“DEKORATA MË E ÇMUAR PËR MUA ËSHTË DASHAMIRËSIA E KOLEGËVE, NXËNËSVE DHE PRINDËRVE TË TYRE” -Bisedë me Marie Nikollin (Brozi), drejtoreshë e Gjimnazit, Rrëshen- / Nga: Prof. Murat GECAJ, publicist e studiues-Tiranë

 

“DEKORATA MË E ÇMUAR PËR MUA ËSHTË DASHAMIRËSIA E KOLEGËVE, NXËNËSVE DHE PRINDËRVE TË TYRE”

-Bisedë me Marie Nikollin (Brozi), drejtoreshë e Gjimnazit, Rrëshen-

 

Nga: Prof. Murat GECAJ

publicist e studiues-Tiranë

 

 

mar 1

 

Marie Nikolli (Brozi) ka rreth 40 vjet në punët arsimore: mësuese dhe drejtuese në disa shkolla 8-vjeçare, në shkollën e mesme, specialiste në Zyrën Arsimore të Mirditës dhe, tani së fundi, drejtoreshë e Gjimnazit në Rrëshen. Ishte kënaqësi që zhvilluam bashkë një bisedë, të cilën po e japim më poshtë.

 

 

 

mar 2

 

  1. Ke lindur e banon në Rrëshen dhe tani kryen detyrën e drejtoreshës së Gjimnazit, po në këtë qytet. Së pari, a mund të më tregosh diçka për  jetën e deritanishme, pra për shkollimin, familjen etj?

 

– Po, kam lindur e jam rritur në Rrëshen. Mbarova ciklet e shkollimit parauniversitar në këtë qytet dhe sot banoj e punoj po këtu. Vij nga një familje e thjeshtë nëpunësish. Të dy prindërit e mi, të lidhur ngusht me shëndetësinë dhe arsimin, gjithnjë kanë patur kërkesa ndaj ne fëmijëve dhe na kanë mbështetur e motivuar për shkollimin tonë. Babai ka punuar mbi 35 vite, pandërprerje, në sektorin e shëndetësisë, ndihmësmjek. Ishte  i pari punonjës shëndetësie, që e zhvilloi luftën kundër sifilisit, në rrethin e Mirditës. Ndërsa nëna ime punoi e shërbeu guzhiniere, për 35 vite, në konviktin e Gjimnazit “Bardhok Biba”. Kemi qenë 5 fëmijë, dy vëllezër (një vëlla u nda përgjithnjë nga jeta, si shkak i një sëmundjeje të pashërueshme) dhe tri motra (njëra është mjeke dhe banon familjarisht në Amerikë). Jam e martuar dhe kemi dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali është i martuar dhe ka një vajzë, Vanesën, e cila ne gjyshërit na bën që të ndjehemi të gëzuar e të lumtur me të.

 

 

  1. Fillimi i detyrës së mësueses, sigurisht, ka lënë gjurmë të pashlyera edhe për ty…Çfarë kujton nga ajo kohë?

 

– Në vitin 1976, e kam përfunduar arsimin e lartë shtetëror, për mësuesi, Fakultetin Histori-Gjeografi. E nisa udhën e gjatë dhe të veshtirë, në profesionin e nderuar të mësuesit, në një nga zonat më të thella të rrethit tonë, pra në fshatin Kaçinar. Më kujtohet, kur e mbarova shkollën e lartë, në muajin gusht 1976, nga drejtuesit e lartë të arsimit ishim të thirrur në një takim të gjithë mësuesit, që e mbaruan atë vit degën për mësuesi, si dhe të ardhur nga rrethet e tjera. Të pranishëm në atë takim  ishin edhe drejtorët e shkollave. Siç ishte rregulli, çdo muaj gusht ata i merrnin emërimet e reja. Të gjithë prisnim me ankth, se ku do të caktoheshim. Pasi e dëgjova emrin e fshatit, ku duhej ta filloja punën, kërkova të bisedoja me drejtorin e asaj shkolle. Kështu, u takova me të dhe më mirëpriti. Por gjëja e parë, që më tha, ishte: “Shkolla ime është me emër dhe me tregues të lartë. Aty, ti do të bëhesh mësuese, nëse e do profesionin e mësuesit”. Isha e bindur, siç jam edhe sot, se mësuese nuk të bën diploma ose shkolla e kryer, qoftë dhe me nota të shkëlqyera, por puna e vazhdueshme. Kisha besim te vetja, megjithatë me vete pëshpërita: “Fillo, Marie dhe përpiqu!”. Jo thjesht për nostalgji, por sot e them pa mëdyshje që, ta kryesh këtë profesion, përveç ca aftësive të domosdoshme, duhet punë e vazhdueshme për pasurimin e dijeve, që ta krijosh portretin tënd profesional.

