të përhershme, pyet e shqetësuar pse jo dhe mosbesuese :

 

CILIN TË BESOJ ?…

Dikush tha: -jeta është si buka,
Një tjetër : – jeta është një lojë,
Pasqyrë, – belbëzoi era,
Mësim e përulësi, – bërtiti dikush në sallë,
Qesh e loz nën shi, – oshëtiu qielli,…

Edlira Doko e shpall dlirësinë e saj me dinjitet dhe art. Feminiliteti i saj poetik është një ndërthurje befasuese dhe plot fshehtësi sa njerëzore aq dhe mistike, sa natyrale aq dhe futuriste, sa irreale aq dhe e prekshmë. Në këtë perfomancë të madhe ka një orgjinalitet tronditës që të rrëmben dhe të mbush me një bukuri të fshehtë, të paparagjykuar dhe të besueshme. Shpesh të duket sikur nuk je duke lexuar një poezi, por thjesht je duke biseduar ngrohtë, imtësisht dhe çiltërsisht me Edlirën…E gjithë kjo është sendërtuar bukur, pse jo dhe mjaft mirë profesionalisht ,duke sjellë kështu një risi në laminë e re poetike.Kjo risi në poezinë e Dokos shpallet thjeshtë, pa zhurmë, modeste por tepër e bukur dhe mbresëlënëse.Poetja në proçedimin e saj poetik kërkon shumë, ajo nuk mjaftohet me ca konstatime rastësore. Opusi i saj krijues shtrihet tepër thellë dhe natyrisht, autorja rend nëpër rrugën e vështirë të poezisë duke zgjedhur margaritarët e fjalës poetike dhe asnjëherë nuk të zhgënjen…

 

DASHURIA SI NJË MUNDËSI E KRIJIMIT

 


Dashuria në poezinë e Edlira Dokos është një univers më vehte, një shpërthim i fuqishëm ndjenjash të bukura plot dritëhije. Eleganca e fjalës poetike të befason, por njëherësh edhe të motivon dhe të krijon emocione të rralla dhe të dridhëshme, ashtu sikundër është në të vërtetë dashuria. Doko, duket se i jep shumë jetë dhe frymë dashurisë si motiv dhe si ndjenjë e shpirtit njerëzor dhe si magji e ëndrrës së bukur. Autorja frymon brenda dashurisë dhe e ndriçon atë me dritëzat e saj të brendëshme në një mënyrë vërtetë tronditëse dhe të mistershme, të ngrohtë dhe të thellë, të afërt dhe të largët…Dashuria në poezitë e saj është padyshim një zbulim poetik, orgjinal dhe rrëmbyes.

 

KUR S’TË KAM PRANË…

Ti nuk e dije se puthjet janë pranga,
ndaj atë mbrëmje puthje si i babëzitur…
Kur u kujtove, kish kaluar mesnata,
e djalërinë e kishe humbur papritur…

Ti e dije që lotët janë dashuri-dhimbje
Ndaj më thua: s’dua të të shoh duke qarë,
Po ja, më mbërthen ky malli ndonjëherë,
e përlotem fshehtas, kur nuk të kam pranë!

Dashuria, një planet i madh rrezëllitës, plot enigma dhe psherëtima, plot këngë dhe zjarr, plot puthje dhe pasion…E pra i gjithë ky universe shpirtëror në poezinë e Edlira Dokos merr kuptim të veçantë,me një ngazëllim tepër domethënës dhe pse jo, më shumë se orgjinal… Për ta bërë këtë ndjenjë hyjnore sa më të prekshme e tokësore poetja ka përdorur një arsenal të gjerë metaforash dhe stilemash poetike që shpesh të befasojnë dhe të rrëmbejnë nëpër fshehtësitë e mistershme dhe magjike të botës së madhe të poezisë lirike të dashurisë.Ajo ka një gjuhë të ngrohtë, femërore, gati fluide, një arsenal i vërtetë i gjuhës poetike që materializon këtë univers poetik për dashurinë…

 

 

10409726_688086334605028_8555515001951487695_n

 

Edlira Doko

 

 

SINTAKSA POETIKE SI SHPREHJE E KONCENTRUAR E VLERAVE TË ARTIT POETIK

Poetja DOKO, ka aftësinë e veçantë të përdorimit të një sintakse poetike mjaft shprehëse, domethënëse dhe profesionale. Ajo që i bën disa poetë të shndërrohen në një rutinë poetike është padyshim mungesa e një sintakse poetike të zgjedhur, elegante dhe të lëmuar. Edlira mendoj se e njeh mirë sintaksën në vetvehte si një element përbërës gjuhësor. Një veçori e poetes Doko mendoj se është dhe dashuria për gjuhën e zonës ku është lindur e rritur dhe njohja e fjalorit të pasur të LABERISË, e cila sikundër dhe e kanë pohuar edhe gjuhtarët tanë të mirënjohur, zotëron brenda meslosit të saj ( pra folklorit, këngëve dhe ligjërimit të drejtpërdrejtë) një univers sintaksor të fuqishëm, të larmishëm, shumë të pasur dhe tepër poetik. Pikërisht këtë thesar të zonës së vet, Edlira ka ditur ta vërë në shërbim të poezisë së saj me efikasitet e me elegancë.
Poezia e Dokos përmban brenda vehtes atë tharmin e veçantë të ngjizjes poetike, e cila gjendet rrallë npër poetët e brezit të saj, ku shumica abuzojnë me vargun ose janë thjeshtë ca plagjitë të paaftë.
Lirikat e Edlira Dokos nuancojnë, përkatësisht synojnë vlera të arrira, që shoqërohen me saktësi në trajtimin e proceseve shoqërore e politike, por që janë veshur me një petk estetik, duke e bërë këtë krijim si vlerë më të stërholluar dhe si poezi më të pranuar. Qartë poezitë e kësaj autoreje të talentuar janë rezultat i një refleksioni mbi realitetin ose në të kundërtën është ndikim i një refleksioni nga realiteti i gjithëmbarshëm shoqëror e politik që kaloi vendi ynë në përgjithësi, apo nga situata të caktuara siç e gjejmë te poezia :

“FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA.”

Do të doja
të paketoja historinë
nëpër zarfe

lidhur
me fjongo
ngjyrë kuq e zi..

pastaj
ta postoj:

myslimanëve
kristjanëve..

me thënien
e Pashko Vasos:

“Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Tipi i poezisë së shkurtër është një tipar dallues, të cilin autorja e ka përpunuar me sukses, gjë që jep për të besuar për një perfeksionim të arrirë të mendimit poetik. Poetja, është e vetvetishme, spontane dhe poezia e saj përshkruese si drita. Ajo duket sikur nuk lë gjurmë, por në të vërtetë lexuesve iu ka lënë gjithë gjurmët dhe mbresat e poezisë së saj të mrekullueshme…

 

“E PUTHMË SONTE”…

Ah, perëndimin e diellit nuk e dua,
Që në vogëlì, errësirën e kam pasë frikë…
Ndizmë o shpirt me të puthurat e tua,
Të marrësh flakë, të bëhem dritë…

Një dritëzim magjik, me fjalë prej dielli dhe më ndriçim të fshetë shpirtëror…Poetja krijon asosacione të rralla plot të papritura ku fjala poetike ndjehet e çlirtë dhe befasuese e mbushur me nektar dashurie. Mendoj se pikërisht ky dritëzim i brendshëm përshkrues është një element dallues i kësaj poeteje të vecantë . Edlira ka respekt të rrallë për fjalën dhe di ta vendosi atë në vendin e duhur plot hire dhe feminilitet, plot sharm dhe elegancë.Fjala në poezinë e saj ndjehet e lirë, dominuese dhe tërheqëse, dinamike dhe e dlirë. Në këtë univers poetik të krijuar me shumë pasion dhe durim nga poetja Doko, duket sikur gjithë ai burim drite i fshehtë të depërton thellë në zemër dhe të rrëmben nëpër shtigje ëndërrash ku “të detyron” të dashurosh dhe të fluturosh, të thërrasësh fort dhe të ledhatosh imtë, të belbëzosh dhe të këndosh…Edlira, duket se ka gjetur kështu sekretin për t’i dhënë dritën e saj të brendshme e të fshehtë lexuesit përmes poezisë së saj të ndjerë dhe të realizuar bukur…

 

FEMINILITETI POETIK DHE BOTA

 

Edlira Doko është vërtetë femër në të gjithë lëndën e poezisë së saj. Feminiliteti shfaqet nën një tis të trendafiltë, të plotë dhe më shumë mistere, i bukur, elegant dhe tundues.Shpesh ky feminilitet poetizohet gjer në një magji….

Mos ma lerë këtë natë në terr ,
Përzije të ftohtin, zemër, të mos vuash,
Se në botë jemi si një gotë me verë,
Bëhet uthull sado e sido që ta ruash.

Dhe lëkura vyshket, forcat lënë me kohën,
Dallgët e jetës veshin thinjat e bardha.
Dhe të duam, stinët nuk i ndryshojmë dot,
Jemi kalimtarë në jetë, si gjithë qeniet e gjalla.

Ndaj puthmë sonte, puthmë si atëherë,
Kur si çapkën më mbyte me puthjen e zjarrtë,
Puthja çdo moshe i sjell veç pranverë,
Puthja e magjishme bën çdo stinë të artë.

Në këtë poezi spjegimi do të ishte i tepërt pse jo dhe prozaik.
Unë do të thosha se është një mision që femrat poete të shkruajnë si femra, ku feminiliteti të shpallet bukur, elegant dhe me shije, plot art dhe magji dhe jo femra poete të shkruajë si një mashkull i vrazhdë vargje të rënda plot deklarimë bombastike dhe të forta… Në poezinë e Edlirës është femra me magjinë e delikatesës së vet, është gruaja, është vajza dhe padyshim është nëna me të gjitha dimensionet e veta.Shpesh poezia e saj me tërë atë botë të madhe femërore, duket sikur ka marë tiparet e portretit të autores, të buzëqeshjes së saj të ngrohtë dhe shprehëse, por në disa raste, pse jo edhe timbrin e zërit të saj…Kjo padyshim do të thotë t’i japësh jetë poezisë, t’i japësh shpirt, t’i japësh vetvehten, dritën tënde të brendshme dhe magjinë e zemrës tënde poetike. Edlira Doko e ka arritur këtë me mjaft sukses dhe dinjitet, me profesionalizëm dhe përkushtim, me punë të gjatë e të lodhshme dhe me shumë pasion e dashuri…