TRAUMA E MASAKRËS SË TIVARIT. DAS UNHEIMLICHE NË FJALËN ARTISTIKE SI KËRKIM ALTERNATIV I HISTORISË Mbi romanin historik të Ibrahim Kadriut “Kapërcimi i ujit të madh”, Koha, Prishtinë, 2014. / Nga Albana Alia

20140605191753645600

 

TRAUMA E MASAKRËS SË TIVARIT.

DAS UNHEIMLICHE NË FJALËN ARTISTIKE SI KËRKIM ALTERNATIV I HISTORISË

Mbi romanin historik të Ibrahim Kadriut “Kapërcimi i ujit të madh”, Koha, Prishtinë, 2014.

 

 

 

 

Albana Alia

 

nga : Albana Alia

 

 

 

Romani historik është një mënyrë apo një lloj letrar i veçantë për karakteristikat që përmban. Rrëfimi në këtë roman zakonisht privilegjon historinë dhe procesi i shkrimit dhe i dokumentimit paraqitet krejt ndryshe nga llojet e tjera letrare. Siç thekson studiuesja italiane Margherita Ganeri, pakti letrar midis autorit dhe lexuesit përsa i përket romanit historik  është paksa i veçantë, për arsye se “e vërteta” e rrëfimit dëshmohet në një farë mase nëpërmjet dokumentimit. Në një situatë të turbullt si kjo e sotmja është e nevojshme të vihen në diskutim normat zyrtare të kulturës duke qenë ato të imponuara nga shoqëritë hegjemonike në dëm të shtresave të tjera. Historiografia e tashme është e ndërgjegjshme për pamundësinë e rishkrimit objektiv të historisë që paraqitet si një labirint brenda të cilit është vështirë të orientohesh dhe ku mundësohet vetëm njohja e fragmentuar dhe relative. Romani historik paraqitet atëherë si rindërtim i historisë brenda një kornize ideologjike dhe letrare, pra në një fushë të ndryshme nga ajo e historiografisë. Për këtë arsye është konsideruar gjithmonë si një roman “hibrid”, sepse ndërthur të vërtetën historike me imagjinatën artistike.

Për letërsinë e Kosovës romani historik përbën një vlerë të shtuar në procesin e vazhdueshëm të (ri)ndërtimit të një identiteti dhe një kulture kombëtare gjithmonë e më të qëndrueshme përkundrejt sulmeve të jashtme. Gjatë studimit tipologjik të romanit “Kapërcimi i ujit të madh” këndvështrimi apo perspektiva e rrëfimit luajnë një rol të veçantë. Rindërtohet historia, por me sytë e kujt? Në shfaqjen e parë të autorit, në atë që ai e përcakton “Si hyrje”,  lexuesi përgatitet për atë që do të ndodhë dhe për ndërthurjen e rrëfimit objektiv me atë subjektiv, të së vërtetës historike me procesin e rishkrimit të saj me distancë dhe ironi letrare. Pikërisht për këtë te ky roman koha dhe hapësira janë elementë kryesorë që paraqiten në mënyra të ndryshme; e para, si kohë historike (fund marsi-fillim prilli 1945), e shkrimit, apo e aventurës, etj; e dyta, si përshkrim i detajuar i rrugëtimit, i vrasjeve, si dokumentim, si kthim ne kujtesë, si  simbolikë, etj.  Autori jep shpjegime kronologjike, përshkruan zakone e stile jetese të ndryshme, rindërton me detaje të hollësishme mjedise të brendshme e të jashtme të rëndësishme për shtjellimin e veprës, ndonëse shpesh është e natyrshme humbja e kontrollit: “Vërtetë, në atë natë të ethshme, kukama e atij që mbet në rrugë […] i bashkohej krrokatjes së shpendkeqes, ulërimës së ujkut të vetmuar që dëgjohej përtej përrenjve e shkrepave. Ku të dihej në atë natë me shi se çfarë mjedisi ishte, çfarë lartësi kodrash e rrethonin […]”. Nëpërmjet intertekstualitetit autori përdor kryesisht citime të drejtpërdrejta nga burimet historike të kërkuara me kujdes gjatë vitesh të tëra studimi të kësaj çështjeje.

