Poezi nga Farida Ramadani
Përsëri kthehem
Përse, kur më prek,
zemra “thumbon” fort?
Ashtu rënë në naivitet,
s’normalizohet dot ?
Lëshuar, si një vegim,
në robim për një çast,
Ndjek emocionin tim,
në të gjithë trupin “plas”.
Si një ndjenjë e ngrirë,
si një lojë e vështirë,
Asqë e përfill ndryshimin,
refuzon kalkulimin…
Merre shpirtin tim,
vishe…
E ndiej thellë në deje…
Por, e di, s’të bën dot…
Do të hidhet në sulm
zhgënjimi,
S’qenka numri yt!…
Lodhesh në kotësi…
Ah, sa keq ndihet,
kjo fjalëzë “Lumturi”,
Përmblidhet në pak fjalë
dhe kur s’ndihet mirë,
Për pak, fare pak rri…
Më ke lakmi
Kur flas,
Ti je aty.
Kur lexoj,
përbri të kam.
Kur nis këngën ,
këndojmë të dy.
Kur bëlbëzoj,
duke bëlbëzuar
dhe Ti “rri”…
Po kur bërtas,
përse bërtet dhe Ti?!
E kuptoj,
më ke lakmi.
Të padit,
ndriçimi në sy.
Lot i lirë
Si ortek i vogël,
loti rrëshqet mbi faqe,
papushim,
si margaritar shkëlqen,
si e fshehka lumturinë!…
Një zemër e “sëmurë”,
me ngulm kërkon shërim,
Botë e mjegullt,
do të pastrojë vështrimin,
kërkon vezullimin…
Më vonë e ndiej, e ndiej,
do të niset në ndriçim…
Në rrugën diellore atje tej …
Loti do të mbetet,
diku në një cep,
krejt si lot në harrim…
Zëri yt
Si nga një orkestër fantastike,
tingujt tuaj vijnë,
shtyjnë njëri – tjetrin…
arrijnë shpejtësinë …,
Vërshojnë me ton të lartë
tek unë, në çdo qelizë,
sa maja e e maleve të shpirtit,
ngelen në çudirë…
Herë i ndjej lehtë,
nën lëkurë më prekin totalisht.
Tashmë e mësuar
në këtë rrekëtim …
Eh, kështu më ke formuar!
Simfoni plot melankoli…
Ndjenjë e dashuruar….
Spirancë e ankoruar
në shpirtin tim.
Vargje melodish derdhur…
Lloj, lloj ndjenjash përdredhur,
Vallëzojnë me violinë,
ashtu të freskëta rrinë ….
Legjenda e reve
Vështrova qiellin,
veçova retë,
Si ngjasonin:
ngjeshur fletë – fletë…
Përqëndrova sytë
atje lart, lart,
Aty ku ndjenjëhapur
më latë…
Shikoja Universin
e pafund,
sy mekur…,
sikundër në “gjumë”.
Eh, reja më dukej
aq origjinale,
Panoramë e “trishtë”
në detaje!…
Vështroj,
një karrocë me dre.
Një vashë,
po e nget nxitimas.
Asqë mendon
t’i vëjë fre.
Figuracioni i reve
prin buçimas…
Mendja e saj
vazhdoi të soditë,
por asgjë,
s’po kishte kuptim,
s´donte ,
aspak të priste:
Përqafimin
me lumturinë!
S’e ndieu
Dëshpërimin.
Papritur,
karrocën ndali,
zbriti, si shtojzovalle,
zbriti
me tonin e zbritjes:
hopa, hopa…
Rimblodhi retë
ngadalë, e lehtë – lehtë…
Magjepsur
prej bukurisë,
retë u aktivizuan
vezulluese,
nisën të gjitha
menjëherë,
në rol të damës,
në pistën vallëzuese …
Ashtu të lehta
çliruar nga emocioni
s’lanë asnjë re,
jashtë pistës,
Shoqëruan
vashën e bukur
të pikëtakonte,
djalin e dritës …
Duartrokitën retë,
tërë dashuri.
Me kënaqësi
shijuan skenën.
Para syve,
u shfaq një çudi .
Për një moment
heshtën….
në bëlbëzim …
Ylberët lëshuan
tërësisht ngjyrat,
t’ju ndriçonin
“princeshave”
gjithë fytyrat ,
U shndërruan
në të bukura…
Rifilluan
me figura të reja…
Thurja e tyre
më me ëndërr,
më me finesë,
Dashuria
shpaloste sekuencat ,
si legjendë,
mbetur,
si një film i pambaruar
në të shfaqur,
plot fantazi në qiell…
Me qiellin: katër
Nga larg
dëgjova zërin tënd,
kur një pupël
po vështroja …
Fillova të fryj,
për ta mbajtur lart.
Sa më shikove,
erdhe me vrap…
Frymëruam së bashku të dy,
buzëqeshëm,
deri në marrëzi.
Ajo valëvitej,
lodronte me ne…
Përcillnim frymën, pa fre,
Kështu u bëmë tre!…
Qielli u mahnit,
me marrëzinë tonë,
Të katërt në melankoli,
qëndruam deri vonë.