SPIRO ANASTAS MËHËLLI: NJË JETË PËRKUSHTUAR ARSIMIT =PËR SË GJALLI E LUFTUAN, NDEROJENI PËR SË VDEKURI, NDËRKOHË QË SHPALLEN QYTETAR NDERI EDHE TË BURGOSURIT PËR PËRDHUNIME NXËNSESH?! / Nga Agron MEMA

    SPIRO ANASTAS MËHËLLI: NJË JETË PËRKUSHTUAR ARSIMIT =PËR SË GJALLI E LUFTUAN, NDEROJENI PËR SË VDEKURI, NDËRKOHË QË SHPALLEN QYTETAR NDERI EDHE TË BURGOSURIT PËR PËRDHUNIME NXËNSESH?!     Nga Agron MEMA   Prilli i vitit 1912, vit … Continue reading

Poetineranti

Poetineranti       ATTILIO IANNIELLO (a cura)   Nelle Note di viaggio a Kashima il poeta giapponese Bashō (1644 – 1694) scrive: «In ogni tempo immutato è nel cielo il chiarore della luna, mille e mille forme hanno (invece) … Continue reading

MËNGJESE KAFENESHË / Tregim nga : (Hamdi) Erjon Muça

 

MËNGJESE KAFENESHË

 

 

 

Erjon Muça

 

Tregim nga :  (Hamdi) Erjon Muça

 

 

