KODI POETIK NË VEPRËN “TË VRASIM HESHTJEN’’ TË POETIT ADEM ABDULLAHU / Nga Natasha Xhelili

KODI POETIK NË VEPRËN “TË VRASIM HESHTJEN’’ TË POETIT ADEM ABDULLAHU.

 

 

natasha Xhelili

Nga Natasha  Xhelili

 

 

Të vrasim heshtjen parashtron  një kod poetik  që intrigon në gjurmë të artit gjenerues duke kërkuar fillesën te thjeshtësia dhe ambiguiteti që proçedon me fjalë që rrjedhin nga një shpirt i dashuruar me jetën, me vargje që kërkojnë lirinë në çdo gen, atë liri që buron prej dashurisë, që i ka rrënjët të thella në qenien njerëzore që i dorëzohet ndjenjave për ta bërë më të mirë botën.

Ajo ndajfolje që fillon vargun e parë të librit, që duket sikur shkon pa kuptuar si një fjalë e zakonshme “shpesh”, fillon të shpalosë një shpirt që ndien “vjeshtë” me “açar” e trishtim” duke shtruar para nesh një shqetësim të fshehur me petkun e verdhmë të vjeshtës. Ajo që i mungon poetit :

S’kam ndier moti erë vere

Gjallëri e gjelbërim,

Dallëndyshe e të qeta liqene…

paralajmëron një botë të pafrymëzuar, një natyrë të përçudnuar, një dhimbje të tjetërsuar  në dallgë e furtunë, një kohë që ka mbetur në vend,prandaj autori gjen dy pika të forta për të hedhur themelet e një jete të re: erën dhe ty që duket në plan të parë se përfaqëson dashurinë dhe jepet në një këndvështrim tjetër në antitezë të plotë me vjeshtën e heshtur. Dy elementet qëndrojnë jashtë kufijve të plagës së poetit : ‘’ti moj lule në zhblim’’  dhe “që lulishtes me ngadalë më ikë’’.

Mrekullitë fillojnë prej lulëzimit, çdo episod bëhet i këndshëm prej motivit të ikjes e lëvizjes në përgjithësi. Kjo poezi në dukje një peisazh i ngarkuar i shpirtit njerëzor alternohet në figuraçion me dhimbje e pathos luftarak të mospranimit të realitetit e dëshirës për ndryshim të tij.

 

Adem abdullahu

ADEM ABDULLAHU

 

Konstelacionet në qiell nuk plaken me kalimin e kohës,dashuria nuk zbehet edhe pse të gjithë shkruajnë për të. Ajo formësohet e riformësohet me sema të reja sa të ngjashme aq  natyrshëm të ndryshme. Zgjedhja e elementeve të përshkrimit instalohet nga poeti në natyrë, nga gjallesat e cilësuara të bukura, por edhe elementët fantastikë të unit popullor e shoqërojnë si plotës kryesor duke mbajtur peshën e fjalës. Përafrimi i situatave kodifikohet ende me bashkërendimin e planeve që priten e shenjojnë një realje të re të zbukuruar me pikësim e koinçizitet mbresëlënës.

“Kaprolle e bukur…

Fluturo

Me flatra ëngjëlleshe!

Unë të pres si pistë

E alternimit të dehur nga dashuria…”

Thjesht, bukur, qartë, kjo është poezia moderne që lëvrohet nga poetët shqiptarë të kudondodhur duke dashur të bëhen pjesë e bashkëkohësisë poetike.

