“TË SHKRUASH, ËSHTË SI TA PRESËSH TRENIN…” (Bisedë me Liljana Kristulin, mjeke dhe autore e pesë librave) / Nga: Prof. Murat Gecaj , publicist e studiues-Tiranë

 

“TË SHKRUASH, ËSHTË SI TA PRESËSH TRENIN…”

 (Bisedë me Liljana Kristulin, mjeke dhe autore e pesë librave)

Nga: Prof. Murat Gecaj ,

publicist e studiues-Tiranë

Bust-Botimi...Lili Kristuli

Dr. Liljana Kristuli

1. Është kënaqësi, dr.Lili, që po bisedojmë bashkë. Dy janë arsyet kryesore: Së pari, krahas botimeve profesionale,  shkruan edhe në fushën e letërsisë. Së dyti, ke shërbyer në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), nga jam edhe unë.  Po kësaj teme do t’i kthehemi  pak më tej. Pra, po e nisim bisedën  me pyetjen, kur ke filluar të shkruash?

Të shkruaj, me kuptimin e plotë të fjalës, nisa  në semestrin e dytë të klasës së parë. Atë vit, me të filluar ditët e ngrohta të pranverës, dilja që me mëngjes  nga   “Lëndinka e Lotëve”, e harrohesha mbas luleshqerkave. Më të hyrë të  dimrit,  që atë mot e shtroi borën para kohe, ngjitesha  përpjetë Qeroskës e shkisja  tëposhtë sokakut  të ngrirë. Kthehesha në shtëpi, kur më cfiliste uria. (Isha bërëbredhamankë, thënë me fjalët e gjyshes).

Për të më “përmbledhur”, pasi  njëra nga tezet kishte thënë  se vetem të nxënët  “ia  mbledh kallaballëkun”, një ditë të hëne, më vunë  në dorë pecen e kallamarin e më nisnë për në shkollë.

Semestri i dytë, kishte një copë herë që kishte filluar e unë nuk e kisha mbushur moshën shkollore. Nuk dija të shkruaja, por dija të  lexoja. Më pranuan dëgjuese.

Mësova  të shkruaja e vazhdoja të lexoja, kureshtare, çdo gjë  që më binte ne dorë. Se shtëpia  ishte plot me libra e revista. Biblioteka e qytetit,  dy hapa më tej, në krye të  rrugicës. Kur nga librat e tezes nuk  mbeti më ç’të lexoja, se i përpiva  pa mbaruar tetëvjeçaren, u regjistrova në bibliotekë.  Më kujtohet ajo ditë. Klara, bibliotekarja, me orientoi  drejt  librave të përshtatshëm për moshën time. Ndërsa unë mora drejtimin për në sallën tjetër, me libra për të rritur. Era e ngjitësit të librave,  moria e librave të sistemuar në raft e  siper raftit,   skrivania me librat e përhapur mbi të dhe qetësia, si në kishë, e sallës së  leximit, më magjepsën.

Shi  atë çast mendova: edhe unë do të shkruaj një ditë. Nisa  të shkarravisja  mbresa  në çdo cep libri e fletoreje dhe më pas të shkruaja  poezitë e para. Poezi, që i përmblodha në librin  “Pemë e gjethe”.  

2.-Peme e gjethe-balline-2

Ballina e librit “Pemë e gjethe” 

2.Duke  e lexuar , poezi pas poezie, “Pemë e gjethe” të le përshtypjen e tërësisë,  vazhdimësisë, si një poemë. Tematika e saj, ajo mbizotëruesja është ndarja, largimi,  pa  trishtim, pa keqardhje, pa melankoli.  Largimi, ikja, ndarja, për ty janë  një proces normal i jetës?

