Proza e Drita Lushit, si rrëfim i përtejndjesive dhe mesazheve njerëzore. / Nga Agron Shele

 

drita lushu

 

Proza e Drita Lushit, si rrëfim i përtejndjesive dhe mesazheve njerëzore.

 

Nga Agron Shele

 

 

Shpesh herë bota e artit të shkruar vjen si pasqyrim i përthyerjes së realiteteve ose si shtjellim i imazheve dhe fiksioneve që krijon vetë autori, për të segmentuar kohezionin përjetues, ose për të ndjekur një qëllim të mirëpërcaktuar. Herë të tjera ndodh që, krejt natyrshëm, të gjejë shprehi edhe lirshmëria e shpirtit që mundëson shfaqjen e pikturave të gjalla dhe plot ngjyrime të vetë jetës, ashtu siç është, me të gjitha të mirat e të metat që e përbëjnë, gjithmonë në funksion të një komunikimi të shumëfishtë me lexuesin, duke filluar nga ai i gradës së parë, i thjeshtë dhe i sinqertë deri te ai më i thellë e më i rëndësishëm, që përfshin një spektër te ndjeshëm vlerash etike, morale dhe shoqërore. Në këtë kontekst, larg çdo modeli apo forme të imponuar, vjen edhe proza e shkrimtares Drita Lushi, e cila nëpërmjet fabulës që sjell, zgjedhjeve dhe zgjidhjeve të shkathëta, plot dinamizëm dhe larmi karakteresh, ristrukturon dhe rikrijon jo vetëm anën thelbësore të formave narrative por dhe stilistikën e veçantë (si prozë-poetike), stil ky që e paraqet dhe e projekton si një zë autentik në letërsinë bashkëkohore. Gjatë leximit të librit zhytesh me interes të veçantë në shtjellën e rrëfimit elokuent dhe të përmbajtjes si mesazh artistik që të rrëmbejnë pa kuptuar dhe të çorientojnë nën ritmin e baticave dhe zbaticave të prognozës së jetës duke u dhënë përparësi vlerave dhe cilësive njerezore e, në mënyrë të veçantë, humanitetit që duhet të manifestojë njeriu si qenie e civilizuar. Tematika e veprës qendërzohet tek e përditëshmja e jetës shqiptare ndërsa ashtu e stukturuar dhe ravijëzuar drejt një boshti unik sjell një panoramë të zgjeruar të saj: kontrastin bardhë – e zi (VALS ME TË BARDHA), ovacionin e prekjes nga afër të ëndrrës shqiptare “viti- 1969” për gjakovarët dhe mbarë kosovarët (GJERDANI MË I BUKUR), vlerën e familjes ( Sekreti), plagën e gjakmarrjes (ADHURIMI), plagën e emigracionit (SHI. . .), njeriun e lënë në harresë (LOT BURRI ) dhe sigurisht nuk mund të lërë pa trajtuar temën e dashurisë, e cila nuk vjen me nota të theksuara rozë, por si shprehje e ndjenjësisë dhe dlirësisë më të bardhë njerëzore (SHTATË DITË, VENDIM I VËSHTIRË), etj. Vlen të theksohet mënyra e ndryshme e trajtimit të fenomenit, i cili nuk paraqitet si një formë shtjellimi në kohë apo hapësirë të caktuar, por si një ngjarje që lëviz drejt konturesh të mirëpërcaktuara, nëpërmjet një lloj analitike të mprehtë që bëhet njekohesisht pjesë e rrugëzgjidhjes së problematikës së vërtetë.

 

10313621_1562879173966420_8232870405339757257_n

                Drita  Lushi

 

Sintetizimi i elementeve filozofike e psikologjike ndeshet në mbarë tregimet e saj, tregues ky jo vetëm i përqasjes metafizike, i njohjes së botëkuptimit dhe mendësisë së avancuar, por edhe i pjekurisë artistike. Të gjitha këto kanë mundësuar përftimin e një vepre sa të qëndrueshme po aq edhe koherente për kohën në të cilën jetojmë. Percepetimi i realitit grishtës nëpërmjet syve dhe botës femërore, sigurisht që sjell si rezultat një vepër më të ndjeshme, më të prekshme dhe shumë më të kuptimshme për vlerat dhe mesazhin që përcjell. Veç të tjerash, e gjithë kjo prurje e veshur me figurshmërinë e duhur që rrjedh edhe nga vetë poetika e kësaj shkrimtareje, e bën karakterin e saj tregimtar shumë më tërheqës dhe befasues për mbarë lexuesit. Për të paraqitur një konfiguracion më të detajuar le të ndalemi te disa tregime:

“VALS ME TË BARDHA” është tregimi i parë që hap librin “DASHURIA ÇEL NË PRILL”. Që në fillim citohet se ky tregim i kushtohet babait të saj “ -Tim eti-“ dhe sigurisht mendimi më i parë të çon tek gjykimi dhe shqyrtimi i elementëve autobiografikë. Leximi i tregimit e humbet shpejt idenë parësore dhe të bën të kuptosh se aty nuk flitet më për një personazh familjar “babai”, por për një rast tipizimi të realitetit të gjallë, i cili ringrihet nga përvuajtja e vet, duke përbërë dhe kontrastin më të madh të jetës së tij, për t’u bërë vazhdues i traditës së mirë të krijuar te familja shqiptare nëpër vite.