Mundësitë e mëdha të përkthimit sot , jo vetëm të nobelistëve, por të pothuajse të gjithë letërsisë së mirë evropiane dhe amerikane, globaliteti si në të gjitha fushat ka bërë që letërsia shqipe e sotme të inkuadrohet e të jetë koherente, sidomos pas shpëtimit nga prangat e realizmit socialist që shkaktoi përvec  frenimit edhe viktimat e një dhune fizike e psikologjike. Mbërritja e letërsisë aktuale në duart e lexuesit në kohë ka ndryshuar edhe  cilësinë e saj. Lexuesi i rafinuar e i stërvitur mirë nuk e pranon më krijimtarinë e dobët e jashtëkontekstuale. Në këtë prizëm autori Adem Abdullahu me një përvojë rreth tridhjetë vjeçare, me një shumësi botimesh jo vetëm në shqip, lëvrues  i prozës për të rritur e fëmijë, botues i një reviste për fëmijë në Maqedoni, përkthyes i zoti në disa gjuhë sllave, mbi të gjitha i dashuruar me poezinë, këtë bashkëudhëare që nuk tradhëtohet lehtë, dallohet për poezinë e tij mendimtare që e vulos në trojet e shqipes, që bëhet pararojë me stilin e vet ,duke e mbrujtur me cilësitë që e bëjnë interesante, duke të zhytur “në botën e përrallave” ashtu si dashuria. Ai është i çiltër me lexuesin . mundohet të vendos një kontakt të drejtpërdrejt me të, duke i folur hapur dhe duke shkruar një letërsi që do të jetojë për një kohë të gjatë.

Dashuria është si një mal që nuk mund të fshihet, s’mund të mbetet as thjesht te fjalët : “shpirt” e “zemër”. Ajo ngrihet në nivelin e këngës që na shoqëron gjithmonë, gjatë veprimtarive të ditës. Duke pranuar që hidhërimi është pjesë e jetës, që herët a vonë do na godas pashmangshëm, atëherë duhet të dimë se ku mund ta gjejmë shërimin. Pohimi :“ ti je e lindur/ për shërim plagësh” merr ngjyrat e dashurisë si te Poradeci që të dashurën e vet e quan shoqe e motër, duke kapërc yer kufijtë e logjikës për të na futur në botën e fshehtë të tij me sa duket : “më e fshehtë se fshehtësia”. Një botë e ëndërruar që pararend botën mistike poetike.

Thirrja : kënga le të prijë/ rrugës së lumturisë” që njehson vlerën e lartë të dashurisë, duke identifikuar kredon e vet poetike me : “jam i gjallë e i uruar/ shpirtin tim s’ka bërë nënë tjetër/ veç teje për ta pushtuar.” Ashtu si romantikët , por edhe poetët e rrymave të tjera letrare, vëzhgimit të autorit s’ mund t’ shpëtojë pamja e natyrës, peisazhi llokoçitës i zemrave.  Përdorimit të fjalëve të tejskajshme si “zapuri”, nuk i mungojnë edhe gjetjet artistike të arrira që përsëri mbulohen nga simbolika polisemantike:

Eh,/ natë vere,/ freskut i mungon/ vetëm një hije hëne!  Poç’është kjo natë vere që na jep një kuptim të dyzuar?! Lumturia e pasthirrmës që buron prej një ndjenje në ekstazë, përthyhet në vargun e fundit. Duket sikur bota përmbyset. Po ç’mund të jetë një natë vere pa një hije hëne? Në një natë vere me hënë thyhen kufijtë e ditë-natës, përmbyset kronologjia e admiruar njerëzore, duke mposhtur konceptin e mbarimit të diçkaje, të fundit… errësira përsëri e ka pushtuar poetin, shqetësimi vazhdon. Nata po ashtu.

Kësaj hëne të humbur a të fshehur autori i kërkon syrin për të parë Atë, flladit të erës i kërkon ta përkëdhelë, zogut të malit t’i këndojë asaj një këngë me ujem. Largësia mposhtet në këtë mënyrë, me ndihmën e elementeve të natyrës. Lexuesi duhet ta admirojë këtë lloj dashurie që fal gjithçka edhe kur është e pamundur. Zgjedhja e këtyre tre elementeve si në përrallat e krijimet e tjera popullore, përbën çelësin e energjisë jetësore. Konkretizimi prej poetit instalon edhe një herë kodin e vet poetik  që shtrihet në një bazë të gjerë që nga tradita, moderniteti dhe novacioni që buron prej këtij vëllimi poetik.

