Në Emirate / Nga Bardhyl Selimi

 

e 20

 

Emiratet- nëntor 2014

Turkish Airlines dhe Stambolli

 

Nga Bardhyl Selimi

 

 

Kisha qenë në Emiratet në janar –shkurt 2011, pak muaj pas lindjes së mbesës time të parë –Deas. Padyshim ishte një përvojë e re, në një vend arab në lulëzim, përveç se shijova një plazh shtesë në dimër! Tani djali na ftoi me rastin e katërvjetorit të Deas. Kur i ke fëmijët në mërgim, sigurisht trishtohesh dhe përmallohesh, ndonëse edhe ngushëllohesh kur mendon se këtë fat e kanë gati një e treta e shqiptarëve! Kështuqë ke kënaqësi sa herë shkon dhe rri me ta, si këtë here, mbi tre javë! Edhe mbesat apo nipërit mësohen me ty, kuptojnë dhe krenohen se kanë një gjysh dhe një gjyshe (apo dy gjyshër dhe dy gjyshe, si në rastin tonë).

Këtë radhë, ndoqëm linjën Tiranë- Stamboll- Dubai. Provova se Turkish Airlines ishte vërtet një kompani në rritje dhe e besueshme, siguronte kushte më se të kënaqëshme.

 

 

e 1

 

              Në Stamboll    

 

Kisha një shpresë të arrinim në Stamboll para orës 11-30, pasi kompania organizonte për udhëtarët tranzitë, që qëndronin gjatë (ne gati 8 orë) një ekskursion turistik nëpër qytet, ajo jepte edhe një drekë. Por s’qe e thënë, ne mbërritëm vërtet në 11-30 por procedurat e akomodimit në aeroport zgjatën deri në 12 dhe nuk mundëm ta kapim turin. As në kthim nga Emiratet! Gjithësesi, ishte bukur në atë aeroport të madh që mëtonte për më shumë, nga që i kishte shtuar tepër linjat e jashtëme duke u bërë një udhëkryq I madh, (si dikur) i Lindjes dhe Perëndimit. Aty gjeje kinezë, japonezë, indianë, rusë, mongolë, arabë, gjermanë, skandinavë e britanikë, francezë e italianë, amerikanë dhe afrikanë. Fliteshin të gjitha gjuhët e botës, por sigurisht, jo zyrtarisht, përdorej anglishtja, ashtu çalë- çalë. Në vende si aeroportet e kupton sa e rëndësishme është përqafimi i një gjuhe asnjanëse e të lehtë si Esperanto.

Kështu psh u takuam në një portë që të shpinte te avioni për Dubai, por i kompanisë së Emirateve, me një çift të moshës sonë nga Franca që nuk flisnin as anglisht, vetëm frëngjisht. Mezi u muarëm vesh që të shkonim së bashku në portën e Dubait por me Turkish Airlines. Ngatërresa e dy palëve erdhi se drejtuesit e aeroportit nuk kishin caktuar porta fikse për destinacionet e ndryshme, i ndryshonin ato edhe në orën e fundit, për më tepër edhe oraret për Dubai për të dy kompanitë ishin të përafërta.

 

 

e 2

 

Ky perëndim shijohet vetëm në shkretëtirë

 

 

Sigurisht, kishin vështirësi, çdo një minutë ngrihej apo ulej një avion! Sado i madh, aeroporti Ataturk kërkonte zgjerim. Këtë po e zgjidhnin duke ndërtuar një aeroport të ri, përveç atij që ndodhet në bregun aziatik të Stambollit.

Kishim kohë “të shëtisnim” nëpër sallonet e aeroportit dhe të “kullosnim” sytë nëpër vitrinat e dyqaneve të tij të shumëllojshme. Shijuam një akullore të paparë që e shërbente një djalosh i veshur me kostum popullor. Kërkova për bakllava, pasi një miku im më ishte lutur ta blija me paret e tij për mbesën time, por nuk gjeta. Mora hallvasi shumë të mirë dhe llokumet karakteristike turke.