 

“ E veshur me të bardha , nisëm të kërcenim së bashku valsin e hapjes.

Ka qenë kërcimi më i bukur që kam bërë në jetën time.

Shikonim njëri tjetrin të heshtur . . . . Të heshtur . . . . . .”

 

Ky tregim behet bartës i disa elementeve të veçantë të traditës shqiptare:

 

-Karakteri i shqiptarit (duke e ditur që po vdiste, shpejtoi ditën e dasmës së vajzës dhe e nxori nusen nga dera e shtëpisë me të bardha).

 

-Shenjtërimi i familjes (shprehishmëri e qartë e gjithë zanafillës së jetës në shërbim të qelizës bazë, familjes)

 

-Vazhdueshmëria, si kuptim i vetë ekzistencës dhe përsosjes.

 

-Koncepti i vdekjes si përjetim i tragjikës shqiptare.

 

“ADHURIMI ” është një tjetër tregim, i cili e merr tematikën nga “gjakmarrja”, plagë e dhimbshme dhe aktuale, që po rrëmben përditë jetë të pafajshme dhe ka ngujuar qindra familje shqiptare. Një fenomen i tillë, që përbën edhe problematikën më të mprehtë shoqërore sot, nuk mund të anashkalohet apo ti shpëtojë penës së autores, por me objeksion, përgjegjësi intelektuale dhe si pjesë e frymës angazhuar për zgjidhje të menjëhershme, jep tablonë e kësaj drame, pasojën e shkaktuar dhe rrugën e duhur për të arritur deri te falja, si veprim sa kurajoz ashtu edhe fisnik.

 

Deri ku shkon thelbi i shpirtit të një njeriu, dlirësia dhe ana humane e tij, këtë e deshifron tregimi “LOT BURRI”. Si autore e përjetimit të thellë dhe ndjesive të mëdha, Drita depërton deri edhe në skutat më të thella të errësirës së jetës, madje edhe te cepi i trotuarit që është bërë vend dhe prehje për lypsarin e gjorë, duke mallkuar hapur ndaj padrejtësisë shoqërore për këtë kategori njerëzore, e cila ndihet sa e pambrojtur, po aq edhe e braktisur. Ajo nuk kërkon të paraqesë thjeshtë një tablo gri nga gjithë ky mjedis njerëzor, por të tërheqë vëmëndjen dhe, për më tepër, të ndikojë sa të mundet për integrimin e tyre në shoqëri.

 

Dashuria pushton një hapësirë të gjerë në prozë duke u shfaqur herë si ndjenjë e hollë, herë si dlirësi e pafajësi nën forcën estetike dhe artistike të penelatave sa ngjyruese po aq edhe detratuese.

“SHTATË DITË” janë si shtatë qiejt hapësinorë të gjithësisë së asaj bote që përmbushet nga dritat farfuritëse dhe kuptimi i ëndrrës më të bukur e cila, e ravijëzuar ashtu thjeshtë, plot pasion dhe emocion, nëpër fletët e ditarit të shpirtit, përshkruan fuqinë dhe peshën e pamasë të vetë dashurisë.

“Kjo faqe ditari nuk është si të tjerat.

Sepse malli, ndjenjat, emocionet, përqafimet, dhe padurimi im është aq i madh, sa mezi pres çastin që sytë do takohen në një pikë dashurie.

A mund të shkruhen të gjitha këto?

Të pres si asnjëherë tjetër. . .”

… dhe vërtet. Nuk është si të tjerat. Nuk ngjan me askënd. Është ndjesia njerëzore, që diku ngre krye e bëhet shpërthyese e diku tjetër përhumb mallit dhe çasteve të pritjes, por pa kapërcyer asnjëherë kufirin e përtejmoralit duke mbetur kështu përherë e pastër dhe e magjishme.

 

E gjithë kjo risi krijuese ngjan me një mozaik ngjyrash, ku çdo penelatë ka bukurinë dhe kuptimin e vet edhe ashtu e shtrirë në telajon e madhe te jetës, duke mundësuar perceptimin e  krijimtarisë dhe intuitës së autores Lushi e cila, me një elegancë dhe elokuencë të natyrshme, ka ditur t’i përjetësojë në veprën e vet.

 

Libri me tregime “DASHURIA ÇEL NË PRILL“ është mjaft kompleks dhe me diapazon shumë të gjerë, jo vetëm për format, stilistikën dhe strukturën që krijon, por edhe për trajtimin e problematikës dhe realitetin shoqëror që përçon, për idetë dhe thjeshtësinë e mendimit që shpreh dhe, si i tillë, të jep përshtypjen se do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën e lexuesit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s