S’KAM MË KOHË PËR BOSHLLËQE / Tregim nga (Hamdi ) Erjon Muça

S’KAM MË KOHË PËR BOSHLLËQE

 

 

Erjon Muça

Tregim nga (Hamdi )  Erjon Muça

 

 

Ishte aty, fare pranë, ndihej në ajër ashtu siç ndihet lagështia e thatë përpara një rrebeshi veror. Është kaq e thjeshtë për t’u kuptuar, por duhet të jesh i prerë. Ose më mirë të themi duhet të jesh i përgatitur për ta kuptuar. Edhe unë nuk do e kisha kuptuar, madje kur më erdhi pranë as që e vura re. U desh që ai të më përplasej me forcë mbi kokë që unë të kuptoja madhështinë e nivelit të prerjes sime.
Tani tamam-tamam nuk është se u mësova përnjëherë me suksesin, por nuk m’u desh edhe aq shumë.
Në fillim më mbytën dilemat: jo ajo, të jesh apo të mos jesh. Një tjetër pak më e stërzgjatur, më e vështirë për t’u deshifruar. Dilema ime nuk mund të ishte aq banale sa ajo të jesh apo të mos jesh. Dilema ime ishte: jam i prerë unë për këtë sukses, apo është ky sukses i prerë për mua…
Gjithçka nisi të ndryshonte rreth meje. Më habiste fakti pasi në fillim mua më dukej vetja po ai i mëparshmi pa as më të voglin ndryshim, por në sytë e të tjerëve mesa duket kisha ndryshuar.
Atë mëngjes vështrova veten në pasqyrë para se të dilja nga shtëpia. Nuk e kisha bërë kurrë që të shihja pamjen time të jashtme, por ja që me suksesin m’u afrua edhe narcizimi.
E ç’të keqe ka të jesh narcis? Mbi të gjitha duhet ta vlerësoj unë veten më shumë nga ç’më vlerësojnë të tjerët.
Nejse! Ajo që pashë të reflektuar në pasqyrë nuk më pëlqeu fare. Ai kostum gati i ç’gjyrosur duhej hedhur tej. U ktheva mbrapsht dhe hapa dollapin e rrobave, por asgjë nuk qe në lartësinë e pozitës sime.
E vendosa: i mora të gjitha rrobat e mia dhe ia dhurova një të varfëri. Ai më falënderoi gati me lot në sy dhe unë me të gjithë madhështinë e një njeriu të suksesshëm ju përgjigja.
– S’kam bërë asgjë të veçantë i dashur M, vetëm detyrën e një qytetari me fat kundrejt çdo bashkëqytetari më me pak fat.
– Ah të ishin të gjithë njerëzit të zgjuar dhe shpirt mirë si ju i nderuar zoti N.
– Sa e thjeshtë paska qenë?, i thashë vetes. Menjëherë nga N u bëra zoti N. Nuk duhet të humb kohë i thashë vetes dhe me vrap u drejtova për nga butiku më i mirë i qytetit. Tani gardëroba ime mbante kostume Versaçe, Armani, Dolçe e Gabana dhe kravata qenë më vezulluese se ato të dendit Uailld.
Nuk ishte vetëm ai njeriu i pafat që më thërriste i nderuar zoti N, por edhe ata më mendje mëdhenjtë, po ashtu, më thërrisnin dhe unë ua ktheja përgjigjen me seriozitetin dhe madhështinë e pozitës sime.
Telefoni nisi të bëhej më i bezdisshëm se kurrë dhe unë shumë herë bëja sikur nuk e dëgjoja. Le të prisnin të tjerët, ashtu siç kisha pritur unë përpara se të bëhesha zoti N. Tani nuk do isha unë që duhet të prisja për një ftesë, por le të ndiheshin ata të nderuar nga prania e shkëlqimit tim.
E gjitha kjo forcë ishte brenda meje, por unë e kisha ndryrë poshtë petkut të frikës dhe tani që ajo u zhduk me ardhjen e suksesit, po ndjej kotësinë e punëve me të cilat qeshë marrë.
Tani s’kam më kohë për boshllëqe, nuk mund të merrem më me vogëlsira vetëm për të marrë falënderimet boshe të mediokërve të shumtë që më rrethojnë. Tashmë edhe televizionet duhet të zgjedhin panelin e duhur për të më ftuar. Nuk doja të ulesha me njerëz do si do, nga ata të cilët stepen vetëm nga shkëlqimi i kostumit tim, unë dua njerëz në sytë e të cilëve të xixëllojë cinizmi, smira dhe ironia prej të humburi, sepse përballë meje të gjithë janë humbës.
Unë jam zoti N, ai për të cilin përflitet se bashkia do t’i ndërtojë një shtatore për së gjalli, si askujt tjetër në botën tonë njerëzore.
Tani as ajo dilema fillestare nuk më lodh më.
Unë jam zoti N dhe të gjitha sukseset janë të prera për mua.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s