DEKORATA E FUNDIT! / nga (Hamdi) Erjon Muça

DEKORATA E FUNDIT!

 

 

Erjon Muça

nga (Hamdi) Erjon Muça

 

 

Si ja kaluat?
Mirë më duket! Se mos keni punë tjetër ju!
Po tani ç’dua? Domethënë më njohët! Domosdo jam çdo ditë mes jush dhe pak e nga pak do mësoheshit me mua.
Dua t’ju tregoj një histori. Hë more, mos bëni kështu. Pse si po bëni? Po, ja, rrudhët fytyrën sikur të kishit lëpirë limon. Jam dakord që nuk di t’i tregoj si ju historitë, madje historitë e mia nuk janë aq të goditura sa ato që tregoni ju, por kini mirësinë të më dëgjoni.
Si- si? Po më ëmbëlsohet rrëfimtaria?
Ha-ha-ha-ha! Jo mor të uruar, jo. Nuk më ëmbëlsohet sepse s’kam as shkollë e as mend. Thjeshtë dua t’ ju tregoj edhe këtë.
Ka ndodhur shumë vjet të shkuara në fshatin tim malor. Megjithëse një fshat i vogël dhe i humbur mes maleve kishte me ç’të mburrej. Jo mor jo! Nuk mburrej as me natyrën e as me ajrin e pastër. Por me xha Jashar Sh.
Kush ishte ky?
Xha Jashari ishte aq i njohur sa që e gjithë krahina e kishte zili. Ai ecte rrugëve të kalldrëmta të fshatit, duke shkuar për tek zyrat e kryesisë, me kokën lart. Mbi xhaketën e tij ngjyrë të gjelbër ndrinin dekoratat, shenjat e shumta. Madje në ditët me diell e dalloje nga larg që ishte ai, pasi ato dekorata shumë ngjyrëshe shkëlqenin pa masë.
Xha Jashari ishte në pension, por nuk mungonte asnjë ditë në zyrat e këshillit, duke ndihmuar vullnetarisht pushtetin popullor. Mund të kem qenë jo më shumë se shtatë vjeç atëherë dhe kureshtja prej fëmije më shtyu ta pyesja për gjithë sa kishte mbi atë xhaketë të vjetër ushtarake. E ai pa përtuar nisi të m’i tregonte. Aty kishte dekoratën e të atit, hero i popullit, dëshmor i luftës së dytë botërore. Madje të po asaj lufte kishte edhe një dekoratë, si partizani më i vogël i Batalionit të dytë të brigadës së tretë. Më pas kishte dekoratën e marrë në shërbimin ushtarak të kryer në kufi, ku u kish treguar vendin me dhjetëra e dhjetëra diversantëve që tentonin të minon pushtetin popullor. Edhe xhaketa ishte një dekoratë me vete, pasi ishte po ajo xhaketë që ai kish mbajtur në ato ditë të vrullshme.
Më pas unë e pyeta për disa germa, për S-të, për të qenë më të saktë ishin shtatë të tilla. Ato ishin prej lecke dhe unë me atë sinqeritetin e pa djallëzuar fëmijëror e pyeta se përse nuk i hiqte. Ai me një urtësi prej heroi m’u përgjigj se ato S-të kishin po aq vlerë sa edhe dekoratat e tjera. Ato i kish fituar në aksionin, ose siç e tha ai në betejën e madhe të popullit tonë kundër armikut natyror të pushtetit tonë. I kish marrë në bonifikimin e kënetës së Myzeqesë. Më pas vinin një tufë me shenja të plenumeve dhe të kongreseve që kish marrë pjesë. Kishte edhe disa dekorata si hero i punës, për së gjalli, gjë që qenë të pakët ata që i kishin në të gjithë republikën.
E ç’ të tregoj, ajo xhaketë nuk kishte më një gisht vend cope të lirë: kuptohej që ishte e gjelbër vetëm kur ai kthente kurrizin.
Eh sa ëndërroja të bëhesha si ai kur të rritesha. Sa doja të isha si ai. Për të e gjithë krahina ishte ndërzyer në një debat të ashpër se nga ku i kishte rrënjët e fisit. Kryesia e fshatit të mamasë ngulte këmbë se ai i kishte rrënjët atje, po ashtu ngulte këmbë edhe fshati i gjyshes, nga babai, madje edhe ai i gjyshes nga mamaja. Kurse ai, përgjigjej se ishte i gjithë krahinës, i partisë dhe i popullit.
Jo më shumë se një muaji nga biseda ime me xha Jasharin, atë e thirrën në komitetin qendror të partisë. E gjithë krahina nisi të gumëzhinte, pasi thirrja qe e mirë dhe mezi prisnin kthimin e tij nga kryeqyteti. Kish përgatitur gosti e flamuj, pasi thuhej se atij sapo i kishin dhënë një tjetër dekoratë. Unë ndodhesha në qiellin e shtatë nga lumturia.
Përse? Nga ajo ditë që xha Jashri më kish treguar për dekoratat, ndihesha edhe unë pjesë e atyre fitoreve. Edhe për arsyen se xha Jashari më përshëndeste më me përzemërsi, madje si mik.
Xha Jashari nuk m’u duk edhe aq i lumtur pas kthimit. Madje me bindje e them se ai ishte i mërzitur, por nuk e dha veten dhe i pranoi të gjitha nderet që ju bënë nga kryesia e krahinës. Pas një jave morëm vesh se atë e shtruan me urgjencë në spitalin e qytezës.
Nuk dua të zgjatem shumë. Vdiq i shkreti dhe deri në çastin e fundit luftoi me vdekjen. Unë ndihesha i humbur, pasi siç thashë, ai për mua ishte një mit, rruga e të cilit duhej ndjekur. Ditën e varrimit m’u dhimb e bija që e qante me dënesë.
“Oh të mjerët, ne mor baba, si do ja bëjmë pa ty! Ti ishe ai që na hapje sytë e na ndriçoje rrugën. Si do ja bëjë Shqipëria pa ty mor baba! Ajo të donte po aq shumë sa e doje. Ti vetëm për të mendoje, madje deri në frymën e fundit dekoratën e partisë kishe në gojë. Ah sa keq të vinte mor baba që xhaketa nuk kishte më vend për dekoratën e fundit.

24-04-2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s