Dosja / Tregim nga Teuta Sadiku

Dosja

 

 

22768_100821573281077_4470838_n

Tregim nga Teuta Sadiku

 

Duhej të nxitonte , të arrinte zyrat pa u mbyllur dyert e tyre të rënda plumb,me atë tërsëllimë që të ngjethte mishtë sa here hapeshin e mbylleshin.Ajo godinë që lartësohej para saj ishte bërë mortje ,po ja që duhej të shkonte e të paraqiste letrat,fotografitë,një çertifikate të gjendjes civile.Të gjitha në një dosje dalë boje e gërryer nëpër cepa sikur ia kishte ngrënë njeri me dhëmbë.Godina dergjej aty mbi atë trotuar të zhurmshëm, me trupin mbushur  plot  lajmërime, reklama,foto,që dukeshin si  fasho e garza spitali, për të mbuluar plagët  e saj të reja dhe të vjetra.

Porta e vjetër ishte e hapur ,si një gojë  e shqyer e uritur që pret me padurim racionin e vet,një copë mish,një zarf me lekë apo një dorovitje  nën dorë.Të gjithë duan e presin diçka  për tu mbajtur gjallë në këtë jetë.

Mori ashensorin për më lehtë,por më kot sepse ashensori ishte  një rrangallë e vjetër që veç ulërimës  së dhimbshme që lëshonte të jepte përshtypjen se po shkoje  vërtet me këmbët e tua në Ferrin e Dantes. Ai vend vërtet se çkishte diçka nga Ferri plus  edhe mënyra se si trajtoheshe atje nga punonjësit.Ti merrnin dokumentat me një mospërfillje dhe I çonin nga ca kthina pas ku një zot e dinte se si zhdukeshin pa nam e nishan.Humbën, nuk I gjejmë dot, justifikoheshin punonjësit.Ishte tmerr të mendoje se të duhej të filloje nga e para atë Golgotha me letrat.I gëlltiste Ferri,një nga një, jo vetëm letrat por dhe ata , të huajt, nga ishin e nga s΄ishin,me gjithë lecka e pecka,I stivosnin në labirinthin e padukshëm të emigrimit  e hajde o I ,varfër të dilje I gjallë që andej.

Një fasho e bardhë tej e tej  mbi syrin magjik të portës ku shkruhej se ishin transferuar në tjetër ndërtesë ,sikur e ngrohu pak.Më në fund Ferri I Dantes ishte mbyllur. Nuk ka më Ferr?!.As Dante.?! Jo Dantja egzistonte,në Parajsë.Përderisa ishte mbyllur Ferri tani duhej të merte rrugën drejt Parajsës.

Mori rrugën e kthimit drejt ndërtesës së re me dosjen e vjetruar në duar.Haleluja, thoshte me vete ,pos sa herë që e pëshpëriste i dilte, Halle lumja..Jo duhej të mendonte pozitivisht,që çdo gjë ti ecte mbarë.Do dorëzonte letrat , çertifikatën e gjendjes civile, fotografitë..Gabim.Në fillim do paguante lekët,do dorzonte letrat,   çertifiktën e gjendjes civile dhe pastaj fotografitë.Më në fund do të merte kartën jeshile në dorë.

Mbajti këmbët para një godine të re ,katër katërshe.Kjo këtu duhet të jetë.I hodhi një sy ndërtesës nga lart poshtë.Lart shkruhej me gërma të mëdhaja.GALAKTIKA. Ooo,sa mirë, emërtimi i pëlqeu shumë.Ja ky do të thotë ndryshim , ndryshim rrënjësor.që në emërtim.Galaktika,që do të thotë se tani që këtej e tutje , ajo dhe gjithë të huajt e tjerë do të ishin në të tjera Galaktika , dhe jo si godina e mëparshme që ishte një Ferr i vërtetë.Ja kjo ishte Parajsa,parajsë e vërtetë,që nga emri. Sytë i mbetën në fasadën e parme të godinës.Shenja këpucësh të mëdhaja, të vogla, sporteks, çizme, këpucë me taka, galloshe,këpucë fëmijësh…opinga, sandalle, prej lëkure ,gome, plastike . Nga mesi e poshtë trupi ndërtesës ishte mbushur plot me shenja këpucësh, si tatuazhe  ngjyra ngjyra mbi bojën e bardhë.Dominonte ngjyra e zezë, kafja e erët dhe  ngjyra gri.Nuk u zuri besë syve ,si mund ta besonte se ata, të huajt që kishin ardhur në këtë ndërtesë që quhej Galaktika, i kishin rënë të mirës me shqelma.Përse duhej ta shqelmonin, Parajsën e tyre.!! Të tjerët i luteshin zotit tu jepte mundësinë të shkonin në parajsë,kurse këta ta shqelmonin me këpucët e tyre gjithë baltë nga Ferri?!

Jo nuk mund ta besonte diçka të tillë.Ndoshta duhej të ishin ata artistët e rrugëve ,që mbushnin fasadat e ndërtesave me Grafit.