 

 

i. kadriu

 

Kapërcimi i ujit të madh

 

 

Zakonisht personazhet e romaneve historike nuk janë figura që kanë ekzistuar realisht, por janë persona të mundshëm për periudhën në trajtim, jetën e të cilëve autori është i lirë ta shtjellojë artistikisht sipas dëshirës së vet pa druajtur përballimin me dokumentet historike.  Ibrahim Kadriu shtyhet më tej; ai arrin të ndërthurë personazhe fiktive me disa figura historike me emër e mbiemër të vërtetë, në rolin e dëshmitarëve të kohës. Personazhet kryesore janë Barmal Brezi dhe Dalushi/Fatimja, por të dyzuar dhe me veprim herë paralel dhe herë të ndërthurur gjatë zhvillimit të veprës; edhe ngjarjet dhe lëvizjet shumëfishohen sepse janë në thyerje e reflektim të vazhdueshëm. Veç kësaj, që në faqet e para tregimtari paraqitet si i gjithëdijshëm, extradiegjetik dhe impersonal, pra që nuk merr pjesë në ngjarjet e veprës dhe nuk mban qëndrim apo gjykim përballë asaj që ndodh. Në të vërtetë është një zë i fuqishëm që u alternohet zërave të tjerë të ndryshëm për moshë, gjini, etni, pozitë shoqërore. Ndërkaq është i informuar për gjithçka, deri edhe te ndjenjat e brendshme të personazheve. Në momentet kur mekanizmat e kujtesës bëhen elemente të domosdoshme, këndvështrimi i tij alternohet me rrëfimin në vetën e parë të personazheve që kthehen kështu në tregimtarë autobiografikë dëshmitarë të ngjarjes.

“Kapërcimi i ujit të madh” është pra një roman historik, apo më saktë, një roman i një historie tragjike të një mase të madhe të rinjsh të mbërthyer në kthetrat serbe, i mobilizimit ushtarak në kolona të gjata që shkonin drejt detit, që përshkonin rrugën e vdekjes nën psikozën e ndjekjes me qëllim të fundit spastrimin etnik, asgjësimin për pakësim e zvogëlim të numrit të shqiptarëve (nga eshaloni i mijëra vetave ishin vrarë me mijëra veta) duke kërkuar justifikimin te shprehjet “dezertorë”, “tradhtarë”. Bëhet fjalë për masakrën e Tivarit, një tragjedi e përjetuar dhe e mbështjellë nga një vel misteri, të dhënat arkivore për të cilën janë ruajtur prej vitesh nëpër shtete të ndryshme me ato tri vijat (e famshme) të kuqe: tepër sekret. Ibrahim Kadriu gërmon me durim në të shkuarën për të sjellë në dritë kronikën e asaj periudhe të turbullt e të tmerrshme. Por dihet se ngjarjet lënë shenja që, po të preken, u dhembin të afërmve të të vrarëve, të kufomave të shpuara me bajoneta, të të djegurve, të të mbyturve, të të sëmurëve, të të torturuarve, të të rrahurve dhe të atyre të mbetur rrugëve të detyruar të ndryshonin identitetin. “Të qoftë dheu i lehtë, or mik, që nuk të njoha kurrë, por që emri yt më mbron…” Sa ishin? Çfarë ndodhi? Kush urdhëroi këtë masakër? Nuk dihet???!!! Binin trupat, si të prerë me shpatë, si të prerë me kosë. Dihet vetëm që të gjithë i kishte mbuluar gjaku, ndërsa përreth tyre dëgjohej gjëma e tëvdekurve” të tjerë të mbetur ende gjallë. Nuk ishte një gabim, ishte një krim çnjerëzor.

Nga hyrja deri tek epilogu faqet e romanit lahen në gjak. Regjistri i spitalit të DubrovnikutKthesë në kujtesëarkivadokumentedëshmitarë të kohës… Ajo, që njeriu apo historia ndrydhin apo fshehin, herët a vonë ri-kthehet në dritë, jo vetëm e dokumentuar, por në këtë rast edhe si një fakt i ankthshëm, Unheimlich do të thoshte Freud. Ashtu si kthimi i Gjonit nga bota tjetër, si një revenant që pritet të vijë për të rrëfyer atë që ndodhi në rrugëtimin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar, apo nëpër viset e Maqedonisë drejt fronteve imagjinarë të “Sremit” e të “Adriatikut”. Më tej, traumën fizike dhe psikike të viktimave të pafajshme të një skenari/gracke apo krimi (të përgatitur në tavolinë) dhe të familjeve të tyre, por dhe sjelljen e vrasësve të tyre (sipas komplotit ndërkombëtar), autori e rikrijon artistikisht mbi një strukturë metaforike e simbolike ku ironia dhe sarkazma e hidhur penetrojnë pa mëshirë. Është ky, një lloj kërkimi dhe rikrijimi alternativ i historisë nëpërmjet artit të fjalës.