Ditën e parë, që u nisa për në fshat, për atje  më shoqëroi vëllai. Më kujtohet se kishim marrë me vete edhe rroba të fjetjes. Rruga ishte shumë e gjatë, deri te shkolla. Udhëtuam me makinë, deri në qendrën e minjerës së Qafë- Vorrazit. Ndërsa gjithë pjesën tjetër të rrugës e bëmë në këmbë. Pra, ishte me shumë lodhje, me mjaft vështirësi.

Shërbeva një vit në atë fshat. Ndoshta, sot është e pabesueshme që, çdo fillim jave, si mua dhe kolegëve të tjerë, na duhej që të niseshim nga Rrësheni, në këmbë, në orën 03 të mëngjesit,  për të mbërritur në orën 07.30 minuta, që ta fillonim ditën e punës. Në vijim, kam patur shumë lëvizje, nga një shkollë në tjetrën, por asnjëherë nuk u shkëputa nga ky profesion. Pas Kaçinarit, punova në shkollën 8-vjeçare të fshatit Gëziq, më tej në shkollën e mesme Klos-Fanë (Komuna Fanë). Më pas, në vitin shkollor 1990-1991, vijova specializimin pasuniversitar për histori, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, të Universitetit të Tiranës. Kur e kreva specializimin me rezultate të mira, pra me notë mesatare 8, për pak kohë, punova mësuese në shkollën e mesme “Bardhok Biba” të Rrëshenit dhe, më tej, kujdestare në konviktin e shkollës së mesme, zëvendësdrejtoreshë në njërën nga dy shkollat 8-vjeçare të qytetit dhe mësuese. Pastaj, punova specialiste në Drejtorinë Arsimore të Mirditës dhe në vitin shkollor 2005-2006 fillova mësuese në Gjimnazin e Rrëshenit. Së fundmi, u caktova drejtoreshë e Gjimnazit, po në këtë qytet. Vërtet kam bërë shumë lëvizje, që kishin sakrifica e vështërsi, por dhe me shumë lodhje. Megjithatë, unë i vlerësoj  me përvoja të çmuara dhe kujtime shumë të bukura.

 

  1. Me sa jam interesuar për jetëshkrimin tënd, kam mësuar se ke një përvojë të pasur nga kualifikimet, si brenda e jashtë Shqipërisë…Cilat mund të veçoje prej tyre?

 

– Gjatë kësaj periudhe jam përpjekur të jem e përkushtuar në punë, kudo ku kam lëvizur, të përpiqem për  tregues të lartë në procesin mësimor-edukativ. E kam vlerësuar shumë punën me të gjithë kategoritë e nxënësve. Jam përpjekur që t’i bëj pjesë të procesit mësimor metodat bashkëkohore, që i nxitin nxënësit për të qenë pjesmarrës aktivë të të mësuarit dhe kam punuar fort që ta rritim interesin dhe dashurinë për lëndën e historisë.

 

 

mar 5

Mësues të Gjimnazit, në Rrëshen…

 

 

Në këto vite, kam patur fatin e mirë të bëhem pjesë e një sërë trajnimesh, brenda e jashtë vendit. Ato kanë qenë përvoja shumë të bukura e frytdhënëse, që  për mua do të jenë të paharruaraKam ndjekur rregullisht seminaret dhe kualifikimet e organizuara për mësimdhënien, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (tani: Ministria e Arsimit dhe Sportit), si dhe Instituti i Studimeve Pedagogjike për mësimdhënien, brenda dhe jashtë shtetit. Në muajin gusht 1998, kam marrë pjesë  në seminarin trajnues  për mësimdhënien dhe zhvillimet demokratike të shkollave të mesme, në Danimarkë (Kopenhagen).