 

 

 

Toka me drita

 

Po e quaj kështu shtetin e Emirateve, sepse vërtet kështu duket ai i tëri natën kur fluturon mbi të. Nuk ka autostradë sado të gjatë (edhe disa qindra kilometra) apo rrugë qyteti të pandriçuar. Sigurisht nafta është me tepri dhe kushton të paktën pesë herë më pak se në Evropë! Prandaj ka edhe më pak aksidente rrugore, gjë që kushtëzohet edhe nga pajisjet e shumta të kontrollit automatik, cilësia e mirë e rrugëve dhe ligjet e rrepta.

 

e 3

 

Valltarë virtuozë arabë

 

Avioni ynë, pasi përshkoi tërë Turqinë nga Stambolli deri në Siri, mori drejtimin poshtë nëpër Irak dhe Iran, mandej kaloi mbi Detin Persik dhe u ul në aeroportin e Dubait. Djali më tha se ky aeroport është ndër më të mëdhenjtë në botë! Të paktën 110 milionë pasagjerë në vit si dhe një sasi kolosale mallrash përpunohen aty. E besova këtë kur pashë se sa shpesh uleshin dhe ngriheshin avionët aty, nga një edhe më pak se çdo minutë! Dhe pothuaj të gjithë ishin Airbuse më 400- 800 vende!

Në mbërritëm aty pas mesnate me kohën lokale, por im bir kish porositur një punonjëse të aeroportit, një marokene simpatike, që të na priste në hyrje dhe të na shoqëronte duke lehtësuar dhe shpejtuar procedurat përkatëse. Madje edhe bagazhet një punëtor tjetër i gjeti shpejt dhe na përcolli deri në dalje ku priste djali. Rruga për në Al Hamra, të emiratit Ras Al Kajmah (shkurt RAK) ishte rreth 90 km por ajo nuk ndjehet kur udhëton në ato rrugë të ndriçuara dhe me Porsche.

 

Al Hamra e Ras Al Kajmah-ut

 

Ramë të flemë menjëherë për të mos i zgjuar njerëzit e shtëpisë dhe u zgjuam vonë në mëngjes, rreth orës 9, që i bie në Tiranë ora 6! Pimë kafen në oborrin e këndëshëm pas shtëpisë, ndanë detit dhe nën palma dhe gjelbërim tjetër, duke dëgjuar zëra zogjsh që këtu janë më trupvegjël. Disa syresh ngjanin me kolibrat, ndërsa të tjerë me kumriet tona, dallëndyshet ishin të njëjta. Habitesh se si këtu, ku dikur ishte pjesë e shkretëtirës (kjo është vetëm duqind metra larg tani) është ngritur ky qytetth kaq i qetë dhe i pastër, me gjelbërim, me pishina çdo vilë, me fusha golfi dhe kushte të denja për jetesë. Dhe të mendosh se ujin e nxjerrin nga deti!

 

 

e 4

 

                      Në bregdet në mbrëmje          

                                 

Vumë re disa ishuj të rinj artificialë në det ku ishin ndërtuar disa komplekse turistike të kompanisë Hilton. Më pas do shkonim pikërisht atje çdo ditë për të bërë plazh në det dhe në pishina. Nga një aerodrom i vogël diku pranë ngriheshin dhe uleshin avionë të vegjël 2-3 vendesh që shëtisnin turistët kundrejt pagesës, ashtu sikurse edhe balonat apo aerosilet, por edhe helikopterët. Më sipër kalonte një koridor ajror i avionëve të mëdhenj.

