Shtëpia Botuese “ADA ” publikon romanin “ Koleksionisti i ikjeve “ të autorit Petrit Sulaj dhe redaktim të Lida Lazaj.

10941906_10205242659218730_6058286839413969555_n

Shtëpia Botuese “ADA ” publikon romanin  “ Koleksionisti i ikjeve “ të autorit  Petrit Sulaj dhe redaktim të  Lida Lazaj.

 

Titulli i librit: Koleksionisti i ikjeve
Autor: Petrit Sulaj

Redaktore: Lida Lazaj

Formati: 14 X 20

ISBN: 978-9928-193-67-4

 

roland

Roland Lushi

Botimet ADA
Shtëpia Botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, prill 2015

 

Kapitull pa numër

E di, nuk do të mund të tregoj asgjë të bukur, asgjë që të ngre zemrën peshë. E do të jetë kështu jo sepse nuk dua, por ngaqë nuk kam patur rast për të provuar. Do të mund të tregoj, po, gjëra të trishtuara, gjëra të hidhura, zhgënjime sa e si të duash. Duke filluar e mbaruar me ikjet e mia pa fund, nuk e di se ku, po di arsyen se pse. Sa herë kam ikur, nuk e kam bërë këtë gjë për të shpëtuar nga vetja vetëm se ajo nuk gjendet mirë në një vend a gjendje; po për të zbuluar se si do të sillem e çdo të bëj në situatën a vendin e ri ku do transferohem. Shkurt, nuk kam ikur për qejf e as për hall, por për t`u gjendur në një vend tjetër, nga ku mund t’ i vështroja gjëra jo si i kam vështruar deri tani, po nga një këndvështrim tjetër.
Do të rrëfej se çfarë kam parë e takuar gjatë këtyre ikjeve pafund e fillim. E nuk mund të rri pa e filluar dëshminë, duke përmendur së pari rrugët. As edhe njëherë të vetme s’ më kanë penguar udhët të realizoj ikjet e mia, por nga ana tjetër as edhe më kanë ndihmuar. Pastaj dua të vazhdoj me diellin, i cili nuk më është ndarë gjithë jetën edhe se ka qenë indiferent në kulm e krejt i pa interesuar ndaj meje. Më tej në vazhdim me hënën, e cila gjithë kohës sa qeshë në udhë vetëm sa ka shfrytëzuar pacipërisht dritën e diellit; të këtij dielli, i cili njësoj si për gjithçka tjetër, është indiferent dhe për këtë vjedhje pa fillim e fund të hënës. Gjatë ikjeve kam mësuar se hëna e përdor dritën e vjedhur diellit, në radhë të parë për vete, për t’u dukur më e bukur mes tij e tokës, po ndërkohë nuk ka lënë jashtë vëmendjes sidomos poetët e trishtuar e pse jo dhe ikanakët e përjetshëm si puna ime. E në fund më duhet të përmend krejt agimet e perëndimet, muzgjet e netët, shumicën dërmuese të të cilave i kam kaluar fillikat e vetëm. Një herë, në njërën nga ikjet e mia ku më shoqëronte dhe Eduardi, për hënën, kam menduar se kur është shfaqur në qiell, ka patur qëllim që të jetë dielli rezervë për galaktikën e nuk ja ka dalë mbanë. Sa keq më ka ardhur për hënën kur kam menduar kështu, më keq se për veten kur pas çdo ikje, nuk arrija më shumë se dështimin e radhës.
Do të tregoj për prindërit e mi, që s`kam qenë i zoti t’u dërgoj një tufë lule në përvjetorin e vdekjes në varrezë, jo se nuk doja, por se gjithmonë isha larg tyre; po dhe për fantazitë e mia që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të më vënë në kurriz të tyre e të vrapojnë si mushka të harbuara pa e ditur se ku do ndalen. Pastaj dhe se kam qënë i ndershëm e vetvetja nga lindja deri në vdekje, e se si kjo ndershmëri e autenticitet nuk i ka hyrë në punë kërkujt në botë, madje as vetë mua. Bile do të bëj dhe gjëra që nuk i shkon kujt përmendje: do të do të tregoj dhe për llogari tënde, gjëra, që ti nuk i di për veten, madje dhe për kë të duash ti për ndonjë person tjetër që të ka tërheq vëmendjen e s’ke patur mundësi të shkëmbesh dy