Plaku me pendën plot Margaritar
Të mençurit shkruajnë
(popullore)
Recesion për librin “Sytë e gurtë të erës” të autorit, Adem Zaplluzha
“Ademi poezinë nuk e ka vetëm ëndërr, ai poezinë e ka jetë”
Muhamet Hoxhaj
Nga Muhamet Hoxhaj
Me “Sytë e gurtë të erës”, poeti Adem Zaplluzha tregon qartë nivelin e tij të stilit bashkëkohor evropian, ku çdo varg dhe rresht përmban një metaforë që prek thellë në shpirtin e të gjithë artdashësve.
Poeti sikur na tregon rrugëtimin e tij nga një poezi të shkurtër që mund të zbërthehet në një libër të gjatë, sepse brenda poezive, mund të lexohet akoma më shumë, si në poezinë ”Dhe kush jeni sot”:
………………………………………..
Kaluan disa dimra të rënd
Më të rënd se vet trishtimi
Erdhën edhe ardhacakët e egër
I shlyen nga faqja e dheut
Të gjitha faltoret e qytetit
E shlyen nga faqja e dheut
Edhe vet historinë
………………………………………….
Poeti në këtë mënyrë shfaqë ndjenjat e tija për dhimbjen shpirtërore që mban me vete, të kaluar ndër vite të errëta, në të cilën po kalojmë edhe sot.
Vargjet e Adem Zaplluzhës në këtë libër të bëjnë të mendosh gjatë dhe të kuptosh se rreshtat që burojnë sipas stilit të tij artistik, janë dëshmi të rralla, kryesisht me konotacione metaforike.
Paralelisht me vargjet e Adem Zaplluzhës, ne rrugëtojmë nëpër struktura të ndryshme kohore, nëpër të cilën mendimet shprehen përmes vargut të poetit me pendën plot margaritarë.
Poezia e tij, përmban përjetime shpirtërore, me shumë apo pak komplekse dhe është e shkruar me një pasion të kohës sonë moderne, ku ndjenjat shprehen me shije të hollë letrare.
Ademi poezinë nuk e ka vetëm ëndërr, ai poezinë e ka jetë.
Ja edhe një strofë e shkëputur nga poezia, “VETËM NJËHERË NË JETË”:
……………………………………………….
Shirat nuk erdhën mbrëmë
Te majat e plepave
Zgjohen trishtimet
Si mund t’i ndali këto pak fjalë
Të mos i vrasin arkivolet
……………………………………………………
Ai në vargjet e tij, dëshmon se e donë, e çmon dhe e adhuron fjalën e shkruar në ritin metaforik, ruan si rrallëkush poezinë bashkëkohore dhe e përjetëson atë me rreshta të artë.
Adem Apalluzha
Bota e brendshme në poezinë e Ademit, paraqet reflektimin e mendimeve të thella që autori i përdorë në mënyrën më të dashur lirike. Dëshira e tij për të pasqyruar ngjyrat e jetës, në buqetën e vargjeve plot metaforë, në ditët që jetojmë sot dhe të kaluarës, është përdorimi i kohërave natyrore në vargjet dhe stilin e tij modern/lirik.
Autori me sukses reflekton rreshtat e renditura, duke mos e kufizuar hapësirën poetike të artit në vijat letrare.
Ngjyra e vargjeve që përdorë Ademi në poezinë e tij, janë melodi e zemrës që zbut dhimbjet, nxit dëshirat dhe ëndrrat për të ecur me pendën e artë në poezinë moderne.
……………………………………………………..
Asnjëherë nuk më kanë bezdisur
Fjalët e të tjerëve
I doja kukullat
Po aq shumë sa e doja
Edhe pushkën e babait
Kisha një ndjenjë
Se edhe loja është luftë
………………………………………………………
Autori tregon qartë natyrën ku ai ka lindur dhe është rritur me modernistet , me atë vatër të pangopur për liri dhe barazi, në të cilën të gjithë kemi kaluar.
Janë këto vargjet që e bëjnë Ademin të pavdekshëm, i cili me një formë shumë prekëse, qëllon majat e larta të ndjenjave të secilit nga ato që kanë shije për artin e shkruar në poezi.
……………………………………………
Eci nëpër rrugicat e ngushta
Të qytetit tim
Mbase paskam humbur
Mes lashtësisë së kalldrëmeve
……………………………………………..
Duke lexuar këto poezi të spikatura me realitetin që përjetojmë, të krijuesit dhe vetë autorit, më erdhi në mendje edhe njëherë fjala: “Ademi poezinë nuk e ka vetëm ëndërr, ai poezinë e ka jetë”.
………………………………………………………
Ecën miku im
Parakalon ledheve të jetës
Po me atë bastun si gjyshi i tij dikur
Ka mbërri në atë kohë
Ku më nuk di se kah të ja mbaj
………………………………………………………..
Siç duket Ademin, jeta e ndjek hap pas hapi me të vërtetat gjatë gjithë librit.
