Tema e ujit, e verës dhe e gjakut në tragjeditë shakespeariane: Macbeth e King Lear / Nga Albana Alia

Tema e ujit, e verës dhe e gjakut në tragjeditë shakespeariane: Macbeth e King Lear

 

…accusatio manifesta

 

 

Albana Alia

             Nga Albana Alia

 

 

Simbolizmi kompleks i ujit

 

Ndërmjet temave të ndryshme të dramave të tij, Shakespeare, trajtoi edhe temën e ujit që spikat veçanërisht në dy nga tragjeditë e tij të njohura: Macbeth (1606) me efekte të rafinuara iluzioniste dhe King Lear (1605), vepër e veçantë morale, politike, shoqërore, psikologjike dhe filozofike.

Elementi i ujit paraqitet nëpërmjet një simbolizmi kompleks, i cili përfshin, në të njëjtën kohë, kuptime të kundërta e ndërplotësuese. Lidhet me jetën dhe vdekjen, me pjellorinë dhe sterilitetin, me krijimin dhe shkatërrimin, me pastrimin dhe kontaminimin. Fuqia gjenerative e ujit bën që ai të njihet si elementi nënë dhe si elementi femëror. Veç të tjerash, lëngu amniotik është një substancë e ngjashme me qumështin, d.m.th. lënda ushqyese parësore dhe më e kompletuar, e cila mund edhe të konsiderohet, sipas dy studiuesve Gaston Bachelard e Mircea Eliade, një lloj hierofanie(hierophany), një shfaqje e shenjtërimit, ose një simbol i vdekjes, si rezultat i fuqisë shkatërruese në rrethana apokaliptike. Sipas medimeve të shprehura nga Bachelard, uji ka të bëjë edhe me teknikën e vjetër të funeralit, imbarkimin e trupave të vdekur në barka që të sjellin në mend barkën e Karontit. Qartësia e këtij elementi errësohet kur ai përfton konotime fajësie. Si element primordial me origjinë prej Kaosit, uji zhvillon një lloj ambiguiteti që nxit fantazinë dhe, si rrjedhojë, krijon vlera shumësore përmes imagjinatës kolektive.

Duke u përqendruar te tragjedia e parë, Macbeth, vihet re se menjëherë në skenën e parë shfaqen the Weird Sisters (motrat shtriga) që veprojnë përmes shiut dhe mjegullës. Në skenën e dytë plagët e një kapiteni të ushtrisë së mbretit Duncan rrjedhin gjak: […] to bathe in reeking wounds (I,2,98). Në të njëjtën skenë gjejmë të shpërndara shprehjet e lidhura me gjakun: bloody man, bloody execution. Të gjitha këto janë shenja për të përgatitur spektatorët për atë që do të ndodhë më pas.

Imazhi i ujit merr rëndësi të veçantë në këtë tragjedi. Shpesh uji ndërlidhet me lotët, në kuptimin e intimitetit dhe, së bashku, ngjizen dhe i japin formë dëshpërimit. Zakonisht, lotët shprehin një kontekst trishtimi apo dëshpërimi, por edhe të kundërtën, rrethana të një emozioni të fortë pozitiv. Shakespeare i paraqet publikut të tij lotët, të vërtetë por edhe metaforikë. Mbreti Duncan do të derdhë lot metaforikë dëshpërimi për çfarë ndodh në skenën e betejës së rebelëve; vetë Macbeth do të përmendë lotët e trishtimit të nënshtetasve që do të arrijnë të përmbysin edhe erën pas vdekjes së mbretit Duncan.

Në tragjedinë e dytë, King Lear, lotët dhe lëngu amniotik i plaçentës së Gonoril, vajzës së madhe të mbretit, do të bëhen subjekt i mallkimit (anatemës) të dyfishtë nga ana e tij përkundrejt të bijës: lotët e saj do t’i gërryejnë kanale në faqe, fret channels in her cheeks, por i uron edhe sterilitet të plotë, womb sterility, për të ndërprerë procesin e lindjes në qenien e saj plot ligësi. Vetë mbreti do të derdhë lotët e nxehtë të dëshpërimit, veprim që do të vërë në dyshim esencën e tij mashkullore duke shkaktuar fenomenin e vazhdueshëm të femërzimit. Në tragjeditë Macbeth dhe King Lear, vërehen personazhe të ndryshme mashkullorë që derdhin lot e kjo, ndoshta, duhet marrë si projektim i anës së tyre joperfekte femërore.

