GJARPERI HIPNOTIZUES / Nga Hamit Taka

GJARPERI HIPNOTIZUES

 

 

Hamit Taka

Nga Hamit Taka

 

 

Që nga Tirana deri në Fier udhëtuam në të njëjtin vagon të mbushur plot.  Ishim ulur në dy ndënjëse përballë. Unë pranë dritares, ai nga krahu i rrugëkalimit midis ndënjësve, ku kalonin herë pas here policet e trenit. Udhëtarët bisedonin, se shumica njiheshin me njëri-tjetrin. Ne të dy, gati tri orë rrugë, nuk kishim shkëmbyer asnjë fjalë. Përballë kisha një grua shumë të menduar, e cila shikonte vazhdimisht nga dritarja e vagonit. Në krah kisha një zyrtar, që lexonte vazhdimisht gazeta. Në ato rrethana, nuk ishte normale të bisedoja me bashkudhëtarin e ulur në pozicion diagonal me mua. Përballë gruas së menduar, edhe unë vështroja nga dritarja fushat ku treni rrëshqiste mes blerimit, i cili dukej sikur shtillej pas vagonave, siç ndodh kur udhëtojmë me anije në detin e hapur.

Të dy zbritëm te stacioni i trenit në Fier. Njëri pas tjetrit, u nisëm për te parku i automjeteve. Me sa dukej edhe ai kishte përvojë nga udhëtimet dhe ishim në një mëndje se atje mund të gjenim ndonjë kamion për në Jug. Rastësia na e bëri të mbarë dhe, pa mbaruar bashkëudhëtari cigaren, unë takova një shofer të njohur të parkut të Sarandës. U gëzova kur e pashë dhe, aq më tepër, kur na tha se ishim me fat, pasi të dy vendet në kabinëi kishte të lira.  Na shpjegoi se do të nisej sa të hante bukë në mencën e parkut, pasi tërë mëngjesin i kishte qëndruar makinës te koka bashkë me mekanikët. Sipas tij, SHT2, domethënë shërbimi teknik i kategorisë së dytë, donte shumë aftësi nga mekanikët dhe shumë vëmëndje nga shoferi, se mos harrohej diçka pa kryer. Ne e pritëm në kafe.

Gjatë kohës që prisnim shoferin u njoha më mirë me bashkudhëtarin tim nga Tirana. Rreth të dyzetave, dukej  i lodhur, me fytyrë të djegur nga dielli, por simpatik, i qetë dhe i këndshëm në bisedë. Nga të folurit dallohej dukshëm se ishte me origjinë myzeqare, por kishte vite që banonte në Tiranë. Siç më tha, sapo kishte mbaruar detyrimin ushtarak, kishte filluar punë në kryeqytet si hekurkthyes në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit me ndihmën e një inxhinjeri. Atje ishte martuar dhe ishte bërë përfundimisht banor i kryeqytetit. Në këtë aspekt ishte për ta pasur zili. Sa njerëz nga periferia, si puna ime: intelektualë, të rinj, njerëz të thjeshtë kishin një ëndërr, të vendoseshin në kryeqytet, por ëndërra thinjej, vdiste e varrosej bashkë me ta. Taku, ashtu quhej shoferi, u kthye shpejt. I dhamë dhe atij një kafe dhe hipëm në makinë plot entusiazëm.

Besoj e keni provuar shqetësimin që ndieni, kur jeni për rrugë dhe nuk keni mjet transporti të siguruar. Sa hymë në kabinë dhe u rehatuam në sedilet e buta, u ndiem të lehtësuar, provuam një ndjesi çlirimi nga brenga e pritjes, që i shoqëron udhëtarët  dhe u përgatitëm të shijonim favoret e udhëtimit, i cili përbën variacion në ditët tona. Pa e ndezur motorrin, e pyeta Takun se nga do të kalonim. Si zakonisht, më tha, Ballsh-Tepelenë-Sarandë. Bashkudhëtari nga Tirana u ndie mirë. Por unë iu luta të kalonim nga linja tjetër, domethënë nga Bregdeti. Pas një ngurimi, për shkak të vështirësisë së rrugës, Taku pranoi “për hatrin tim”. Me sa kuptova, pasagjerit kryeqytetas nuk i pëlqeu ajo linjë. Mbase donte të arrinte më herët në qytetin bregdetar, të kryente punët e tij dhe ta shijonte sadopak, si çdo udhatari, që i jepet rasti për ta vizituar në një fillim pranvere.