Në Al Hamra ishte ngritur fabrika më e madhe e qeramikës në botë, tymi i bardhë i të cilës e shqetësonte disi djalin, por fatmirësisht gjatë ditës era e detit e shtynte atë drejt shkretëtirës. Por me sa dukej s’ishte vetëm kjo fabrikë, kishte edhe të tjera që prodhonin plastikë, bateri, kompjuterë, deri edhe autoblinda që dërgoheshin në zonat e konfliktit në Siri e gjetkë..Këtë po ma thosh Johani, një rumun që punonte aty që disa vjet në sektorin e mirëmbajtjes e ndërtimit. Fakti që shteti nuk u mirrte biznesmenëve taksa kishte joshur shumë syresh të investonin në Emiratet duke punësuar krahun e lirë që vinte nga India, Pakistani, Filipinet apo Afrika. Me 10 euro në ditë këta punëtorë, shpesh sezonalë, kursenin duke fjetur në kapanone të përbashkëta dhe duke ardhur dhe u kthyer nga puna me autobuzë.

Në Emiratet s’ka papunësi, sepse ai që s’ka punë nuk mund të rrijë dot, por ikën, shteti nuk e ndihmon aspak. Nuk ka kujdes social për qytetarët e huaj që përbëjnë më shumë se 8 milionë por mbase vetëm për vendasit, rreth 1.4 milionë, të punësuar kryesisht në administratë, polici, ushtri. Të huajt nuk mund të fitojnë shtetësinë, ndonëse kanë të drejtë të blejnë toka dhe shtëpi duke marrë gjithnjë viza qendrimi me kohë të caktuar. Prandaj vura re në aeroport, një ditë në mëngjes, shumë makina të braktisura qëkur. Djali më thosh se këto makina i kanë marrë me kredi nga bankat qytetarët e huaj, që mandej janë larguar kur kanë kryer punë apo nuk u ka ecur më biznesi. Le të kujdesen për makinat vetë bankat!..

E pra tërë ajo pasuri e krijuar në Emiratet është frut i punës së milionave emigrantëve qoftë punëtorë krahu, qoftë punëtorë mendje. Qeveria zakonisht jep licensa me kushtin që 51 % të kapitalit ta ketë një vendas. Zakonisht vendasit s’kanë kapital por pranojnë të firmosin sikur kanë futur kapitalin e vet, në mirëbesimin e qytetarit të huaj. Ky i fundit u jep një dividend nga fitimet e veta, por gjithnjë me riskun për t’i kthyer “kapitalin” vendasit. Tani qeveria kishte caktuar shumë zona të lira ekonomike, kur kushti i mësipërm nuk është i zbatueshëm.

 

 

e 5

 

Safari në shkretëtirë

 

 

Kriza në Lindjen e Afërme dhe Afrikën Veriore padyshim që ka shkaktuar një rigjallërim të ekonomisë së Emirateve. Me mijëra familje, kryesisht të pasura si dhe bizneset e tyre janë transferuar këtu, duke blerë apartamentet dhe tokat në shitje që në vitin 2008-2009 këtu ishin stok.

 

 

e 6

 

Një kompleks turistik i ri- ROTANA

 

Kështu vura re shumë ndryshime edhe në Al Hamra, sidomos në fushën e turizmit. Kushtet optimale të krijuara aty për këtë qëllim bënin që shumë qytetarë edhe nga Dubai dhe vende të tjera të kalonin fundjavën (e premte, e shtunë) pikërisht këtu.

Vetë në Dubai, përveç blloqeve të reja të banimit, vura re një metro mbitokësore që përshkonte qytetin me diametër më shumë se 30 km! Megjithatë, trafiku në orët e mëngjesit ishte tepër i ngarkuar. Lumi i makinave ngadalësohej të paktë gjysmë orë jo vetëm në hyrje të Dubait por edhe në disa udhëkryqe para saj. Një angleze e kish gjetur zgjidhjen: nisej që në 5-30 dhe e fillonte punën më shpejt.

