Asgjesimi i Esperantos / Nga Walter Zhelazni

Asgjesimi i Esperantos

 

Nga Walter Zhelazni 

 

Esperanto është një nga gjuhët e masakruara kaq përsosmërisht sa që krimin e kanë fshirë nga kujtesa kolektive. Gjuhët i vrasin sipas dy mënyrave. Duke i eliminuar fizikisht folësit e gjuhës (si ato të jidishtes) ose duke e hequr gjuhën nga jeta shoqërore. Kështu ndodhi për shembull me bretonishten në Francë. [Żelazny 2000: 158-194]. Ky procedim quhet linguicide në gjuhën  frënge, të cilën Roland Breton [1995: 104] e përkufizon si gjuhë amtare e një popullsie e të njëjtit gjak”. Nuk kanë munguar atëhere poshtërimet, falsifikimi, gënjeshtrat dhe propaganda dashakeqe. Mjafton të kujtojmë faktin që shumica e shkollave e të ashtuquajturës Bretoni e Poshtëme (Finistere dhe departamentet e afërme), kanë pasur në Republikën e Tretë Franceze tabelëza me mbishkrimin: Defenser de cracher par terre et de parler breton! (Ndalohet të pështyhet në tokë dhe të flitet bretonisht!).

Nga ana tjetër, deri para pak kohësh, kjo ishte e dukshme në shumë vende të Francës. Qeveritarët mundeshin pa u ndëshkuar të poshtëronin kombet e veta dhe minoritetet gjuhësore, sepse zyrtarisht ato nuk gjendeshin në Francë.

linguicide-in e Esperantos ne qendrojmë para disa problemeve metodologjike, sepse ajo nuk është gjuhë me gjenezë etnike, por e flasin përdorues të përkufizueshëm shoqërisht. Duke e lënë mënjanë këtë problem, mund të them se gjatë luftës së dytë botërore është vrarë një pjesë e madhe e përdoruesve të saj, ndër ta, pothuaj të gjithë çifutët, që formonin pak a shumë një të tretën e esperantistëve në Evropën Meslindore.

Shumë anëtarë të Shoqatës Esperantiste Zamenhofiane kanë marrë pjesë në kryengritjen që shpërtheu në geto. Disa, pas mbarimit të betejave i kanë deportuar në kampet e përqendrimit të vdekjes në Treblinka dhe Majdanek (pranë Lublinit), ku ata u mbytën me gaz. Nga treqind anëtarë të Shoqatës Esperantiste Zamenhofiane shpëtuan vetëm dhjetë. [Chmielik 2011:49].

Pjesën tjetër e realizuan me anë të metodave klasike, me të cilat zhduken gjuhët “e papërshtatshme” nga pikëpamja politike.

Gjatë luftës botërore Kryqi i Kuq e përdori Esperanton për t’i ndihmuar robërit e luftës në Evropë dhe Siberi. Këtë e dimë nga librat e Tivadar Soros-it (1894-1968), ta atit të financierit me famë botërore dhe sponsorit  George. Ai u bë esperantist dhe mbështeti revistën më të mirë kulturore esperantiste deri tani, Literatura Mondo.  Ai është autor i kujtimeve për endjen e tij nëpër Siberi Modernaj Robinsonoj (1923) dhe veprën për likuidimin nazist të çifutëve në Budapest Maskerado ĉirkaŭ la morto (1965).

Lidhja e Kombeve përgatiti projektin për të futur gjuhën ndihmëse ndërkombëtare “duke marrë parasysh pengesat gjuhësore, që pamundësojnë kontaktet ndërmjet njerëzve dhe nevojën e ngutshme për të siguruar mjetet e domosdoshme për një ndërkuptim të saktë midis kombeve. [Rapport…1922]”. Këtë projekt e mori si nismë më 9 dhjetor 1920 zviceriani Edmond Privat, që i bindi të dërguarit nga dhjetë e më shumë vende (Brazili, Kolombia, Haiti, Belgjika, Kili, Kina, Afrika e Jugut, Italia, Hindia,Ҫekosllovakia, Persia). Më 2 shtator u bashkuan shtete të reja- Rumania, Polonia, Finlanda, Shqipëria, Japonia, Venezuela. Më 28 korrik 1922 dokumenti iu paraqit shteteve anëtare gjatë Mbledhjes Plenare të tretë të Lidhjes së Kombeve.