Sidoqoftë, pak zgjati pakënaqësia dhe ia filluam shtruar bisedës  për Kampionatin Kombëtar të Futbollit. Dukej se ishte tifoz i thekur i Apollonisë. Pastaj folëm për tema të ndryshme të kohës. Ishte njeri i informuar dhe i matur në bisedë. Folëm edhe për punën në NSHN e Tiranës. Dukej i kënaqur dhe ndihej krenar për ndërmarrjen e tij.  Gjatë udhëtimeve unë shpesh zhytem në botën time dhe s’dua as të flas e as të dëgjoj, për të vëzhguar gjithçka që më shpaloset para syve, sa më lejojnë kornizat e xhamave të automjetit. Por ka edhe mjaft raste kur bëhem llafazan dhe flas më tepër se bashkudhëtarët e mi. Atë ditë më pushtoi dallëndyja për të folur, deri sa pimë kafen e fundit te sorkadhja e Llogarasë. Nga e folura unë zbuloj karakterin e njerëzve të panjohur.

 

Sapo kaluam Qafën e Llogarasë, ku rruga, në konflikt me peisazhin magjepsës, është shumë e thyer, me shumë kthesa dhe jo aq e mirëmbajtur, ra heshtja në kabinën e makinës. Taku i përqëndruar te timoni, ndërsa ne të magjepsur, me sytë nga deti dhe mali, sikur e shikonim për herë të parë. Kur zbret në fund të Llogarasë dhe fillon rruga për në Palasë e fshatrat e tjera, që janë një subjekt më vete nga relievi dhe arkitektura, panorama bëhet mahnitëse. Jo për ullishtet shekullore, por për atë shkurrnajë të dendur e të valëzuar si leshi i deleve të racës mongole, që tek ne ishin sjellë nga Bashkimi Sovjetik. Pothuajse në çdo dy-tri kilometra shkurrnaja e harlisur pritet nga perrenj të harbuar, të cilët zbresin që nga maja e malit të thyer drejt e në detin blu. Ndonëse ujëpak, përrenjtë e kanë gërryer thellë malin, deri sa kanë gjetur shtratin shkëmbor të paluajtshëm. Shtresën shkëmbore e kanë lëmuar aq shumë, sa, nën ujin e kthjellët kristal, shkëlqen si porcelan kinez. Nga bardhësia e gurëve dhe zhavorit që sjellin përrenjtë, zbulohet se përbërja shkëmbore e maleve është gëlqerore ose mermerore. Gjeografët i krahasojnë këta përrenj me kanionet e Skraparit apo frojdet e Norvegjisë. Ah, thashë, me vete, që nuk sigurova dot kurrë një aparat fotografik! Mirëpo ndodhia me bashkudhëtarin nga kryeqyteti, bëri që ai udhëtim, me peisazhet dhe gjithçka që e shoqëronte, të mos më shqitej kurrë nga memorja.

 

Duke kaluar urën e një përroi të ngushtë e të thellë, bashkudhëtari, të cilit i kisha lënë sediljen nga dritarja, për ta vëzhgur më mirë panoramën mahnitëse të Rivierës tonë, papritur nxorri kokën jashtë dritares. Vura re se, duke vështruar me vëmëndje nga përroi, që e lamë prapa, iu tendosën muskujt e fytyrës dhe iu turbullua ngjyra e syve. E futi për një çast kokën brenda, duke dihatur,  sikur ta kishte kërcënuar dikush. Pastaj, instinktivisht, nxorri vrullshëm gati gjysmën e trupit dhe vështronte rrugën prapa, sikur ta ndiqte ai dikushi, që e kishte kërcënuar më parë. U zgjata pas shpinës së tij,  afrova kokën te xhami, por nuk pashë asgjë të papritur. Ajo që s’e kisha vënë re ishin dy bunkerë në dy krahët e përroit, rreth 20-30 metra larg urës. Ai, duke gulçuar, i prishur në fytyrë, s’ia hiqte sytë një bunkeri dhe besova se do të hidhej nga makina, mos ta kisha përmendur unë. Nuk dallohej në se ishte i tronditur, i trazuar, në ankth ballë një rreziku të ngutshëm apo i frikësuar. Me sa dija, frika e vërtetë ngjan me një kujtim tmerresh fantastike të dikurshme. Një njeri, që beson te kukudhët dhe fantazmat, natën  ndjen  llahtarën në tërë kuptimin e saj, por ditën frika zhduket si me magji.