-Jeta  ime ka rrjedhur nëpër ndarje. Rritur midis Tiranës, ku banonte familja, dhe Korçës, ku banonte gjyshja me tezet, më duhej të ndahesha shpesh  nga familjarët  dhe  miqësitë. Emërimi në Tropojë, pastaj  transferimet dhe më vonë emigrimi, pra kjo lëvizje e përherëshme, ecejakje  e vazhdueshme, pa zënë asnjëherë plotësisht rrënjë në të njëjtin vend, mendoj se ka lenë gjurmë, pra ka ndikuar edhe  në poezitë e mia.

1.-Balline libri-1

Ballina e librit “Gra të harruara” 

3.Librat në prozë “Mespërmes Europës” dhe “Gra të harruara”  i ke  shkruar në vetën e parë. Kjo është thjesht një zgjedhje letrare apo tregimet  janë rrëfime nga  jeta?

-Ngjarjet janë të jetuara, personazhet realë. Të shkruarit  në vetën e parë ishte  komunikim me vetëveten; ishte shkëputja  nga  kujtime të dhimbshme, fshehur nënë kore. Zgjodha të “rrëfehem”,  për t’u bindur se isha  shëruar nga e kaluara, edhe pse cikatricet   ishin  të thella; se isha  ngritur  sërish në këmbë  edhe pse  rruga, që po ndiqja, nuk ishte fushë me lule. Vendosa t’i botoja, për ta ndarë përvojën  time me ata që, si unë, ndryshojnë, formohen, përpiqen e piqen, përmes gabimeve e vështirësive, me të vetmin qëllim : t’ia dalin mbanë.

4.Novela “Gra të harruara” ka personazhe me karaktere  të spikatura . Çfarë mendoje, ndërsa  shkruaje  jetët e tyre, të ndërthurura me njëra-tjetrën ?

 –Do më pëlqente, që  lexuesja  të mendojë: Kjo jam unë…Kjo është një pjesë e jetës time…

 

5.Ke botuar 5 libra, një me poezi, dy me tregime e dy  profesionalë. Mendon se ke arritur  aty, ku  ke dëshiruar?

 – Vënia në diskutim e asaj, që  ke arritur të bësh, mendoj  se është  e rëndësishme për t’i njohur veten, dëshirat, mundësitë; për t’u rivlerësuar objektivisht, realisht, pa e mëshiruar veten, pa keqardhje, që nuk ke mundur ta bësh siç ke dashur o  për  ç’ka   nuk  ke arritur të bësh më parë. Besoj se asnjëherë nuk është vonë për t’ia bërë vetes pyetjen : Kjo jam unë? Është  kështu, ajo që dua të jem, me të vërtetë?

6.Kjo do të thotë, se ke në dorë një libër tjetër?

Një vëllim me poezi dhe një novelë,  për 2016-ën. Shpresoj.Uroj!…

7. Çfarë është të shkruarit, për ty ?

-Pritje, pritje e domosdoshme. Si të presësh ndërrimin e një treni. Zbret nga treni i  së përditëshmes, për ta marrë atë të fantazisë. Rri aty, përzjehesh me turmën, sheh, vëren, kujton,  dëgjon, imagjinon, veçohesh, pret…E ndjen me të gjitha shqisat  trenin, që afrohet. Je gati të hipësh mbi të. Gati për të shkruar një faqe tjetër.Kështu, ndjehesh mirë.

8.Bota e komunikimit ka ndryshuar. Shumë autorë përdorin blog për t’u lidhur me lexuesin. Ke një blog tëndin?

Jo, por në facebook, jam duke publikuar librin “Heshtja nuk është zgjidhje”. Faqja gjendet pikërisht me këtë emër. Për këtë libër me tema shoqërore kam punuar disa  vite. Mendimi për ta shkruar më lindi pasi lexova të dhënat, që sekretari i O.K.B.-së, Kofi Annan, ia paraqiti Asamblesë së Përgjithëshme së kësaj organizate. Ishin shifra e fakte tronditëse për dhunën, që pësojnë fëmijët nga të rriturit.