Lotët e bijës së vogël të mbretit Lear, Cordelia, janë, në kuptimin pozitiv, plot dëshpërim për atë që i ndodh të atit, por ajo përfaqëson edhe të vetmin personazh që derdh lot të gëzueshëm në skenën e pajtimit me të. Edhe lotët e birit të ligjshëm të Gloucester i drejtohen metaforikisht situatës mes tij, Kent dhe të atit. Në dialogun midis Lear dhe Gloucester, Shakespeare do të përdorë një fushë kuptimore komplementare: lot, sy, qarje (tears, eyes, cry, weep, wail, water-pots), sipas një këndvështrimi sinkronik dhe diakronik; pra, njeriu i derdh lotët nga çasti në të cilin lind, për të vazhduar gjatë gjithë jetës, si aktor teatri me role të përcaktuara (stage of fools), por dhe në vdekjen e dikujt tjetër me projektim të pritjes së vdekjes së vet.

Mbreti Lear, i zhytur në një dhimbje intensive, u bën thirrje të katër elementeve të shkatërrojnë gjithçka. Ujërat duhet të vërshojnë e të përmbysin tokën deri në shpërbërjen e plotë të qenieve njerëzore dhe të objekteve materiale, por edhe për një lloj pastrimi të thellë të mëkateve. Më vonë, rënia e shiut do të jetë nxitja kryesore e ripërtëritjes së tij, sepse deri në atë moment ishte i dobët e i sëmurë mendërisht e fizikisht.

Shkrimtari dhe historiani rumen Mircea Eliade shkruan për rolin e veçantë të shiut dhe të përmbytjes si një lloj pastrimi shpirtëror, asorbim dhe shpërbërje, me qëllimin kryesor – lindjen e një jete të re. Era e furishme dhe shiu i mëvonshëm mbi dallgët e egërsuara do të reflektojnë botën e tij të brendshme tashmë të përfshirë në një shtjellë në lëvizje të vazhdueshme që ai vetë do ta përcaktojë me fjalët: this tempest in my mind (Sk. II, 186; kjo shtrëngatë në mendjen time). Kjo shprehje do të shoqërohet me lotët e tij të hidhur gjatë gjithë zhvillimit të tragjedisë. Edhe Gloucester bën një paralelizëm mes detit të furishëm dhe pështjellimit të jashtëzakonshëm në mendjen e mbretit Lear.

Nga ana tjetër, zhurma e tmerrshme e dallgëve do të bëhet e dobishme për Edgar që i shpëton jetën të atit. Gjithë skena është shtjelluar në një izotopi të imagjinatës (dallgët, zhurma). Deti është vend i lindjes, i rritjes dhe i mbrojtjes së krijesave, por edhe vendi i vdekjes dhe i shkatërrimit të plotë. Në King Lear gjendet edhe një imazh i veçantë i qenieve njerëzore që kthehen në grabitqarë të njëri-tjetrit, like the monsters of the deep, si përbindëshat e thellësive.

Figura e Lady Macbeth është paradoksale, si përfaqësuese e dyfishtë e seksit mashkullor dhe femëror; ajo do të akuzojë të shoqin që ka pirë shumë nga qumështi i nënës milk of  human kindness (I,5,111) dhe është kthyer në një qenie tepër të dobët, prandaj, për t’i ndërruar karakterin, në veshin e tij ajo do të derdhë shpirtërat e ligj në formë të lëngshme për të reduktuar efektin e qumështit të lëngshëm. Kështu, gjatë natës së errët do të thërrasë shpirtërat për t’i ngurtësuar gjakun  to make her blood thick (pra, për ta ndihmuar që të pushojë së ekzistuari natyrën e saj njerëzore); për më tepër, është e gatshme të shkëmbejë qumështin e saj, si nënë, me vrerin. Në veprën e tij L’eau et les rêves, Bachelard përcakton qumështin si ushqim primordial arketipik. Lady Macbeth dikur pranon të ketë ushqyer me qumësht një fëmijë, por nuk është e qartë nëse e ka pasur me të vërtetë atë dhe nëse vazhdon të jetojë.