-Ç’pate? Çfarë ndodhi apo çfarë pe, që u trondite aq shumë?! –e pyeta, pa e përmbajtur dot habinë time. Ai heshti një grimëherë. Dukej që s’e përmblidhte dot veten. Edhe Taku e vërejti me atë vështrimin zhbirues të shoferëve dhe , i qetë, u kthye në punën e vet. Ishte i kuptueshëm tensioni dhe lodhja e shoferit në atë rrugë të vështirë. Bashkudhëtari e mblodhi pak veten, na vështroi të dyve, sikur donte të kuptonte përshtypjet që na kishte lënë, mori frymë thellë dhe filloi të na shpjegonte:

-Ishte e habitshme çfarë gjarpëri të madh pashë. Të tillë s’kam parë as në filma, as në dokumentarët për natyrën e vendeve tropikale. Më ngriu gjaku. Me kokën lart, me ata sytë e akullt hipnotizues, vështroi një herë nga unë, sikur do të hidhej nga dritarja mbi mua, pastaj dredhoi nën rrotat e makinës. Pasi kaloi xhaden, duke përdredhur trupin me kokën ngritur, u sos në bunker. Ishte i tmerrshëm. As kam parë as përfytyroja një gjarpër të tillë!… Në këtë periudhë ata shumëzohen, e ndërpreu Taku, duke mbajtur fort timonin dhe nuk shfaqi kurrëfarë ndjesie, sikur të ishte rritur në Xhamajka, ku ka shumë gjarpërinj. Por, duke vëzhguar fytyrën e tij të zeshkët, i vura re një farë kontraktimi të muskujve dhe dejeve të qafës.

Rrëfimi i bashkudhëtarit nga kryeqyteti, edhe për shkak të gjëndjes në të cilën ndodhej, ishte i frikshëm dhe dukej i besueshëm. Sikur më hipnotizoi edhe mua. Unë sa shikoja para, aq vështroja edhe atë. U përgjigjej fjalëve të mia me vonesë. Shpesh s’merrte pjesë fare në bisedë. Dukej sikur s’ishte i zoti të hapte as gojën. Ndiente zemrën t’i rrihte dhe veshët t’i buçisnin. Ishte shumë i ndikuar nga ai gjarpër, që unë s’munda ta shikoja. Dhe më mirë, se mbase do t’më hipnotizonte dhe mua në atë farë feje. Kot s’thonë gjarpëri ka hije të rëndë. Por prapë gjykoja se bashkudhëtarin e kishte pllakosur hija e fantazmave.

 

Në Himarë shoferin e ndaloi një polic. Bile unë nuk e kuptova, në se e ndaloi polici apo ai e thirri policin. Vetëm se e pashë me dokumente në duar. Tiranasi ishte çliruar pak nga hija e gjarpërit dhe shikonte me vëmëndje gjestet e shoferit gjatë bashkëbisedimit me policin.

-Mos ka ndonjë problem shoferi me dokumentet? –më pyeti papritur.

-Nuk besoj, është shofer i vjetër dhe i rregullt,-iu përgjigja.

-Më duhet të arrij sa më shpejt, të mbaroj punë sonte dhe nesër të nisem që në mëngjes me autobuzat e Tiranës, -më shpjegoi. Nuk u bëra kureshtar ta pyesja pse kishte ardhur dhe pse e kishte me aq ngut.