Tragjedia është kolektive, por autori ka zgjedhur të trajtojë historinë e vogël që reflekton dhe ndjek gjurmët e Historisë së Madhe në sfond. Procesi letrar i thjeshtëzimit të historisë në këtë rast shërben shumë për përjetimin dhe kuptimin e saj dhe përballimin më të lehtë të lexuesit me një masakër të jashtëzakonshme e aq të dhimbshme. Rishkrimi shërben si kërkim, si dëshmi, si një seri pyetjesh që kërkojnë përgjigje por edhe si kritikë përkundrejt vetë historisë apo përgjegjësve të drejtëpërdrejtë për  instrumentalizimin dhe përgjakjen e saj me kufomat e gati 45.000 të rinjve kosovarë plot me ëndrra për jetën. “A ishte në të vërtetë mobilizimi për asgjësim të rinisë shqiptare? Shpjegimet janë kundërthënëse sot e atë ditë; shpjegime herë me ironi të skajshme, herë me ekzagjerim, gjithmonë me numra të ndryshëm, por asnjëherë të saktë.”

Autori mbledh ngadalë e me kujdes copat e këtij mozaiku aq të ndërlikuar; shumë prej tyre mungojnë e duhen interpretuar, por në histori interpretimi nënkupton subjektivitet. Atëherë, a ka qenë ndonjëherë plotësisht e vërtetë ajo që është shkruar nga historianët? Rikthimi në gjurmët e historisë mundëson njohjen me të kaluarën për të kapërcyer një moment të ri krize. Historia përsëritet. E ëma e Gjonit të vrarë shkon përditë te varri i të birit, e pastron, mbjell lule, përkujdeset, flet me të… Sa vrasje të tilla do të ndodhin akoma! Varre të hapura pa fund! Autori për një çast humbet kontrollin e ngjarjeve të përgjakshme në retrospektivë, të kujtimeve në flashback dhe e ndien të nevojshme të përdorë një fragment metanarrativ “Si ishin zhvilluar ngjarjet […]?” Ndërkaq kthehet i fejuari i parë i nuses, një nga të paktët që i ka shpëtuar masakrës së Tivarit. Bashkëfshatarët e tij arrijnë të zgjidhin me pjekuri çështjen e ndërlikuar të martesës. Në momentet më të vështira, traditat, ritet dhe zakonet marrin një rëndësi të veçantë, sepse projektohen si vazhdimësi, respekt dhe dashuri për vetë jetën.

Autori, nëpërmjet mekanizmave të kujtesës dhe të ndërgjegjes, të ndërthurura me rindërtimin e dokumentuar e gati objektiv të ngjarjeve,  na fton të lexojmë, të njohim, të kuptojmë e të reflektojmë për faktin që: përmasa ideologjike, autoriteti dhe pushteti ekonomik e politik arrijnë të relativizojnë interpretimin e historisë.  Prandaj romani historik mbetet ende një hapësirë e mundshme për të shpalosur komente, kërkime, verifikime, kritikë kundër stereotipizimit apo manipulimit të historisë. Pikërisht këtu qëndron vlera më e madhe e romanit “Kapërcimi i ujit të madh”. Por nuk duhet të harrojmë anën tjetër, që autori nëpërmjet imagjinatës përpunon artistikisht kronikën e errët dhe i jep asaj frymëmarrje duke lëshuar aty-këtu ndonjë fashë drite nëpërmjet efekteve të natyrshme lirike që ndërthuren me tensionin historik, me tragjiken e momentit.

Vetë titulli paraqitet si një metaforë e shumëfishtë. Uji i madh, deti, sipas një studimi nga Gaston Bachelard mbi psikanalizën e ujërave, është elementi ku ndërthuren lindja, pastrimi shpirtëror dhe vdekja totale. Dikush nga personazhet arrin të kapërcejë detin, ferrin, vdekjen, atë dramë të dhimbshme, të dhunshme, të pashpjegueshme; dikush tjetër kapërcen ëndrrën; Dalushi/Fatimja stimulon një androgjini të trishtuar dhe të detyruar nga kodi i kohës; kriminelët kapërcejnë kufijtë njerëzore e megjithatë, situata nuk paraqitet distopike; Kosova nuk është Ophelia bachelardiane që mund të mbytet nga duart e bishës së etur për gjak dhe shpresat për një të ardhme të re nuk shuhen. Paulini nuk harron të kapërcejë pragun e kishës dhe të adhurojë Shën Mërinë mbi altar, megjithëse Zoti dukej sikur i kishte harruar krejtësisht në mëshirë të fatit. Është Fatimja që mbyll veprën nëpërmjet teknikës flashback. Pas krahëve të saj mbetet një masakër e pashpjegueshme “Sikur të kishte jetuar Shekspiri në ato vise, kush e di sa e sa tragjedi do t’i shkruante…”. E traumatizuar fizikisht dhe psikologjikisht, shqipton me gjysmë zëri: “Unë jam femër!” dhe gradualisht fillon të ndërgjegjësohet se po rikthehet në shtëpinë e saj dhe se tashmë para vetes ka jetën

