“Talianka”, romani ku tabutë ballkanike bluhen në mullirin e paqes / Nga Rezart Palluqi

20150403224142199600

“Talianka”, romani ku tabutë ballkanike bluhen në mullirin e paqes

Ky roman, ka shumë brum dhe kam lënë qëllimisht shumë gjëra pa përmendur, të cilat le t’i zbulojë më mirë lexuesi. Ky roman, me frymë donkishoteske, që më ka bërë të qesh me lot, teksa e kam lexuar, më ka ringjallë jo vetëm shpresën, por kthyer edhe besimin tek letërsia origjinale shqipe, jashtë kornizave skematike soc-realiste e larg nacionalizmave politikë e ballkanikë. E kam fjalën për atë letërsi, kokëfortë, e cila fluturon më lart se injoranca, dhe shemb muret e lartë, që njerëzimi ndërton çdo shekull, e thyen aty turinjtë e tij shumë keq.

 

rezart palluqi

      Nga   Rezart PALLUQI

 

 

Nëse për Tolstoin “Paqja” u reflektua nëpërmjet ballove mbretërore, festave luksoze apo ushqimit të bollshëm, tek romani i shkrimtarit Agron Gashi, ajo tentohet të krijohet në faqet e “librit”. Kjo, për vetë faktin, se libri, rrallë herë ose kurrë nuk ka shërbyer në hapësirën ballkanike si burim paqeje. Libri, edhe kur ka qenë shumë afër kësaj ëndrre, është groposur prej dashnorëve të zjarrtë të pushkës. Kjo ndodh edhe në roman me pushkën ‘taliankë, e cila mban edhe titullin e romanit. Në kohë paqeje, pushka ‘taliankë, ka qenë e varur në murin e shqiptarit, ashtu siç varen sot, në muret e shtëpive të botës moderne, pikturat e Pikasos, apo tablo frymëmarrëse të natyrës. Ndërsa në kohë lufte, bota ose qielli shihej nëpërmjet tytës së saj. Pra, kur Shqipëria pushtohej, dhe “talianka” ishte e pafuqishme të smbrapste pushkën e pushtuesit të ri, ajo groposej, për t’u zhgroposur sapo përdoruesit të saj, personazhit më të spikatur, të romanit, Mixhës, t’i jepej rasti më i parë.

Nuk e mbaj veten për kritik. Megjithatë nëse një roman, nuk më pëlqen, unë s’e lexoj. Jam shumë i egër në këtë aspekt, dhe kjo pashpirtësi, ndoshta buron nga pamëshirshmëria e kohës: ajo, me dhëmbët e saj prej sharre, sharron copë e çikë çdo lloj vlere letrare nënmesatare. Këtë do ta kisha bërë edhe me romanin në fjalë. Mbasi e lexova, përshtypjet e para ishin këto: një roman, ku ndoshta tre vlerat e shenjta të shqiptarit apo ballkanasit: varri, flamuri ose pushka marrin forma ose natyrë mitologjike, bëhen aq qesharake, saqë edhe njeriut më analfabet do t’i vërtitet fuqishëm në kokë pyetja me spec: a ia vlen të luftosh e vetëvritesh për këto vlera, të ashtuquajtura të shenjta?

Tani, do të shpreh mendimin tim rreth vlerave themelore të këtij romani, jo në cilësinë e kritikut, por si krijues, si vetë autori.
Nënteksti i këtij romani është Lufta dhe Paqja. Pushka ‘taliankë, shfaqet në të gjitha epokat e njerëzimit. Po kështu edhe libri, ose bibliotekat e djegura të mbarë botës, dhe pikërisht këtu thyhet kompozicioni i romanit, duke përfituar një dimension universal , ku vajtohet artistikisht për vlerat e luftuara dhe të zhdukura të gjithë bibliotekave të botës.
Aspekti kronologjik i së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes, ndërthuret mjeshtërisht, ku retrospektiva e ngjarjeve është e pranishme nga fillimi në fund. Ja një pasazh i tillë…
1. Vitin 168 paraKrishtit:
Mbreti Antiochus IV urdhëroi që të digjen Librat çifute të ligjit në Jerusalem.
2. Vitin 50pasKrishtit:
Një ushtar romak e dogji publikisht një dorëshkrim të Tevratit.
3. Vitin 292-303:
Perandori Dioklecian dogji librat egjiptianë të alkimisë në Aleksandri dhe, më vonë, edhe disa libra të krishterë.
4. Vitin 367:
Athanasiusi, peshkopi i Aleksandrisë, gjatë
Pashkëve kërkoi nga murgjit egjiptianë që t’i shkatërronin të gjithë librat, përveç Dhiatës së Re.
5. Vitin 1193:
Jai Chand dogji bibliotekën e Nalandás, i njohur si Dharma Gunj, Mali i së Vërtetës.
6. Vitin 1553:

Me urdhrin e Papës në Romë, Venedik, etj., u dogjën mijëra libra hebraikë, madje edhe kopje të shumta të Talmudit.
Pastaj, djegia e Talmudit në Paris,djegia e Biblës hebraisht në Spanjë,
djegia e dorëshkrimeve arabe në sheshin publik në
Granada, djegia e Testamentit të Ri (Dhjata e Re) në përkthimin anglisht të William Tyndale, djegia e Biblës e përkthyer nga Martin Luteri në
Gjermani, djegia e librave po të Luterit në Salzburg,
djegia e kopjeve të Torás nga nazistët në Gjermani, djegia e kopjeve të Dhiatës së Re në Jerusalem, djegia e Vargjeve Satanike të Salman Rushdisë në Londër.
Dhe, në fund, djegia e librave të mikut të tij, Normalistit të Elbasanit. Kurrë nuk e kishte menduar, se pas gjithë atyre groposjeve, varrosjeve dhe zhvarrosjeve të të gjitha

Romani hapet me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, kapitull të cilin autori e quan “Marshi i vdekjes së lehtë”. Gjetja gjeniale në këtë kapitull, është se, personazhi kryesor, është pushka, e cila flet në vetën e parë, dhe tallet me vdekjen e palavdishme të përdoruesit të saj. Ja si e ironizon autori, marrëzinë e luftës njerëzore. Pushka, kjo qenie e pashpirt, ky send pa tru, e pa zemër, luan rolin e shejtanit e tallet me njeriun, shpikësin e saj, ose ushtarin e vrarë italian.
Dhjetëra milingona i binin trup e tërthor rërës ku ishte
derdhur gjaku i Padronit tim.

Retrospektiva kohore këtu kapërcen përkohësisht diktaturën hoxhiste dhe atë titiste, dhe hidhet në hyrjen e trupave të KFOR-it, ku italianët, këtë herë hynë së bashku me forcat e NATOS- në vitin 1998, për të ndihmuar popullatën e pastrehë kosovare. Më vonë, disa pasazhe sporadike, sjellin në pah edhe kontaktet e pakta të hapësirës kosovare me mëmën Shqipëri, atëherë, nën zgjedhën e diktatorit Hoxha dhe Titos. Autori Gashi, ironizon nëpërmjet babait personazh, librat me kopertinë të kuqe të diktatorit Hoxha, ku edhe thotë me aq ironi të hollë:

Pastaj vinin të tjerë libra me lloj-lloj kopertinash dhe ngjyrash të ndryshme. Në mesin e tyre edhe tre libra me autor Enver Hoxhën. Tashmë ky ishte emër i njohur për mua, por rrallë i përmendur. Babai këtyre ua lëshoi një sy shpejt e shpejt dhe tha se më mirë do të ishte me ia kthye t’zotit.

Ky dhe disa pasazhe të tjerë, e kthejnë përmbys atë nostalgjinë vetëvrasëse të shumë kosovarëve ndaj Enver Hoxhës, të cilët e kanë parë atë si burrë shteti. Dhe, kjo s’është pak. Një nostalgji politike, ideologjike hoxhiste, të cilën, e kanë ushqyer, madje e ushqejnë sot edhe e të tjerë.

