Tribuni që hapi dritaren e lirisë (Jetëshkrim për Haki Bajramin në 15-vjetorin e rënies * 16 prill 1960 – 26 mars 1999) / Nga Shefqet REXHEPI

Ballina (1)

Tribuni që hapi dritaren e lirisë

 

(Jetëshkrim për Haki Bajramin në 15-vjetorin e rënies * 16 prill 1960 – 26 mars 1999)

 

 

 

nga Shefqet REXHEPI

 

 

 

Haki Bajrami u lind më 16 prill 1960 në Fushë-Kosovë. Ishte pinjoll i një familje atdhetare me traditë trimërie, e cila ishte në shënjestër të UDB-së serbe. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa studioi gjuhën dhe letërsinë shqiptare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Me punën e vet shumëvjeçare në fushën e arsimit, me veprimtarinë e përditshme politike dhe kulturore, Haki Bajrami ishte shembull ndër përfaqësuesit e denjë të brezit të intelektualëve të viteve ’80 e ’90 të shekullit të kaluar, të cilët punuan pa kursim për çështjen tonë kombëtare. Ai jetës kulturore të Fushë-Kosovës i kontribuoi shumë, sidomos nëpërmjet veprimtarive që zhvilloheshin në teatrin “Qëndresa” dhe në klubin letrar “Naim Frashëri”.

Veprimtaria atdhetare, arsimore dhe kulturore ishin tri shtigje jete e pune për Haki Bajramin. Ai jetonte me to dhe për to. Për fat të keq, këto shtigje iu mbyllën më 26 mars 1999, kur Hakiu kapet nga forcat okupuese serbe në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, bashkë me disa shokë dhe të njëjtën ditë pushkatohet. Pushkatimin me vetëm një plumb në zemër e ka vërtetuar edhe autopsia mjeko-ligjore.

Ky plumb ishte kundërpërgjigje e egër e armikut për mosnënshtrimin e Hakiut për asnjë moment, madje edhe në ato çaste të jetës së fundit të tij, derisa po e torturonin bashkë me burra të tjerë në udhëkryqin e Fushë-Kosovës.

Dëshmitarët e rastit kanë rrëfyer se edhe në ato çaste të rënda para xhelatëve serbë, fjala burrërore e Hakiut kumboi fuqishëm, ashtu si në skenën e teatrit kur interpretonte rolin e heroit që nuk e pranonte nënshtrimin.

Hakiu, që shpesh e theksonte se të vdesësh për atdhe e liri është si të lindësh përsëri, asnjëherë nuk e kishte dëshiruar vdekjen e tij në atë mënyrë. Ai luftën me armikun e kishte paramenduar me armë në dorë, por rrethanat e kohës bënë që në vend të armës të përdorë pendën e guximin intelektual, për ta mposhtur zgjedhën okupuese serbe. Në këtë ballafaqim, vrasja e Hakiut sypatrembur ishte shenjë e pashlyer e pavdekësisë, ndërsa rënia e guximshme – shenjë e madhështisë së tij.

Ekzistojnë dëshmi se ai ishte njëri ndër të parët që ishte paraqitur për t’u inkuadruar në njësitet guerile të UÇK-së, që shkonin për t’u aftësuar në Shqipëri, por në vend të tij shkoi i vëllai, Ilmiu.

“Ti ke mision të rëndësishëm këtu, atë të mësuesit. Për të luftuar me armë në dorë do të shkoj unë, meqë edhe jam i papunë”, i kishte thënë Ilmiu, duke e lutur që të shkojë në vend të tij dhe ashtu ishte bërë.

Me emrin e Hakiut ndërlidhet ngjallja e frymës kombëtare në disa breza shkollarësh, jo vetëm në qytetin e tij ku vepronte, por edhe më gjerë në Kosovë. Ai me tërë fuqinë rinore u bë një flakadan i pamposhtur i nxitjes së dashurisë për atdheun, për historinë e kulturën e shqiptare. Duke gërshetuar me mjeshtri vlerat e arsimit e të kulturës për çlirim kombëtar, ai mbolli dëshirën e flaktë për liri te brezat e etshëm për liri e dituri, duke kontribuuar në forcimin e Lëvizjes për çlirimin e Kosovës.

