Histori (e)skatalogjike / Nga Matteo Pulizzi

 

Histori  (e)skatalogjike

 

 

10818780_868988479826639_389220105_n

Nga Matteo Pulizzi

Ravenna

 

 

Libri i fundit i Dr. Arben Dedjes “Histori (e)skatologjike”, botim i „Pika pa sipërfaqe“, 2014, ofron, pa dyshim, më shumë se një risi në panoramën e letrave bashkëkohore shqipe.

Proza e shkurter e autorit përshkohet nga një ironi e hollë, therëse, shpesh deri në kufi me groteskun, me qëllim paraqitjen e një prej periudhave me të kobshme e më absurde të historisë së Shqiperisë: vitet e diktaturës. Faktet reale gërshetohen këtu me episode të trilluara, sajime letrare të lejueshme; e domosdoshmja deri edhe me fantastiken.

Një lexues i huaj siç jam unë, i cili nuk ka jetuar kurrë në Shqipëri, megjithë njohjen e thellë e shumëvjeçare me shqiptarët, historitë, tregimet e anekdotat që kam dëgjuar mijëra e mijëra herë këto 24 vite (qysh kur nisa të mësoj shqipen me refugjatët e parë në mars të vitit 1991), di të dallojë fantastiken në këtë prozë, aq marramendëse sa ç’ngjajnë situatat e përshkruara aty.

Tragjikja pra lind nga vetëdija që “kështu qe megjithëmend” e ndonëse thjerrëza ironike, zmadhuese, deformuese e autorit ndonjëherë të ngjall buzagas e nënqeshje, kjo nuk i heq asgjë dramës mirëfilli të nëndheshme të njerëzve të thjeshtë, të vegjël, që portretizohen aq mjeshtërisht në tekstin e Dedjes.

Autori nuk kursen thumba as për Shqipërinë e tranzicionit (shih: “Shoqata e shitësve të veçanta”) ku vihet gishti në plagët e një shoqërie pa moral, pa kulturë, pa vlera referimi. Është një pasqyrë e pamëshirshme ajo e Dedjes, që na vë përkundër pamjet e një shoqërie të shthurur, ku, përveç parasë, asgjë nuk ia vlen të përjetohet.

Nëpërmjet një stili elegant dhe me njëfarë distance portretizohet pamja e një Shqipërie të shëmtuar, e individit të humbur, i cili, nëse dikur, në kohën e Udhëheqësit kishte referime (të gënjeshtërta, absurde, qesharake), tash ka humbur çdo orientim human, njerezor.

Librin ia vlen ta lexosh edhe vetëm për tregimin e fundit “Amputime të zgjatura” që autori  do bënte mirë ta shfrytëzonte si palimpsest për një novelë a roman të ri. Nëse tregimet e mëparshme ofrojne çaste humori me elegancë të rrallë, këtu mbizotëron trishtimi i thellë, një lloj pesimizmi kafkian. Me pak faqe, me efikasitet mbresëlënës, vizatohen konturet e historisë së Shqiperisë së këtyre 90 viteve të fundit, nëpërmjet figurës së një nëpunësi mediokër, për të mos thënë banal, që bëhet megjithatë vegël e sistemit, instrument i së keqes. Dhe në fund, si përherë, fjalën e fundit e ka vdekja, si për të thënë që historia është qorre, pa dritë, pa provaninë hyjnore, pa një qëllim të mirëfilltë, një lloj tragjikomedie që megjithatë duhet të vihet në skenë.

Një libër pra pa sheqer, pa zbukurime, një udhëtim përtej hapësirës – autori jeton tash në Itali, ku ushtron profesionin e mjekut dhe kërkuesit shkencor – e përtej kohës, një qortim ironik, por asfare patetik, apo prej predikuesi, i vëmendshëm ndaj të metave e vogëlsirave të njeriut, me një ironi që të kujton F. Konicën kur fshikullonte bashkëatdhetarët e tij.

Edhe veç për stilin brilant dhe elegancën e prozës ia vlen të lexohet ky vëllim. Nuk e di nese kritikët do ta vleresojnë si prozë letrare. Sigurisht, krahasimi me Kutelin, apo edhe me satirën e Fishtës mund të ngjajë paksa i tepruar, por për mendimin tim prej lexuesi të thjeshtë, kemi të bëjmë këtu me shkruesi nga më interesantet të viteve të fundit.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s