Më tej rruga nuk e kishte atë kënaqësinë dhe gjallërinë e mëparshme. Pothuajse udhëtonim në heshtje. Shoferi dukej i zymtë, bashkudhatari  i mërzitur dhe unë i lodhur.  Taku e theu i pari heshtjen e rënduar. A të doli ankthi? E pyeti pasagjerin. Po, po, iu përgjigj ai gati instinktivisht. E përbashkëta ishte se të tre na kishte raskapitur rruga tërë kthesa.

Para se të hynim në qytetin e Sarandës, na ndaloi një patrullë policie. Na kontrolluan dokumentet. Me bashkudhëtarin kontrolli zgjati pak më shumë.

-Vazhdoni ju, -I tha Takut polici përgjegjës. Unë edhe mund të mos hipja në makinë, se shtëpinë e kisha afër.

-Hajde, ç’pret, -më tha Taku. Atë bëra. Duke ikur vështrova me vëmëndje bashkudhëtarin e tronditur.

-Po atë pse e ndaluan? – e pyeta Takun dhe në çast u pendova. M’u duk si pyetje pa kuptim. Policët bënin detyrën e tyre. Kontrolli për çdo të panjohur nga policia dhe qytetarët ishte normë, pjesë e vigjilencës revolucionare.

-Atë e di ai dhe policia, -m’u përgjigj Taku, i cili ishte i ardhur në qytetin tonë, por e njihja prej vitesh. Pas pak zbrita. I nxorra lekët e rrugës, aq sa paguhej bileta Fier-Sarandë me autobus, për dy persona.

-Pse për dy? –më pyeti.

-Se pasagjerin nga Tirana e afrova unë dhe, me qënë se ai u ndalua nga policia, e kam unë detyrimin të paguaj  -iu përgjigja.

-Gazetarët nuk paguajnë, -m’u përgjigj dhe nuk i pranoi lekët.

Mora rrugicën për në shtëpi. Ecja me hapa të ngadalshëm, mos shikoja bashkudhëtarin tim. E pashë tek hyri midis policëve në Degën e Punëve të Brendëshme. Qënka e ngatërruar puna, thashë me vete dhe nxitova për në shtëpi, ku ndjeva qetësinë dhe ngrohtësinë e saj, duke harruar ç’kisha lënë pas krahëve.

Në Degën e Punëve të Brendëshme kisha një shok të besuar. I kërkova të interesohej për njeriun me të cilin kisha udhëtuar gati dhjetë orë. Dhe nuk ia fsheha se e kisha simpatizuar. I besuari im, operativi i një zone jashtë qytetit,  më futi krahun të pinim një kafe. Atje më kërkoi t’ia përshkruaja ngjarjen me hollësi. Ia përshkrova me detaje, gjithçka që ju kam treguar deri tani.

-E kuptova, -më tha punonjësi i degës. –Por edhe diçka më shumë.  Më thuaj ndonjë detaj tjetër vç atyre që më tregove. Nuk po më kujtohej ndonjë detaj, që mund të kishte vlerë për hetimet e mikut tim…

-Ah, po, -I thashë pasi u mendova pak. –M’u kujtua se kishte bërë ushtrinë në atë zonë, diku në kufirin bregdetar.

-Mos ta tregoi nga ishte? –më pyeti papritur.

-Nga Tirana, -iu përgjigja.

-Që banonte në Tiranë, ma the, por mos të tregoi origjinën? –plotësoi pyetjen.

-Nga të folurit, dukej se ishte myzeqar, më tej nuk më interesonte, -i shpjegova.

Atëherë operativi mori drejtqëndrim,  u mbështet në shpinën e karriges, siç del një notar mbi ujë, kur e ka gjetur sendin që kërkonte në fundin e detit.

-E kam të qartë gjithçka, -filloi punonjësi i Degës së Punëve të Brendëshme. Unë shqeva sytë dhe veshët për ta dëgjuar.

-Atje është vrarë një njeri. Vrasësi ende nuk është gjetur. Njëri nga ata të tre ka qënë, -e mbylli bisedën punonjësi i degës, sikur fliste me vete, jo me mua dhe bëri të çohej.

-Si njëri nga ata të tre? Domethënë vrasësi është ai? – E pyeta jo pak i tronditur.

-U dyshua se e kishin vrarë tre ushtarë në prag të lirimit. Sigurisht për t’i marrë lekët para se të  të iknin në shtëpitë e tyre. Ushtarët u hetuan, por asnjëri nuk e pranoi fajin.

