Cikël poetik nga Hamit Taka

Hamit Taka

 

Cikël poetik nga Hamit Taka

 

 

    LARG…

 

Tani ti je larg, unë s’të shikoj.

As aromën e flokëve më s’ta ndjej.

Me sytë e zemrës pyes, kërkoj

Në shtigje malli mos të gjej.

 

Të kërkoj në një bankë shkollore,

Ku shoh një vend të rezervuar,

Ku veç një herë unë të premtova

Lumturi e të ardhme të shqetësuar.

 

Të kërkoj në kthesa, nëpër qoshe,

Ku ti më shfaqesh rastësisht,

Po zemra s’bën lëvizje boshe,

S’e mashtron dot veten butësisht.

 

Të kërkoj në një pyllë të gjelbër,

Nën tinguj gjethesh zëpikëlluar,

Ku si cub ta putha buzën e egër,

Dhe kurmin tënd të flakëruar.

 

Të kërkoj netëve vjeshtore,

Kur një bisedë s’e lidh dot varg

Ti do të doje me trokthe hamshore

Në një ëndërr maji të të shpija larg…

 

Ku t’ju kërkoj më tani tjetër?

Në një strofë brilant a varg të krisur?

Në një kujtim të posa tretur

Si hënë e grënë duke ikur?

 

Unë i uroj shërim të shpejtë

Plagës tuaj në s’është përtharë,

Plagën time do ta gërvish për jetë

Sa të ndiej dhimbje në damarë…

 

 

 

 

NJË MYSLIMANKË NË  PLAZH

 

Nga hija nën tendën buzë detit

Me syzet e diellit maskuar

Ç’më bredh syri zezvek i poetit

Kërkon detajin, fjalën  e çmuar.

 

Kalojnë femra me linja plot hire

Si statuja të Fidias trupin brilant

Djem gazmorë harbohen pas tyre

Si kërriça të vegjël elegantë.

 

Mos vallë kaq shpejt po plakem

Të gjitha më duken etalone njëlloj

Si kuklla të prodhuara në Manhaten

Dhe hiret epshore dot s’ua dalloj.

 

Një myslimankë afrohet papritur

Me shaminë varur gjer mbi vetull…

Si në ëndërr i puliste qerpikët

Me çantën e bukur nën sqetull.

 

I shoh buzët e plota ëngjëllore

Diçka si lutje pëshpërisin ato

Më t’ëmbëla se çdo fjalë njerëzore

Fëshfërima mëndafshi ndiej ngado.

 

I përhumbur në një ëndërr misteri

Myslimankën të çvishet e pres

T’i shoh lëkurën e bardhë si mermeri

Trupin e saj gjithë afsh e finesë.

 

Po nuk çvishet vajza kryeneçe

Këmbë e duar fut në ujin e kaltër

Veç  qafa e gjatë zbuluar i mbetet

E hollë, e bardhë si alabastër.

 

Brengën time në heshtje e vuaj

I zhytur në ca ajete Kurani

Shejtanin me gurë dot s’e gjuaj

T’i lexoj vajzës ca vargje Khajami.

 

Floririn e shpirtit në sytë e saj e shoh

Mbase zemra ndien e vuan

Po sekretet myslimankës ia njoh

Hiret e dhuratat për burrin i ruan…

 

 

 

 

 

KROI

 

Sa herë eci rrugëve, diku një krua has

Makinën shpejt ndaloj e nisem tërë gas;

S’dua t’ia di fare kush po vjen pas meje

Për të fshehtat e mia me kroin nis e flas.

 

Për kroin e vendlindjes atij nis t’i tregoj

Çdo gjë që mbaj në gji me hare ia kujtoj

Si gjaku i dashuruar kur kumbon në deje

Më rrjedhin kujtimet, asgjë, asgjë s’harroj.

 

 

 

 

 

LEGJENDË  MËRGIMI

 

Dy djemtë ikën një fundvjeshte,

Me prindët u ndanë te një gardh;

Me lotë të nxehtë, me përshëndetje:

“Diell ua bëj, o Zot i madh!”…

 

Sosën djemtë në zemër të Europës,

Kalvarin, dhimbjet i lanë pas;

Gjetën punë, para të panjohur,

Shampanjë, uiski, shend e gaz…

 

Në mend u erdhi pas shumë vitesh:

“S’kalojmë një herë nëpër Atdhe!”…

Morën nuset, fëmijët memecë

Avionit i hipën gjithë hare.

 

Kalimthi shkuan në vendlindje

Mezi e njohën shtëpinë e vjetër,

Trokitën në derë, në xham trokitën,

Veç jehonës, s’përgjigjej tjetër.

 

Mbase flenë, thanë, në këtë orë,

Të shkretët janë dhe moshë e shkuar…

Kur gratë i pyetën sa vjeç ishin,

Ngritën supet të hutuar.

 

Kërkuan heshtaz në çdo dhomë,

Me mallë e frikë prekën çdo qoshe:

Nënë ku je, baba pse s’dilni,

Zërat tanë sot nuk i njohët?…

 

Iu kujtua të madhit gjitonia e bukur,

Një drithmë trupin ia përshkoi…

Pas dritares, pas grilash strukur

Kumbimin e zërit ia dalloi.

 

Kush jeni  ju që i kujtoni?…

Kanë pesë muaj tashmë të vdekur

Dhe qenin e shkretë, që e kërkonin,

Ca arrixhinj, thonë, e kanë gjetur;

 

Nuk ishin dhe fort të moshuar,

Por i grriu malli për të bijtë,

Njëherësh vdiqën, varret bashkuar

Në varreza, te dy selvitë…

 

Morën rrugën për te varrezat

Me kangjela e heshtje rrethuar,

Nuk mundën varret t’i dallonin

Mes hithrash e gjëmbash mbuluar?…

 

Djalit të vogël se ç’iu kujtua:

Formoi një numër celulari,

Mes dy gurësh se ç’u dëgjua

Një tingull i mekur përmes barit.

 

U drodhën varret të dy njëherësh,

Dy zëra erdhën tok të shuar:

“Ju jeni bij, mirëse na erdhët!

Jeni të lodhur e të malluar?

 

Ç’keni kështu, nuk jeni mirë?

Ne nga gëzimi jemi dehur.

Janë lodhur nuset me fëmijët?

Çelësi është te vend i fshehur!

 

Fiq të thatë e ftonj të pjekur

Ua ka ruajtur nëna në sepete

Dhe ca dhurata për fëmijët,

Për nuset tuaja dhe për vete.

 

Unazën e vathët prej floriri

Te kutia ime i kam lënë,

Kisha frikë nga lagështira,

Në lesh të vjetër i kam vënë.

 

T’i mbajnë nuset sipas dëshirës

Nga zonja nënë për trashëgim,

Kur të bëhen dhe ato si unë

Nuseve t’ua lënë kujtim”…

 

Ranë përmbys djemtë e vajtuan…

Ua bënë varret prej mermeri;

Sa shumë gjëra pastaj kujtuan

Dhe zile u bënin herë pas heri…

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s