fjalë me të, e do të shohësh se gabimi im në këto përshkrime do të jetë krejt i papërfillshëm. Do të tregoj edhe atë se krejt dëshmitë e ligjëratat e mia shkojnë për një qëllim, për të bindur ndonjë tek tuk, se megjithëse ikja nuk e shpëton njeriun as nga të tjerët e as nga vetja, është mënyra më efikase e më e sigurtë për të jetuar jetën që na është dhënë, në mënyrë të papërsëritëshme. Madje nuk do të harroj të dëshmoj, se emocionet janë të bëra një herë e përgjithmonë, e jo ndërgjegja. Emocionet nuk kanë nevojë për përvojë, lindin të bëra bashkë me njeriun e ka raste kur ndikojnë aq shumë, sa dhe personin më inteligjent e më me përvojë, e zënë në befasi e paralizojnë në vend duke e çarmatosur e bërë nul.
Përherë më kishte bluar dëshira të kridhesha një herë si do të kisha dashur në ikjen time, të zhytesha e kështu lëvizja brenda saj të më shërbente si i shërben uji peshkut, teksa noton jo vetëm në drejtim të rrymës por dhe kundra; e kjo jo për të verifikuar e vënë në provë aftësitë e tij po vetëm për qejf. Kështu ndodhte me mua, ndërsa lëvizja e ushqeja trupin e mendjen me ushqimin që grumbulloja gjatë ikjes së radhës, harroja jo vetëm botën po dhe vetveten.
Sa shumë arësye gjeja kur ishte puna për të mos qëndruar në vend. Sa shumë.
Ja njëra, të cilën e kam zbuluar vonë: kam ikur dhe për të qënë i lirë e i qetë për t’u marrë vetëm me veten. E pse gjithë kjo? Për asgjë tjetër vetëm që të përmirsohesha ca, dreqi më marrtë; në mënyrë që kur të kthehesha, të mos i zhgënjeja njerëzit në sasinë e cilësinë sa i kisha zhgënjyer deri atë kohë, po një grimë më pak, dreqi më hëngërt! Sepse po nuk mësove më parë të njohësh e pranosh gabimet e tua, nuk mund të kuptosh e pranosh as gabimet e të tjerëve
Sidoqoftë duhet të njoftoj, se nuk jam aspak gjë e lehtë për t’u spjeguar e kuptuar. E nëse më pyet se si jam e pret një përgjigje me dy fjalë për të kuptuar gjë; të them se duhet të imagjinosh. se si mund të jetë një udhëtar. që nuk ka nevojë të niset, jo se nuk do, por thjesht se ai tashmë është i nisur një herë e mirë, është në rrugë, që në minutën e parë kur ka ardhur në jetë. Nisja për mua nuk është thjesht një praktikë për të kryer një punë, a për të bërë një vizitë diku e për tu kthyer përsëri në shtëpi. Jo, ikja për mua është një kokteil nevoje, dëshire, melankonie, nostalgjie. Më ngjan vetja me një dallgë deti, që ka një milion molekula në përbërjen e saj e që as që e di se praktika, që ajo bën përditë e përnatë: para e kthim pas e ka emrin rruga drejt bregut e kthim në origjinë.
Pjesa më e bukur e gjendjes duke ikur, është se ndjehesh i tëri në lëvizje, trup, mendje e ndjenjë. Krejt qënia e njeriut në ikje e sipër çvendoset vetiu, si një thërmi e ndërgjegjëshme universale dhe zbulon se dëshirat e tij më parë se të jenë personale, janë universale. Vetëm në gjendjen duke ikur ti mund t’i takosh vetes dhe botës njëkohësisht. Vetëm kur ikën bën një veprim të papërsëritshëm për t’u çliruar nga gjendja në të cilën gjendesh.
Në fillim të udhës, as që e dija se pse doja vetëm të ikja. Pse doja të ikja nga gjithçka e kudo, ku ndjehesha e nuk ndjehesha mirë? Pse vetëm doja të ikja edhe pa e ditur se ku do të shkoja e sidomos ku do të ndalesha? Njerëzit fillojnë të ikin vetëm pasi humbin udhën e unë nuk doja të isha një i tillë, ndoshta prandaj mësova të ik që fëmijë, kur nuk isha i sigurtë se po bëja rrugën e duhur.Ky instikt, në vend që të më ishte i dobishëm, do më kishte shkatërruar nëse nuk do të kisha bërë mik për kokë vëzhgimin. Provo dhe ti të ikësh, pa e ditur se ku do shkosh, të njohësh se sa gjendje e tmerrshme dhe e mrekullueshme është njëkohësisht. Kjo përvojë është shumë më joshëse se sa kur don të ikësh, e ndërkohë nuk don të shkosh asgjëkundi.
