NDERIM DHE VLERËSIM I MERITUAR PËR POETE E SHKRIMTARE, ARTISTE E VEPRIMTARE SHQIPTARE (Antologjia e re, “Për ju, krijuese”, me autor prof. Murat Gecaj) / Nga: Lumturi Vladi

NDERIM DHE VLERËSIM I MERITUAR PËR POETE E SHKRIMTARE, ARTISTE E VEPRIMTARE SHQIPTARE

 (Antologjia e re, “Për ju, krijuese”, me autor prof. Murat Gecaj)

 

 

Nga: Lumturi Vladi

 

 

li 2

Nga e majta: L.Vladi e M.Gecaj (Tiranë, 4 maj 2015)

 

 

Është kënaqësi për mua të njoftoj se këto ditë, SHB “Edlora” në Tiranë, nxori në qarkullim librin e ri ose antologjinë, “Për ju, krijuese”. Autor i tij është prof.Murat Gecaj, publicist e studiues dhe përmban shkrime për mbi 90 femra krijuese shqiptare: poete e shkrimtare, artiste e veprimtare të njohura. Ato janë, si nga Shqipëria, Kosova e trojet tjera amtare, por dhe nga Diaspora Shqiptare.

Libri ka redaktore Vjollca Spahon (Tiranë), recensente: Zyrafate Kryeziun-Manaj (Suedi) dhe Enkelejda Kondin-Masseboeuf (Francë).Ballina e parë është pikturë e Nazmi Hoxhës (Amerikë).

 

 

                                    x    x    x

 

Tashmë, emri i autorit të këtij libri  është bërë i njohur në letrat shqipe, si brenda e jashtë Atdheut tonë. Po ta lexosh me kujdes jetëshkrimin e tij (Shih edhe  librin ”Ëndrra ‘të grisura’ të jetës sime”, Tiranë, 2010), mëson se Murat Gecaj ka nisur të shkruajë dhe të botojë që në moshën 14-vjeçare. Pra, është një jetë e tërë dhe janë mbushur mbi 60 vjet, qëkur emri i tij shihet në gazeta, revista e libra të ndryshëm  dhe, në këta vitet e fundit, në shumë qendra Interneti, nëpër botë.

Por, ajo që  dua të nënvizoj kësaj radhe, është një dukuri e veçantë në shkrimet  e tij, pra dashamirësia e treguar ndaj botimeve dhe, në përgjithësi, ndaj krijimtarisë së autoreve femra. Te ai vëren energjinë e pashterrshme pozitive dhe fisnikërinë e mirësinë ndaj të tjerëve, e shprehur kjo edhe ndaj kolegeve e mikeve të veta. Ndërsa, po të bisedosh lirisht me prof. M.Gecaj, pasi ai nuk ngurron  asnjëherë, e shpjegon këtë gjë, përveç prirjes në fushën e krijimtarisë e të studimeve dhe respektit të veçantë për botën e madhe e të pasur femërore, edhe nga fakte e ndodhi vetjake  e  njerëzore. Këshu, nëna e ka lënë atë jetim, që në moshën 4.5-vjeçare dhe asaj i kushtoi poezinë e parë të jetës, “Silueta”, që është botuar në librin “Karvan dashurie-2”etj. Ndërsa ka patur tre vëllezër, më të mëdhenj se veten, që fatkeqësisht nuk jetojnë më, por asnjë motër. Këtë “boshllek” të tij, së pari, ai është përpjekur ta përligjë me sjelljet dhe qëndrimet e tij, si ndaj bashkëshortes, Katerinës e vajzës së vetme, Mirelës, por dhe ndaj mbesës së tij, po të vetme, Dorelës, tani 12-vjeçare. Për këtë të fundit, në 9-vjetorin e lindjes, shkroi e publikoi një libër të tërë, letrar-publicistik, me titullin-emër të saj (“Dorela”, Tiranë, 2010). Ai pohon me shaka, por që flet për një e vërtetë të pamohueshme, se ndoshta është gjyshi i parë-autor në letrat shqipe, që shkruan dhe publikon një libër, për mbesën ose nipin e vet. Uroj me zemër që ata të ecin në udhën e nderuar e të bukur të tij!