Nusja e djalit po më thosh se emiri i Al Ainit (në lindje të vendit) kishte dhënë para për ndërtimin e 5000 vilave për vendasit dhe nga 900 mijë dërrhem (1 euro= 5 dërhem) çdo familje për pajisjen e mobilimin e vilave të tyre. Sigurisht ky qytet i ri që po ngrihej rrëzë malit do kërkonte punëtorë e material gjithfarësh, por edhe infrastrukturën përkatëse.

Nga emirati i Abu Dabit që është edhe më i pasuri për shkak të naftës dhe gazit të shumtë, po ndërtohej një naftësjellës që do dilte në emiratin e Fuxherias, në Oqeanin Indian, në kufi me Omanin. Kjo bëhej për të shmangur ngushticën e Hormuzit që është vetëm disa dhjetëra km nga Irani, vend që paraqet herë pas-here probleme.

 

 

e 8

 

Ditëlindja e Deas

 

 

Kam shkuar shpesh për ta përcjellë Dean në kopshtin e saj, pjesë e Akademisë së RAK-ut, rreth 20 km larg. Në këtë shkollë studionin rreth 2000 fëmijë dhe shërbenin dhjetëra arsimtarë dhe ndihmës të tyre. Kishte kushte të mrekullueshme për argëtim dhe mësim.

 

 

e 9

 

Te shkolla e Deas me Zysh Violetën

 

Pikërisht aty e nisi kremtimin e ditëlindjes Dea, me shokët e shoqet e klasës. Për fat, në këtë shkollë shërbente edhe një shqiptare nga Bicaj i Kukësit, zonja Violeta. Ajo qe martuar me një profesor arab të universitetit të Ras Al Kajmah-ut dhe kishte tre fëmijë. Edhe ajo u gëzua që na takoi neve.

 

Mësuesja, një afrikanojugore e bardhë, që kish shërbyer edhe në Londër m’u duk shumë e zonja. Gjithçka në atë shkollë ishte bërë për t’i tërhequr fëmijët, të cilët prandaj mezi pranonin të ktheheshin në drekë në shtëpi me prindërit e vetë..

 

 

e 10

 

Dea me kostumin e Shqipërisë së Mesme  

 

 

Faza e dytë e kremtimit të ditëlindjes u bë në oborrin e shtëpisë, ku u ftuan disa nga fëmijët bashkë me prindërit e tyre. Ishte diçka shumë e këndëshme. Ne i kishim sjellë Deas një kostum popullor të Shqipërisë së Mesme të cilin ajo e veshi me kënaqësi, por e ëma i kish porositur edhe një fustan siç përshkruhet në disa filma për fëmijë dhe që Dea e pëlqente shumë.

 

 

e 11

 

Festa në shtëpi

 

Në festën e organizuar bukur pata rastin të takohem me një familje italiane dhe një afgane. Zonja Rozana prej vitesh kishte ngritur në Al Hamra një biznes të sajin për djathin Parmixhano, ndërsa zonja nga Afganistani, e lindur dhe e rritur në Gjermani, kishte një firmë imobiliaresh. Vajza e saj më e madhe Sofia, rreth 13 vjeç na tregonte për shkollën ku mësonte me një farë pakënaqësie. Nuk i pëlqenin mësuesit, që nganjëherë u shkulnin veshin djemve. Madje mësuesja e frëngjishtes ua shkulte veshin edhe vajzave..

 

e 12

 

Pikturë e Deas afishuar në shkollë

 

 

Me këtë rast, ra biseda për shkollën më të mirë. U fol për një shkollë libaneze që ndonëse nuk kishte kushte shumë të mira, megjithatë siguronte një formim shkencor më të shpejtë dhe më të rreptë. Im bir dëshironte ta kalonte të bijën atje, por unë i thashë se nuk është e domosdoshme ta bënte këtë, mbasi Dea është ende 4 vjeç dhe ka nevojë më shumë të argëtohet dhe të edukohet në një mjedis të pastër dhe të sigurt si RAK Academy. Për më tepër, nuk duhet ta sforcojnë atë me kurse të ndryshme aktrimi, patinazhi apo noti që bëhen në vende të largëta çdo javë, deri në Dubai!

