ROMAN QË RRËFEN ME AKULLSINË E PAMËSHIRSHME (Meditim mbi romanin e Anton Nikë Berishës “Ferri i lodhur” ) / Nga (Hamdi) Erjon Muça

 

ROMAN QË RRËFEN ME AKULLSINË E PAMËSHIRSHME

 

(Meditim mbi romanin e Anton Nikë Berishës “Ferri i lodhur” )

 

 

Erjon Muça

Nga (Hamdi) Erjon Muça

 

 

Kur merr në dorë romanin “Ferri i lodhur” ke dëshirë të heqësh një pikëpyetje ende pa e lexuar librin. Pse i lodhur? Si ka mundësi të lodhet një ferr. E mendja të shkon tek rrathët e ferrit të Dantes. Meqenëse shkruesin nuk e ke pranë kështu që duhet të shfletosh librin.
Nga nëntitulli kupton që ke të bësh me një histori të afërt të dhimbshme: që ndoshta mund të ketë ngjarë realisht. Pra, nisesh për në ferrin e profesor Anton Nikë Berishës dhe bëhesh gati për zjarrin e tij.
Libri të godet që në faqet e para: jo për nga mënyra se si është shkruar. Megjithëse ky është një aspekt që duhet të vlerësohet maksimalisht; por unë nuk jam studiues, as nuk dua të bëj të tillin, ndaj nuk po i futem kësaj rruge. Ajo që mua më goditi dhe besoj se ka goditur edhe të tjerë, është ftohtësia me të cilin ky roman flet. Megjithëse fjala ftohtësi është pak, pasi profesori duket sikur ka veshur një veshje prej akulli për të kaluar ferrin e vet të lodhur. Për mendimin tim kjo është një gjetje tepër e vështirë për t’u realizuar. Profesori ia ka arritur megjithëse diku, vende-vende, të duket sikur kjo cipë prej akulli po shkrin.
Si ia ka arritur? Për mendimin tim, profesor Anton Nikë Berisha ka arritur t’i shmanget qerthullit të urrejtjes dhe dhimbjes duke futur meditimin e thellë të thënieve popullore, të shkrimeve biblike, por edhe të aforizmave të shkrimtarëve të ndryshëm humanist, në gojën e personazheve të shumtë që gjallojnë, frymojnë në këtë roman.
“Ferri i lodhur” nuk është libri i parë që lexoj nga profesor Anton Nikë Berisha. Libri i parë ka qenë romani “Bimorja” (botimi i dytë). Ky libër ka një ndryshim rrënjësor me “Bimoren”. Nuk po flas për mënyrën sintaksore të shkruarit pasi, siç thashë, më sipër as që mendoj ta bëj një gjë të tillë. Flas për atë se si ky roman sillet me lexuesin. Nëse “Bimorja” rrëfente si një gjysh i mirë teksa të tregon eposin e kreshnikëve. Ky roman të flet. Flet gjakftohtë, i mprehtë si një bisturi duke të të lënduar shumë e më shumë, nga një kapitull tek tjetri. Flet me gojën e Sutë Sutores që mundohet të gjallojë, ndonëse ndodhet në ferr.
Një herë, një mik i mirë i imi, teksa lexonte një nga shkrimet e mia, e duke ditur që unë jam një ndjekës i pashoq i thjeshtësisë, në një prozë, më tha: thjeshtësia është e rëndësishme, por duhet vërejtur edhe poetika që ndryhet në një prozë. Pasi proza sado e thjeshtë fsheh poetikën e vet. Me dashamirësi ju përgjigja: Nuk e bëj këtë për dy arsye: e para praktike dhe e dyta teorike. Ajo, praktikja, ka të bëjë me atë që thashë më sipër: nuk jam studiues dhe nuk dua të bëhem i tillë. Mua më pëlqen letërsia dhe dua të mbetem lexues i thjeshtë që shkruan atë që ndjen për librat që lexon, nëse ata e bëjnë me të vërtetë për të ndjerë. Kurse arsye teorike ka të bëjë me një thënie që thotë: shpesh herë kur gërvisht lëkurën e një heroi do të gjesh një përbindësh. E unë nuk dua që heronjtë të më kthen në përbindësha.
Megjithatë këshillën e mikut tim e ndoqa në këtë libër dhe vërejta gjithë dhimbjen, pezmin dhe frikën të shkarkuar në dy folje që nuk e mbaj mend sa herë i ka përmendur profesor Anton Nikë Berisha në këtë roman.
Gjalloj dhe frymoj! Janë folje, por për mua, në këtë libër, janë sentenca më tepër se idilike.

