Cikël poetik nga Riza Çato

 

Riza çato

Cikël poetik nga Riza Çato

 

 

Më ler !

 

Koka më dhëmb,

zemra më rreh.

Dua që jetën ta jetoj.

Ti që më do e më njeh,

si zemra më dhimbsesh njësoj.

 

Në heshtje flas,

në heshtje flasin.

Vallë ç’mund të bëj?!

Më thonë:Ngjasim!

Në cep të syrit djajtë gajasin.

 

Po ku të zhytem?

Në ç’ ujëra vallë?!

Të rri në breg?

Të rri mbi valë!

Më mirë tek trupi yt si ngjalë.

 

Lermë të dehem,

lermë të flas.

Në prush të digjem, të përcëllohem.

Me cep të syrit të të ndjek pas,

Heshtjen tënde, të pi,

Freskohem !

 

 

 

S’kam faj

 

S’rroj dot pa ty moj mikja gotë,

kur kam trishtim shkoj në kllapi.

Të vë në buzë një tjetër botë ,

të kthej një kupë tjetër njeri.

 

Të pi me kut se s’ke derman,

ti ta bën mendjen lesh e li.

Ndodh që të pi dhe me filxhan,

pastaj jetoj në mbretëri.

 

Ti je ilaçi botës plakur

dhe për moment s’pyet askënd,

kur të pi ty rend duke llapur,

çdo gjë rrotull s’e lë në vend.

 

Ti ta merr mendjen e ta kthen prapë,

këtë ta quaj mirësi.

S’të piva kurrë në të thatë,

por s’ më the: Ndal!…Ti je lubi !

 

I lumtur , kush s’e ka provuar,

deri në masën çakërqef.

Të merr peng si pa kuptuar,

hallin ta shton e kurrë s’ta ndreq.

 

S’rroj dot pa ty moj mikja gotë

dhe pse e quaj çmenduri.

Faj nuk kam unë e ka kjo botë,

që se kuptojë fjalën …NJERI…….. !

 

 

 

Çdo ditë e përditë

 

Çdo ditë e përditë,

humbas diçka nga jeta

dhe pse quhet humbje,

veten prapë e mbaj.

Vetëm të vërtetën

asnjëherë s’e gjeta,

nëse do ta gjëja e ktheja në ar.

 

Çdo ditë e përditë,

vidhet jeta ime,

po lyps nuk më kthejnë,

s’kanë aq fuqi.

Tani bashkëjetoj

vetëm me kujtime,

me ëndrra të kota që s’quhen rini.

 

Çdo ditë e përditë

kockë e lëkurë,

rreshkur edhe fishkur ,

si gjethet në vjeshtë,

Vetë në zemër ngre

të magjishmen urë

dhe e ci mbi të si një gjë e leshtë.

 

Çdo ditë e përditë

s’jam në rrugën time,

i ndryshoj korsit

pa sinjale fare,

truri hallakatur ,

i vogli thërrime

dhe dy sytë e ballit kthyer në kamare.

 

Çdo ditë e përditë

nuk i ardhka fundi,

që të gjithë u plakën

u kthyen si unë,

po furtuna e jetës,

jo nuk më lëkundi

edhe dallkaukët s’më vunë dot në gjumë.

 

Çdo ditë e përditë,

ja ku ndodhem sot,

zvarranik s’u bëra

as edhe lypsar,

po për jetën time

derdh dhe ndonjë lot,

por nuk mund të ndodhi ta kthej në pazar.

 

 

 

Mos më thuaj

 

Mos më pyet: Ku janë varret ?

Ku dhe bari pikon lot,

ku dridhen gurët dhe qarret,

ku dhe fjala nuk flet dot.

 

Mos më thuaj :Ku janë varret !

Se atje kam gjysmën tjetër,

kur të vete do qaj hallet

dhe s’do kem nevojë për mbretër.

 

 

 

Vjen një kohë

 

Vjen një kohë që turpi s’pika ujë,

zakonisht kur bëhesh person VIP.

Tridhjetë herë në ditë ndërron lëkurë,

njëqind herë në vit ndërron partitë.

 

E ku njihet turpi nga një VIP.

turp nuk ka as kur ka gruan kurvë.

Mjafton shkallët një nga një ti ngjit

dhe sikur të jenë larë me shurrë.

 

Është koha që pjell të tillë kallupa,

është fabrikë që nxjerr me porosi.

I shikoj e më ngjallet krupa,

i dëgjoj mbyll veshë dhe sy.

 

 

Ua them ta dini

 

Gabuat zotëri që trokitët tek unë,

ndoshta në një vend tjetër duhet trokitur.

Unë ndjej ftohtë dhe kur fle gjumë,

frikësohem,kur më vini pa pritur.

 

Këtu s’kam as drita,as ujë.

jetë shpelle po bëj disa vjet.

Ua them ta dini këtë katrahurë,

se as kush s’kujtohet,as dreqi vetë.

 

Ma thoni ç’të bëj unë fatkeqi,

sonte me ju në errësirë?!

Ç’patët? Ç’ dreqi ju gjeti !

Që më gjetët gjallë,pa ngrënë e pa pirë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s