Me siguri ata do i kenë bërë,qetësoi veten dhe ngjiti tre shkallët e jashtme duke parë rreth e rrotull ambientin e ri të godinës.Iu afrua portës së xhamtë kur pa e kaluar atë dëgjoi një:

-Bib,bib,një tingull që nxjerrin mallrat kur i kalon në mekanizëm punonjësja e supermarketit,për të parë çmimin e tyre.Mbajti këmbët në mes të portës së xhamtë nga ku shihte veten e saj në pasqyrë.Ishte po ajo,me dosjen në dorë ,po ajo që ishte edhe pak më parë .Lavdi zotit që nuk isha kthyer në mall e produkt,pëshpëriti me vete, po ai tingull çtë qe atëherë. Bëri një hap pas për të hyrë edhe një herë nga e para në portat e Galaktikës.

-Bib,bib,u dëgjua  tingulli përsëri sapo këmba i ceku pragun e Galaktikës.U bë shumë kurioze dhe pa rreth e rrotull si e habitur, por kur pa që edhe të tjerët që hynin e dilnin,lëshonin atë tingull,sikur u qetësua.Ndoshta na bëjnë kontroll të fshehtë,si nëpër dogana tha,eee sa ka ecur para teknologjia.Ose ose mund të na ngjisin ndonjë numër ,pa e kuptuar as ne vetë.Kishte dëgjuar se këtej e tutje  si çdo gjë edhe njerëzit do të funksiononin me nga një cip që do tu vendoset në lëkurë.

Eeee, ja kjo do të thotë të hysh në Parajsë,pse e pakët është të hysh në Parajsë?!Edhe ashensori ku hyri kishte diçka të magjishme prej Parajse,i gjithë veshur me pasqyra, të të ikte truri i kokës fare.Jo si atje ,ku  brenda  ashensorit,shihje suvanë e betonarmenë plot thonj, shkarravitje,kafe, pështyma e të vjella,  kateve ku hyje në Ferr.

Doli nga ashensori e qetë e plot gëzim,se më së fundi u hapën dyert e Parajsës .Mjaft kishim hequr e vuajtur atje poshtë në rrathët e mbyllura të Ferrit të Dantes.

Hyri në korridorin e gjerë e të gjatë të ndërtesës duke lexuar majtas dhe djathtas tabelat e dyerve.Ja ku qenka, tha, dhe ia nguli sytë tabelës ku shkruhej me gërma të mëdhaja:Zyra e emigracionit.

Çdo gjë shkëlqente nga pastërtia dhe rregulli.Një vazo me lule natyrale zbukuronte akoma më tepër korridorin dhe hyrjen e zyrës.U mbështet mbi sportelin me fytyrën në xhamari prej nga ku përtej tij  dukeshin pak koka njerëzish.E nuk paska shumë njerëz, me sa duket Parajsa i rregullon të gjithë me sistem e pa rrëmujë.

Banaku i sportelit ishte i ri,i gjerë dhe prej druri.Vari kokën mbi duart e vendosura në fytyrë e mori frymë thellë.Ja kjo ishte Parajsa e vërtetë.Mbylli sytë nga kënaqësia ,që nuk i duhej të priste me orë të tëra në radhë.

Oh , po këto,çjanë.Mbi banak ishin gërvishtur  e shkruar  emra qytetesh , shtetesh, sheshesh,…Një hartë gjeografike e vërtetë: Korçë,Pakistan,Tiranë,Kinë,Lushnjë,Moldhavi,Rusi.Mungonte Amerika dhe Anglia.Tjetërsua kjo hartë.Po që kur paska ardhur Pakistani në Tiranë,Po Kina në kufi me Lushnjën,Bagladeshi çdo këtu pranë Durrahut?!.U kujtua  që kishte hyrë në portat e xhamta të Galaktikës.Pra kështu qenka  këtu, kjo  pra  është Parajsa.Prej porte dilnin ca koka të varura mbi gjoks që rregullonin ca fletushka nëpër duar,si fatura,si dëshmi, si trashëgimni,një zot e di se çfarë ishin.Ato fytyra të mekura  as nuk flisnin as nuk shihnin .Iu dukën si mallra e produkte nga vende të ndryshme,hipur mbi rrotat e këmbëve të tyre .

Shtrëngoi dosjen nën sqetull dhe iu afrua punonjësit të zyrës që diç kërkonte në ekranin e kompjuterit.

-Numrin ju lutem, iu drejtua ai pa e parë në sy.Ajo ngriti supet ,pa e kuptuar për çfarë numri  e kish fjalën dhe u përpoqa tia kapte  vështrimin e kredhur në kompjuter,por ishte e pamundur.

Nëpër mend i erdhën shqelmat me këpucë në fasadën e ndërtesës së re, shenjat me këpucë, çizme,sandalle, ,pasqyrat në ashensor,,pa le ajo harta e çuditshme e botës gërvishtur thellë në banakun e sportelit.