Pa u marrë me hollësitë, do të them menjëherë, që Franca përgatiti dhe udhëhoqi një opozitë  kundër këtij projekti dhe njëkohësisht ministri i arsimit, Leon Berard, e ndaloi mësimdhënien e Esperantos në Francë. Nga ana tjetër, Franca i detyroi disa të dërguar për të bërë kundër – deklarata, si për shembulkl ajo e dëgjuar nga Szymon Aszkenazy, që përfaqësonte Poloninë në Lidhjen e Kombeve:

Dëshirojmë të nënvizojmë që ne kuptojmë me nocionet “gjuhë ndihmëse ndërkombëtare” një gjuhë ndihmëse praktike, që nuk ka të drejtë askund të sfidojë prestigjin shumëshekullor të frëngjishtes, si gjuha e diplomacisë ndërkombëtare [cituar sipas: Lapenna 1970: 89].

Sulmi i Francës kundër Esperantos pasoi nga fiksimi i saj për kulturën dhe qytetërimin superior të saj. Dhe, duke sulmuar Gjermaninë, i dërguari francez paraqiti madje kallëzimin, që ky shtet e përdor Esperanton për qëllime propagandistike [Huber 1973]. Në vitin 1923 gjatë Mbledhjes Plenare të katërt të Lidhjes, profesori Jacques Bardoux tha haptazi, që këtë radhë qeveria franceze ka për qëllim ta ndalojë çështjen e Esperantos [Lapenna 1970: 83-102], si rrjedhojë asnjëherë nuk u ratifikua ky projekt dhe debati për gjuhën ndërkombëtare mbaroi.

Në këtë mënyrë u varrosën ëndërrat e miliona njerëzve, që donin të mësonin një gjuhë të lehtë, ndërkombëtare dhe asnjanëse. Shovinizmi i Francës, që nuk lejoi të realizohej një ndryshim gjuhësor i madh, i krahasueshëm me qëllimet dhe përpjekjet e lëvizjeve emancipuese, që pas vitesh e asnjanësuan opinionin për skllavërinë, paragjykinet racore apo diskriminimin etnik, në fund u kthye kundër saj .

Në vitet 1930 nisën përndjekjet e esperantistëve njëkohësisht në Gjermani dhe Bashkimin Sovjetik, dhe gjithashtu në Portugali, Itali, Japoni dhe Spanjë. Hitleri [1941:337] paraqiti opinionin e vet për Esperanton kështu:

Për sa kohë që çifuti nuk është bërë zot mbi popujt e tjerë, ai, dashur – padashur, duhet të flasë gjuhën e tyre, por menjëherë kur ata do bëheshin shërbëtorët e tij, ata të gjithë duhet të mësojnë një gjuhë universale (psh Esperanton), në mënyrë që me anë të këtij mjeti, çifutëria të mund të sundojë mbi ta më lehtë.

 

Gjatë luftës së fundit botërore në Gjermani dhe Bashkimin Sovjetik, por edhe në vendet e pushtuara nga Rajhu i Tretë, esperantistët thjesht i masakruan. Familjarët e Zamenhofit u vranë gjatë muajve të parë, pasi gjermanët hynë në Varshavë. Në gulagët sovjetikë u zhdukën shumë esperantistë. Por raprezialjet dhe arrestimet nuk i shpëtuan edhe esperantistët e Portugalisë, Italisë, Japonisë apo Spanjës.

Nuk mundemi megjithatë të themi me siguri deri në cilën shkallë vetëm të qënit esperantist e tyre ishte shkaku për të tilla përndjekje, sepse mund të kishte rol edhe antisemitizmi (kryesisht në Gjermani) apo kallëzimi për spiunazh (kryesisht në Bashkimin Sovjetik).

 

E ardhmja gjuhësore e Evropës dhe e botës

 

Tani duket sikur anglishtja e ka mbisunduar tërë botën për një kohë të gjatë. Pavarësisht nga si do kuptohen këto fjalë, askush nuk ka dhënë garanci për triumfin e saj të pafund, dhe po njësoj, sikurse anglishtja u përhap bashkë me mbizotërimin e Perandorisë Britanike dhe SHBA, ajo do e humbasë ndikimin e vet në përpjesëtime të ngjashme, sipas të cilave tkurret ndikimi i botës anglofone.