 

e 13

 

Dhomat e fizkulturës, të baletit, të muzikës, etj.  

 

Përshtypje shumë të mira mora nga Dita e Hapur që shkolla organizoi pak më vonë. Ishte si një panair edukimi ku në klasa të ndryshme demonstrohej lloji i veprimtarisë që kryhej apo pëlqehej nga fëmijët. Kështu ishin Dhoma e Artit dhe e Zejeve, Dhoma e Eksperimenteve, Dhoma e Fizkulturës, Dhoma e Baletit, Dhoma e Punës së Dorës, Biblioteka dhe Libraria, Dhoma e Muzikës, Këndi i Kafshëve të emiratit etj. Fëmijët e prisnin me gëzim këtë veprimtari. Madje një shoqe e ngushtë e Deas, Frea, një angleze bjonde, edhe pse kish thyer këmbën një ditë më parë duke lozur, erdhi me karrocë e shoqëruar nga e jëma për të mos e humbur rastin.

Në këtë ditë mësuesit konfirmonin edhe një herë prirjet e fëmijëve ndërsa agjensi të ndryshme bënin oferta (si psh për kurse baleti).

 

 

Në shtëpi

 

Edukimi vijonte rregullisht edhe në shtëpi. Mbesat kishin dhomën e tyre të lodrave ku ishte vënë edhe një tabelë për vizatim dhe aritmetikë! Veçanërisht nusja punonte me bijat e saj, gjë që padyshim e lodhte pas punës së vet kryesore, por edhe i jepte kënaqësi.

 

 

e 16

 

Dhoma e lodrave      

 

 

Shëtitjet në park dhe nëpër pishina ishin gjithashtu pjesë e programit ditor, sidomos në fundjavë.

 

 

Të dyja mbesat ndiqnin me kërshëri filma vizatimorë dhe për fëmijë, apo dëgjonin muzikë, madje Dea mbante mend edhe titujt edhe personazhet. Unë përpiqesha të tregoja ndonjë përrallë gjithnjë duke u kujdesur jo vetëm që ato të kishin një moral pozitiv por edhe të shpreheshin me fjalë të kuptueshme. Dea gjithsesi bënte vërejtje kur unë thoja ndonjë pasaktësi ose ndonjë shprehje të paqartë.

Pas darke ne ndiqnim filma të regjistruar ose emisionet e Shqipërisë përmes programit të njohur TIBO.

 

 

Hotelet Hilton

 

Sikurse e përmënda më sipër, në Al Hamra ishin ndërtuar komplekse të reja hoteliere cilësore. Hoteli pesë yjesh Wandolf Astoria ishte një prej tyre, i përuruar më 2013. i përbërë nga tri ndërtesa të lidhura bashkë, i cili,për nga arkitektura, më përgjasonte më Taxh Mahallin e Indisë, që e kam parë vetëm në filma. Aty vinin çifte të porsamartuara, familje të tëra vendasish, por edhe turistë nga Evropa dhe Azia që shfrytëzonin paketat dyjavore për 1800 euro dhoma me mëngjes e darkë. Përndryshe, qendrimet njëditore kushtonin 350 dhe më shumë euro dhoma.

 

 

e 18

 

Në mjediset e Astorias

 

Im bir dhe nusja shkonin aty për palestër, ndërsa neve na kishin abonuar për pishinat dhe plazhin, që ishin të mrekullueshme. Pranë Astorias ishte një hotel tjetër Hilton ku kishte një restorant MAI TAI Lounge dhe ku shishqebapet me mish qingji etj mund të vazhdoje t’i piqje edhe vetë mbi flakën e një zjarri aromatik mbi tryezë.