 

li 1

Ballinat e librit të ri, me autor Prof. Murat Gecaj

 

Duke iu kushtuar edhe miqësive të shumta të tij, me koleget e miket krijuese, me mosha e profesione nga më të larmishmet, si brenda e jashtë Shqipërisë, prof. Murati ka arritur që të ketë lidhje me shumë të tilla, nga të cilat disa realizohen përmes Internetit. Por edhe në bisedat e drejtpërdrejta, pothuajse, të gjitha koleget krijuese, në çfarëdo moshe janë, i drejtohen atij me emrin “Babush”, duke shprehur kështu: respekt, dashamirësi dhe mirënjohje të përligjur ndaj tij.

Kryesorja, që mendoj se duhet nënvizuar, është se kur merr ftesa nga koleget e miket krijuese, të cilat i përurojnë librat e tyre, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, në Ministrinë e Kulturës ose në Bibbliotekën Kombëtare a në ndonjë vend tjetër, përherë  ai është i pranishëm. Dhe nuk shkon aty, si një vizitor i thjeshtë. Me vete i ka të pandara, gjithnjë, bllokun e shënimeve dhe aparatin fotografik. Në të parin, regjistron, si një kronikan i kujdesshëm, ato që thuhen në përurimin e librit përkatës, ku është i ftuar. Por dhe fikson, me aparatin e tij, si pamje nga veprimtaria, por dhe fotografi, bashkë me autoren e librit të ri.

Ndërsa është edhe një formë tjetër e lidhjeve të shumta miqësore të prof.Gecajt, me krijueset shqiptare. Duke e ditur dashamirësinë e tij të shfaqur, gjerësisht dhe kaq bukur, autoret e librave, me poezi ose në prozë, ia dërgojnë atij librat e tyre të botuar për t’u shprehur rreth tyre, jo vetëm nga qytete dhe krahina të Shqipërisë, por dhe nga shtete të ndryshme të Europës, sidomos nga trojet shqiptare të Ballkanit, si dhe nga shtete tjerë të Europës e, bile, deri nga Amerika. Nuk do të zgjetem këtu, por shënoj se, p.sh., kështu kanë vepruar: poetet Enkelejda Kondi-Masseboeuf, me banim në Francë; Vilhelme Vranari-Haxhiraj, me banim në Vlorë: Zyrafete Kryeziu-Manaj, me banim në Suedi dhe Shadije Hotnjani,  me banim në Gjermani ose Dëshira Haxhi, me banim në Greqi e Anila Dahriu, me banim në Itali etj.

Për këto, që shkrova më lart, është fare e thjeshtë të bindet secili lexues, po t’i shfletojë me kujdes faqet e këtij libri të ri. Janë kaq e kaq shkrime, për përurimet e librave të rinj, të cilët janë bërë  nga poetet dhe shkrimtaret tona. Por janë dhe hyrje e recensione të botuara, me firmën e tij, në vetë ata libra ose pas publikimit të tyre.

Ndërsa, siç dëshmohet në këtë libër, me ndjenjat e tyre të holla dhe të bukura, autoret e ndryshme e kanë gjetur kurdoherë udhën për t’ia shprehur prof. Murat Gecaj, falënderimet e sinqerta dhe mirënjohjen e tyre, për ndihmesën e dhënë e nxitjen e mëtejshme, në fushën e krijimtarisë së tyre, letrare e artistike ose në veprimtari tjera. Këtë gjë, ai e ka merituar me mendimet dashamirëse, që ka shprehur për ato, si në shtyp e Internet dhe në faqet e librave të tyre të botuar. Sigurisht, këto fjalë të autoreve tona janë diçka vetjake, në korrespondencën dhe e-mailet ndërmjet  tyre, pra nuk pasqyrohen në këtë libër dhe, me modesti e thjeshtësi, vetë ky autor nuk dëshiron të flitet shumë për to.

