Përkthyesi Skënder Luarasi dhe këndvështrimi i studjuesit Agron Tufa. / Nga Petro S . Luarasi

u3_u1_skender_luarasi


Përkthyesi Skënder Luarasi dhe këndvështrimi i studjuesit Agron Tufa.

 
Në median ‘’Start’’ lexova shkrimin ‘’Përkthimi në Shqipëri: zanafilla e dy paradigmave të përkthimit’’ të zotit Agron Tufa, shkrimtar, studjues e pedagog i letërsisë së huaj në UT.
Ndër të tjera ai shkruan: ” Përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, duke pasur parasysh edhe llojin e letërsisë që, ideologjikisht, lejohej të përkthehej dhe vetëm tradita e realizmit, dolën një gjeneratë e ndritshme përkthyesish që sollën në toskërisht e në gjuhën letrare të pas vitit 1972 kryeveprat e shkrimtarëve realistë. Kështu kemi përkthimet e Petro Zhejit, Skënder Luarasit, Misto Treskës (“Të mjerët” e Hygoit), Bujar Dokos dhe Klio Evangjelit (romanet e Dikensit), Vedat Kokonës nga frëngjishtja dhe rusishtja, Lili Bares – vetëm nga rusishtja, Pavli Qeskut, Pirro Mishës, Viktor Kalemit, Jorgo Bllacit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Dhori Qiriazit etj.’’ 1. (Start, 11.2. 2014. gazetastart.com/index.php?p=hg&hid=19697)
Nuk diskutoj pikëpamjet, kriteret vlerësuese dhe njohuritë e tij mbi historinë e përkthimit dhe përkthyesve në Shqipëri, si : Mit’hat Frashëri, Vangjel Korça, Tajar Zavalani, por ndalem vetëm tek këndvështrimi i pedagogut e studjuesit A.Tufa mbi vendin që zë Skënder Luarasi (1900-1982) në lëmin e përkthimit shqip
Ndryshe nga sa shkruan A.Tufa, Skënder Luarasi i përket përkthyesve të viteve 20-të sepse provohet që në vitin 1919 ka përkthyer në SHBA të paktën tri vepra: ‘’Jul Cesarin’’e ‘’Tregtarin e Venedikut’’ të Shekspirit dhe ‘’Skënderbeun…’’e T.Uinkop-it. 2. (P. Luarasi, Skënder Luarasi në tempullin shekspirian,http://gazetadielli.com/skender-luar…n-shekspirian/ )
Deri në vitin 1936 Skënder Luarasi përktheu të paktën edhe 6 vepra të tjera: Enoh Arden-Tenison (1933), Sakuntala-Kalidasa (1933), Vilhelm Teli-Shiler(1934), Novela-Oscar Uajld (1934), Prometeu i lidhur- P.Shelli) dhe “ Lirika” – Li Taj Pe. Dy përkthimet e fundit kanë “humbur” ).3 (P.Luarasi. Vepra të botuara të përkthyera nga Skënder Luarasi http://www.dardania.biz/vb/upload/sh…t=32729&page=2)
Në shtypin e viteve 30-të shkruhej: ‘’Kemi edhe përkthyesa që janë punëtorë, të aftë, të zellshëm,të cilët na kanë falur përkthime kryeveprash të vështira. Në krye të tyre qëndron Skënder Luarasi me Sakuntalën e Kalidasës, Vilhelm Tell-in e Schillerit dhe Novelat e Oscar Wilde…’’ 4. ( Vilhelm Teli, Illyria, 15 korrik 1934, f.3.)
Et’hem Haxhiademi vlerësonte se ‘’me një vepër të tillë (Vilhelm Teli i Shilerit) dhe të tjera si këto duhet të pasurohet pa vonesë lëmi i vogël i literaturës sonë. Zoti Skënder Luarasi i cili ka ditur kaq bukur të përkthejë me gjithë hollësirat e saj këtë kryevepër e cila e mëson rininë të dojë dhe të mbrojë lirinë, letrarët e pakët shqiptarë duhet ta përgëzojnë dhe ta urojnë nxehtësisht.Nga pjesa ime përkthimin e Luarasit dua ta quaj një nga përkthimet më të goditura që janë ba deri sot në Shqipëri.’’5. (Et’hem Haxhiademi, Vilhelm Teli i Shilerit, Demokratia’’, 23.9. 1934, f.3.)
Gazeta ‘’Besa’’ dhe gazeta austriake ‘’Salzburger FolksBlat’’ njoftonin se Akademia Gjermane e Munchen-it i dha Skënder Luarasti medaljen e argjendtë për përkthimin e veprës ‘’Wilhelm Tell’’.