 Duke nënvizuar se shifrat janë shumë më të vogla, se realiteti, ai raportoi që, gjatë  vitit në studim, 150 milionë vajza dhe 3 milionë djem, të moshës më të vogël se 18 vjeç, janë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale, ose kanë pësuar dhunë seksuale!?

Në nivel botëror, 36% e grave dhe 29 % e burrave, pohuan se  gjatë fëmijërisë kanë qenë viktimë e provokimit dhe ngacmimit seksual, nga një i huaj ose një familjar.

Në  libër e kam trajtuar pikërisht këtë temë delikate, pedofilinë, abuzimin e dhunën seksuale, duke shtuar edhe njohuri për  bulizmin, stalking, mobbing e  drogën, dukuri  të përhapura, tashmë. Argumentet janë shtjelluar  në përshtatje me moshën e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Ndërsa libri “Unë dhe Dializa” është manual për personat, që trajtohen me dializë. Shkruar, fillimisht në italisht, për pacientët e klinikës ku punoj. Më 2014, e botova edhe në shqip.

9.Po i kthehem sërish faktit, që ke  jetuar gjatë në  Malësi  të Gjakovës, nga jam edhe unë. Pra, megjithëse ti je rritur mes Korçës e Tiranës, më ngjan se jemi bashkëkrahinas (ha,ha). Çfarë mund të më thuash, për ato vite ?

-Vitet e kaluara në Tropojë kanë qenë për mua një universitet i dytë. Në atë bashkësi  me pak banorë, ku të gjithë dinim gjithëçka për njëri- tjetrin, çdo gjë kishte përmasa epike: dashuria, vetmia, miqësia, malli, dëshirat, dhimbja, vuajtja.

Bujaria, mikpritja, fisnikëria  e banorëve të atyre trojeve, barazohen me lartësitë e bjeshkës.  Novela, që kam ndër duar,  e “ngjyen” penën pikërisht aty, në Tropojë të vjetër.

10.Kur  të rastis të takohesh me një tropojan, si sot me mua, çfarë  mbresash të ringjallen?

-Të mira, të bukura. Më vjen  ndërmend  “aroma e kshtajave të pjekuna, shija e pites dhe e  flinit dhe më mbushet goja me lang. Ndjesi e “damshme” kjo, sepse janë të pasuna me kolesterol dhe m’duhet me ba kujdes !” (ha,ha,ha). 

11.Keni shumë vite larg Atdheut, jetoni në Itali… Cilat janë përshtypjet,  kur  rikthehesh?

-Po të flasim për librat, them se më bën përshtypje sasia e botimeve. Autorë shqiptarë dhe përkthime, emra të njohur e të panjohur. Kjo është pozitive dhe e bukur. Por, në ketë “bum”  krijimtarie, miqtë e mi, autorë librash ose studiues, shprehin trishtimin, që shtëpitë e  botimit nuk  investojnë për  autorët. Pra, botimi është në dorë  të shtypshkronjave: librat  shtypen, vetëm po të paguash?!  

12.Ti je mjeke, çfarë këshille do t’i jepje lexuesit?

-Të lexojë sa më shumë; romane, tregime, poezi. T’i “shfrytëzojë” rregullisht bibliotekat. Biblioteka është muzeu i librit. Ashtu si objektet e muzeut,  librat e rrëfejnë  biografinë e  vendit dhe të popullit të tij.  Biblioteka është  djepi i demokracisë, aty librat  flasin pa u imponuar, pa u përzierë, pa u ngatërruar me njëri-tjetrin. Zërin e çdo libri  e dëgjon qartë, veçmas, e dallon.  Nëpërmjet leximit  zbulojmë se gjithkush,  autorët  e personazhet  kanë sekrete e dëshira, pra jemi të barabartë. Kjo është një lloj terapie.

Falemnderit për bisedën!…

-Gjithashtu, ju falënderoj përzemërisht, dr. Lili. Me këtë rast, ju uroj shëndet të mirë dhe arritje në punët e pëërditëshme, krijimtari të begatë dhe gëzime e lumturi në familje!

Mars, 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s