 

  1. Vërej që është një jetë e tërë e jotja, në shkollë dhe pranë nxënësve. Po, përvojën e fituar, a e keni lënë “të fjetur” apo e keni shkruar e bërë të njohur për të tjerët, me botime të ndryshme?

 

– Pyetja është me vend, se përvojat e fituara, nëqoftëse nuk bëhen të ditura edhe për të tjerët, ato janë si të vdekura. Prandaj dhe kam një përvojë modeste në fushën e botimeve pedagogjike dhe të kualifikimeve. Kështu, po përmendi këtu, se jam bashkautore në librat: “Mirdita-Njohuri për vendlindjen” dhe në metodikën “Aspekte të mësimdhënies të lëndës edukatë”. Jam bërë pjesë e disa studimeve për historinë, arsimin, mësimdhenien dhe i kam pasqyruar në shtypin e kohës, arritje e probleme në fushën e arsimit dhe të edukimit.

Po lidhur me këtë pyetje, tregoj këtu se kam qenë   drejtuese e programit për metodikën “Mësimdhënia me klasa të bashkuara, për shkollat 8 vjeçare” dhe “Ta kuptojmë të kaluarën e përbashkët, për ta ndërtuar të ardhmen (Jeta e përditëshme në Shqipëri, Bullgari dhe Maqedoni, 1945 – 2000). Kam marrë pjesë dhe lexuar punim timin në Seminarin Ndërkombëtar, të organizuar nga Këshilli i Europës, për njohjen dhe mësimdhënien e Historisë së Ballkanit, në Sofie (Bullgari), Shkup dhe Ohër(Maqedoni), në vitet 1999, 2000 dhe 2001. Prandaj dhe jam çertifikuar nga EURO – CLIO (Shoqata Ndërkombëtare e Mësuesve të Historisë), eksperte për mësimdhënien e lëndës së historisë.

 

  1. Më fole për tërë ato kualifikime…Po, sa kanë ndikuar ato në punën tënde vetjake dhe si janë transmetuar ato njohuri të fituara, te kolegët tjerë?

 

– Përvoja, për të cilën do të doja të flisnja shumë, është ajo e punës sime, Kordinatore e disa projekteve të AEDP (SOROS), në vitet 1998-2002, ku rrethi ynë u bë pjesë e këtij projekti, krahas 13 rretheve të Shqipërisë. Nga kjo mbështetje përfituan disa shkolla të rrethit me projekte, që kishin të bënin me rritjen e treguesve në procesin mësimor, me shtimin e bazës materiale laboratorike, kualifikimet e mësuesve, veprimtari artistike e shkencore, edukimin shëndetësor, krijimin e qendrave komunitare etj. Ato i quaj vite shumë të sukseshme në fushën e arsimit në Mirditë, për shkak të dinamizmit dhe të veprimtarive të larmishme, që lanë gjurmë te shkollat, nxënësit dhe bashkasia. Ishte periudhë e përfshirjes dhe përfitimit profesional të një numri të madh të mësuesve dhe shkollave, nga këto projekte. Unë mendoj që një mësues të jetë i sukseshëm, i duhen: përpjekje e vazhdueshme për ngritjen profesionale, durim, këmbëngulje dhe  korrektësi  për t’i kryer detyrat e ngarkuara.