Ende dikur, për “popullarizimin” e gjuhës ka vendosur arti superior (opera italiane, letërsia franceze), shkenca (filozofia gjermane) dhe më herët kolonializimi. Sot asnjëri nga faktorët e emëruar nuk e përcakton suksesin e ndonjë gjuhe të re ndërkombëatre, aq më tepër që kultura masive, deri tani e transmetuar vetëm me ndihmën e anglishtes, sot nuk ka më nevojë për të, përjashtimisht.

Pozicionin e anglishtes mund ta lëkundë pak e nga pak “muzgu” i SHBA. Zakonisht ndryshimin e situatës gjuhësore ndërkombëtare e ndikojnë faktorë plotësues.

Faktor i parë është demografia. Kjo shihet me ekspansionin latinoamerikan nëpër SHBA, kinez nëpër Lindjen e Largët, arab nëpër Lindjen e Afërt dhe Afrikë dhe madje nëpër Evropë.

Faktor tjetër mund të jetë diçka që sot duket e kundërarsyeshme- ekspansioni i fesë së re, i rendit të ri moral. Në këtë mënyrë Reformacioni e varrosi latinishten. Islami- gjuhët kopte dhe hebree. Në logjikën e kundërarsyeshme përshfaqet “hakmarrja”. Për shkak të politikës së dikurshme koloniale, Parisi e ka humbur sot kontrollin e vet mbi frëngjishten në Afrikën Veriore. Nazizmi ka ndihmuar që gjermanishtja ta humbë rolin e vet udhëheqës të vjetër në të ashtuquajturën Mitteleuropa.

Gjuha luan një rol “ndërkombëtar” thuajse gjatë jetës së disa brezave (rreth 200-300 vite), ndërsa qytetërimet vijonë disa qindra vite. Në qytetërimin atllantiko-mesdhetar tashmë disa herë kanë ndryshuar gjuhët ndërkombëtare- nga latinishtja te frëngjishta gjer të anglishtja, në epokën antike kanë ndodhur më shumë ndryshime të tilla.

“Gjuhët ndërkombëtare” njerëzit nuk i mësojnë masivisht, për t’u thelluar në veprat e Ibn Hhaldun-it, Rabelais apo Shekspirit, por vetëm sipërfaqsisht, për të pasur një qasje të menjëherëshme në tregje të ndryshme. Kur shfaqet një garim i ri, një treg i ri, një modë e re, një rend i ri moral, ndryshon edhe gjuha ndërkombëtare. Dhe gjithë këtë e ka tani Kina.

Ka edhe një faktor tjetër, krejt i pavëzhguar nga gjuhëtarët- kompjuterat, interneti, shpikjet teknike, që e nisin invadimin e tyre me anë të anglishtes, duke u kthyer pastaj kundër kësaj gjuhe, që vijon të jetë më e shpeshta në internet, por për shkak të gjuhëve të tjera, ajo dalngadalë e humb rëndësinë. Dhe është një fenomen krejt të ri, pa analogji historike.

Në librin e vet të ri The Last Lingua Franca: English Until the Return of Babel, Nicholas Ostler [ 2010] supozon që epoka e anglishtes do mbarojë bashkë me Intenetin, dhe pikërisht bashkë me përpjekjet ingjinierike për ta përsosur përdorimin. Bashkë me humbjen e hegjemonisë anglo-amerikane anglishtja do humbasë statusin e saj të deritanishëm, dhe asnjë gjuhë tjetër nuk do mund ta zëvëndësojë atë. Jashtëzakonisht shumë do rritet domethënia e gjuhëve globale “rajonale”, si spanjishtja, portugalishtja, arabishtja, kinezishtja, madje hinduishtja dhe svahilishtja, por ato nuk do ta mbisundojnë botën, sepse ne po kthehemi në Kullën e Babilonit, ku falë internetit çdo njeri do mund të shkruajë, çfarë do në çdo lloj  gjuhe dhe të përkthejë këtë në një gjuhë tjetër. Kush e njeh mjaftueshëm anglishten dhe frëngjishten, mund të vejë re se në cilën shkallë e kanë përsosur në internet përkthimin automatik dhe po shpikin programet e njëjta për gjuhët e tjera. Megjithatë, përkthimi me kompjuter asnjëherë nuk do ta mbisundojë atë njerëzor.

 

 

 

Bardhyl Selimi

Përgatiti: Bardhyl Selimi 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s