 

e 20

 

Pamja nga Astoria

 

Pak më tutje ishte hoteli tjetër Hilton, Double Trees, nga ku shtrihej një panoramë e jashtëzakonshme e detit, madje në mbrëmje mund të dalloje edhe dritat e Iranit. Aty provova për herë të parë nargjilenë, ndonëse mushkëritë e mia, me sa duket, mezi e përballonin atë.

Në kompleksin tjetër, ROTANA, të ngritur pak si në breg, shijoje jo vetëm panoramën e bukur të detit por edhe pije të veçanta.

 

Kulla Burj Khalifa

 

Padyshim, simboli i sotëm i Dubait është Kulla e lartë 828 m, Burj Khalifa. Gjatë vizitës së parë nuk arrita të ngjitem në të. Këtë radhë, djali i bleu biletat përmes internetit dy ditë më parë, pasi numri i vizitorëve ishte tepër i madh. Masat e sigurisë për të hyrë aty ishin të jashtëzakonshme. Ne u ngjitëm deri në verandën e katit të 124 (nga 200 gjithsej) nga e cila shpresonim të shihnim perëndimin e diellit. Por nuk ia arritëm dot kësaj, pikërisht sepse radha ishte tepër e gjatë, ndonëse ashensori i madh na shpinte atje shumë shpejt (në zbritje një minute!). Shumë fotografë privatë na prisnin për të bërë poza për kujtim, sigurisht kundrejt një shumë bukur të lartë (20 euro!). Megjithatë djali e porositi një pa kornizë, me 10 euro. Natyrisht ne vetë bëmë shumë poza me aparatin tonë.

 

 

e 22

 

     

Një kujtim me djalin

 

Nga lart shikonim lumenjtë e makinave që hynin në qytet nga drejtime të ndryshme, qiellgërvishtëset e tjera të shumta ndërsa në det një grup të madh ishujsh të rinj artificialë që, të parë nga aeroplani, të jepnin përshtypjen e hartës së globit!

Në sheshin poshtë kullës ka gjithmonë qindra e qindra njerëz që përveç se pozojnë para kullës dhe hanë pica të shijshme te Carluccio, presin çdo gjysmë ore të shohin spektaklin e mrekullueshëm të shatërvaneve që shoqërojnë një arie klasike apo një këngë arabe, kineze etj.

Pranë ndodhet Dubai Mall, një qendër tregtare e stërmadhe ku gjen jo vetëm lloj lloj mallrash dhe shërbimesh, por edhe Akuariumin, edhe pistën e patinazhit (Dubai Rink).

 

e 23

 

   “Ujvara” në Dubai Mall

 

Shkuam edhe te Hoteli Vela, dikur simbol i qytetit. Pranë tij ndodhet një Pazar karakteristik Souk i stilit maroken, por edhe venecian, pasi nëpër kanalet e shumta ujore që e rrethojnë, turistët shëtisin me gondola! Edhe aty shijon pica të shijshme italiane.

 

Një befasi të këndëshme organizoi im bir një pasdite duke na shpënë në një fshat beduinësh, por që nuk banohej vërtet më nga beduinët. Kishin improvizuar për turistët një varg tendash të mëdha, deve për shëtitje, koncert me valle arabe, darkë me ushqim arab.

Para kësaj, me makinën special, iu ngjitëm dunës ranore për të parë perëndimin e diuellit. Menjëherë pas nesh u dukën 7-8 makina të ngjashmë që përdoren për SAFARI ku kishte deri në 7 turistë secila dhe të gjithë së bashku formuam një bashkësi. Me në udhëtonte një familje nga Finlanda, por aty pashë gjermanë, anglezë, francezë, japonezë, afrikanë.

Shoferi ynë ishte një pakistanez, Muhameti, i këndëshëm në bisedë dhe paraqitës i programit.

 

Duke “shijuar” shkretëtirën

 

Ditën e parafundit bëmë “pushim”. Ime shoqe gatoi një tavë kosi aq e pëlqyeshme jo vetëm për tim bir.