Sapo leja pas krahëve mëngjesin, çdo ditë kështu, në vazhdim e gjeja veten të mërzitur. Ca kohë e durova mërzinë si burrë, deri sa u lodha e për të mos ngrirë, ndërrova strategji e pastaj taktikë. Në fillim, u shtjellova si dëshirë e vagëllt për të qenë diku në një vend tjetër, a dikush tjetër, që të mos e duronte mërzinë. Me kohë dëshira u bë nevojë dhe fillova të lëviz. Në fillim ngadalë e me kujdes e me kohë, pastaj fitova sigurinë të vrapoj e të ik, pa lëvizur në fakt as edhe një hap nga vendi ku gjendesha.
Me kohë fillova të mësoj se kur njeriu vihet në lëvizje dhe mendimet e tij lëvizin. Kur njeriu ikën, mendimet vrapojnë para tij. Dhe yjet sikur më këshillonin me gjuhën e tyre: “Marko, mos hidh rrënjë në vende e gjendje, në të cilat e ke vështirë për të ikur!”
Kështu fillova ta gjeja veten një pemë me rrënjë të ngulura në një vend jo të përhershëm, pa ndonjë mardhënie të caktuar me të shkuarën, edhe se e kaluara ishte brenda meje, çdo qelizë imja e mbijetuar kishte në përbërje të saj më shumë se gjithçka tjetër historinë e vet. Nuk mund të banoja në një shtëpi gjithë kohën si bëjnë njerëzit me mend në kokë, shtëpia nuk ishte për mua. Shtëpia ime ishte udha.Nuk e di pse kjo, edhe se pastaj me kalimin e kohës një mendim e bëra, një ide që në fakt kurrë kam patur guximin ta deklaroj si të vërtetë. Ide që konsiston në faktin se krejt fajin a meritën që e kalova jetën kështu ma ka patur intelekti im, që shumicën e herëve e kam konsideruar krejt të kufizuar edhe se nuk dua të gënjej, e të mos them se në nja pak raste e kam gjetur veten dakord që ka qenë i tillë.
Të tilla gjëra po mendoj teksa çapitem brenda kësaj dhome ku jam prej dy ditësh, dhe si u ndala një çast duke fërkuar kokën pranë dritares, nuk e di pse më shkuan sytë në qiellin e asaj mbrëmbje që sapo kishte rënë. Ishte e njëjta kaltërsi me hënë dhe sonte sipër kokës time të lodhur, qielli jetonte atje lart pa evoluar prej miliarda e miliarda vitesh, pa lëvizur nga vendi dhe sonte po njësoj, masë e bërë, krejt në ekuilibër mes vetes e yjeve të panumërt që banonin në të. U përpoqa dhe si ja dola e spostova në cep të mendjes një çast hallet, që më kishin sjellë në atë gjendje ekuilibri të çuditshëm shpërthimi e vetpërmbajtje, kuptova deri në fund, një herë e përgjithmonë se krejt meritën a fajin për ekuilibrin e joekulibrin tim e kishte vetmia, që tashmë më kishte futur përfundimisht në orbitën e saj.
Kisha dëgjuar se kur të mbyt trishtimi duhet të mbyllësh sytë e të fluturosh, provova dhe kjo këshillë anonime funksionoj dhe për mua. Mbylla sytë, fluturova dhe ja tek e gjeta veten këtu duke shkruar e shkruar pa u ditur të ndalem.
Të mos harroj pa thënë se puna e parë që kam bërë, sapo hapa derën e u futa në këtë dhomë hoteli shkova drejt dritares. Dritarja gjithmonë ka patur rëndësi të madhe për mua, dhjetëfish më shumë se dera. Një dhomë me dritare, të garanton komunikimin me qiellin. Madje po ta hapësh e të zgjasësh kokën ca, merr në çast njëqind racione qiell. E ç’ mund të pretendosh më shumë nga një dhomë hoteli, me një dritare, që mund t’a hapësh e t’a mbyllësh pa probleme?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s