Më shumë se një çerek shekulli ai u angazhua me tërë qenien e tij fizike e intelektuale, në maratonën e gjatë të rezistencës së shumë brezave, duke lënë gjurmë nderi e krenarie, shpirti e fjale, pa ikur asnjëherë nga sheshi i betejave.

E torturuan dhe e kërcënuan disa herë udbashët e Serbisë, duke i sugjeruar të heqë dorë nga veprimtaria e tij, nga detyra e shenjtë e mësuesisë, nga aktiviteti për pavarësimin e shkollës shqipe dhe nga puna në teatër, por ai për asnjë çast nuk e ndali aktivitetin e tij.

Nga policia serbe u kërcënua me burgim, madje edhe me likuidim, mirëpo maltretimet e kërcënimet nuk e hamendën asnjëherë, madje duket se ato e kalitën edhe më shumë, duke ia shtuar dashurinë për kombin dhe për arsimin shqiptar.

“Ti mos u merakos për këtë punë. Unë qëkur e mora ditarin në dorë jam betuar: O do vihem në shërbim të kombit, o nuk do të punoj fare!” – i thoshte mësuesi Haki, babait Shaban, kur ai shprehte drojën për fatin që mund ta pësonte i biri, ngase Hakiu njihej si tribun i rezistencës aktive për kthimin e nxënësve në objektin shkollor, prej nga me dhunë ishin përzënë nga forcat policore serbe.

Hakiu nëpër të gjitha nyjat e jetës së tij të shkurtër, por të begatshme, la gjurmë të ndritshme edhe me një veprimtari të gjerë krijuese, letrare e dramaturgjike. Ishte krijues letrar i pasionuar, si në prozë, ashtu edhe në poezi.

Dashamirët e letërsisë i kujtojnë me ëndje shumë nga poezitë dhe fragmentet e prozës, të lexuara nëpër orët letrare që i organizonte klubi letrar “Naim Frashëri”. Nga krijimtaria e tij letrare, fare pak poezi kanë shpëtuar nga lufta. Një pjesë e tyre janë gjetur në arkivin e klubit letrar “Naim Frashëri” të Fushë-Kosovës, të cilin e ka udhëhequr për një kohë të gjatë, ndërsa një pjesë e vogël edhe në arkivin e shpëtuar të teatrit “Qëndresa” të Fushë-Kosovës, të cilin gjithashtu e ka udhëhequr disa vjet.

Disa poezi janë gjetur në një shtëpi-shkollë, ku ka punuar me nxënës gjatë kohës së okupimit klasik, ndërsa një pjesë më e madhe janë gjetur në pallatin e “Rilindjes”, të cilat ishin radhitur dhe ruajtur në disketa kompjuteri për t’u adresuar për publikim në rubrikën e kulturës së gazetës “Rilindja” dhe në redaksitë e revistave të tjera të vendit tonë.

Fushë-Kosova në fundmarsin e vitit 1999 digjej flakë nga forcat paramilitare dhe militare serbe. Në atë kohë këtu u vranë, u masakruan dhe u zhdukën pa gjurmë shumë shqiptarë, në mesin e të cilëve, më 26 mars të vitit 1999, në fillim u rrëmbye e pastaj u vra edhe veprimtari shumëvjeçar i jetës arsimore e kulturore të Fushë-Kosovës, Haki Bajrami.

Zjarrvënësve e satrapëve serbë iu kishin bërë halë në sy edhe këta tribunë të vegjël, që e donin lirinë sikur krejt popujt e botës. Hakiu me shokë e hapi dritaren e lirisë, e cila peshon e ndriçon në nënqiellin e vet gri. Ai me shkollarët dhe qytetarët e Fushë-Kosovës, e bëri këtë qytet kështjellë të pamposhtur para politikës agresive e vrasëse të forcave okupuese serbe.

Ata që e kanë njohur për së afërmi Hakiun, gjithnjë do ta kujtojnë si njeri fjalëpak e veprimtar të palodhshëm, tribun përditshmërie, që nuk dinte ç’ishte prehja, që nuk dinte ç’ishte barriera. Ai ishte rreshtuar fuqishëm në murin që po ndërtohej pandalshëm për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor e kombëtar. Mbi të gjitha, brezat do ta kujtojnë Hakiun si një vigan të pazhurmshëm, të lidhur si Anteu me tokën e tij ilire, së cilës i dha aq shumë. Atëherë, ajo pse mos ta kujtojë e nderojë sa të jetë jeta.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s