 

Gjuha dhe stili i romanit

 

 

Një prej vlerave të jashtëzakonshme në këtë roman, qëndron pikërisht tek gjuha. Stilistika këtu është mjaft e lartë. Ironia dhe humori e përshkon tejpërtej romanin. Ironia përdoret pa kursim ndaj çdo lloj sjelljeje, mendimi primitiv, duke mos i hyrë në hak personazheve të caktuar. Gjuha është herë moderne, e formatuar në paragrafë kuti, me shenjat e pikësimit dhe fjalorin modern, dhe herë dialektore. Besoj, se nuk ka strehë më të mirë se ky roman, për gjuhën dialektore dhe idiomat krahinore që përdoren këtu. Agron Gashi, në këtë roman, ka ditur t’i bëjë ballë me dinjitet dhe mençuri presioneve dhe ndërhyrjeve të frikshme të gjuhëve të mëdha në gjirin e shqipes, ku qindra fjalë të huaja përdoren sipas versionit anglez, francez apo italian, paçka se shpesh shqipja i disponon fjalë të tilla. Gjuha këtu herë është prozaike, herë merr natyrën e një poeme, novele apo tregimi, duke e thyer monotoninë e leximit të stilit të njëtrajtshëm, e na ofruar gamën e plotë të stilistikave letrare. Ripërsëritja e gjysmës së fjalisë, jep një efekt filmik, magjik, por edhe të indinjon, sepse mbas çdo ripërsëritjeje tingëllon në vesh zëri i brendshëm, zëri i mendjes së kthjellët: A s’e sheh sa injorant dhe tragjik që je o njeri?!
Po i ilustroj mendimet e konstatimet e mësipërme me tekstin e mëposhtëm të autorit:

Groposja
Së pari, talianka. Së dyti, librat. Së treti, talianka dhe librat së bashku. Talianka ishte e Mixhës. Librat ishin të babait. Ishte një kohë kur kërkoheshin armë. Ishte një kohë kur, po aq sa armët, ndiqeshin edhe librat. Dhe i zoti i tyre ndëshkohej rëndë!Ju mund të thoni se çfarë kishin të përbashkët talianka e Mixhës me librat e babait?Ja, po jua them!Ishte një kohë që po t’u gjet një libër i papërshtatshëm, qoftë edhe vetëm për vendin e botimit, ishte po aq e rrezikshme sa ta gjenin taliankën e Mixhës. Librat digjeshin. Armët merreshin. Njerëzit dënoheshin. Prandaj, për të shpëtuar:Armët fshiheshin. Librat groposeshin. Ose: Armët dhe librat së bashku groposeshin thellë, sa më thellë në tokë. Nuk do harruar se, gjithmonë me kujdes të madh zgjidhej vendi ku fshiheshin a groposeshin. Groposja bëhej në gurinë, në një tokë t’pa vadë.Groposja në të shumtën bëhej diku në një vend të rrëpirë, ku asnjëherë nuk mund të pushonte ujë. Groposja, në të shumtën, bëhej sa më larg shtëpisë, por jo në tokë të huaj.
Mbi të gjitha: Groposja në të shumtën bëhej në dhé të zgjedhur, i cili barisej shpejt, në mënyrë që të humbnin gjurmët. Gjithashtu,Groposja bëhej edhe afër ndonjë peme apo në rrënjë të saj, në mënyrë që të mbahej mend më lehtë. Vendi i groposjes duhej të ishte aty ku s’i shkonte mendja kujt. Groposja e librave zakonisht lidhej me situatën e përgjithshme në vend.Talianka dhe librat fshiheshin kur dikush në fshatin tonë arrestohej, apo edhe në ndonjë fshat aty afër nesh. Talianka dhe librat fshiheshin edhe vetëm kur bastisej dikush në fshatin tonë, apo edhe në ndonjë fshat tjetër. Talianka dhe librat fshiheshin, sidomos paralajmërohej ardhja e ndonjë pushtetari të lartë. Në raste të tjera, për dallim nga talianka, librat groposeshin në pranverë të hershme ose në vjeshtë të vonë. Po e njëjta kohë ishte edhe e nxjerrjes së tyre.