Që në zanafillë pata mëdyshje, dilema, apo dyzime, quajeni si të doni, rreth titullit të këtij tregimi. Dyshimet kishin të bënin me frikën ndaj këtij titulli, që mund të çojë mendjen tek “Mëngjeset në kafe “Rostard “ e Ismail Kadaresë. Kisha frikë ngaqë po ta lexonte ndonjë nga analistët e mëdhenj të Shqipërisë sonë analistpjellëse, apo më mirë ai më i madhi ndër më të mëdhenjtë, me situatën që mbretëron në Shqipëri, sa herë përmendet emri i Kadaresë, me siguri do më kish etiketuar. Kur e dëgjova për herë të parë atë lloj etiketimi, mendja më shkoi tek Libri “Hurshovianët”, ai kështu etiketonte ndjekësit e Sali Berishës: ndofta mua do më etiketojë si “Kadareian”. Frika e dytë, meqë ishte mëdyshje, vinte nga vetë Ismail Kadare. Me ato që thuheshin rreth tij në Shqipëri, nuk është e habitshme që nesër të vijë e të më kërkojë të drejtat e autorit, mbi titullin. Me frikë apo pa frikë vendosa ta nis.
Ishte mëngjes herët, nuk jam fort i sigurt në ishte fund nëntori apo fillim dhjetori. Ditë e ftohtë e me shi, për më shumë jashtë stinës në të cilin vizitoj rregullisht Durrësin. Pata ardhur nga Italia me ngut pasi më duheshin disa dokumente, por në shtëpi gjeta edhe një faturë të energjisë elektrike të papaguar. Me ç’po na dëgjonin veshët në Shqipëri, vendosa ta paguaj pa humbur kohë. Nuk doja të zotohej, madje edhe Interpoli për atë faturë.
Tek zyrat e O. Sh. E-së kishte radhë. Pasi rashë dakord me një të moshuar që të më mbante edhe mua një radhë, kundrejt një pagese, mësyva kafenenë më të afërt dhe që m’u duk më e përshtatshmja në atë pyllnajë kafenesh.
Nuk e di nga më erdhi ajo cytje (po përdor një elbasanizëm këtu megjithëse nuk jam elbasanlli) për t’u futur në kafene. Ndofta ngaqë mëngjeset dimërore kalohen më mirë në kafene se gjetiu. U habita ngaqë kafeneja ishte e mbushur megjithëse ora akoma nuk kish shkuar tetë. Gjeta një vend si të lënë enkas për mua dhe u ula. Kamerieri ma solli kafen pa u vonuar shumë e ndërkohë që po largohej, një nga ata që ndodheshin në tavolinën përballë ja behu.
– Mbrëmë lexova letrën e hapur të N. J. që ia dërgonte Kadaresë. Nuk e kisha lexuar më parë dhe kuptoj që kam gabuar.
– Eh ajo letër!- Ja ktheu një tjetër që mua më preku së tepërmi me qëndrimin e tij gati surrealist. Kishte një mjekër të gjatë, laroshe, të cilën e ledhatonte lehtë nga lart poshtë me vështrimin e ngulitur, gati të përhumbur tek muri përballë.
E ktheva nja dy herë kokën për të vështruar atë që po nguliste ai, por pa sukses. Kish marrë qëndrimin e atyre filozofëve të hershëm. Nuk e di! Ndofta Sokrati, Ezopi! Platonin nuk po e përmend ngaqë nuk jam i sigurt në ka pasur apo jo mjekër, e aq më shumë, laroshe. Ngaqë jam hutaq i madh, ai qëndrim i portretit filozofik, nuk e di përse hera- herës më ngjante me portretin e Don Kishotit… Teksa qëndrimi i tij më kish magjepsur, ai seç kish thënë tjetër përpos: – Eh ajo letër.
U zgjova vetëm kur një rondokop që ndodhej në tavolinë po i përgjigjej:
– Po të hidhesh hu më hu, herët a vonë një do të të hyjë.
– Mua ajo letër m’u duk krejt e pabazë dhe ziliqare, – tha një tjetër, me ton zëri të qetë, të përmbajtur.
– Rri more mos u hidh në ato degë se nuk mbajnë! Ajo letër ishte plot me baza – tha një burrë tjetër, por që ndodhej në një tavolinë më tej. Ai qe ulur me dy të tjerë në tavolinë dhe në karrigen e mbetur pa njeri qe rehatuar një çantë e zezë vezulluese, me dy togza ngjyrë ari edhe më vezulluese se çanta.- Po të kishte qenë pa baza, Kadareja do t’i ishte përgjigjur pa humbur kohë.
– Epo mos ia futni kot tani, se gjithë sa thuhen për Kadarenë janë të pabaza!- ia ktheu ai i mëparshmi me po të njëjtin ton zëri.
– Rri more zotëri se ti nuk ditke gjë hiç,- ju hakërrye ai burri komshi me çantën.- Se po të nxjerr unë disa dokumente që kam këtu, e bëj Kadarenë që të mos i zënë këmbët dhe jo në Shqipëri e në Francë, por as në Mars.
– Kadareja është një fundërrinë!- tha njëri nga një tjetër tavolinë.- Evropa prototipat si Kadareja i ka hedhur në koshin e mbeturinave me kohë e me vakt. Ndërsa për fat të keq këtu tek ne adhurohet akoma. Unë jetoj në Evropë dhe më pëlqen letërsia, ndaj e them me bindje, se ne nuk do hymë kurrë në Evropë pa hedhur poshtë idhuj të tillë, të gënjeshtërt.
