Një tjetër çmim ndërkombëtar për poetin Dhimitër Pojanaku.
Para pak ditësh u njoftua se poeti shqiptar Dhimitër Pojanaku sapo kish fituar në një konkurs ndërkombëtar në Milano çmimin poetik prestigjioz ”Poezi a Popujve”. Ndoshta në më pak se dhjetë ditë, pas jurisë milaneze, është Roma që kurorëzon poezinë e poetit të dhimbjes e dashurisë, Dhimitër Pojanakut. Ai ka marrë çmimin “Miqtë pa kufi”, pasi poezia tij ka mundur të renditet e katërta, në këtë konkurrim poetik ndërkombëtar. Në “Premio Letterario Amici Senza Confini –edizione 2014-2015”, morën pjesë dhjetëra poetë nga Italia dhe bota. Pojanaku nuk flet shumë për këtë çmim të papritur, ndërkohë që vëmendja e tij ishte përqendruar tek konkurrimi për çmimin ”Bukovski”. E pyeta për këtë çmim, por poeti hesht, nuk flet! Çuditërisht ka ngulur vështrimin në një pikë fundore të qiellit. Kam dëgjuar tepër për heshtjen që flet,por nuk e doja tani. Eh, tekat e poetëve, tekat janë pafund, por japin shpirt njerëzor.
Nga Raimonda Moisiu
Përsëri për nënën…
(Poezia fituese e Dhimitër Pojanakut në disa konkurrime ndërkombëtare)
Të panë mbrëmë tek pragu i shtëpisë, Nënë,
Më thanë.
Të përmendi dhimbja ime?
Kjo, e reja?
Më hidhtakja ndër shoqe?
Të erdhi në fjetore,
Në shtretërit kuti-kuti,
T`i shpluhurosi lehtë supet,
Mos të pickoi në mishin prej dheri,
Mos të gërvishti me thonjtë mace në kockat e bardha,
Të la vraga?!
Të lëndoi kërciret?
Apo,
Mos e thirre ti, Nënë, dhimbjen time?
Atë, më të renë?
Atë, flamën?
Gjuhë nepërkën?
E prite ngritur?
E thirre të përdridhte belin për të hutuar rojat,
E ti’a mbathnit tok,
Për pak orë?!
Të panë tek mbaje dhimbjen time përkrahu, Nënë!
I ratë rrotull shtëpisë,
Pëshpëritnit vesh më vesh,
Ndërruat mendje,
Ikët në majë të gishtave,
E të dyja,
Qeshnit rrugicave.
Më thanë!
Nuk eshte ndonje poezi kush e di, flasim per ata qe dine te krijojne dhe te ndjejne poezi te mirefillte