Shtëpia Botuese “ADA ” publikon librin me prozë dhe poezi “ Përtej ndalesës “ të autores Valbona Hykaj dhe redaktim të Jaho MARGJEKA. / Nga Roland Lushi

 

11183431_10205291544600834_2051519123851224342_n

 

Shtëpia Botuese “ADA ” publikon  librin me prozë dhe poezi   “ Përtej ndalesës “ të autores  Valbona Hykaj  dhe redaktim të   Jaho MARGJEKA.

 

Autore: Valbona Hykaj
Titulli i origjinalit: “Përtej ndalesës”
Poezi & prozë
Redaktor : Jaho Margjeka
Recenzent: Defrim Cani
Art grafik: Ada
Copyright@-Valbona Hykaj-2015
Të gjitha të drejtat e këtij botimi janë të rezervuara.

Botim i parë, 2015
Tirazhi: 400 kopje
Çmimi: 500 leke/5 Euro
ISBN: 978-9928-193-72-8

 

roland

Roland Lushi

 

Shtëpia Botuese “ADA”
Rruga: Nasi Pavllo Nr.20
E-mail: rlushi@yahoo.it
Cel: +3554 68 221 9016
Tiranë, prill 2015

 

 

SHKRIMTARE ME INTERESIME  TË GJERA KRIJUESE

 

Nga Jaho MARGJEKA, poet.

Tek flasim për librin e pestë “Përtej ndalesës”të Valbona Hykës konstaton me kënaqësi evoluimin krijues të kësaj autoreje, duke lëvruar jo vetëm poezinë por duke qenë jo pak e suksesshme edhe në gjininë e prozës.”Etja e ëndrrës”, poezi, Tiranë 2007, ”Dhelpra pa bisht”, përralla për fëmijë, Tiranë 2009, “Shtëpia pa dyer”, përralla shqiptare, Tiranë 2012, ”Rojtari i zemrës”poezi, Tiranë 2013, dhe”Përtej ndalesës”, poezi & prozë, Tiranë 2015, padyshim janë arritje të padiskutueshme të Hykajt. Libri i ri”Përtej ndalesës”, përmbledh krijimtari të re të freskët në gjininë e poezisë dhe të prozës, botuar herë pas here edhe në të përjavshmen letrare “Nacional”.
Valbona Hykaj u paraqit së pari përpara lexuesit me vëllimin poetik”Etja e ëndrrës”2007, poezi e shkruar nga koha e vajzërisë si gjimnaziste e deri në kohën e botimit të librit. Duke shfletuar faqet e këtij libri befasohesh dhe emocionohesh nga ndjesitë plot bukuri e ëmbëlsi të poezisë së saj.
Pas suksesit të parë në poezi autorja i drejtohet gjinisë së prozës. Boton dy libra me përralla, ”Dhelpra pa bisht”, Tiranë 2009, ku përfshihen gjashtë përralla të zgjedhura për fëmijë. Por ngjarje letrare për t’u shënuar jo vetëm për vetë autoren ishte libri ”Shtëpia pa dyer”-përralla shqiptare, Tiranë 2012.

 

valbona hykaj

Valbona Hykaj

 