 

  1. Në se mund ta quaja kështu, a ke ndonjë “sekret”, në tërë punën e gjatë, që ke bërë në fushën e arsimit?

 

-Tani mund të them se “sekreti” i vetëm për mua ka qenë, se e kam vlerësuar dhe dashur gjithmonë këtë profesion, i cili është i lidhur dhe ka në dorë përgatitjen e brezit të ri për jetën, sepse siç është Arsimi sot, është Kombi nesër. Përkushtimi është diçka e brendshme, që buron nga shpirti. Profesionalizmi, vullneti dhe korrektesa më kanë shoqëruar në çdo çast. Profesioni i mësuesisë do shpirt. Mësuesi krijon lidhje të veçanta me nxënësit e tij dhe, po u ndërtuan mirë ato, lënë gjurmë përjetësisht tek ata. Është fjala këtu, sidomos, për ato lidhje, që kanë të bëjnë me formimin dhe krijimin e përsonalitetit të nxënësve. Siç dihet, ata jo të gjithë vijojnë e përparojnë njësoj. Pra, janë të ndryshëm, por kanë personalitetin dhe  botën e tyre. Seicili në këtë profesion duhet ta dojë dhe ta ndihmojë nxënësin, ta respektojë dhe  ta kuptojë botën e tij. Jam pak edhe idealiste, por mund të them se, për mua, ky profesion ka brenda art edhe magji.  Nxënësit kanë ëndrra, kanë kërkesa, se janë në një moshë, që do vlerësim, vëmendje, përkujdesje….Gjithë jetën më ka shoqëruar ideja se ky profesion është i veçantë dhe kërkon vullnet e shpirt. Kam parasysh thënjen e Sofokliut: “Gjithçka, që njeriu bën mirë gjatë jetës, asnjëherë nuk i shkon kot”. Pra, cilido mësues ndjen kënaqësi, kur mbetet në kujtesën e nxënësve të tij.

Meqenëse jam në fund të karrierës në arsim dhe me që m’u dha rasti, në këtë bisedë, dua t’i përshëndes dhe t’i falenderoj të gjithë ata kolegë mësues, me të cilët punova në disa shkolla të Mirditës. Por kam edhe një urim të veçantë, i cili shkon nga unë për tërë stafin e mësuesve të Gjimnazit të Rrëshenit, të cilët punojnë dhe  përballen çdo ditë me vështërsi të ndryshme, për ta kthyer shkollën në një qendër, jo vetëm mësimore e shkencore, por edhe edukimi.

 

 

mar 3

Me Flamurin e Shqiponjën në zemër…Nga një veprimtari artistike e nxënësve të Gjimnazit, në Rrëshen.

 

 

  1. Në bisedë tregove se je në përfundim të punës në arsim. Çfarë kujtimesh ruan tani, sidomos për nxënësit e tuaj?

– Eh, shumë kujtime të bukura dhe shumë mall kam nga nxënësit e mi! Pjesa më e madhe e tyre kanë mbaruar fakultetet dhe punojnë në profesione të ndryshme. Disa i kam edhe kolegë, por janë edhe emigrantë jashtë vendit. Ish-nxenësit e mi shërbejnë anë e kënd Shqipërisë dhe në fusha të ndryshme të jetës. Shumë nga ata i kam takuar e mjaft të  tjerë jo. Sa herë që i takoj, marr prej tyre respekt dhe vlerësim dhe kjo gjë, sigurisht, më emocionon e më gëzon pa masë. Me pjesën dërmuese mbaj lidhje, i uroj dhe më urojnë, sipas rasteve. Mall kam shumë edhe për ata nxënës, që kanë lenë gjurmë në kujtesën time.  Mbresa kam plot me shumë ish-nxënës, se një pjesë janë bërë prindër dhe tani i kam nxënës fëmijët e tyre. Shpesh herë u them: “Mamin tënd ose babin tënd e kam patur nxënës dhe ka qenë nxënës i mirë”. Ndërsa ata qeshin dhe nuk e besojnë menjëherë…