-Ç’do të thotë asnjëri nuk e pranoi fajin? Ata e kishin bërë krimin dhe nuk e pranuan? – thashë i habitur nga fjalët e tij. Ai më vështroi dyshues.

-Po tani…? -i thashë pastaj. Desha ta pyesja pse e morën në degë.

-Reagimi i tij gjatë kalimit të vendngjarja hedh hije dyshimi që të jetë ai vrasësi. Ti e ke dëgjuar besoj se krimineli kthehet të paktën një herë në vendin e krimit, -m’u përgjigj.

-Jo, në të vërtetë ai nuk kishte dëshirë të kalonim nga Bregu. Ishte kërkesa ime dhe shoferi e bëri pa dëshirë. Por si e mori vesh dega ardhjen e reagimin e tij te ura e përroit , që e priti policia në hyrje të qytetit?

-Mjaft folëm për sot, -m’u përgjigj punonjësi i degës. U ngrit, pagoi kafet dhe, duke u ndarë, më tha:

-Do të informoj, mos u bëj merak. Nuk mbaj sekrete me ty.

Dhe mua m’u bë fiksim hetimi i atij personi. Bëja ç’është e mundur, për ta takuar shokun tim dhe e pyesja si shkonin hetimet. E kuptoja se ndihej i bezdisur me pyetjet e mia. Herë më përgjigjej shkurt, herë me gjysma fjalësh. E kuptoja dhe vetë se ishte çështje sekreti, por nuk më durohej. Pas gjashtë ditësh më thirrën dhe mua në hetuesi. Njoftova menjëherë mikun dhe i kërkova shpjegime. Eshtë një formalitet, me tha, mos u shqetëso. Do të tregosh saktë e qartë ato që pe dhe dëgjove nga bashkudhatari yt. Ndonëse detyra e gazetarit është të investigojë dhe të bëj lajm, nuk desha të pleksesha me historira të tilla, por isha i detyruar. Që nga ajo ditë nuk e pyeta më mikun tim se si vazhdonin hetimet.

Mbrëmjen e pesëmbëdhjetë, punonjësi i Degës së Punëve të Brendëshme më ftoi për kafe dhe më tregoi se të nesërmen hetimi merrte fund, pasi 16 ditë e lejon ligji mbajtjen e të dyshuarve në hetuesi. Të nesërmen sillesha rrotull Degës së Punëve të Brendëshme, por pa rënë në sy. Në orën tre pas dite ai doli nga hetuesia. Ishte e pamundur ta njihja nga portreti, por i mbaja mend rrobat që mbante veshur. Dukej si dhjetë vjetë më i moshuar, i dobësuar, i palarë,qimet e mjekrës i ishin bërë më të gjata se flokët e kokës, që ia kishin qethur. Ashtu i qethur, i dalloheshin më shumë thinjat. E ndoqa pak deri sa u largua nga periferia e Degës së Punëve të Brendëshme dhe iu afrova. E kapa nga krahu. Ai u tërhoq me frikë. Më vështroi me ato vetullat e trasha të kreshpëruara, sa m’u duk i çmendur.

-Domethënë nuk e pranove fajësinë, – I thashë, ç’më erdhi në mend.

-Ti e njoftove Degën e Punëve të Brendëshme? –më pyeti i hakërryer.

-Ta merr mëndja se e kam bërë këtë?! -iu përgjigja me kundërpyetje. Qëndroi pak pa më dhënë përgjigje, pastaj u shkreh si tollumbace e shfryrë.

-E di. Më ka kallzuar shoferi. E nuhata qëkur takoi policin në Himarë. Ai i tregoi policit, polici ka njoftuar degën, -më tha i penduar.

– Këtë s’mund ta di dhe nuk ka shumë rëndësi për mua. Ta lëmë atë tani, u bë si u bë, detyrën ka bërë secili, por më thuaj, si përfundove? Të lanë të lirë? -i thashë.

-S’ka më liri për mua. Ky dyshim do t’më ndjek si hije gjithë jetën, -m’u përgjigj.

-Ai gjarpëri te bunkeri mos ishte kjo hije që të ndjek?