Ai ka një diapazon të mprehtë, ku interpreton zhvillimet e kohës nga e kaluara e deri më sot, kohë që ngërthejnë ndjenja të mëdha të realitetit dhe dukurive natyrore brenda shoqërisë bashkëkohore.
Në këtë libër të gjitha vargjet janë në funksion të poezisë moderne/kritike, ku burimi qëndron shumë afër brenda vargjeve të legjendave të tashmes dhe të kaluarës së kohës tonë.
Në librin “Sytë e gurtë të erës”, Adem Zaplluzha me anë të shikimeve realiste të kohës dhe në hapësirën e dhënë brenda saj, portretizon profilet e shumë personazheve me vargje të shkruara.
Përfundim
Adem Zaplluzha ka një bagazh të madh të vargjeve të shkruara në poezi. Qysh në fëmijëri lindi me këtë talent dhe shumë herët startoi të hedh mendimet e tija në fjalë të shkruar. Ai vetën tashmë e ka bërë të pavdekshëm duke botuar vetëm në vitin 2012 mbi 37 libra me poezi. Deri më sot, arrin në mbi 85 libra të botuara, gjë që na bën me dije se penda e tij akoma është e artë dhe plotë margaritar.
Suksese edhe më tutje Bacë.
DEL NGA RAPSODITË
Çdo menatë
Atje përtej brigjeve të harresës
Zgjohet kujtesa
Nëpër një dhembje të pashëruar
Dizgjinët e erës
Kalërojnë mbi shpirtrat e mjegullave
Një nënë disa vjet me radhë
Nuk i ndal piskamat e gjëmave
Diku te retë e kristalta
Një copë mjegulle ëndërron shiun
Ëndërron vrapin e kalorësit
Të vetmuar
Në drejtim të universit të humbur
Ne ecim kah e panjohura
Zëri i kambanës i ndez qirinjtë
Një kërrabë e vjetër
Del nga rapsoditë e kohërave
Dhe me një arkivol të kaltër
Udhëton si një somnambul
Në një drejtim të panjohur.
DIMRAT ME TËRBIM
Asnjëherë nuk kuptova
Se cili ishte ai vit kur derdhej shiu
Nga shtambat e urrejtjes
Vendi im
Qante si një fëmijë jetim
Qanin edhe zogjtë nëpër çati
Një fat i shkruar
Ose i pashkruar nëpër libra
Shfletohej si një histori e trishtuar
Gishtat e holla të mjegullave
Sa herë që i hapnin
Po aq herë edhe i mbyllnin plagët
E stinëve
Që shkelnin mbi lule të vrara
Dimrat me tërbim
Shfryheshin nga një dhembje
Ose heshtnin
Nën një copë guri të murrmë
Dhe pritnin shpirtin
E një tufani
Të zgjohej më në fund
Nga ëndrrat e zgalemave.
SYTË E GURTË TË ERËS
Ecte
Ose ne të gjithë ecnim
Mbi një vig të paramenduar
Askund nuk ndaleshin hijet
Në imagjinatën tonë të etur
Binte një tjetër lloj shiu
Mbi flokët e stinës
Ngjizej po ashtu një tjetër lloj shtreze
Në lotin e gurit
Mali qante si kërthi
Fatin e një fatkeqësie
Qanin edhe degët kur thyheshin
Për qerpikët e erës
Me dënesje burrash qanin lisat
Kur erdhën lejlekët
Mbi çatitë e kafshuara prej korbave
Filluan të mbijnë disa lloje barojash
E dimri thahej në vetminë e shtrojerës
Binte një shi që s’i përngjante
Asgjëje të lëngtë
Sytë e gurtë të erës po ashtu qanin
Me një dënesje të paparë deri më sot.
DHE KUSH JENI SOT
Diçka po ngjan me ëndrrën time
Për çdo mëngjes
I kreh flokët te buzët e erës
Pastaj qohet peshë
Dhe luan valsin e një shiu të largët
Asnjëherë nuk më kujtohet
Se kur dhe kush
Na hyri pas portave të pasme
Dhe ia morri krehrin e nuses
Por dikush e bëri këtë
Dhe kurrë më nusja nuk qeshi
Kaluan disa dimra të rënd
Më të rënd se vet trishtimi
Erdhën edhe ardhacakët e egër
I shlyen nga faqja e dheut
Të gjitha faltoret e qytetit
E shlyen nga faqja e dheut
Edhe vet historinë.
2.
Si shihni
Kemi mbetur degë pa gjethe
Në shtatin e plagosur të rrapit
Asnjë qyqe më nuk ndalet
S’ka se kë të vajtoj
Ju degdisën në shtëpinë e rërës
Dhe zutë një myk të verdhë
Në një gjuhë të huaj kënduat
Mbase nuk jeni në gjendje
As t’i luteni Hyjit
Në gjuhën e bukur shqipe
Ju shndërruan në statuja
Të një tjetër gjuhe
Harruat se kush ishit dje
Dhe kush jeni sot.