Nuk dua të zgjatem, me këto pak radhë, pasi mendimet, që po them këtu, nuk besoj se e pasqyrojnë, siç duhet e plotësisht, kujdesin dhe tërë vëmendjen e treguar dhe të shprehur publikisht, nga autori i këtij libri, për disa autore tona krijuese: poete, shkrimtare e artiste dhe veprimtare të njohura, për të cilat flitet shkurtimisht edhe në faqet e këtij botimi. Po përmendi këtu fjalët e arsimtares dhe shkrimtares së njohur, nga Vlora, Zyba Hysa: “Të falënderoj për shkrimet tua, plot mirësi, për mjaft krijuese e studiuese! Shëndet dhe jetë të gjatë!” Poetja Seli Murati, nga Toronto e Kanadasë, në e-mailin e saj, i drejtohet prof. Muratit me sinqeritet:”Faleminderit shumë për këtë shkrim të bukur-analizë; me përkushtimin dhe me fjalët tuaja kaq të bukura e dashamirëse, për librin tim të parë, “Pikëllimi i ëndrres”! Vlerësimi juaj kritik e real, më bën të ndihem mjaft mirë dhe prandaj u jam shumë mirënjohëse dhe nga larg ua shprehi respektin tim”. Ndërsa poetja Vjollca Pasku, nga Fieri, më 27 maj 2014, i shkruante: “Ju faleminderit, profesor Murat Gecaj! Ndihem vërtet e nderuar në biseden me ju, studiues, profesor, autor i mjaft punimeve në revista periodike për arsimin, kulturën, shkencën etj., autor dhe bashkautor i shumë librave dhe i një serë vepritarish të tjera, në shoqatat e gazetarëve dhe artistëve shqiptarë, në vend dhe diasporë”.

Dëshiroj, që në këto radhë të miat, për këtë libër të kolegut dhe mikut tonë të përbashkët, ta përshëndes përzemërsisht dhe ta shprehi respektin për bashkëshorten e tij, znj.Katerina Gecaj (Kola), e cila e ka mbështetur dhe e mbështetë vazhdimisht e konkretsht  atë, në tërë punën kërkimore, studimore e botuese.

Gjithashtu, i falënderojmë koleget e miket tona: Dr.Liljana Kristuli (Itali), Reshida Çoba(Kaliforni), Edlira Kame(Tiranë), Teuta Halilaj(Londër), Mimoza Agalliu (Tiranë) dhe prof.Sadete Pllana(Prishtinë), që e kanë mbështetur autorin në botimin e këtij libri me mjaft interes, sidomos për femrat krijuese, artiste e veprimtare dhe për lexues të tjerë të interesuar.

Duke e ditur saktë, se këtë gjë e dëshirojnë edhe vetë koleget tona, po  e përshëndesim dhe po e falënderojmë përzemërsisht, prof. Murat Gecaj, për çfarë ka bërë dhe që do të bëjë në të ardhmen, për krijueset shqiptare: letrare e artiste dhe veprimtare tona të njohura. Gjithashtu, atij i urojmë nga zemra: Jetëgjatësi, begati e krijimtari të frytshme dhe plot gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

-Lexuesit e interesuar mund ta gjejnë këtë botim të ri, në kioskën-librari, “Arti-Sport-Kulturë”, e cila ndodhet në krahun e djathtë të portës hyrëse, për në Bibliotekën tonë Kombëtare.

-Kontaktet janë:068.253.5330(celular) dhe 00355.42.222.645(tel.fix.)

 

Tiranë, 8 maj  2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s