Tridhjetë e dy përrallat e këtij libri janë treguar e ritreguar, e shumë prej tyre janë ngjizur në Rrafshin Verior, rrëzë Shkëlzenit në Malësinë e Gjakovës. Pikërisht në Tropojë, nga ky vend e nga kjo trevë e magjishme epiko-lirike prej nga vjen dhe Valbona Hykaj, autorja e kësaj përmbledhje me visare të çmuara të trashëgimisë sonë. Përrallat e këtij libri janë fryt i kujtesës së mrekullueshme të poeteshës Hykaj, që ka mbledhur me kujdes si lulet e pranverës në lëndinat e vendlindjes këto rrëfime të gjyshes së saj. Libri mori vlerësime e lavdërime të shumta, ndër to po veçoj atë të prof .dr. Adem Jakllarit, i cili ndër të tjera shprehet:
“Libri Shtëpia pa dyer i Valbona Hykës është një shndërrim i bukur në tekst të shkruar i një pjesë të fondit të pasur të përrallës shqiptare. Një botë e tërë plot trillime dhe imazhe magjike që autores i ka mbetur thellë kujtesës nga fëminia, vjen plot stil dhe mjeshtëri në bibliotekat tona. Fabula përrallore nga më të vjetrat e kujtesës artistike kolektive, i nënshtrohen një procesi mjeshtëror rikrijimi. Libri ka vlera të begata artistike dhe morale. Ai është strukturuar mbi motive dhe heronj arketipalë, që e çojnë lexuesin e sotëm në një botë ku zotëron magjikja dhe trillimi i pafundëm. Është meritë e Valbonës që në rikrijimet e veta ruan po atë performancë artistike që ka shfaqur shumë kohë para saj rrëfimtari anonim. Një univers i tërë ku shkëlqen aventura, imagjinata, veprimi dinamik dhe ndërhyrjet magjike, risillet me mjetet e rrëfimit artistik para lexuesit të sotëm. Personazhe të njohur të përrallës popullore si e Bukura e dheut, Djali gjarpër, Djali i vogël, Kuçedra, etj, rimodelohen pa dëmtuar strukturën e tyre bazale, duke vendosur në një balancë të shkëlqyer përvojën krijuese popullore me atë autoriale. Në këtë mënyrë Valbona çon më tej një traditë shkrimore që njeh autorë të tillë si Mitrush Kuteli apo Virgjil Muçi. Të rrëfyera përmes një sintakse të përpunuar bukur, një ligjërimi që rrjedh natyrshëm dhe leksiku të qëmtuar me kujdes, përrallat e këtij libri lexohen me endje dhe kënaqësi. Libri zgjon kureshtje dhe imagjinatë; të ndihmon për të zbuluar fonde të vjetra të ndërgjegjes estetike kolektive dhe të këndell me sinqeritetin dhe naivitetin njerëzor”.
Karakteristikë thelbësore për këtë krijuese është interesimi i saj në një shumësi gjinore të krijimit, por edhe për një shumësi të interesimeve tematike. E kam fjalën konkretisht për poezinë e librit”Rojtari i zemrës”, një poezi që buron nga frymëzimet e përditshmërisë shpirtërore të individit në relacionet e tij me Krijuesin. Me stilin e saj elegant të të rrëfyerit poetik në vargje, ajo shpalos përpara nesh një kopsht të lulëzuar me ngjyrat më të bukura, me aromën e jetës së virtytshme dhe të përkushtuar. Me të drejtë redaktorja e librit “Rojtari i zemrës”, Jolanda Lila në parathënien e këtij libri thotë:”Libri “Rojtari i zemrës” nuk është thjeshtë një tufëz ndjesish personale, por arrin ta kapërcejë ndjenjën vetjake dhe të bëhet universal, të shndërrohet në një trajtë përfaqësuese, ku brenda tij ndryhet bota shpirtërore e çdo qenieje njerëzore, si e besimtarit, ashtu edhe e ateistit…
I ngjizur me një dashuri e finesë të hollë artistike libri shpërfaq dimensionet e ndryshme të shpirtit dhe të vetë ekzistencës njerëzore në këtë botë…Poetesha arrin që këto t’i kanalizojë në një mesazh përgjithësues për të gjithë lexuesit dhe të sugjerojë mbështetjen tek Zoti si rrugën më të drejtë dhe më të paqtë për çdo njeri, -shkruan ndër të tjera Jolanda Lila.
Thamë më lart se karakteristikë thelbësore për këtë krijuese është interesimi i saj në një shumësi gjinore të krijimit, por edhe për një shumësi të interesimeve tematike. Këtë e dëshmon më së miri edhe brendia e librit”Përtej ndalesës”, që ngërthen në vetvete sprovën e autores në të tri llojet letrare, poezi, tregim, prozë poetike.
Poezia e Valbonës e përmbledhur në këtë libër, që është thuajse më se gjysma e së tërës së krejt librit vjen më e plotësuar në përmbajtje, me më shumë oksigjen por shpesh edhe më e “sertë” dhe më e sofistikuar në formë. Ka ndjesi të mrekullueshme mëngjesesh alpine por edhe mëngjesesh gri të metropolit. Toponimia poetike është më e qenësishme si emocion, si frymë se sa si gjurmë a shenjë. Rrethi tematik është dukshëm më i larmishëm. Mund të veçonim poezi të tilla si:”Mall vajzërie”, ”Gjithçka është sa një mëngjes”, ”Në lojën e fatit”, ”Kur malli të bjerë”, ”Luftëtari i lirisë”, ”Thirrje shpirtit”, ”Baladë malli”, ”Rrëfimi i fundit”, ”Kur të pendohemi”, etj.
Valbona Hykaj është dëshmuar tashmë edhe si një lëvruese e suksesshme e prozës poetike, një krijim që lyp së pari talent e pastaj vullnet, sikurse edhe poezia. Proza poetike të tilla si:”Vegimi i një ëndrre”, ”Shpirti vjerrë”, ”S’ka çmim dashuria”, ”Portat e djallit”, ”Përtej ndalesës”, ”Tellalli”, ”Kthehu në kohën tënde”, ”Ngjizja e egos”, ”Malësorja”etj, janë tekste letrare me të cilat do të lavdërohej çdo krijues me emër e krijimtari të dëshmuar letrare.
Në folderin e prozës së këtij libri bie në sy edhe tregimi”Duvaku i Hanës”, me një subjekt interesant, por edhe i shkruar me zhdërvjelltësi si sprovë e parë e autores.
Thënë më thjeshtë me”Përtej ndalesës” Valbona Hykaj tashmë në mënyrë të pa diskutueshme e ka pasuruar profilin e vet letrar me një tjetër magji prej ëndrre së cilës ajo i beson e prej së cilës ajo lumturohet.

One thought on “Shtëpia Botuese “ADA ” publikon librin me prozë dhe poezi “ Përtej ndalesës “ të autores Valbona Hykaj dhe redaktim të Jaho MARGJEKA. / Nga Roland Lushi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s