– Ah se ma kujtove Evropën, mor djalë, që u bëfsh njëqind vjeç.- Ti ore që thua se janë të pabaza sa thuhen për Kadarenë. Po të ishte ashtu, atij do ia jepnin çmimin “Nobel” fët e fët, por nuk ja japin se ai është një zagar, një plëngprishës, një zuzar, pa fe e pa atdhe. E një nga pikat në të cilat bazohet më shumë “Nobel”-i ka të bëjë me atdhedashurinë – e përmbylli fjalimin e vet komshiu i çantës. Ishte një çudi se akoma nuk e kishte thënë asnjë gjysmë fjale. Ndofta po i vinte qejf nga ledhatimet e komshiut të vet!
– Po ç’hyn atdhedashuria me “Nobel”-in ?! – ia ktheu disi i habitur i vetmi zotërues i situatës. – Si ore nuk hyn. Jo vetëm që hyn, por hyn edhe del! Madje…… Po thosha më vete.
– Si thatë ju?- Mu kthye mua njëri nga ata që ndodheshin në tavolinë me oponentin. Ops! Mesa duket kisha menduar me zë të lartë.
– Po thosha që atdhedashuria është kyçe në mjaft konkurse. Madje kam marrë vesh se as në “Mis trans on the world” nuk të pranojnë pa dëshmi atdhedashurie.
– Ma more nga goja më tha ai evropiani, – e ia nisi me të tijat.
Qen, zuzar, tradhtar, maskara, i pafytyrë….
Zërat që e shanin Kadarenë qenë shtuar kurse ai oponenti ishte edhe më i vetëm, më i ndrojtur. S’kishte faj, situata ishte kundër tij, tavolinat në debat nga tre ishin bërë katër. Ajo skena gati Homerike e dyluftimit të Zahariajve me Dukagjinët në martesën e Kastriotit, në krahasim me këtë do të dukej qesharake, e papërfillshme.
Nuk e di përse pata ndjesinë se në atë çast gjithçka do heshte dhe në sfond do dëgjohej zëri i folëses tek Radio Tirana.
Të nderuar dëgjues, programi vijon me një këngë nga isopolifonia labe me titull “Kadare more burrë t’u murostë pena në gurë” ose “Mos të shkroftë pena askurrë”, e kënduar nga grupi i burrave të kafenesë durrsake. Pas heshtjes së pashmangshme do ia behte solisti.
Gjithë jetën me penë ngrehur,
Por tani se ç’të ka shkrehur.
Don më shumë frëngjëri
Se sa mëmën Shqipëri.
Ohooooooooo!
Me të mbaruar solisti me ë-të dhe e-të e stërzgjatura, kori i isos ia buçiti duke mbushur sallën me eeee e me oooooo-të e gjata. Në mes tyre si i ndrojtur, ardhur nga diku larg, gati i trandur, dëgjohej ose mezi dëgjohej një zë si kundërshtues. E pas tij, si për të mbytur atë zë opozitar gati të padëgjueshëm, gumëzhiu një prryyyyy, prej çobani që thërret delet, duke ia kaluar të gjithë zërave të korit.
E ktheva vështrimin me inat, mbi xhamat e kafenesë. Jo se nuk më interesonte ai debat i ndezur. Madje mund të them se ai debat duhet të ndodhte, e për nga rëndësia jetike për vendin, jam i bindur se po të mos ishin muret ndarës të kafenesë, në debat do ishin futur edhe klientët e sallës së basteve në të majtë apo të parukerisë në të djathtë; ata duhet të futeshin në një debat të tillë. Sa i përket klientëve të farmacisë dhe të furrës së bukës nuk mendoj se zëri do të shkonte deri aty. Apo mos ndoshta……!
Më nervozoi zhurma e tepërt që nuk po më linte të përqendrohesha tek vargjet e tjera të këngës, ndaj vendosa të vështroja nga dritarja.
Ndërkohë që debati qe ndezur sa më s’ka, ngaqë në të qenë futur edhe debatuesit e tavolinës pesë dhe gjashtë, jashtë shiu i rrëmbyer kish nisur të përmbyste rrugën. Pusetat dukeshin si vorbe në zjarr, e uji yndyrshëm ngjyrë bakër që dilte prej tyre si ujë duke valuar hidhte përpjetë ca topa që dukeshin si patate duke u zierë. Pak më tej dallga e krijuar nga kalimi i një “fuoristrade” rrëzoi një kazan plehrash që çuditërisht ishte i tejmbushur: duke derdhur në tokë ngarkesën e tij. Mbeturinat lundruese nisën të shëtisnin nëpër të gjitha anët e bulevardit të përmbytur. Radha përballë zyrave të O. Sh. E-së, shtohej me ritmin e pikave të shiut të rrëmbyer, nga njerëz që vinin për të paguar faturat e energjisë elektrike. Në atë çast një rrugë e Shqipërisë u gjakos nga shpërthimi i një bombe vendosur nën një makinë.

Poezi nga Valbona Hani

  Poezi nga Valbona Hani       U DASHUROVA ME VARGUN   Duke të pritur,një pritje e përmalluar, u dashurova më shumë me vargun, Ndrydhur ndjenjat përqafimet -rebesh, Thava shpirtin e lagur,nga loti i mallit.. Udhë ndjenjash e shkruar … Continue reading