‘’Informohemi se Akademia Gjermane e Munchen-it i konferoi shkrimtarit shqiptar prof.Skënder Luarasi medaljen e argjendtë t’Akademisë Gjermane për përkthimin e tij të veprës ‘’Wilhelm Tell’’të Friedrich Schiller-it.’’ 6. (Besa. Çquajtja e një letrari shqiptar, 27.3.1935)
‘’Akademia Gjermane në Mynih shkrimtarit shqiptar Skënder Luarasi për përkthimin e Vilhelm Telit të Shilerit, i ka dhënë ‘’Medaljen e Argjendtë‘’ të Akademisë Gjermane. Luarasi ka qënë nxënës në Gjimnazin e Fraishtadt-it në të cilin në 1926 ka mbaruar maturën.’’ 7. (Gazeta Salzburge ‘’Folks Blat’’,12.4.1935)
Haki Stërmilli shkruante në librin ‘’Burgu’’:
‘’7 Shkurt 1933 Sot, në kohë të zamrës m’erdh me postë Sakuntala, dramë pesë aktesh, vepër e poetit Hindian Kalidasa që ka jetue njimij e pesëqind vjet më par[. Vepra ash përkthye nga gjermanishtja në gjuhën tonë prej Profesor Z.Skënder Luarasit dhe ai ma ka çue si nji kanisqë që i dërgon i shëndoshi të sëmurit, me nji shënim miqësuer. Me nji herë u vuena me e shijue Sakuntalën, Mbretneshën e Bukuris, të Pastërtis, të Pafajsis dhe të Hirësis së Hindit dhe s’e lëshova nga duert deri sa u kënaqa dhe u ngopa me të deri sa e mbarova. Përkthimi asht i përsosun, pjella e një mjeshtrije të holle[ që i zotnon të dy gjuhët dhe aq i lehtë e i rrjedhshëm sa i duket njeriut se asht tue lexue nji vepër origjinale e jo nji përkthim. Vepra vetë, Sakuntala, asht nji mrekulli e pashoqe nga ato që ngjajnë në Hindin misterioz. Qysh në hov të parë u rrëmbye shpirti i em dhe fluturoi mbi horizontin e Veriut plot magji e bukuri. Shpirti i em i unshëm, mbasi brodhi nji kohë ndër lulishtet e Parrizit Hindian, u end rreth Sakuntalës si nji flutur rrotull qiririt, por kur u shue ajo dritë lumnie si prej nji murranit t’egër rashë e u mbyta në Ganges, në lumin e lotve të derdhun prej dëshpërimit. Po. U fundosa në thellësinat e këtij lumi dhe vdiqa, por dora e Perëndis së Brahmës që pat mëshirë për mue më shpëtoi, më ringjalli dhe më lumnoi tue më ribashkue me Sakuntalën. Që të mos zgjatem po e shkurtoj: Në vazhdim të leximit të veprës zemra e eme shpesh here u rrëmbye nga rryma e dashunis së flaktë që dikohet herë mbas here, u pezmatue e u kënaq simbas rasës dhe shumë herë mbeta i shtangur ase me shpirt pezull. Me nji fjalë derdha lot dëshpërimi e gëzimi dhe shkaktarja e kësaj gjendjeje qe Sakuntala.’’ 7. (Haki Stërmilli, ‘’Burgu’’, f.245-246)
Këto janë disa referenca mbi disa nga vlerat e Skënder Luarasit si shqipërues dhe periudhën kur ka nisur këtë veprimtari.
Shpresojmë se ky shkrim do të zgjojë kureshtjen dhe përgjegjshmërinë intelektuale mbi veprimtarinë e personaliteteve të rangut të Skënder Luarasit edhe tek pedagogë e studjues të tjerë që shkruajnë tekste e hartojnë programe akademike pasi nuk hasen shumë të tillë. Për këtë temë një panoramë më të gjerë jep studimi ‘’Skënder Luarasi personaliteti, veprimtaria dhe vepra letrare’’ (P. Luarasi: Skënder Luarasi personaliteti, veprimtaria dhe vepra letrare

http://www.dardania.biz/vb/upload/sh…ad.php?t=32729)

 

Petro-Luarasi-11

Nga Petro S. Luarasi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s