Martesa e parë / Tregim nga Teuta Sadiku

 

Martesa e parë

 

22768_100821573281077_4470838_n

Tregim nga Teuta Sadiku

 

 

Më ka mbetur në mendje martesa ime e parë.Ishte një martesë krejt ndryshe  nga  të gjitha, një martesë pa hoxhë e pa prift,pa kishë e pa xhami.Një martesë që filloi si lojë fëmijësh por u kurorëzuam pasi premë gishtin e pimë gjakun e njerit tjetrit .Që nga ajo ditë e takimit të parë në oborr të shtëpisë së nuses, unë u bëra burri i saj.Sa herë kthehesha nga puna i lodhur  që tek dera i thërisja:

-Çfarë do të hamë për drekë, grua?

-imam ballajdi,bërtiste ajo që nga brenda.

-mmm,merre me lëng se mishi u mbarua,imitoja unë tim at sa herë dëgjonte ndonjë gjellë që nuk pëlqente.Po mua më pëlqente çdo gjë që ishte e saj e prej duarve të saj.Pasi më kishte hedhur duart në qafë tek dera dhe i jepja një të puthur në gushë, uleshim tek tavolina e kuzhinës,ku ishte një dhomë e madhe me aneks prej nga dilnin tubat e sobës të lyera me varak.Rrallë mund të hanim sepse gjellën që e jëma ja kish lënë të mbuluar me një pjatë ia hidhnim psipsinës, maces qore të shtëpisë,kurse  me thërrimet e mbetura ushqenim fëmijën tonë,një kukull të qirinjtë,me duar e këmbë të ngrira që rëndonte plumb kur e ngrije në duar.Tek shihja nusen time  sa shumë e donte fëmijën kukull ,si e përkëdhelte me fjalët aq të buta e të ëmbla e merrja vetë në krahë dhe e nanurisja,duke iu lutur të hapte gojën e të hante një lugë për mua .Nga pakujdesia  ushqeja dhe çarçafin me të cilin e mbulonim deri sa lerosej ,por nusja nuk  më bërtiste kurrë.E ndronim kukllën  të dy , e lanim të dy në një kusi bakëri me ujë duke ia ndrruar rrobat e çarçafin që e mbulonim.Shpesh e vinim në gjumë të pangrënë duke e përkundur herë unë e herë nusja ime.Kur e shihja që i mbylleshin sytë nga lodhja nuses,i bërtisja i shqetësuar:

-Prap nuk mundesh, shpejt tek doktori,shpejt, dhe shkonim tek minderi ku e shtrija me kujdes.Profesioni i mjekut ishte një nga profesionet e mia më të preferuar.Pasi ia ngrija rrobat, e vizitoja, e me pëllëmbën time mundohesha ti gjeja zemrën e vogël,të dëgjoja të rrahurat e saj.Pasi ia ndjeja si hidhej zemra e saj , i bëja një gjilpërë mbi kërthizë.Ajo shkrihej gazit  e mënt sa nuk binte nga minderi sa herë e prekja në trup për ta vizituar.Gargalisej,skuqej deri tek veshët e faqet i bëheshin prush.

-Tani ke temperaturë, vërtet ke nevojë për doktor ,i thosha gjithë seriozitet. Ngrihej, rregullonte rrobat dhe më pyeste gjithë kureshtje:

-Çfarë kam doktor?

-Asgjë shqetësuese,ja po të shkruaj ilaçet këtu ,dhe drejtoheshim tek tavolina ku pak më parë kishim ngrënë gjellën. Duhet të hash ,i thoja unë dhe përmendja fjalët e babait që i thoshte nënës të hante bukë,përndryshe  do detyrohej tia mbushte xhepat me gurë .Nusja ime  shkrihej gazit e më përqafonte fort në kraharorin e saj të vogël.Nuk e dija në përqafonte doktorin që e shëroi apo mua ,burrin e saj .

Një ditë,u desh nusja ime  të bëhej dentiste prej vërteti, sepse një dhemb përpara më lëkundej sa andej këtej dhe mendjen e kisha si ta ngacmoja me gjuhë deri sa nusja ime nuk duroi dot më.Mori një rodhan me pe të bardhë  të së jëmës e lidhi dhëmbin tim me njërin cep dhe  fundin  e perit të këputur  e lidhi  tek doreza e derës.