 

 

Ravenna, tetor 2014

 

DRITËROI ËSHTË EDHE TROPOJAN… / Skicë nga MURAT GECAJ

DRITËROI ËSHTË EDHE TROPOJAN…

 

Skicë-

Nga: MURAT GECAJ

 

 

 

 

Tirane-15 dhjetor 2010-Dritero.Agolli

 

Nga e majta: Sadija, Dritëroi e Murati (Tiranë, 15 dhjetor 2010)

 

 

1.

Ndërsa po shkoja drejt lokalit   “Vatra” të kryeqytetit, bashkë me kolegun e mikun përmetar Sejdo Harka, po mendoja fakte e ngjarje, që më lidhnin me popetin dhe shkrimtarin e shquar të letrave shqipe, “Nderin e Kombit” Dritëro Agolli. Na kishte ftuar në një veprimtari, në prag të 83-vjetorit të ditëlindjes së tij, Shoqata atdhetare-kulturore “Devolli”. Vërtet të dy nuk jemi devollinj, por të paktën mua më dukej se kësaj here isha nga ajo krahinë. Përmes një njoftimi në Internet , kishim mësuar se, datat 1-13 tetor 2014, ishin caktuar “Ditët e Dritëroit”. Pra, dhe ajo mbrëmje ishte pjesë e veprimtarive të parashikuara. Gjithashtu, do të organizohen festime të larmishme dhe të bukura, që nga fshati i tij i lindjes Menkulas. Aty, shkollës 9-vjeçare do t’i jepet me ceremoni emri tij, shoqëruar me një film dokumentar, me përurime librash të rinj etj.

Kur hymë brenda, në një sallë të madhe, të mbushur plot, kryesisht   me të ftuar devollinj, vërejtëm se ajo gumëzhinte dhe secili prej tyre po afrohej përreth tavolinave rrumbullake, mbushur me mezera, pije e fruta. Ky mjedis shoqërohej edhe me muzikë gazmore.

Kur u rehatuam pranë një tavoline, me Sejdon dhe poeten elbasanase Lida Lazaj, erdhi të na përshëndeste poetja tjetër Lili (Eliverta) Kanina. E takonim për herë të parë atë, por me çiltërsinë dhe gazmendin e mikpritëses, na u duk se njiheshim prej kohësh. Pastaj, ajo na solli aty e na njohu me ta, vajzën, Sabinën dhe një djalë të saj vogëlush. Sakaq, duke na kërkuar lejë të uleshin, tavolina jonë u mbush me çifte devollinjësh ose jo. Ndër ta, ishte edhe Selajdin Ago, i cili m’lut t’i bëja atij një fotografi-bust, sa më të mirë, pasi do t’ia dërgonte së bijës, që jeton në Paris. Se foto të tjera bëmë shumë, si në tavolinën tonë, por dhe te të afërmit e Lilit, të anëtarëve të kryesisë “Devolli”, kur pjesëmarrësit hidhnin valle e këndonin etj. Si gjithnjë të papartuar ishin edhe Ervehe Baruti, që kujdeset për botimin e gazetës së krahinës, “Devolli” dhe Enveria, motra e publicistit e kineastit të njohur, Fuat Memeli, që tani jeton në Boston të Amerikës.

Ishte mbrësëlënëse, kur këtë veprimtari e hapi kryetari i Shoqatës “Devolli”, Guri Seferi dhe pas tij përshëndetën disa të tjerë. Ata përmendën, sigurisht shkurt, meritat e shumta të birit të madh të krahinës së tyre, që është dhe i tërë Shqipërisë, Dritëro Agolli.

 

2.

Siç e sahkrova më lart, në veprimtarinë e mësipërme vërtet e ndieja vetën sadopak edhe devolli, por edhe personazhin kryesor të saj, pra kryetarin e nderit të Shoqatës “Devolli”, Dritëroin e ndieja se ishte edhe tropojan. Me të drejtë, dikush mund të pyesë: “Mirë, pa na e sqaro pak më shkoqur, këtë mendim tëndin?” Dhe ja, pa m’u ndalur goja e pa u menduar gjatë (ha,ha), do të nisja t’i rreshtoja ndodhitë e ngjarjet, që e afrojnë aq shumë atë me vendlindjen time, Malësi e Gjakovës (Tropojë).

