SELIM ALIAJ, “QYTETAR NDERI” I KOMUNËS TROPOJË… (Arsimtari dhe poeti i paharruar) / Nga: Prof. Murat Gecaj , publicist e studiues-Tiranë

SELIM ALIAJ, “QYTETAR NDERI” I KOMUNËS TROPOJË…

(Arsimtari dhe poeti i paharruar)

 

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

 

fri

Selim Aliaj

 

 

Sot paradite, mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin tonë, ishin tejmbushur nga të ftuar të moshave e profesioneve të ndryshme. Ata kishin ardhur nga Malësia e Gjakovës, Kukësi e Hasi, Gjakova e Shkodra etj. Të gjithë së bashku, nderuan e kujtuan birin e dashur dhe të paharruar të Tropojës, arsimtarin dhe poetin e talentuar, Selim Aliaj.

Në hapje të veprimatrisë përkujtimore, që u organizua me këtë rast nga Këshilli i Komunës Tropojë, Shoqata “Tropoja”, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar dhe Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit dhe Shkencës, u ekzekutua Himni ynë Kombëtar. Pastaj, fjalën e mori moderatori i veprimtarisë, shkrimtari e diplomati Besnik Mustafaj. Ndër të tjera, ai evidentoi cilësitë e larta shpirtërore e profesionale dhe vlerat e krijimtarisë letrare të të ndjerit Selim Aliaj, lindur e rritur në fshatin plot tradita të shquara të Kasajt, në atë krahinë.

Si lejtmotiv i fjalëve, që thanë në vazhdimësi folësit, ishte vagu i tij poetik, i frymëzuar përjetën: “Erdhi pranvera, natyra çeli…”.

Nxënës shkolle, punëtor për ndërtimin e Hidrocentralit gjigand të Fierzës dhe mësues i pasionuar me nxënësit në shkollë, kudo ai u shoqërua nga vargjet e poezive të tij. Ato buronin natyrshëm nga një shpirt i butë, por dhe i trazuar, ishin si jehonë e këngëve kreshnike të Mujit e Halilit, frymqëzim nga traditat atdhetare e liridashëse të popullit të Malësisë së Gjakovës.

Vëmendjen e të pranishmëve në sallën e madhe “Unesko” e tërhoqën fjalët e poetit të njohur të kësaj krahine, Ndoc Paplekaj, të cilët kanë qenë kolegë e miq në frymëzimet e tyre. Me fjalë nderimi e dashamirëse folën para të ftuarëve: autori i disa librave, Ramiz Lushaj dhe poeti Jaho Margjeka, i cili e lexoi përshëndetjen, që kishte dërguar nga Zvicra, gazetari i “Zërit të Shqiptarëve”, Skënder Buçpapaj.

Me domethënie të veçantë ishin përshëndetjet, që bënë kryetari i Shoqatës “Labëria”, prof.Ago Nezha dhe zv.kryetari i Shoqatës “Përmeti”, Flamur Dalipaj, i cili lexoi dhe një poezi të tij, kushtuar Selim Aliajt. Po kështu, krijim të ri për  të lexoi arsimtari e rapsodi Nuredin Lushaj.

Pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie, që u duartrokit nga të pranishmit në sallë, ishin kënga e interpretuar nga Denis Delia dhe recitimet e poezive të Selim Aliajt, nga studentët Vlera e Floriani.

Në mbyllje të veprimtarisë, në mes të një entusiazmi të natyrshëm të familjarëve dhe miqëve të shumtë të arsimtarit dhe poetit Selim Aliaj, përfaqësuesi i Këshillit të Komunës Tropojë ia dorëzoi dëshminë përkatëse, Ali Aliajt. Ky i përshëndeti përzemërsisht, si folësit dhe tëërë të pranishmit në këtë veprimtari mbrësëlënëse e të paharruar dhe shprehu falënderimet e përzemërta të familjarëve për këtë nder e vlerësim të lartë, që iu bë vëllait të tij.

Pastaj, bisedat e të pranishmëve vazhduan në koktejin e shtruar me këtë rast, ku bënë fotografi të përbashkëta dhe e kujtuan me nderim të veçantë të të ndjerin Selim Aliaj, arsimtar dhe poet që do të kujtohet gjatë nga brezat e babshkëkrahinasve të tij dhe më gjerë.

x   x   x

Për dijeni të lexuesve të këtyre pak radhëve, po tregoj se janë vetëm dy libra me krijime poetike, që kanë autor Selim Aliajn. I pari, e ka titullin “Për njerëzit e dritës”(Tiranë, 1997) dhe “Muzat e dhimbjes”(Tiranë, 2001), pra ky i dyti pas ndarjes së tij nga jeta. Këtu dëshiroj të përmendi fjalët e shkruara nga Dukagjin Hata, publicist dhe mik i tij: “Tani, që Selim Aliaj nuk është më ndërmjet nesh, për të, si njeri, detyrohemi të flasim në të shkuarën, por për artin e tij poetik, që e ngriti atë në lartësinë e një poeti me një zë original, plot ritme lirike e temportime emocionesh njerëzore, flasim e do të flasim: në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen”.

 

Tiranë, 2 maj 2015