Dëshiroj ta përmendi këtu njërin nga nxënësit e mi, i cili sot është emigrant në Itali, Lekën. U takova me të, pas shumë vitesh dhe më tregoi se punonte prej kohësh në Itali. Ishte nxënës i zgjuar dhe në kujtesën time ka mbetur djalë i mirë. Në atë takim, e uruam përzemërsisht njëri-tjetrin dhe biseduam së bashku  për shumë probleme të jetës. Vërejta tek ai interesimin dhe dëshirën për mbështetje.  Kështu, ai e shprehu gadishmërinë e tij për të na mbështetur financiarisht. Më pas, ne organizuam një eskursioni në Mal të Zi,  me ish-nxënësit e mi të Gjimnazit, të cilët i pata në kujdestari, gjatë vitit shkollor 2010-2013. Atyre ua paraqita Lekën dhe u tregova se na mbështeti për atë veprimtari. Kjo klasë, për mua, ishte “qershia mbi tortë” e karrierës sime. Vërtet u lodha ca, por në fund u ndjeva krenare për ta. Kur u takova me ta, thashë me vete: “Bo-boo, a do t’ia dal dot!?” Se ishin  43 nxënës edhe klasa mezi i nxinte. Kështu, mendova se sa shumë punë më duhet. Por u lumturova, se ata më bënë të ndjehem shumë më e re në moshë. I shoqërova për të tre vitet, pa kuptuar aspak lodhje me ta.  Ajo  klasë i kishte  të gjitha tipet: të qetët, të zhurmshmit, të qeshurit, seriozët, të shkathtit…Por, ama, një gjë kishin të përbashkët: ishin ambiciozë, pra kërkonin shumë nga vetja, për tregues të lartë në procesin mësimor. Nuk e teproj, nëse them, që ishin të gjithanshëm. Me kolegët bisedojmë shpesh për ata. As edhe një xham nuk e thyen, për tre vite. Shpesh herë, kur i takoj sot, u them me shaka: “Po le ta kishit bërë ndonjë prapësirë!?”

Kam patur edhe mjaft surpriza nga nxënësit e mi. Por më e madhja ishte urimi special, që më bën për Festën e 7 Marsit 2013. Pothuajse, ata e kishin bërë skenar, për mënyrën se si do ta gëzonin mësuesen e tyre, në atë ditë të shënuar. Në oborrin e shkollës kishin shkruar: “Gëzuar 7 Marsin, zysh Maria!” dhe me pritën me lule. Natyrshëm, u ndjeva krenare dhe shumë e emocionuar.  Sot ata janë në vitin e dytë në fakultete dhe pjesa dërmuese e tyre renditen më të mirët e grupeve të tyre, si: Elisabeta, Borana, Bernardeta, Flavja, Jurilda, Aurora, Jozefi, Erioni, Oltjana, Eriona, Stela, Klotilda etj. Tani, me zemër i uroj të gjithë: Suksese, të dashur nxënës, kudo që jeni. Uroj më të mirën, si për ju dhe familjet tuaja!

 

  1. Po, në  tërësi, nga jeta në Gjimnazin e Rrëshenit, çfarë sjell më shumë në kujtesë?

 

-Në më tepër se gjysmë shekulli, Gjimnazi i Rrëshenit krijoi historinë e vetë, bashkë me të dhe historinë moderne të arsimit të mesëm në Mirditë. Kur m’u kërkua  drejtimi i tij, të them të drejtën, në fillim ngurova edhe për faktin se puna me mbi pesëqind nxënës është e vështirë, duke patur parasysh problematikat e sotme, të adoleshentëve dhe të të rinjëve. E pranova këtë sfidë, duke besuar shumë te mbështetja e kolegëvë të mi, sigurisht edhe te përvojat  ndër vite, këmbëngulja dhe energjitë e mia. Sapo e nisa detyrën, të parën gjë kërkova mbështetjen e kolegëve dhe, si në mënyrë të heshtur, bëra një kontratë morale me ta. Ajo ishte vetëm  për interesat e shkollës, të nxënësve dhe të bashkasisë, që ajo të jetë një vend i dijes dhe i edukimit, i respektimit të rregullit e ligjit, duke ruajtur kështu traditën e mirë të kësaj shkolle ndër vite. Duhej punuar fort, për të krijuar  bindjen  se përfundimet e mira merren, nëse  realizohet një bashkëpunim dhe besim i ndërsjelltë, ndërmjet mësuesve e nxënësve. Qëllimi ishte për të krijuar në çdo kohë klimë miqësore në shkollë, sepse besimi dhe fryma e bashkëpunimit e motivojnë tërë punën dhe jetën e shkollës.

