Këndvështrim: DASHURIA PASQYRË REALE E NDJESISË POETIKE (Ilire Zajmi “Baladë e bardhë“, Prishtinë, faqe 60) / Nga Bilall Maliqi

 

ilire

Këndvështrim:

 DASHURIA PASQYRË REALE E NDJESISË POETIKE

 

(Ilire Zajmi “Baladë e bardhë“, Prishtinë,  faqe 60)

 

 

bilall

Nga Bilall Maliqi

 

Poetesha Ilire Zajmi është e njohur për lexuesit shqiptar dhe të huaj si dhe për kritikën letrare, sepse ajo me shkrimet e saj të çfarëdo zhanri qofshin, tregoi veten si një krijuese e cila nuk kënaqet me pak, kërkon, gjurmon vlera, motive të ndryshme, të cilat pastaj i vargëron bukur, duke iu dhënë shkrimeve „shije“ artistike dhe estetike.

E kur lexuesit i pëlqen libri, i pëlqejnë poezitë që kompletohet ai libër, atëherë e nxit atë të shkruaj dhe t’i paraqes mbresat e tij, të cilat i kanë ngelur gjatë leximit.

Libri „ Baladë e bardhë“  i poeteshes Ilire Zajmi përbëhet nga poezi të cilat ngërthejnë në vete një përkushtim të autores që poezitë e saja të ndërtohen bukur, të kenë art dhe qëndrueshmëri poetike.

Së lexuari të këtij libri simpatik me poezi, para nesh na del një botë e gjerë frymëzuese e poetes, e cila ka ditur të gjejë motive, ti vargëroj ato dhe ti forcojë me figura stilistike, duke arritur kështu deri te caku i dëshiruar i poetes, që libri të ketë vlerë e cilësi, dhe poezitë e saj të jenë koherente nëpër kohë.

 

11216363_1028507660511489_357149179_n

  Ilire Zajmi

 

Brenda tekstit poetik vërejmë se Ilirja ka sheshuar motivin e dashurisë, i cili është më i theksuar në libër, duke sajuar ngjarje, duke iu dhënë kuptimshmëri dhe duke përçuar mesazh, gjë që këto të gjitha i vërejmë tek të gjitha poezitë prezente në libër.

Në poezinë „ Baladë e bardhë“ , autorja paraqet një tabllo reale të kohës, vetminë e vetmuar duke pritur mëngjeset e ftohta e mbrëmjet e lodhura, dhe të ftohtit me bardhësi që kishte mbuluar Prishtinën.

I pret autorja këto mëngjese dhe shprehet:

 

“ …I pres mëngjeset e ftohta mbrëmjet e lodhura

Me shijen e puthjes sate në buzë

E i lutem Zotit për lumturi

Ta jetoj çdo ditë si ditën time të fundit…

 

Edhe në vazhdim të shtjellimit të poezive vërejmë se Ilirja vazhdon t’i vargërojë dashurisë vargje tërheqëse, me një art të veçantë dhe me një shtrirje të botës filozofike dhe psikologjike të saj nëpër këto poezi, të cilat padyshim se japin një pasqyrë reale të ndjesisë poetike.

Autorja përmes vargjeve e hap  portën e dashurisë të futet brenda protagonisti i saj poetik :

 

„ I hap dritaret e zemrës sime të hysh ti

Të më falësh buzëqeshje gëzime dhe dashuri”

 

Edhe në vazhdim autorja me vargje interesante vargëron për dashurinë… ajo nuk e don as pritjen, as heshtjen dhe shprehet : e imja dashuri, unë si të jetoj e dënuar në pritje, larg vetes pa ty.

Pra kjo është një ndjesi poetike e poetes karshi dashurisë, zbukuruar me gjetje interesante të fjalëve dhe forcimin e tyre me figuracion të duhur poetik.

Poezitë e librit nuk janë hermetike, diku hasim në gjysëmhermetizëm, por shumica dërmuese e poezive janë të drejtëpërdrejta, ndërtuar mjeshtërisht nga autorja. Gjuha është e rrjedhshme dhe e kuptueshme për secilën shtresë të shoqërisë, poezitë janë të ligjerimit poetik për të rritur, dhe si të tilla e kanë forcën shprehëse dhe unin poetik.

Në dy vazhdimet e poezisë “Pa titull”,  shohim se poetesha assesi nuk del nga motivi i dashurisë, duke paraqitur para nesh  epizode intimiteti,  të vargëruar bukur si në skenë ëndrre. Dhe për autoren :

 

“ Dashuria është libër i mbyllur

Libër i palexuar”

 

Brenda poezive në libër hetohen figurat si : krahasimi, epifora, personifikimi etj., të cilat ia forcojnë vargjet dhe ia rrisin vlerën librit në përgjithësi.

Në aspektin përgjithësues poezitë e vëllimit poetik “Baladë e bardhë” të poeteshës Ilire Zajmi, janë ndërtuar me mjete poetike, poezitë shoqërohen me vlerë artistike, duke forcuar bindjen se kemi të bëjmë me një krijuese të kujdesshme dhe serioze e cila në shkrimet e saja është vetvetja, ka individualitetin dhe stilin e vet krijues dhe se është një krijuese me vlera të qëndrueshme artistike.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s