-Këtu ri pa lëvizur më urdhëroi.Ndenja si i shastisur ,kur dera u përplas me forcë  dhe dhëmbi im fluturoi pas perit.Më dhembi pak të them të vërtetën por qava më tepër për humbjen e dhembit dhe vendin bosh që mbeti.Po ku ta dija të kisha bërtitur akoma më shumë kur nusja ime më pushtoi me të puthura,΄΄ maç,muç, pllaq e plluq, iku dhëmbi u këput΄΄,më thoshte për të më pushuar.Nuk kishte më kënaqësi të madhe për mua ,të isha kukulla  e qirinjtë në duart e nën përqafimet e saj.Uroja të më lëviznin të gjitha dhëmbë e dhëmballë,vetëm të ndodhesha në gjoksin e saj .Le të mi hiqte të tëra dhëmbët një e nga një me pe, do i duroja dhimbjet,po vetëm të më puthte e të më përqafonte ashtu si fëmijën e saj.

Më pas për të hequr mëndjen nga dhëmbi, filluam e luajtëm symbyllazi.Kjo ishte loja  e saj më e preferuar.Më të shumtën e herës mbyllja unë po kësaj here mbylli  sytë ajo në korridor dhe unë  u fsheha   në dollap,pas rrobave.Brenda në dollap vinte aromë lule mali, herë trëndelinë e herë  si borzilok dhe unë nuk ngopesha duke marë frymë.  Nusja bënte sikur nuk më gjente dot, e më prekte me dorë ku të mundte e më pas  ia plasa gazit nga gudulisjet ,nuk durova dot.Ajo vraponte e lumtur që më gjeti tek vendi për të pshytur.

Kur mbyllja unë, ajo fshihej poshtë mindereve,ose  krevatit të prindërve , rrëshqiste poshtë tyre si ngjalë ,e më duhej të rrëshqisja dhe unë poshtë në dysheme për ta gjetur.Rrokulliseshim të dy në dysheme e qeshnim me lot..Por e qeshura më e madhe kërciste kur shkundnim njeri tjetrin nga pluhuri me pëllëmbë nga prapanicat, paf puf, paf,puf.

-Yy yyy,po ku u qelbe kështu, i bërtisja unë dhe i shkundja fustanin e shkurtër nga pas,i cili ngrihej e fluturonte e i dilnin breçkat me një shirit të hollë dantelle me grep  në shesh.

-Dale,dale,prit pak i thoja dhe afrohesha më afër dhe nuhasja poshtë fustanit të saj erën e trëndelinës e të borzilokut.

-Iiii, sa erë të pisët vjen, hiqi rrobat shpejt  për të larë, i bërtisja ,ashtu siç i bërtiste mamaja ime babait  që tek dera kur vinte nga puna. I hiqte rrobat një nga një i mblidhte shuk në dorë dhe priste që të zhvishesha dhe unë.I hiqja dhe unë pantallonat e shkurtra të rrjepura nga pas  pastaj mbathjet basme, mernim dhe rrobat e kukullës së qirinjtë e shkonim në ndarësen që shërbente si lavanderi. Atje kishte dhe rroba të tjera të futura në magje për tu zbutur në ujë të hirit, dhe me sapun të grirë përsipër.I lanim rrobat që të dy me  duart deri në bërryl mes ujit dhe shkumës.Luanim mes shkumës e fluckave të sapunit deri sa na rreshkeshin duart nga uji.Kujtoheshim që rrobat i kishim qull, i shtrydhnim fort dhe mundoheshim ti thanim.Për këtë gjë kishim gjetur një marifet,aq më tepër që mua më jepej për këto punë.Nga hekuri  rreth e rrotull sobës e tek  tubat e lavamanit ,vinim penj nga ku varnim rrobat tona.Ajo ndente  fustanin, pastaj të mbathurat e saj kurse unë pantallonat e rrjepura dhe brekët basme.

