Pas një leximi të këndshëm të vëllimit poetik “Porta të hapura”! ( Fjala – gravurë e një ditari poetik “Porta të hapura” – Shefqete Goslaci ) / Nga Dr. Zejnepe Alili -Rexhepi

10405471_772116986193751_8244672262611119890_n

Pas një leximi të këndshëm të vëllimit poetik “Porta të hapura”!

Fjala – gravurë e një ditari poetik
“Porta të hapura” –  Shefqete Goslaci

 

 

zejnepe -2

Nga Dr. Zejnepe Alili -Rexhepi 

 

 

E djeshmja dhe e sotmja e luftëtares
Nën magjinë e vargut, ndjenjës dhe formësimit poetik të vëllimit “Porta të hapura” të poetes Shefqete Gosalci, kupton se ajo shkruan me pasion dhe maturi njëkohësisht, ndien me shpirt, teksa gjykon si dëshmitare ngjarjesh të rëndësishme kombëtare. Poezia nuk krijohet vetëm me qëllimin ndaj vetvetes, ndonëse pikërisht emocioni brenda saj i jep rrjedhë drejt kuptimit më të gjerë. Poetja, e transmeton bindshëm subjektin lirik, duke u bërë e pranishme me po të njëjtën vëmendje e mjeshtëri vargëzimi edhe në veprën e tretë “Porta të hapura”, ku përkushtimi është akoma më i theksuar pas dy veprash poetike: “Gjaku gjakut i përgjigjet” (2002) dhe “Më ke urë në qiell” (2007).

 

portret sh

    Shefqete Goslaci

 

Ideja poetike në këtë vepër përcillet, jo vetëm me shkathtësinë krijuese, por edhe me universalizmin e imazhit kur “dhembjes i shemben kullat”. Shefqete Gosalci, është poetja që “farkëton një diell me rreze shpate…”, është vasha shqiptare që nuk e la të përgjakur Atdheun, për një udhëtim ëndrrash të kristalta. Fakti që, poezitë e Shefqetes janë shkruar me vrull gjaku e traditë fisërore, të lënë shijen e vargut që ngrihet majë buzësh, si pëshpërimë përvëluese e stinës së përgjakur, kur re të zeza kishin rënë mbi Kosovë, një kohë tash më e arkivuar diku, ndonëse ato mbeten kujtime të rrudhosura mbi trishtimin e viteve të shkuara, si gravura të pashlyeshme rrëfimesh të trishta. Ky vëllim poetik ka vulën e një ditari luftë-paqeje, ku të vargëzuara janë rrëfimet e historisë së një trualli.
Në qendër të subjektit në “Porta të hapura” është ëndrra për lirinë shpirtërore dhe kombëtare, që u bë pre e skllavërimit të gjatë serb. Jeta e izoluar, në margjinalizim të artit dhe kulturës, qe prangim shpirtëror, që pati çmim të lartë për brezin e viteve të ’90, andaj po ata shpirtëra çohen peshë si dallgë të tërbuara, sapo ua hedh një sy LIRIA – ky emërtim ëndrrash si ndonjë pranverë e shumëpritur. Në këtë stinë la gjurmë edhe një luftëtare, një shpirt gruaje, një poete…, të cilës më shumë se ëndrrat i vlente liria. Një lidhje e ngjeshur midis jetës dhe vdekjes, përjetimit të lumtur dhe hidhërimit të shpirtit, qëndron edhe te vetë poetja, tepër e brishtë në prekjen e ëndrrës së saj, por tejet e ashpër në theqafje të botës së padrejtë, për të kaluar kushdo qoftë jetën në ankthin e frikës dhe mëkatit. Jeta për të nënkupton lumturi, drejtësi, dashuri… Simboli i lirisë, flijimi për diellin e së nesërmes, në Kosovë kanë të njëjtën vatër lindjeje – Drenicën, edhe pse aso kohe, shumë herë plumbat vrisnin edhe ëndrra.
Viti ’99 është simbolika që e deshifron tërë tmerrin e epokës… “Jam rrënja, uji e djersa…”, shkruan poetja: “Aroma e tokës/ Unë themeli juaj dhe ëndrra/Gjuha dhe fytyra pa grim/Mos më flijoni si Rozafë/ Jam rrënja, uji e djersa/ Kurrizi, kënga e gëzimi/Gjiri juaj dhe loti/ Më mbani në prehër” (Kultura në komë, 25). Si mund të rrimë indiferent ndaj vargjeve “Aroma e tokës…”, kur në to ndiejmë zërin e thekshëm të krijueses që me kurajon intelektuale dhe dinjitetin e palëkundshëm njerëzor reflekton mesazhet e shpirtit?
Zëri i saj është i brishtë, femëror, por jo gjithherë, sepse poetja shpreh brengën për popullin shqiptar. Në Kosovën e para viteve ’90, qenë të shumta vajzat e kësaj toke që ëndrrat e tyre rinore, për aromë trëndafilash e kopshte trëndelinash, i zëvendësuan me aromë baroti e beteja arenash të përgjakura. Ky qe fati i mijëra vajzave kosovare që ishin brumosur me dashurinë për këtë dhe. “Më quajte trëndafil të egër/ Dhe të tillë më dëshiroje/ U gjakose gjembave të mi/ Nga nëntëdhjetë e nëntë përpjekje/ Të më doje…” (Magjistari, 24).
Frymëzimi poetik është nxitur nga ngjarjet konkrete ku si në teatër hapen pamje që e zotërojnë autoren. Poetja, është brenda këtij teatri apo është imagjinata e saj që ngjitet bëmave të këtij realiteti. Sigurisht, vargjet jetësohen mbi metaforat e poetes, të cilat e qartësojnë mesazhin e kësaj dileme?!

(Vijon)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s