Ne, të gjithë shqetësohemi për problemet, me të cilat përballen aktualisht sot shkolla dhe familjet; pra duhani, alkoli e droga mbeten shqetësim. Mbetet problem vijueshmëria dhe prirja e adoleshentëve për të mos e respektuar rregullin e disiplinën në shkollë. Nisur nga mangësitë, të cilat u vunë re në vitin që lamë pas, na u desh të përcaktojmë synime të qarta për vitin në vazhdim. Ato kanë të bëjnë me rritjen e treguesve në procesin mësimor-edukativ, përmes zbatimit cilësor të kërkesave të Kurrikulës së Gjimnazit, rritjen e treguesve të Maturës Shtetërore, uljen e numrit të mungesave etj. Këto synime do të arriheshin përmes një angazhimi profesional të të gjithë stafit,  rritjes së kërkesave, zbatimit të Dispozitave Normative dhe rregullores së brendshme të shkollës, për ta përmbushur me sukses misionin e saj. Tashmë, shkolla jonë ka në duar dokumente të rëndësishme, siç janë ai i Përformancës dhe Kodi i Etikës, për të përmbushur Standartin e kërkuar të mësimdhënies e të nxënit.

 

9.Dihet rëndësia e lidhjeve e bashkëpunimit shkollë-familje dhe e organizimit të veprimtarive të ndryshme. Si e keni realizuar këtë gjë në shkollën tuaj dhe si kanë ndikuar ato në jetën e nxënësve dhe në rritjen e treguesve cilësorë të procesit mësimor-edukativ?

 

– Ka një vit që kolektivi ynë u përfshi në projektin “Shkolla si qendër komunitare”, pra e hapur për nisma, projekte dhe ide për bashkëpunim të ndërsjelltë. Po punojmë për një paraqitje sa më të mirë të shkollës sonë, për të nxitur dhe përuruar talentet, aftësitë krijuese të nxënësve.  Kjo u arrit përmes realizimit të një sërë veprimtarish dhe projektesh me nxënësit. Kanë funksionuar disa klube, si ai i Debatit, i Biologjisë, i Fizikës etj.  Janë të shumta veprimtaritë e kryera, me kujdesin dhe profesionalizmin e mësuesve tanë. Nxënësit kanë marrë pjesë në konkurse dhe në veprimtari shkencore, artistike e sportive, ku dhe janë përuruar prirjet dhe talentet e tyre. Kështu, p.sh., nxënësit e  maturës 12-A kanë ngritur sipërmarjen private “Hand Art” dhe punimet e tyre u përuruan në sheshin e qytetit Rrëshen. Një klasë tjetër mature, pra 12- F, të grumbulluar në Klubin e Debatit, organizuan një veprimtari, e cila në fokusin e saj pati bashkëpunimet shkollë-familje-bashkësi. Synimi është që të vihet në qendër të vëmendjes cilësia e arsimimit dhe e edukimit të nxënësve. Ndërsa nxënësit e klasave 11-E dhe 11-F u bënë pjesë e veprimtarive shkencore, në lëndët Biologji e Fizikë etj.

 

  1. Në mbyllje të bisedës sonë, natyrshëm, pyes:Sa është vlerësuar tërë kjo punë shumëvjeçare dhe e përkushtuar e jotja në arsim?

 

– Po, jam vlerësuar e nderuar, në forma të ndryshme, për punët e kyera dhe aftësitë e mia profesionale. Sigurisht, kjo gjë më gëzon. Ndër të tjera, mbaj Medaljen “Naim Frashëri”, me motivacionin:  “Për rezultate të mira në procesin mësimor – edukativ”. Por mendoj që “dekorata” më e çmuar për mua janë fjalët dhe dashamirësia, që kanë treguar e tregojnë, si nxënësit e kolegët e  shkollave, ku kam punuar dhe te Gjimnazi, ku shërbej sot, por dhe prindërit. Të gjithëve atyre u jam mirënjohëse dhe ju uroj gjitha të mirat në jetë!

 

Rrëshen, prill 2015