Gëzimi ynë qe tepër i madh pasi Dana, mbesa një vjeçare, nisi të ecë, bëri dhjetë hapa pa u rrëzuar!

Dana nisi të ecë vetë

 

Kthimi

 

Herët në mëngjes (me kohën e Shqipëri ora 2) u nisëm për Dubai për në aeroport. Rruga ishte pa trafik. Morëm avionin e Turkish Airlines, sërish një airbus rreth 500 vendesh.

 

 

e 24

 

Avioni Dubai- Stamboll

 

Për 4.5 orë mbërritëm në Stamboll ku gjithashtu do qendronim deri në mbrëmje! Si ne kishte plot pasagjerë tranzitë të linjave të tjera si për Japoni, Amerikë, Afrikë, Ukrainë, Skandinavi. Disa flinin nëpër stola, sidomos fëmijët. Kisha pranë një familje nga Dnjepropetrovski i Ukrainës. Djali i vogël 10 vjeçar, Serjozha, nuk flinte ndërsa e motra dhe vëllai më i madh dremisnin. Nisa t’i flas atij rusisht dhe t’i propozoja një problem aritmetik zbavitës: Një shishe me qumësht kushton 10 dërhem, qumështi vetë kushton 9 dërhem më shumë se shishja bosh. Sa dërhem kushton shishja bosh?

Serjozha, ndryshe nga shumë të tjerë, edhe nga ish nxëënsit e mij, nuk nxitoi të thosh 1 dërhem, gjë që është e gabuar. Kur e pyeta a kisha qenë i qartë në parashtrimin e problemit u zgjua e motra që e kish dëgjuar mirë dhe ia përsëriti. U zgjua dhe vëllai tjetër që studionte në një lice matematikor. Ky e dha përgjigjen e saktë: gjysmë dërhemi. U gëzova që kështu ua largova pak mërzinë edhe këtyre fëmijëve. Si është situata te ju, vijova ta pyes djalin e madh. Luftimet janë 200 km larg u përgjigj ai.

M’u kujtua biseda që bëra me një çift të rritur, po nga ai qytet, në një nga pishinat e Al Hamrës. Gruaja ukrainase, një biznesmene me sa duket, më thosh se situata nuk është ashtu sikurse e paraqesin kanalet ruse! Por më pas më tha se Ukraina nuk ka ndonjë fitim ose nxitim për të hyrë në Bashkimin Evropian. Unë i thashë se nuk mendoj kështu. M’u kujtua biseda me rumunin Johan, qe vërente se qoftë edhe për ta luftuar korrupsionin hyrja në BE është e dobishme. Tani, sqaronte ai, nuk mund të vjedhësh lehtë, pasi për projektet e ndryshme nuk përgjigjen vetëm vendasit, por edhe përfaqësues nga BE, një gjerman, një francez, një britanik etj..

Duke u endur nëpër koridoret e aeroportit u bëra dëshmitar i një avarie në sistemin e furnizimit me ujë. Një nga tubat e gjerë në dysheme që përdorej mbase në rast zjarri, shpërtheu dhe punëtorët mezi e përmbanin valën e ujit që përhapej. Sollën edhe disa makina që thithnin ujin por kjo vazhdoi bukur gjatë, rreth një orë.

 

Duke thithur ujin

Këtë radhë nuk u ngatërruam për të gjetur portën e Tiranës, rreth një orë e gjysmë përpara në tabelat elektronike e shfaqën numrin e saj. Në avionin me rreth 200 vende nuk mbeti pothuajse asnjë karrige e lirë. Shumica shqiptarë por edhe turq dhe kombës të tjerë udhëtonin bashkë me ne. Këtë radhë dëgjoja edhe të qara fëmijësh që gjithnjë më japin kënaqësi dhe siguri.

 

 

Bardhyl Selimi, 21 nëntor 2014

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s