Startimi me një provokim në të gjitha drejtimet i vëllimit poetik  si përsa i përket vargut, strofës e tematikës, e lejon poetin të mos jetë monoton në harkun e vet të triumfit. Ai nuk i shpëton dot motivit të dashurisë si refren i jetës e mbijetesës. Ai i drejtohet me një pyetje retorike vashës duke i thënë se nuk do të mjaftonte kurrë një poezi përkrah asaj që meriton një dashuri e vërtetë. Edhe pse duket hiberbolik pohimi i sjellë në vazhdim, dihet prej gjithkujt se dashuria ndryshon shpirtin njerëzor duke e drejtuar kah mirësisë: për ty më nevojiten/ tonelata letër…, ngjyrë…/ për thënë gjithë atë/ që ke më të mirë…! Ky konstatim është shumë i vjetër në mendimin njerëzor, por risjellja është vetëm detyrë e realizuar mirë, është një plan afatgjatë që rifreskohet e bëhet aktual, pa humbur vlerën , duke fituar inspirim të vazhdueshëm, pa rënë në kurthin e përsëritjes vulgare.

Shqetësimi që paraqitet në poezinë e pare i përshkon poezitë si një urë kalimi nga njëra te tjetra duke zgjatur krahët herë pas here për të ndriçuar në fund të tunelit. Rishfaqja e tij me një pamje të re, jo me një lumë fjalësh, por me një lumë mendimesh që fshihen pas saj:

Natë,

E qetë…

Me shumë

shpresë

Për diell…

Siç shihet nga një fjalë për çdo varg, duket sikur poeti do të ushtrojë lexuesin me poezinë e vet duke e bërë bashkëautor. Natë mund të nënkuptojënjë varg simbolikash që fshihen pas saj si: errësirë, ftohtësi, padije,dhe mbi të gjitha vetmi e humbje shprese. Vargu i dytë është një antonim  kontekstual i fjalës lëvizje , kështu përmbush përshkrimin e vazhduar të vargut të parë. Ajo që qëndron në mes është fjala “shumë” që thyen notat pesimiste që sunduan duke paralajmëruar diçka të re, një antitezë të plotë “shpresë” dhe “diell”që gjithashtu mund të plotësohen simbolikisht.

Një vepër letrare edhe kur është një vëllim poetik, funksionon si një e tërë , ajo është frut i një bote të pasur shpirtërore plot energji e gëzim, e shoqëruar nga një ritëm i vrullshëm, që përfaqëson realitetin e mbështetur në këndvështrimin e autorit që është çoherent dhe shpreh hapur qëndrimin e vet ndaj saj. Pamja që na sjell duket e pabesueshme, ndoshta hiperbolizmi e ka bërë punën e vet më së miri. Bota c ilësohet si : “e çrregullt”, “jallane”, “pa mëshirë” . strofa e dytë merr tone satirike ashtu si poezia e Ali Asllanit një shekull më parë . Me sa duket bota nuk ka ndryshuar që atëherë, ose këndvështrimi i autorëve për të.

I larti ulet

Buburrec i lart çohet!

I ligu shan,

I urti turpërohet!

Kjo antitezë shpotitëse me antonime në çdo varg jep një frc ë të madhe, forc ën goditëse të fjalës që poetët e njohin mirë. Mbyllja e poezisë është po ashtu tronditëse:

Vazhdon kështu,

Lart, poshtë, poshtë, poshtë…!

Mohimi i trihershëm është i dhimbshëm deri në fund të dheut.

Kapaciteti i shumëanshëm i një vepre letrare nuk perceptohet gjatë leximit të parë të saj, as të dytë e të tretë. Rikthimi sjell gjithnjë një zbulim të ri. Shumëllojshmëria e mjeteve të përdorura gjeneron gjithnjë  dëshirë për ta rilexuar. Autori lëvron me sukses strofën e vargun e lirë, vargun e matur, vargun me rimë e vargun e bardhë, duke hequr monotoninë dhe duke na sjellë një vepër të lexueshme në të gjitha kohërat.

 

Delvinë më  07.05.2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s