Nuk mund të rri këtu pa përmendur edhe qindra figuracionet origjinale shqiptare që përbën edhe shpirtin e folklorit shqiptar. Romani mbart një petk sa natyror, aq edhe të veçantë, për vetë faktin, se ndonjëherë fjalori që përdoret, është ai i krahinave malësore shqiptare, si rrafshi i Dukagjinit, Malësia e Madhe, Shkodra etj., zona të cilat janë ndikuar shumë më pak në rrafshin gjuhësor, se sa pjesët e tjera të Shqipërisë; fjalor që jo vetëm e pasuron shqipen, por i ruan asaj edhe bërthamën stërshekullore. E megjithatë, gradacioni i këtij fjalori nuk e prish ekuilibrin ndaj gjuhës moderne. Ato japin e marrin duke i krijuar me radhë hapësirë njëra-tjetrës.
Idiomat e rralla në këtë roman, i mban gjallë, ironia, humori dhe jeta e pasur seksuale e personazheve. Dhe, këtu qëndron mjeshtëria e Agron Gashit, duke sjellë një baraspeshë magjike midis bërthamës së shqipes dhe leksikut të saj modern, të stërlustruar e përkëdhelur. Shkurt: të gjithë dialektet dhe fjalët e shqipes, këtu janë të mirëpritura. Nacionalizmi gjuhësor, këtu ka vdekur.

 

Fabula e romanit

 
Është njeriu primitiv, pushka dhe dija-libri. Them njeriu primitiv, sepse personazhi kryesor i romanit, një Don Kishot ballkanik, Mixha, parapëlqen më mirë të rifitojë pushkën e tij të humbur, Taliankën, sesa një grua të mirë e besnike, apo një fe të ngrohtë që mund t’i ofrojë ose zgjojë besim tek qielli, toka dhe jeta që bën. Kjo shpaloset më së miri, kur Mixha flet me priftin Augustino.

Po, për mue ma t’shejtë se ajo taliankë nuk ka, e që kam uzdajë pa t’gjithë kët’ tagër kam me shtie n’dorë…
Ajo është mbi të tâna!Tash ti thue pse? Ajo m’ka pshtue shpirtin n’kohë ma t’liga. Ajo m’ka ruejt pragun e sh’pisë lum zotnia.
Ajo, qysh me thanë lum Zotnia, qysh me përthekue ma shkurt: Po ajo, ndaç me dittë, asht feja e jeme!

Pushka Talianka, kalon nëpër shumë duar, ose shumë pushtues, e megjithatë, Mixha, e përdor atë kudo: teksa flen gjumë, e mban poshtë krevatit edhe kur bën seks me gruan, ose e merr me vete edhe kur ndan krevatin me dashnoret e tij.
Pushka e Mixhës, në kohët tona është zëvendësuar me dijen, dashurinë për artin, diplomimin dhe një punë relativisht të sigurtë. Por, Mixha e koncepton botën nëpërmjet forcës së barutit dhe plumbave të pushkës. Talianka, këtu pikturohet poetikisht; çdo gjymtyrë i saj përshkruhet me pasion, me hollësi, ashtu sic do të pikturonte një poet gjymtyrët joshëse të një femre të bukur. Për pak, sa nuk rashë në dashuri me Taliankën, dhe s’mu zgjua dëshira të kem edhe unë një pushkë të tillë. Aq, me zjarr, hov dhe fanatizëm e sheh Mixha pushkën e tij të vyer. Talianka, modernizohet kur një ushtar boshnjak, e shtien atë në dorë, dhe i shton asaj një dylbi special. Përdoruesi i përkohshëm i Taliankës, Boshnjaku, shënjestron viktimat e reja, duke vënë në rreth, herë hundën, herë sytë, herë veshët, ballin apo gojën e viktimës së ardhshme. Por, obsesioni i tij, shkon aq larg, saqë ai papritur, e përfytyron xhaminë me minaren përmbys, gjë që pasqyron edhe një herë, se lufta është një nënë që i humbet të gjithë fëmijët e saj…