E kam njohur birin e shquar të krahinës së Devollit, publicistin, poetin dhe shkrimtarin shumë të afirmuar, Dritëro Agolli, qëkur isha i ri dhe ai ishte redaktor në gazetën e kohës, “Zëri i Popullit”. Me prirjen për të shkruar sadopak, kisha nisur dhe unë të dërgoja aty njoftime të shkurtëra nga jeta shkollore në kryeqytet. Pastaj, kur shërbeva vetë në gazetat e kohës, “Pionieri”, “Bashkimi” e “Mësuesi”, lidhjet tona ishin të pashkëputura. Por edhe kur më dërguan “vullnetar” në vendlindje, në vitet ’60-të të shekullit të kaluar dhe punova 7 vjet me rininë e kulturën, Dritëroi erdhi atje me shërbim dhe, sigurisht, kjo gjë na solli kënaqësi të përbashkët, kur u ritakuam.

Kur punoja redaktor në gazetën “Bashkimi”, Dritëroi shërbente në Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve. Pra, ishte një vend, ku edhe bashkëkrahinasit e mi krijues gjetën përkrahje dhe mbështetje prej tij, që të krijonin e botonin. Më kujtohet një rast, kur isha me punë në gazetën “Mësuesi”, ku kishte qenë pararëndëse bashkëshortja e tij, Sadija. Gjatë një vizite të këndshme dhe të paharruar në shtëpinë e tyre bujare, Dritëroi iu drejtua asaj: “Sadije, na sill nga një gotë raki!…”.   Sigurisht për të bërë humor, që ai e ka gjithnjë dëshirë të vetën, fola: “Unë nuk e pi rakinë, Dritëro!…Pra, a e ke për veten a për mua?” Ai nuk u mendua gjatë dhe ma ktheu, aty për aty: “Për të dy, së bashku…”. Qeshëm të tre dhe pastaj biseduam për tema të ndryshme. Ndër të tjera, ai më foli me shumë dashamirësi për krijuesit tropojanë. Shumë prej tyre i njihte me emër dhe disave ua kishte lexuar librat ose kishte bërë shënime për ta. “Janë mjaft të talentuar tropojanët,-u shpreh Dritëroi.-Dhe jo vetëm të rinjtë, por dhe paraardhësit e tyre, ndër të cilët respektoj dhe po përmendi rapsodin Sokol Arifi, këngëtaren Fatime Sokoli e të tjerë. Është ajo natyrë aq e bukur dhe ai popull aq trim e liridashës, fisnik dhe mikpritës, që i frymëzon ata…”.

 

3.

Nuk dua të zgjatem, në këtë shkrim timin modest, pasi që në krye e shënova atë, “skicë”. Po, përkitazi me mendimin e fundit, dëshiroj ta tregoj edhe këtë fakt. Si shprehje të nderimit dhe respektit të veçantë, që ka patur edhe piktori, poeti e shkrimtari Agim Mërturi, nga një krahinë e thellë malore e Tropojës, ai ka hartuar një poezi të frymëzuar, me 23 strofa. Atë e ka titulluar “Zemër që nuk plaket” dhe është shkruar në vitin 1998, kur Dritëro Agolli ishte 67-vjeçar. Ajo është e thjeshtë, në dukje si rapsodi, por vargjet i kanë dalë nga zemra poetit malësor. Përmes tyre ka përmendur edhe titujt e librave kryesorë të Dritëroit:

“Gjithë Shqipërinë/ ka shëtitur, bredhur,/ rreshta dhe vargje,/ në letër duke hedhur…”.Ndërsa më tej: “Gjithçka për Atdheun,/lavdinë e këtij trolli,/me firmën e madhe:Dritëro Agolli”.

Pra, parandjenja e Agimit, në titullin e asaj poezie, ishte e saktë. Se, më pas, Dritëroin e kemi parë sa e sa herë, si në veprimtari letrare ose jo në kryeqytet, ai ka publikuar në shtyp dhe ka folur aq bukur në televizionet tona etj. Ndër të tjera, bashkë morëm pjesë në festën e 80-vjetorit të ditëlindjes së prof.Alfred Uçit-Akademik, ku ai ishte me Sadijen dhe aty fiksuam një fotografi, me të cilën po e shoqëroj këtë shkrim modest.

Në mbyllje, pa përmendur shumë dëshmi e fakte të tjera, përsëri po u pyes, lexues të dashur: “A mos ka mëdyshje, ndonjëri nga ju, që Dritëro Agolli nuk është edhe tropojan?”

 

Tiranë, 11 tetor 2014