Dyshimi përforcohet nga këshilla e të shoqit, Macbeth; në një dialog me përmbajtje të qetë, ai i kërkon asaj të lindë vetëm meshkuj, në përputhje me karakterin e saj të ashpër. Imazhi i qumështit të ëmbël, që ushqen deri edhe marrëdhëniet njerëzore, i derdhur në Ferr, me qëllim shkatërrimin e paqes universale, përforcohet në fjalët e Malcolm (mbreti i ardhshëm), por, në këtë rast, në mënyrë ironike. Edhe duka Albany do të thirret nga Gonoril njeri i dobët me mëlçinë prej qumështi a milk-liver’d man, ndërsa Macbeth nga e shoqja do të quhet burrë me zemër prej qumështi a man with a milk heart. Ja pra, përsëri gjejmë gjurmët e një ndëlidhjeje të dyfishtë të anës mashkullore dhe asaj femërore që do të sjellë si rrjedhojë frikën dhe impotencën në të dy meshkujt e lartpërmendur.

 

Simbolika e verës dhe e gjakut

 

Vera është një substancë tjetër e lëngshme e lidhur me ujin dhe përfaqëson hapin e parë drejt vrasjes. Dihet se vera është simbol i dyfishtë i jetës së fshehur dhe uji i rinisë. Veç kësaj, qumështi dhe vera janë të lidhur ngushtë me misticizmin.

Macbeth gjejmë terma me kuptim të lëngshëm: ujë, lot, shi, mjegull, det, gjak, urinë, qumësht, lëng amniotik, supë ferri e shtrigave (water, tears, rain, fog, sea, blood, wine, urine, milk, amniotic fluid, hell-broth), deri edhe shpirtërat bëhen të rrjedhshëm në prani të Lady Macbeth. Nocioni i fluiditetit përmendet në skena të ndryshme duke grishur gjakun që rrjedh prej betejës në aktin e parë dhe, pasi përshkon gjithë tragjedinë, arrin deri te vdekja e mbretit Macbeth.

Gjaku në konotimin e vet negativ konsiderohet si ujë i errët e i pistë, si element femëror, si kontaminim, si faj, si mëkat, si rënie, si errësirë, si ferr. E njëjta gjë vlen edhe për njollat apo pikat e gjakut por, ndërsa uji del si element negativ, por edhe pastrues për shpirtin, gjaku i përket jetës dhe vdekjes. Pikërisht, n.p.m. derdhjes së gjakut dhe rrjedhjes së ujit gjatë gjithë tragjedisë do të arrihet të sigurohet vazhdimi i dinastisë dhe mbreti i ri i Skocisë do të kurorëzohet si autoritet i plotfuqishëm.

King Lear, gjejmë edhe imazhin e dorës së njollosur me gjak, por vetëm si mëkat i mundshëm, përkundrejt fakteve që ndodhin në Macbeth. Veç kësaj, thika e përgjakur me të cilën Regan vret motrën e vet, Gonoril, përdoret kundër një femre, në vend të një figure mashkullore si Duncan e Macbeth.

Vizioni i thikës me disa njolla gjaku sipër saj, do të trasformohet në një vrasje, një fakt të vërtetë për të dy: Banquo e Duncan. Macbeth është i ndërgjegjshëm se gjithë Oqeani, pronë e Neptunit, nuk do të mund të heqë gjakun prej duarve të tij. Është vrarë mbreti, prandaj mëkati është i dyfishtë dhe aq i thellë sa as uji nuk do të mund të realizojë pastrimin shpirtëror të vrasësit. Mbreti vetë është burimi i gjakut blu, në kuptimin e vazhdimësisë dinastike, tashmë e ndërprerë. Motivi i gjakut përmban edhe një funksion të veçantë në tragjedi. Gjakun e gjejmë ku(r)do: mbi fytyra, mbi thika, mbi trup, në një lloj portretizimi të mëkatit kolektiv.

Vizioni i fantazmës Banquo duke tundur gërshetat e përgjakura, his gory locks, përballë fytyrës së mbretit Macbeth, është i tmerrshëm dhe i plotkuptimshëm. Kjo lëvizje përmban një kuptim bachelardian të fluiditetit të ujit dhe të gjakut, një lloj procesi emblematik i pafund përmes rrugës së përgjakshme të pushtetit dhe autoritetit. Ka qenë, është dhe do të jetë e njëjta gjë: pushteti do të zëvendësohet me një tjetër të të njëjtit lloj, këtë herë, pas vdekjes së mëkatarit Macbeth. Gjakderdhja e gjithë ushtrisë së tij, siç do të ngushëllohet Caithness, do të përmbushë pastrimin shpirtëror të gjithë vendit dhe do të jetë ushqim për lulen e re krejt të ndryshme të pushtetit të ligjshëm të sapolindur.

Excusatio non petita…!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s