Vëllai i Mixhës, këtu triumfon edhe një herë, kur ai, urdhëron Mixhën dhe vëllanë e tij, të zhgroposë librat…
Kumbulla e Ferrit
Babai i thoshte Kumbulla e ferrit. Mixha Kumlla e xhehnemit. Ne të tjerët Kumbulla e egër. Saktë, unë dhe bashkëmoshatarët e mi, nuk e dinim pse i thoshin a prej nga i kishte marrë atributet e ferrit dhe e xhehnemit. Edhe kur pyesnim, babai thoshte se ajo është kumbull e egër dhe ka ferra nëpër të.
Porse një gjë e di, atje nuk mund të afroheshim për disa arsye: Ajo kurrë nuk bënte kumbulla. Ajo ishte trupgjatë dhe degët vërtet i kishte, ku e ku, me murriza.
Ajo ishte në të rrëpirë, e cila nuk linte fare përshtypje për ne dhe lojën tonë. Përveç Mixhës dhe babait, edhe vëllai i madh e dinte se pse i thoshin kumbulla e ferrit.
Mbaj mend mirë herën e parë, kur babai i tha vëllait tim që ta nxirrte thesin ‘e mbjellë’ te ajo kumbull, në mënyrë që të siguroheshin në mos ishte dëmtuar. Madje, për herë të parë i sugjeroi që të më merrte edhe mua me vete. Më vonë kuptova se pse babai e bëri këtë: ngase unë, tashmë isha paksa më i rritur sa ta mbaja një sekret,
ngase unë, tashmë kisha nisur të shfletoja më shumë libra të zgjedhur, ngase unë, duhej t’i zëvendësoja veprimet e vëllait, i cili së shpejti do të shkonte ushtar.
Ra muzgu i parë. Vëllai mori një kazmë të vjetër me maje të mprehtë, me të cilën shpesh punonte Mixha. Babai doli pas shtëpie të sigurohej nëse ndokush mund të na përgjonte. Pastaj na dha urdhër:

Se sa e marrë është lufta dhe frytet e saj, na e skicon autori, në paragrafin e mëposhtëm, me një ironi të hollë dhe rrëqethëse.

Gjyshja e kishte ndie dhe kishte kujtuar se me të vërtetë kishte të bënte me pulën e saj, të cilën e kishte vënë në furrik. Ajo, pa një pa dy, kishte marr vrapin dhe kishte shpurdhur në grazhdin e dorisë. Pa pritë e pa kujtue duart i kishin prekur një hekur akull të ftohtë dhe një qese me plumba.
Gjyshja kishte dalë e çartur, duke e bërë brimë e piskamë:
– Hiqni prej atyhit ! I kam nuset me barrë! Asajhere e kuptova edhe unë se për çfarë e kishte pasur fjalën vëllai, kur më pati thënë:
– Mos, se na mbyte! Janë zojt’ e pulës, tek i nxorëm librat te Kumbulla e ferrit.

E megjithatë Mixha, edhe pse e karakterizon një mentalitet donkishotesk, në një pikë, ai demonstron inteligjencën e tij, kur mbasi i viziton Bjeshkët e Nemuna, e zbulon marrëzinë e hakmarrjes, atje, ia mbath. Lexoni pasazhin e mëposhtëm.

Mixha kishte marrë një vendim: të braktiste atë bjeshkë një herë e përgjithmonë. Kishte mbledhur bjeshkatarët më të mirë: barinj të rinj e të vjetër: të lopëve, të deleve, të dhive e të buallicave;
burra pleq, stanarë të urtë e të vjetër, që i njihnin të gjitha sullet e bjeshkës. Kishin biseduar gjatë.
Mixhës i ishte sugjeruar që të shkonte matanë, andej prej Shekullari dhe të kërkonte një burrë rreth të tetëdhjetave, për të cilin thuhej se i shëronte gjinjtë e sëmurë si me dorë t’zotit.