-Atë e sajova për ju.

-Prapë nuk u bindën se je i pafajshëm?

-Ata janë shumë të bindur, por duan ta lënë çështjen varur.

-Si ta lënë varur?

-Ata e dinë shumë mirë kush është vrasësi, por duan mos ia ngjitin ndonjë fakiri, si puna ime.

-Si është e mundur të bëjnë gjëra të tilla? Kjo që thua më duket një absurditet.

-Atëherë mos më pyet, -më tha dhe u nis të ikte. E kapa prapë nga krahu dhe e ndala.

-Ma thuaj të vërtetën siç e di. Ki besim tek unë, -iu luta.

-Te ju gazetarët edhe kam besim edhe s’kam, -m’u përgjigj.

-Si të duash, -i thashë dhe u bëra gati të ndahesha me të. Rrinte i penduar.

-Shkojmë diku, t’ju them atë që di , ndërroi mëndje. Ikëm buzë detit në një vend që nuk dukeshim.

-Ai burri nuk ishte martuar asnjë herë. Jetonte me familjen e motrës dhe, me sa di, shkonin mirë edhe me kunatin. Kishte grumbulluar shumë para. Por, për gjëmën e tij, i mbante gjithmonë me vete. Me sa u fol pas vrasjes, nuk kishte besim te nipat e mbesat. Një ditë, nuk u kthye në mbrëmje në shtëpinë e motrës. Pas njëzetë e katër orëve u gjend i vrarë në një nga ata bunkerët te përroi. Ai shkonte shpesh tek ajo ura… As të afërmit e as shteti nuk kishin asnjë të dhënë për të, pas largimit nga shtëpia. Por policisë i mbriti një e dhënë se një i fejuari i freskët me vajzën e motrës, kishte kërkuar te qëndra shëndetësore një sasi të madhe jodi. Ai kishte mardhënie të mira me infermierin dhe ajo ia siguroi. Motivi, siç i kishte thënë infermieres, ishin një palë syze dielli ngjyrë kafe. Do t’i lyente apo do t’i pastronte, diçka e tillë. Dikush urdhëroi ta hetonin. E mbajtën edhe atë 16 ditë në hetuesi . Dhe e nxorrën të pafajshëm.

-Çfarë njeriu ishte ky i fejuari i mbesës, se mbase e njoh? –e ndërpreva.

-Ishte një djalë me krahë të shëndosha. Një dembel që s’prekte asgjë me dorë. Kishte mbaruar gjimnazin, sa për të marrë një Dëftesë Pjekurie. Vazhdoi dy vjet universitetin, por u përjashtua, pasi nuk i mori dot provimet e vitit të parë. Prapë s’e preku punën me dorë. Pastaj u fejua me mbesën e atij të gjorit dhe vazhdimisht udhëtonte në qytete dhe rrinte gjithë ditën kafeneve. Por ne ushtarët  kishim shumë lidhje me të rinjtë e fshatit dhe njiheshim mirë me ta. Më vonë mësuam shumë gjëra për të…

-Domethënë ju e dini se ai është vrasësi, por s’e keni denoncuar? –e pyeta.

-Nuk ta thashë atë gjë, -m’u përgjigj i trembur.

-Mos dysho tek unë aspak. Jam vënë në kërkim të së vërtetës dhe dua të jemë mbrojtësi yt. Por emocionet dhe paniku, që përjetuat ju atë ditë te përroi, realisht të bënin të dyshoje, -i thashë fare qetë.

