Cikël poetik nga Myrteza Mara

 

myrteza

Cikël poetik nga Myrteza Mara

 

 

EJA, PSE VONOHESH

 

Po ti përse vonohesh kaq shumë,
nuk i dëgjon zilet e orëve të mbrëmjeve?
Natën edhe urat verbohen mbi lumë
vetëm yjet orkestrojnë uverturat e këngëve.

Në odën e pritjes janë shtruar pikëpyetjet,
vonesa si një dritare e thyer në dimër.
Po ti eja, eja, duhet të vish patjetër,
nuk dua të vish sic erdhi Doruntina.

Pemët s’po marrin frymë, zogjtë në koma
po ti përse vonohesh kaq shumë?
Eja sa mjegulla nuk ka pushtuar botën
dhe bota s’është përmbytur në gjumë.

Mos pi ujë nëpër burimet shtegëtare,
ku ujqët synxehtë i padisin qengjat.
Eja, të pres nën vesën e luleve të majit
bashkë me heshtjen e violinës së bilibilave.

Po ti përse mendohesh kaq gjatë?
Eja se u lodhën akrepat e orëve.
Dhe hënën e zuri nata jashtë
me dritën xheloze të meteorëve.

Eja, sic vijnë dallgët e nxehta drejt bregut
duke u “hakmarr” me puthje kanibale.
Eja, se edhe të duam nuk kemi jetë tjetër,
madje, atë tjetrën, unë nuk e besoj fare!

 

 

 

FLAS ME NJË PORTRET

 

Mbaje zemrën time, sikur veç për valle
Beje shtizë flamuri, ndiz me të dhe zjarre.
Është zemër poeti, gjak prej vetëtime
Troku që jehonë vjen nga zemra ime!

Unë rrit një ëndërr, ushqej një shpresë
Dhe i falem Zotit, më dhuroi dy jetë.
Më fali një qiell, më rinisi udhën
Më dha diell shpirti, prushëroi muzën.

Tani, t’gjitha këngët kanë emrin e saj
Brohoras i lumtur dhe më vjen të qaj
Janë lotët e mallit për kohën e humbur
Janë lotët e zjarrit për magjinë e bukur.

Shikoj një portet, end dhe një dëshirë
Shpirti më kullon, bëhet si rrëshirë
Dhe të flas në emër, ti veç buzëqesh
Të them më je shpirt, të kam edhe jetë.

Ti më vret me heshtje se të kam larg
Pasqyrat e fjalëve janë veshur me natë
Mos më ver në provë, jam gurë me rrënjë
Di të qaj bukur, di t’këndoj dhe këngë.

Di, oh, çfarë nuk di, për ty di aq shumë
Di që vdes për ty, di që s’bëj dot gjumë.
Di se të kam dritë, në varg të kam rimë
Në aortë të zemrës të kam si violinë.

Di që të kam jetë, Jetë edhe të quaj
Di që vdes për ty, di edhe që vuaj.
Di se do të të dua sa të kem frymë
Veç me emrin tënd thërras dashurinë!

Unë ta fala zemrën, ti me fale jetën
Ndaj besoj në qiell, besoj të vërtetën
Eh, moj mikja ime ndiz vargun e këngës
Sa të shkon vallja me shami një zemër.

 

 

 

PEIZAZH I ÇASTIT
-ripublikim-

 
Më thoshe dikur: do vdes për ty!
Unë s’të besoja, se s’besoja as veten;
Ndodh kështu kur je në zjarrmi,
Kur buzët e thara digjen nga ethet.

Më thoshe dikur: është puthja e parë!
Unë s’të besoja, se s’besoja as veten.
Për puthjen e pare dikur kam qarë,
Sa edhe sot buzët më djegin.

Më thoshe dikur: do jem besnike!
Unë s’të premtova se s’besoja as veten;
Gjithë ai zjarr-kujtimi i një dite,
Peizazh i çastit, një gjurmë komete.

 

 

NOMAD ËNDRRASH

 

Kam filluar shpesh e më shpesh
Të shkel trotuarët e mbrëmjeve të tua.
Gjurmët e lodhura mbuluar me vjeshtë
Vetëm neonët, si përherë, rrinë zgjuar.

Kam filluar të gërmoj thellë në kujtime,
Aromën e tyre e ndjej mbi qerpik.
Ndodh që përhumbem edhe në vegime,
Por shpirti si yjet lundron në dritë.

Kam filluar të ngrihem edhe më herët,
Dua t’i shoh gjurmët mbuluar me vesë.
Rrëshirën kur zbret nga trungu i pemës
Dhe këngën e zogjve në çdo mëngjes.

Kam filluar të numëroj gjysmat e hënës,
Dhe ata yje që digjen në univers.
Kujtimet më ndezin një zjarr në zemër,
Lavdi Zotit!-brohoras çdo mëngjes.

Kam filluar të ndjej një trok të afërt,
Dhe s’di pse më hanë këmbët për udhë,
Në detin e shpirtit gjëmojnë dallgët
Nomad ëndrrash, i tillë mbeta unë.

 

 

 

TI MË DO ISHULL

 

Ti më do ishull, ishull vetëm për vete,
Të vish sa herë me varkën e një ëndrre
Ti më do ishull, rrethuar nga dy dete
Ku pemët me zogj ndizen nga këngët!

Ti më do ishull, satcion për meteorët,
Copëza yjesh si kurora lëndine
Unë-Robinson Cruzo që kurdis orët
Ti-qielli pa re në syrin e agimeve.

Ishull do të bëhem për dashurinë
Se dallgët e tua e duan një shkëmb
Krahët e lodhur të zogjëve pelegrin
Në ishull i ngrenë foletë me rrënjë.

Në atë ishull do i varros gjithë plagët
Në fund atje do varrosem dhe vet
Me lotë kujtimesh do e mbush varkën
Lidhur pas ishullit do endet në det!

Mos e kërkoni atë ishull në hartë,
Është ishull i një zemre në lundrim
Nuk ka kurs, s’ka as koordinatë
Me dallgët e deteve kërkon stuhinë!

One thought on “Cikël poetik nga Myrteza Mara

  1. Myrteza Mara është i ri në shpirt, i pjekur në varg, i ngrohtë në strofë, misionar i së bukurës në poezi.
    Pylli i dashurisë njerëzore zotërohet dhe depërtohet në çdo skutë me lëvizshmëri si prej ajri.
    Noke

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s