Libri si fenomen, këtu është më shumë i dënuar të jetojë i groposur, se sa të thithë dritën e diellit apo etjen për dije të syve dhe shpirtit njerëzor. Kjo justifikohet jo vetëm prej trysnisë kulturore që ka përjetuar shqiptari prej pushtuesve, si në rastin e zgjedhës osmane, atë gjysmëshekullore serbe, si edhe përtacisë së racës tonë, për të bërë art qysh në kohët antike. Personazhi që e mishëron më mirë librin është vëllai i Mixhës. Parë në aspektin kronologjik, pra atë të brezave, vëllai i Mixhës ia njeh forcën magjike librit, duke e mbrojtur atë në cdo rrethanë.
Një herë ai propozon që pushkën e Mixhës, Taliankën, ta shndërrojnë në një relikë artistike.
Do të kishte qenë më mirë, sikur babai personazh, të ishte gdhendur pak më mirë, studiuar më thellë, që të bëhej më i besueshëm. Sidoqoftë, ai është dashnori i zjarrtë i dijes, sjell atë kontrastin e duhur, duke u bërë mur ndaj dritëshkurtësisë së vëllait, Mixhës, i dashuruar marrëzisht mbas pushkës.
Momenti më i ndritshëm për librin, pasqyrohet kur në shtëpinë e djegur të një intelektuali serb, Minxha gjen një tufë librash ende të padjegur.

Ajo turrë e madhe librash ishte bërë prapa asaj shtëpie të vogël, me gjasë për t’ua marrë vitrinën dhe për t’i hapë vetes rrugë ndonjëri nga përfituesit e vegjël të (pas)luftës.
Ishte rastësi, apo jo, zjarri i luftës në këtë rast, nuk i përpiu librat, prandaj edhe ky pasazh mbetet në këtë roman më mbresëlënësi, për fatin e librit si burim dije, mbasi, si armiku, serbi, si shqiptari, në fakt, ruajnë në bibliotekat e tyre të njëjtët libra të lashtë apo modernë. E megjithatë, librat e njëjtë ata nuk i afrojnë, paqësojnë, por hedhin në luftë. Këtu qëndron edhe tragjikja, por edhe bukuria e këtij pasazhi.

Apsekti fetar na shfaqet herë i parëndësishëm, si një faktor jo edhe aq vendimtar në jetën e shqiptarit, sidomos kur banorët e një fshati në Veri të Shqipërisë, jetonin prej vitesh në paqe. Për ta, molla e sherrit nuk u bënë, hapësira gjeografike, paraja, adetet, zakonet etj., por pronësia e varrezave. Sherri, pra, plasi, vetëm kur një pjesë e fshatarëve pretenduan se varrezat ishin trashëgimi e tyre, që nënkupton edhe luftën mitologjike ballkanase. Autori, ironizon fuqishëm, karakterin e paqëndrueshëm fetar të shqiptarit, i cili mund ta ndërrojë fenë e tij sa herë që sheh leverdi personale. Atë Augustini përpiqet më kot t’i kujtojë Mixhës fenë e tij të vjetër, në këtë rast, krishterimin. Për Mixhën, pushka qëndron mbi fetë njerëzore.

Në kishë, prifti përmend emrat e një grushti besimtarësh, të cilët në publik njihen me emra myslimanë. Më vonë, fenomeni fetar banalizohet, kur atë Augustini, luan lojëra të pista duke bashkëpunuar me pushtuesit, ose bërë rojën e kolonel Sazanos, në një zonë të minuar, teksa ky i fundit bën dashuri me Marinë. Kjo skenë erotike e kolonelit me Marinë, që autori e ka përshkruar aq bukur, ngjizur me shpoti, por edhe skicuar mjeshtërisht, është një medalje me dy anë. Demaskon fytyrën e dyfishtë të fesë, por tregon se edhe në kohë lufte, bëhet dashuri, aq më tepër, që italianët njihen si dashnorë të zjarrtë me femrat e vendeve të pushtuara në këtë rast, shqiptarët. Kemi të bëjmë, pra, me një personazh totalisht anti-Mixhë. Koloneli Sazano shkëmben pushkën për pak seks me Marinë, ndërsa Mixha, s’e shkëmben atë me asgjë. Në fakt, Mixha deri diku e justifikon dashurinë e tij, për pushkën, sepse ajo i ka shpëtuar kokën atij, dhe familjes së tij. Sidoqoftë, pushkën, duhet që ta zëvendësojë shkolla, arsimi dhe besimi tek njëri-tjetri. Kjo ka ndodhur në një pjesë të botës, prandaj duhet që të ndodhë edhe në Ballkan, ose në shumë vende të tjerë, të ngjashëm me të.