 

anton-nike-berisha

Anton Nikë Berisha

 

E kam vënë re se shumë bashkëvëllezër të mi të përtej kufirit i përdorin këto folje pa të keq. Ndoshta vetë historia e Kosovës, e kaluar më së shumti mes zhdukjes dhe ekzistencës, kanë përligjur këto folje të rënda. Gjalloj, për mua, nuk do të thotë jetoj, por s’kam vdekur; edhe frymoj po atë kuptim ka, veçse pak më të thelluar, tmerrësisht më makabër. Këto dy folje qëndrojnë në mes të asaj dilemës së madhe të jesh atë mos jesh. Në mes të qenit dhe të mos qenit, njeriu nuk jeton, ai gjallon, frymon. E kjo, thënë në një roman që flet i akullt për ferrin është tepër tronditëse për një shpirt si i imi.
Një pikë tjetër që më goditi shumë në këtë roman është ajo letra e mësuesit të gjuhësisë. Ajo është e gjithë shkarkesa emocionale që një shqiptar jo naiv bën. Një shqiptar normal të gjithë fatkeqësitë e veta dhe të popullit të vet ia ngjesh armiqve, kurse një shqiptar intelektual ia jep ato vetes. Armiku nuk duhet urryer pasi ai atë punë ka, dëshirën për të na shkatërruar, duhen urryer shqiptarët bukëshkalë dhe naivë që lejojnë armiqtë t’i arrijnë qëllimet e tyre. Më goditi pasi kam pasur të tjera bindje për bashkëvëllezërit e mi të Kosovës: jo se kam njohur shumë, por ata që kam njohur kanë pasur bindje të ndryshme nga ato që profesor Anton Nikë Berisha shfaq me atë letër. Madje njëri, me të gjithë seriozitetin dhe peshën e viteve dhe të kulturës së vet prej poeti më tha: unë e kam pas dashur shumë Enver Hoxhën. Nuk i kam gjykuar kurrë ngaqë kam menduar: se meqë në Kosovë vëllezërit kanë pasur dy armiq, komunizmin dhe serbomëdhenjtë e mes të dyjave kanë zgjedhur të urrejnë atë më të egrën dhe kanë dashuruar atë më pak të keqe.
Më pas vjen mbyllja, çelësi i dëshifrimit të këtij romani. Një margaritar i përflakur!
Na ishte një herë dhe na është.
Na ishte një herë Sutë Sutorja dhe ju mund ta takoni……
Na ishte një herë dhe na është Kosova dhe Shqipëria. Me shumë eshtra në vatër. Eshtra të gjalla që frymojnë megjithëse të vdekura. Janë eshtrat e Sanxhakut, të Preshevës, të Bujanovcit, të Plavës e Gucisë, të Tivarit e të Ulqinit, të Shkupit, Tetovës e Manastirit: eshtrat e të përgjakurës Çamëri. Na ishte dhe na është një vend, një popull me shumë flamuj dhe tokën që kullon gjak, nga naiviteti i burrave që përkundi në djepin e saj mijëra vjeçar. Na ishte dhe na është një vend me dy flamuj që lotët e dhimbjes i derdhin në shtretërit e lumenjve që e përshkojnë.
Nga kjo mbyllje m’u kujtuat Edgar Alan Poe. Ai i niste librat gjithnjë nga fundi, të paktën kështu thuhet.
M’u kujtua pasi vetëm kur lexova fundin arrita të zbërthej të fshehtën reale të këtij romani. Të gjithë kapitujt m’u bënë më të qartë vetëm pas fundit. Edhe arsyen e vërtetë të akullsisë së pamëshirshme me të cilën flet ky libër. Pas leximit të fundit m’u qartësua edhe skena aq e dhimbshme e përdhunimit, madje pranoj që profesori ka bërë mirë që e ka shpjeguar qetësisht, akullsisht, në të gjitha detajet, atë skenë, pasi ajo simbolizon përdhunimin 100 vjeçar (mbas edhe më shumë) që duroi Kosova e përgjakur. Ajo u dhunua dhe shpëtoi nga përdhunuesi i saj djallëzor në çastin që ai po përkundej nga epshet e kënaqësive më shtazarake.
Çka të the më për këtë libër! Jo se s’ka më për të thënë, por ndjej se ajo akullsia, me të cilën me dhunë vesha shpirtin tim prej Shqiptari naiv, po shkrin.
Dua të them edhe një të fundit. Ky libër, “Ferri i lodhur”, i Anton Nikë Berishës, nuk është për të gjithë shqiptarët, por vetëm për ata që dinë të pranojnë realitetin siç është. Sepse ky nuk është një roman, por një analizë e botës së brendshme dhe e botës reale, historike, e trajtuar në prozë. Ky roman nuk të rrëfen për eposin e kreshnikëve të humbur, por për ferrin e Kosovës, të Shqipërisë, të lodhur nga arratisja nëpër natën e pafundme, e ndjekur nga përdhunuesit e shumtë që historia i ka vënë ndër shtigje.

 

Pisa, 08-04-2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s