-Numrin ju lutem, e përmendi zëri i punonjësit dhe ajo atëherë e kuptoi pse dëgjohej ajo bib bib sapo kaloje pragun e ndërtesës.

– Numrin bankar, ku bëtë derdhjen e shumës së lekëve ,iu drejtua këtë radhë,duke i hedhur një vështrim ,sikur ti vinte çmimin  sa vlente ajo.

Filloi të kërkojë me ankth në dosjen e çjerrë,sikur ia kish ngrënë njeri me dhëmbë  atë çka i kërkoi tjetri përballë,kur ai e kuptoi shqetësimin e saj dhe i foli me një zë të ftohtë:

-Ngadalë, mos e humb toruan, ka radhë e vend për të gjithë ju që kini bërë pagesën……..

E la dosjen mbi tryezën e tij dhe e shtyu drejt tij si për ti dhënë të kuptonte se atje i kishte të gjitha shkresat e letrat e duhura,edhe faturën e pagesës për në Parajsë.Një dridhje e lehtë në duar e pastaj në gjithë trup e bëri të mos kishte durim të kontrollonte në atë mori shkresurinash.

Nënpunsi ju hodhi një vështrim,pastj i hoqi nga ajo dosje dhe i la mënjanë.

-Këto do të hyjnë në një dosje të re dhe do të vendosen atje me të tjerat , tha e tregoi një pirg me dosje në cep të zyrës mbuluar me një plasmas , nga ato që shtrojnë bojaxhinjtë kur lyejnë shtëpitë.Dosje njëra mbi tjetrë:të kuqe, lejla, jeshile,blu, të verdha, të zeza.Mungonte ngjyra e bardhë,po sishte nevoja ,sepse letrat brenda tyre të gjitha ishin ngjyrë të bardhë,plus që në Parajsë do hynin që këtej e tutje dhe atje feks vetëm ngjyra e bardhë .Atje preheshin  të gjitha shpirtrat nga vendet e dyta e të treta ,mbuluar  të gjithë me të njëjtin plasmas,për tu mbrojtur nga shirat dhe ngricat e kohës.

Nënpunësi u çua nga karrigia dhe iu afrua një dollapi plot me dosje bosh. Ajo ndiqte me vëmendjen më të madhe lëvizjet e nëpunësit, kë dosje do të merte, çfarë ngjyre do të ishte shtëpiza e saj.Në fillim duart e tij kapën një dosje të kuqe.Mos o zot, vetëm në dosje të kuqe të mos ta vendosnin.Për fat të mirë,nënpunsi e la atë dosje dhe duart i kapën një dosje në ngjyrë jeshile.Jo as atë ngjyrë nuk e donte , i kish dalë prej zemre.Në dosje ngjyrë të zezë nuk donte kurrsesi të futej.Më mirë të mbetej jashtë se sa në një dosje të tillë.Duart e tij kapën një dosje ngjyrë të verdhë.Uuu, të verdhë, por ajo nuk ishte as zheloze, vetëm i vinte inat se pse të rrinte gjithmonë në vendet e dyta e të treta, pse të mos bënte pjesë tek ata njerëz që  zënë e janë gjithmonë në vendet e para, në botë, në aeroplana,,në autobusë,në salla teatri….

Ajo mori frymë disi e çliruar dhe hodhi sytë për nga pirgu me dosjet e mbuluara me plasmas.Dosjet si arkivole të vogla kishin të  shkruar me markadhoro nga një numër.Duhet të jetë numri i dhomave të Parajsës.,tha me vete,ose numri i shtretërve ku do të preheshin derisa të vinte ora për ti nxjerrë që andej.Po të paktën jemi brënda, , e jo jashtë, gjysma e së keqes ,mendonte.Po më pas ku do ti çonin, po qe se do ti  nxirrnin që andej.Ndoshta ishte pak si shpejt për të menduar këtë gjë,pasi kjo  varrej dhe  se çformë do  të merte harta mbi banakun e sportelit .Po dale me , qetësoi veten, ti sa fute këmbët në Galaktikën e re.Tani se si do të ishte atje në atë Parajsë të Galaktikës së re , një zot e di , se askush nuk qe kthyer e të rrëfente  se si ishte Parajsa.Për një gjë ishte e sigurt,se në purgator kishte qëndruar më tepër se sa duhej, aq sa kishte frikë se po të rrinte më tepër me siguri në vend që të pastrohej ,do të bënte budallallëqe nga çmenduria.

Kjo ishte e keqja ,se e lije veten, trupin dhe shpirtin tënd në një dosje ku mbi të shënohej me markadhoro numri tënd.Tani ishte në duart e tyre e kur të skadohej plotësisht do të dilte prej asaj dosjeje e një zot e dinte për ku do e merte rrugën.

 

One thought on “Dosja / Tregim nga Teuta Sadiku

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s