Pikat vihen mbi i-të, kur kolonel Sazano, ia plotëson dëshirën e zjarrtë Mixhës, duke i rikthyer pushkën e tij të dashur, Taliankën, të cilën e humbi, sapo forcat e KFOR-it hynë në Kosovë. Me këtë gjest të tij, kolonel Sazano, rivërteton atë imazhin e zbehtë, ose rolin e dobët, sjelljen e dyfishtë të evropianëve ndaj Ballkanit, dhe në këtë rast, ndaj Kosovës, ku kosovari lihet në mëshirën e fatit tragjik, zhytet në gropën e frikshme ballkanike, ku pushka e vjetër, vendos fatin e të ardhmes së tij. Pa dyshim që këtu përgjegjës është edhe ballkaniku, i cili me kokëfortësinë, intrigat dhe metodat korruptuese që përdor, e tërheq evropianin në vallen e tij vetëvrasëse.

Ky roman, ka shumë brum dhe kam lënë qëllimisht shumë gjëra pa përmendur, të cilat le t’i zbulojë më mirë lexuesi. Ky roman, me frymë donkishoteske, që më ka bërë të qesh me lot, teksa e kam lexuar, më ka ringjallë jo vetëm shpresën, por kthyer edhe besimin tek letërsia origjinale shqipe, jashtë kornizave skematike soc-realiste e larg nacionalizmave politikë e ballkanikë. E kam fjalën për atë letërsi, kokëfortë, e cila fluturon më lart se injoranca, dhe shemb muret e lartë, që njerëzimi ndërton çdo shekull, e thyen aty turinjtë e tij shumë keq.

Për mua që jetoj në Holandë, ose cilindo shkrimtar që jeton jashtë kufijve shqiptarë, na është më e lehtë të shkruajmë një roman të tillë, guximtar, revolucionar, e largpamës, për faktin së marrëzinë ballkanike, ne e shohim nga larg, dhe jemi të pavarur financiarisht dhe politikisht, prej Shqipërisë. Por, për shkrimtarin që jeton brenda vorbullës shqiptare, kjo është shumë e vështirë, sepse përthithesh në shtjellat e ujërave të përgjakura ballkanike, madje shpesh edhe kërcënohesh, kur tërthorazi, kur drejtpërdrejt prej tytave të diktatorëve shqiptarë. Prandaj, edhe e konsideroj këtë hap letrar, këtë vepër të Agron Gashit, një vepër monumentale, që duhej të ishte zbuluar prej kohësh, madje edhe përkthyer në shumë gjuhë. Një prej arsyeve përse kjo s’ka ndodhur, besoj se është pikërisht, çekiçi gjigant me të cilin ky roman thyen tabutë primitive ballkanike: flamuri, pushka dhe fodullëku i burrit me mustaqe orientale, këtu zhvlerësohen fuqimisht. Dhe, këto tabu, tiranët ballkanikë, tiranët shqiptarë, i ruajnë si sytë e ballit, sepse edhe fshihen, jetojnë aty, marrin jetë prej krenarisë së mëndafshtë të flamujve ose legjendave të përgjakshme të heronjve të tyre mesjetarë. Prandaj, edhe kanë heshtur me vetëdije ndaj këtij romani revolucionar, tabuthyes. Roman që nëpërmjet tradhtive bashkëshortore, thyen edhe atë imazhin e rremë të nënës absolutisht të ndershme shqiptare.

Guxoj të parashikoj, se ky roman herët a vonë, do të hyjë në historinë e letërsisë shqipe, për faktin, se është shumë origjinal, i guximshëm, fluturon mbi humnerat ballkanike, por nuk bie në to, dhe jep deri diku mesazhin e madh, se libri për njeriun është ose duhet të jetë më i vyer se sa pushka, sado e bukur dhe magjepse që ajo është, si në rastin e pushkës bukuroshe, pushkës kondak-kuqe “Talianka”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s