-Po, e ndjeva dhe e mendova vetë shumë mire atë që më thoni ju-më tha, – Ai bunkeri te ura  është bërë ferri im së gjalli. Hetimet për mua u bënë në Fier. Por kushedi sa herë më kanë sjellë e risjellë atje hetuesit dhe policia, natën e ditën. Më kanë lënë netë të tëra, në verë e në dimër, brenda në atë bunker. Një ditë korriku më erdhi mysafir një gjarpër i madh. U tmerrova. U thirra policëve, por ata s’dëgjonin. Mezi dola nga frengjia e bunkerit dhe në panik ia mbatha nga sytë këmbët. Pashë vdekjen me sy, se policët më qëlluan me pistoleta, pasi menduan se doja të arratisesha. Nuk mund t’i bindja për tmerrin që përjetova në bunkerë. U bindën kur e panë, që u kaloi para këmbëv. U tmerruan dhe u hodhën përpjetë syshqyer. Pastaj ngrinë nga hija e gjarpërit… Kështu , o mik, kam pritur vdekjen ose burg të përjetshëm vite me radhë. Veçse nuk kanë patur ku të kapeshin. Deri tani na ka shpëtuar se, të tre ne ushtarët që prisnim lirimin, rrinim sëbashku. Këtë e dëshmonin të gjithë, ushtarët, oficerët, fshatarët, burra e gra, të vjetër e të rinj. Çdo gjë e tregonim pa frikë të gjithë njëlloj dhe nuk kishin ku kapeshin. Edhe dyshonim mos ndonjëri midis nesh kishte gënjyer apo kishte pranuar akuzën, se s’i kishte duruar dot torturat dhe kërcënimet. Fatmirësisht kjo nuk ndodhi. Kemi shpëtuar në fije të perit. Rasti im tani ishte shumë i favorshëm për ta, pasi ne jemi ndarë dhe bënë ç’është e mundur të pranoja fajin e pa qënë. Kërkojnë një çengel të varin qyrkun e fajit…A thua se nuk do të më thurrin ndonjë kurth, që të më thërrasin sërish në hetuesi?…

-Kam një pyetje,-i thashë. –Pse merren vetë me ty, kur ju ishit tre.

-Mbase kështu bëjnë dhe me dy të tjerët. Unë nuk jam takuar më me ta.

-Si nuk je takuar gjatë 20 viteve, deri sa ju kishit një shoqëri të tillë? Apo dyshon se mos dikush nga ata të dy…

-As mos e shko në mend atë. Nuk kam frikë e as dyshim. Ma kanë ndaluar… Ata më bëjnë presion të bashkëpunoj me ta, se gjoja vrasësi është me siguri një nga dy shokët e mi dhe unë duhet të themë vetëm një fjalë pohuese… Por unë s’mund ta bëj kurrë një akt të tillë prej burracaku dhe frikacaku… Jeta ime nuk vihet më fare në hesap, por duhet të bëj kujdes, sa të jemë gjallë, të mos tradhëtoj shokët me ndonjë gabim timin.

-Pse nuk merr kurajon t’i denoncosh kët që më the mua?- E pyeta.

-Jo se nuk e kam bërë, por më thonë thjesht: Ne se nuk e ke bërë ti krimin, rri i qetë, s’ke pse të dyshosh te organet e shtetit, -m’u përgjigj.

-Domethënë ju thoni se nuk është asnjëri nga juve vrasësi. Po kush e vrau?-I thashë papritur, kur kishte rënë në mendime të thella. Pa vetëdije përmendi rrokjen e parë të një emri, por në çast u trondit aq shumë sa u hodh përpjetë, sikur ta kishte pickuar në vithe ai gjarpëri hipnotizues. Thashë se luajti nga mend. E kapa për krahu, i fola me qetësi, që ta siguroja se asnjë pasojë nuk do t’i vinte nga unë. Por ishte e pamundur të bindej. E pashë se kaloi në gjëndje paniku, si ajo te ura me dy bunkerë. Nuk e zgjata më. E mora për krahu, e çova në një lokal, ku e qerasa me një kafe e një konjak. Dhe u ndamë nën sigurimet e mia, se nuk do të kishte pasoja nga unë. Isha i bindur se ai nuk ishte vrasësi.

 

Që atë ditë iu futa një investigimi kurajoz. Iu hapa vetëm operativit të besuar. Ai më sugjeroi ta ndërprisja atë investigim me pasoja. Gazetari mbron shtetin, më tha, jo të dyshuarit. I premtova se do të hiqja dorë. Bile e falënderova, që më “çeli” sytë…

Pas një viti isha plotësisht i qartë.Vrasësi i beqarit të moshuar ishte dhëndërri i motrës së viktimës. Tani ai shërbente prej vitesh në ushtri, magazinier në një repart ushtarak të madh në Veri të vendit.

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s