LIBËR, ME LARUSHI TEMATIKE DHE PASURI GJUHËSORE… (“Me shpirt atdhedashurie”, i prof. Murat Gecaj) / Nga: Ibrahim Hajdarmataj -arsimtar e publicist

LIBËR, ME LARUSHI TEMATIKE DHE PASURI GJUHËSORE…

(“Me shpirt atdhedashurie”,  i prof. Murat Gecaj)

 

Nga: Ibrahim Hajdarmataj

          -arsimtar e publicist

 

 

i h

I.Hajdarmataj.

 

 

Shkrimtari, publicisti dhe studiuesi i njohur, prof. Murat Gecaj vjen te lexuesi ynë, me librin e tij të 13-të, “Me shpirt atdherdashurie”(Tiranë, 2015), venë në qarkullim nga SHB “Edlora”. Redaktor është Viron Kona dhe recensentë: Sokol Demaku e Bahtir Latifi.  Këta dy kolegë e miq shqiptarë, me banim në Suedi, e kanë bërë dhuratë këtë libër, në përvjetorin e lindjes së tij. Me këtë rast, janë shprehur me fjalë miradie e vlerësuese, në hyrjet e vendosura në faqet e para të këtij libri. Titujt e tyre janë: “Pishtar i palodhur i çështjes sonë mbarëkombëtare”(nga S.Demaku) dhe “U bënë sa vite, që u njohëm dhe çdo herë ai është i njëjtë…”(nga B.Latifi).
Në përgjithësi, pothuajse, të gjithë shkrimet e këtij libri janë publikuar në faqen e Internetit “Dituria” dhe në revistën, po me këtë emër, që del në qytetin Boras të Suedisë.

Pjesa e parë e librit hapet me titullin domethënës, “Për kolegët e miqtë, nga Suedia”. Më tej, vijojnë 14 shkrime e reportazhe, të shoqëruara me 51 fotografi kuptimplote. Sidomos, të bien në sy ajo e albanologut të  shquar suedez dhe mik i shqiptarëve, Ullmar Kvik dhe e mësuesit të parë të shkollës shqipe në Suedi, Sadulla Zendeli-Daja, autor i mjaft librave, në poezi e prozë dhe i disa fjalorëve të ndryshëm.

Pjesa e dytë hapet me skicën domethënëse, “Të lumtë, Shqipëria ime!”, kushtuar mikpritjes shembullore, që iu bë në Shqipëri, Papa Françeskut. Interesant është shkrimi, “Mbretëresha shqiptare” Teuta, që takoi mbretëreshën e Suedisë”. Ai bën fjalë për Teuta Halilajn, arsimtare, me aftësi të kufizuara shëndetësore. Pastaj, vijojnë shkrimet: për bisedën e ngrohtë, në shtëpinë e saj në Prishtinë, me këngetaren e madhe Nexhmije Pagarusha; për festën e Bytyçit, në Malin e Dajtit; për vajzën shqiptare Sara Titka, që shkëmbeu letra me Presidentin e Amerikës, Xhorxh W.Bush etj.

 

i h 2

Ballinat e librit të ri, me autor prof. Murat Gecaj.

 

Vlera të veçanta paraqet dhe pjesa e tretë e librit. Aty janë botuar shkrime nga përurimi i disa librave të reja, në kryeqytetin tonë. Të tillë janë librat për Mgjenin, nga Akademiku Alfred Uçi; ai për atdhetarin Ali Ibër Nezaj,i Malësisë së Gjakovës- Tropojë (përgatitur nga Ganimete Thaçi) etj.

Në vazhdimësi, tërheqës janë shkrimet kushtuar disa autoreve krijuese. Të tillë, po përmendim atë për librin e korçares Reshida Çobës, me banim në Kaliforni, “Më kot më fshihesh, unë do të shoh, në mos në rrugë, në ëndërr domosdo” dhe “Mos e vrisni dashurinë”, nga poetja Nafie Salihaj (Zogaj-Tropojë). Në shkrimin “E ndiej se poezia është melodia e zemrës sime”, autori flet për krijimtarin e Mimoza Agalliut dhe në atë me titullin “Unë e ndiej se jam e lirë, si një pulëbardhë, që fluturon në hapësirë” për poeten vlonjate Zyba Hysa. Në vijim, shkrimi “Kolege dhe mike, që të nderon me krijimtarinë e saj” flet për shkrimtaren dhe publicisten e njohur Shpresa Vreto; tjetri për poeten e re Enkelejda Tahiri, me banim në Bruksel, “Vazhdoj të jem vatra e vendit tim” dhe, i treti, për librin e poetes Lumturi Ymeri, “Ditëhije dashurie”. Po kështu, janë shkrime për librat e poeteve: Merita Gjoni, Ermira Isufaj, Lida Lazaj dhe Eli Kanina.

Pjesa e gjashtë hapet me skicën “Dritëroi është edhe tropojan” dhe vazhdon me tjetrën, ,po kaq të bukur, “Miku ynë Sejdo Harka, tani u bë me dy 6-ta”, shkruar me rastin e ditëlindjes së tij.

Megjithëse autori i këtij libri nuk është poet, me raste, ka thurur vargje të frymëzuar, të cilët i ka vendosur në pjesën “Vjersha”, siç i quan ai. Ato i ka krijuar për ngjarje të shënuara të jetës vetjake e familjare, si për nënën, që e la jetim në moshë të mitur dhe për emigracionin e 6 marsit 1991, kur dy djemtë  e tij shkuan në Itali, por dhe me temë atdhetare, si ajo kushtuar atdhetarit të shquar, Isa Boletini etj.

Parë në tërësi, shkrimet e këtij libri të autorit prof. Murat Gecaj, dallojnë për larushinë tematike dhe të gjinive të përdorura, por dhe për gjuhën e tyre të  pasur dhe të saktë letrare, pasi ai vetë ka qenë pjesëmarrës dhe ka lexuar punim të tij, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972.

Në këtë përvjetor të 75-të të lindjes së prof. Murat Gecaj, publicist e studiues ynë i njohur dhe prodhimtar në fushën e letrave shqipe, e urojmë përzemërsisht! Gjithashtu, i dëshirojmë shëndet të mirë dhe mendje të kthellët, për të na dhënë libra të tjerë të bukur, ashtu siç janë dhe të mëparshmit, secili më domethënës e i veçantë, në tematikën dhe llojin e vet.

 

Tiranë, 15 prill 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s