-Ua po ku e ke zogun ti , i thashë plot kureshtje ,herën e parë,kur u zhveshëm për të larë rrobat.Pa veten e saj ,pasi i shkuli sytë nga zogu im dhe u drejtua nga  kukulla duke ia flakur tutje çarçafin që mbulohej. Në sekondë harronim se çfarë kërkonim dhe fillonim e kërcenim secili për qefin e vet.Unë merja një ombrelë të vjetër pas dere për damë, kurse ajo merte një kapele të madhe kashte të së jëmës,që pas dy tre rrotullimesh e vinte në kokë duke bërë poza  të bukura.E flakja tutje ombrellën e rrëmbeja nusen time në kraharor.Kapeshim për dore e rrotulloheshim rreth e rrotul deri sa na merreshin mentë e binim të dy në shesh.Qeshnim , sa shumë qeshnim me budallallëqet tona.Një ditë qeshëm aq shumë sa na shpëtoi ujët e hollë.Ajo u lag  e para, duke i shkuar ujët e hollë rrëke nëpër këmbë,më pas e bëra dhe unë ujët duke e hedhur ujët më larg ,e duke qeshur me të madhe.Kur u kujtuam se ora kish kaluar, filluam të fshinim ujët e hollë nga dhogat e dyshemesë me mbulesat e mindereve që vareshin.Vende vende unë fillova ti pastroja me pështymë dhogat për të shkëlqyer,se mos i bërtiste e jëma, nuses sime .Pshyt unë e pshyt ajo, ooo sa shumë kemi pështyrë,sa na u mbarua pështyma.

Shtëpitë tona ishin pothuajse ngjitur njera me tjetrën,aq sa kur  dilja  në oborr shihja gjithë lëvizjet e së jëmës  së nuses sime ,kur nderte rrobat përjashta nëpër tela,kur fshinte oborrët, kur fuste një krah me dru për të ndezur sobën.Vetëm kur e shihja që   largohej duke e tërhequr me forcë portën me ristela druri,kapërceja murin e shkoja tek nusja.Nuk më bërtiste edhe kur nuk shkoja dy ditë rresht ,pasi nuk kisha  si ta justifikoja mungesën time tek shokët, por kur binte shi  e shokët nuk dilnin për të luajtur në lagje  ,unë shkoja tek nusja. Luanim të gjitha lojrat,pasi mbaronim punët e shtëpisë, ushqenim e vinim në gjumë fëmijën tonë, kukullën e qirinjtë. Shkonim në treg të dy e psonisnim, patate , qepë, karota, gjithshka që kishte kuzhina ,bënim sikur i lanim i gatuanim dhe pastaj uleshim e hanim.Çdo gjë  me përpikmërinë  më të madhe ,të shqetësuar për vajzën tonë, kukullën e qirinjtë që nuk hante, unë për gruan time që ishte aq e dobët, dhe ajo për burrin e saj që vinte i lodhur nga puna.

Një ditë prej ditësh,pasi hëngrëm bukë të dy e vumë vajzën në gjumë,filluam të lanim teshat e ndërresat tona.I varëm të mbathurat tona  në telat prej peri në kuzhinë dhe u shtrimë për tu çlodhur.Më mori e lumturuar në kraharorin e saj,e pasi më puthi e ledhatoi, më pëshpëriti, shplodhu ,tani i dashur , se u lodhëm .Për pak do ngrihet edhe vajza e do të bëjmë një shëtitje në park. Ndenjëm ashtu të përqafuar lakuriq në minder pa e kuptuar se ora po kalonte.Vajza jonë nuk qau ,flinte dhe ajo duke na parë me sytë e saj të hapura që nuk mbylleshin kurrë edhe kur flinte.Na zgjoi bërtima e së jëmës së nuses  sime, që nuk dinte se çbënte kur na pa lakuriq të dyve në minder.Brofëm në këmbë e pa ditur se çpo ndodhte rreth nesh e pamë njeri tjetrin.Atje e kuptuam pse ulërinte e jëma e saj.Rrëmbeva nga teli pantallonat e rrjepura e duke i veshur me zor nëpër këmbë u vërsula jashtë dere.

-Merri dhe këto paçavuret e tjera bërtiti ajo dhe më flaku nga pas mbathjet e mija basme.Nga brenda dëgjohej e qara e nuses sime,po mua nuk më lejohej të shkelja më në derën e saj.Ime më nuk foli me të jëmën e nuses sime një kohë të gjatë deri sa u harrua ngjarja. Por ne nuk u harruam edhe më pas kësaj tronditjeje që mori martesa jonë.Ishte nusja ime ,që më priste me duar në qafë tek dera ,jo e shtëpisë por e kishës së qytetit tashmë, një kishë e vjetëruar,  gati në të rënë,ku ikonat e çjerra e të prishura nga lagështia më tepër na fusnin tmerrin sesa  na mbronin nga prapsitë tona. U martova ,por nuk më ra në pjesë një nuse si nusja e parë,të më priste tek dera e të më thoshte :

-A u lodhe sot i dashur?!.

 

One thought on “Martesa e parë / Tregim nga Teuta Sadiku

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s